Prof. Gazmend Shpuza
Këtë vit, më 23-29 korrik, u mbushen 113 vjet nga koha kur u mbajt Kongresi i Dibrës. Megjithëse një përvjetor jo jubilar, duhet pranuar që ky tubim historik meriton të kujtohet, se përfaqëson një ngjarje shumë të rëndësishme të historisë sonë kombëtare në rrugën e sendërtimit të të drejtave historike të të mbarë shqiptarëve në fillimet e shekullit XX. Në vitin 2003 për të në Dibër u mbajt një veprimtari shkencore, e cila megjithë ndonjë diskutim të pa vend që pati aty, ndihmoi mjaft në sqarimin e mjaft aspekteve themelore dhe të veçanta të kësaj ngjarjeje, që ishte bërë me të pa të drejtë e diskutueshme.
Ndërsa me rastin e 100-vjetorit u mbajt një konferencë shkencore e mirorganizuar me një pjesëmarrje të gjerë, e cila kontribuoi ndjeshëm për një ndriçim më të plotë të saj, që të kapërceheshin plotësisht keqinterpretimet dhe vlerësimet jo shkencore nëpër të cilat ka kaluar perceptimi i Kongresit. Punimet e saj janë përmbledhur në një botim të veçantë.
Me përpjekjet që janë bërë dhe rezultatet që janë arritur sidomos në këto 20 vjetët e fundit për rivlerësimin e Kongresit të Dibrës janë ngulitur përfundime shkencore sa të kapërceheshin vlerësimet tendencioze të trashëguara rreth kësaj ngjarjeje madhore të historisë sonë kombëtare të fillimit të shekullit të 20-të. Megjithatë në internet ende ruhen vlerësime kontradiktore deri negative. Në këtë qëndrim kaq këmbëngulës, me sa duket, ndikojnë jo për mire dhe tekstet shkollore. Shprehje e koncentruar e këtij vlerësimi jo shkencor, pak të quhet kontradiktor e deri dhe negativ, mbeten edhe tekste universitare.
Madje, sot nisur nga një këndvështrim ngushtësisht sektar, në dukje, krejt tjetër, nën shtytjen e paragjykimeve, antiislamike, për këtë moment shumë të rëndësishëm të historisë së shqiptarëve nuk mungojnë në internet sërishmi, vlerësime tejet atavike të dikurshme.
Ende nuk arrijmë, që pas njerëzve që mbanin titullin bej apo pasha dhe, sidomos, pas njerëzve me çallma, të shohim elementë të emancipuar përfaqësues të shquar e, madje, pararojë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Me gjithë pasojat e terrorit të egër xhonturk të forcave të komanduara nga Xhavit e Turgut pashallarët, vendimet e Kongresit të Dibrës shënuan një hap shumë të madh përpara në parashtrimin haptazi të kërkesave themelore kombëtare të Rilindjes, përballë autoriteteve osmane në atë tubim të përmasave ballkanike.
Përkujtimi i njëqindvjetorit të këtij Kongresi shënoi një homazh plotësisht të merituar jo vetëm për atdhetarët dibranë dhe nga mbare shqiptaria me klerikët Vehbi Agolli dhe Ali Korça në krye, të cilët dhanë ndihmesën kryesore në kthesën që morën punimet e Kongresit të thirrur nga xhonturqit e sapo vendosur në pushtet. Ato u pasqyruan qartë ne vendimet e botuara jo vetëm osmanisht por dhe shqip, dukuri tepër e rrallë për të mos thënë unikale, e vetmuar, në kontaktet kulturore dhe sidomos ato politike shqiptaro-osmane.
Tashmë nuk ka më dyshim, se kemi një vlerësim objektiv të Kongresit të Dibrës. Mbijetesa deri vonë e mendimeve pak të quhen kontradiktore deri negative rreth kësaj ngjarjeje qe mundësuar jo aq nga kërkesa me karakter politik dhe ideologjik të sistemit monist që lamë pas para një çerek shekulli. Sot nga një këndvështrim kinse krejt tjetër, të nisur nga paragjykime antiislamike, për këtë moment shume të rëndësishëm të historisë së shqiptarëve në prag të Pavaresisë, në internet nuk mungojnë sërishmi vlerësimet negative.
Në publicistikën e ditës, në atë që mëton të jetë shkencore, lundron mendimi, se ky kongres, si përsa u takon përmasave ashtu dhe përsa u takonte rezultateve, na i paska lënë një “imazh negativ” Dibrës, qytetit në të cilin ai u mbajt. Fakti që atë e organizuan xhonturqit nuk na jep të drejtën për ta klasifikuar, pa një pa dy, si dukuri negative historike shqiptare të rrafshit kombëtar. Për të kundërtën të bindin si ecuria e punimeve të tij, me gjithë debatet e ashpra që u zhvilluan gjatë seancave, dhe sidomos vendimet që u morën aty.
Ende nuk arrijmë, që pas njerëzve që mbanin titullin bej apo pasha dhe, sidomos, pas njerëzve me çallma, të shohim përfaqësues të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Jo rrallë ato i kërkojmë, sipas kritereve sektare vetëm midis klerikëve me veladon apo me raso.
Organizatorët xhonturq gabuan keqas në llogaritë e veta, kur e caktuan Dibrën si qendër të këtij Kongresi. Dibra kishte qenë dhe kishte mbetur një nga vatrat më të rëndësishme të lëvizjes çlirimtare e më pas kombëtare shqiptare. Jo rastësisht organizatorët theksonin, që Kongresi do të mbahej në qytetin e Dibrës të kuvendeve të Lidhjes së Prizrenit, që ndodhej, afërsisht në qendër të Shqipërisë së kohës. Ato ditë ky qytet historik u bë selia e një kuvendi të përmasave ballkanike me një vulë të qartë shqiptare thellësisht kombëtare.
Kongresi në sajë të luftës së delegatëve atdhetarë u shpall dhe i vijoi punimet si kongres i shqiptarëve. Këtë karakter nacional të shprehur qartë në të gjitha punimet e tij si dhe në dokumentacionin e miratuar në përfundim të tij, ai e ruajti dhe pas përpjekjeve të delegatit serb të Shkupit, Elezoviç, në mbështetje të autoriteteve xhonturke, për ta mohuar një realitet të tillë.
Jo vetëm emri i kongresit, i cili nuk mund të ishte ndryshe, por dhe të gjitha punimet e tij provuan plotësisht se ai u mbajt dhe përfundoi si një kongres thjesht shqiptar. Në kongres krahas turqishtes si gjuhë e tij u përdor dhe gjuha shqipe, çka u pasqyrua dhe në dokumentet përfundimtare të tij, të cilat u botuan në të dy gjuhët.
Kongresi i Dibrës ka meritën e madhe se ai dëshmoi katërcipërisht, që elementi shqiptar ishte nga ana demografike dhe nacionale elementi mbizotërues në zotërimet osmane në Ballkan aso kohe. Kjo jo vetëm përsa iu takonte katër vilajeteve perëndimore të Rumelisë, që bënin pjesë, me të drejtë, në konceptin territorial të kërkesave kombëtare të shqiptarëve që nga koha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Platforma e Kongresit e parapërgatitur qysh më parë nga organizatorët xhonturq, nuk u pranua nga shumica e delegatëve që në mbledhjen e hapjes së tij.
Si rrjedhim, Kongresi i Dibrës, sapo filloi punimet e tij, pushoi së qeni, siç u projektua nga organizatorët xhonturq, një forum xhonturk dhe u shndërrua menjëherë në arenë të ndeshjes së atdhetarëve shqiptarë me organizatorët e tij. Për më tepër ky Kongres, në sajë të guximit dhe vendosmërisë së delegatëve atdhetarë, u kthye në tribunë të zjarrtë të parashtrimit me forcë të problemeve kardinale që shqetësonin Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.
Atdhetarët shqiptarë nuk u mjaftuan me kaq, por mundën, gjithashtu, që në këtë tubim të sanksiononin, fuqishëm, kërkesa që objektivisht çonin në drejtim të hapjes së rrugës për realizimin e autonomisë së Shqipërisë. Kongresi u shndërrua në një forum vendimmarrës i Lëvizjes Kombë tare Shqiptare përballë pushtetit xhonturk dhe në praninë aktive të përfaqësuesve të tij. Për këto arsye, përfaqësuesi i Komitetit xhonturk në kongres Ejup Sabri Ohri, siç na dëshmon atdhetari demokrat dibran, Haki Stërmilli dhe burime të tjera, Kongresin e Dibrës e quajti gur themeltar të “Vetëqeverimit të Shqipërisë”. Prandaj, ai kërkoi menjëherë mbylljen e Kongresit, në të vërtetë, shpërndarjen e tij. Porse me këmbënguljen e delegatëve atdhetarë shqiptarë ai i vijoi punimet dhe mori më tej vetëm vendime shumë të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë.
Kërkesa të tilla si ajo që nëpunësit të dinin gjuhën dhe zakonet e vendit, futja e gjuhës shqipe në shkollat shtetërore, hapja e shkollave në gjuhën shqipe, kryerja e shërbimit ushtarak në vend nuk përbënin një fitore të vogël për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Kongresi atyre iu dha një forcë vendimore. Që nga Lidhja e Prizrenit asnjë tubim masiv i tillë i shqiptarëve në vend nuk kishte arritur t’i parashtronte kërkesa të tilla me karakter të theksuar politik autoriteteve osmane.
Atdhetarët e shquar pjesëmarrës të këtij kongresi shfrytëzuan rastin me shumë aftësi dhe guxim për të realizuar në këtë kongres, çka rrethet politike atdhetare shqiptare brenda vendit prej kohësh po përpiqeshin t’i formulonin dhe paraqisnin zyrtarisht.
Nga reaksioni xhonturk dhe ai shovinist ballkanas i përfaqësuar në këtë kongres, ky forum u konsiderua, me shqetësim, “parlamenti i Rumelisë”. Fjala ishte për parlament shqiptarësh, që përbënin shumicën e popullsisë së këtyre trevave, çka e dëshmonte dhe vetë shkalla e përfaqësimit të tyre në të. Prandaj krerët xhonturq në fjalë, ndonjeri edhe pse shqiptar, kundërshtuan me forcë institucionalizimin e këtij tubimi, çka formalisht nuk e arritën. Kongresi vendosi që ai të mbledhej çdo vit në një prej qendrave të vilajeteve shqiptare. Qendra e ardhshme do të ishte Janina. Natyrshëm që pas shpërthimit të reaksionit xhonturk mbi trevat shqiptare në radhë të pare kundër vendimeve të Kongresit të Dibrës as që bëhej fjalë për fillimin e kongresit të ri të planifikuar.
Përfundimet e këtij tubimi historik ishte një hap i ri shumë i madh përpara në parashtrimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve dhe madje edhe për hapjen e rrugës për realizimin e tyre.
Parë me këtë sy Kongresi i Dibrës me gjithë që nismën për thirrjen dhe organizimin e tij e patën xhonturqit, nuk i përligj pretendimet, të cilat nuk mungojnë dhe sot e kësaj dite, rreth tij. Sipas tyre ky kuvend, me që nuk qe organizuar nga shqiptarët, por qenka kurdisur nga të huajt e, madje, edhe nga armiqtë e Shqipërisë, të vlerësohet negativisht siç ndodh ende. Shqiptarët në këtë kongres nuk kanë shërbyer si mashë në duart e xhonturqve. Pra, kurrësesi nuk qëndron pretendimi nëpër internet që ky na qenkërka “kongresi i turpit”! Ai u bë realisht Kongresi i atdhetarëve shqiptarë dhe i bën krenar jo vet dibranët por mbarë shqiptarët edhe sot e kësaj dite.
Jo rastësisht, Dibra u bë një nga objektivat e terrorit të egër të gjeneralit famëkeq Shefqet Turgut pashës. Në fund të fundit, ekspedita ushtarake e tij pati për synim të pengonte, së parit, vënien në jetë në rrugë parlamentare të vendimeve historike të Kongresit të Dibrës.
Një tubim historik si Kongresi i Dibrës i organizuar nga xhonturqit, dëshmon qartë se si forcat atdhetare shqiptare përballë pushtetarëve të sapoardhur në pushtet dhe agjenturave të huaja, në fillim shek XX, gjetën gjuhën e përbashkët dhe iu imponuan atyre. Sigurisht që nuk e patën të lehtë të përballin dhe elementët e lëkundur dhe, madje, dhe agjenturën turkomane.
Ndërsa sot forcat politike dhe, madje, dhe ato intelektuale shqiptare, mjerisht, nuk e gjejnë kollaj gjuhën e përbashkët, të ulen dhe të bisedojnë në një tryezë për shume çështje me interes të perbashkët kombëtar mbarëshqiptar Me sa duket, mjaftohemi vetëm me Abetaren e pëbashkët.
Përkujtimi i përvitshëm jo vetëm jubilar i këtij Kongresi mbarëshqiptar është një homazh plotësisht i merituar jo vetëm për atdhetarët dibranë me Vehbi Agollin në krye të cilët dhanë ndihmesën e vet në kthesën që morën punimet e Kongresit si dhe për vendimet e rëndësishme që u morën aty. E gjithë Shqipëria nderon dhe përulet me respekt përpara atdhetarëve si Hafiz Ali Korça, Abdyl Ypi, Qenan Manastiri, të cilët qëndruan në ballë të debateve të ashpra që zhvilluan në Kongres. Duke pasur ato ditë përkrah edhe Rexhep Vokën e Haxhi Ali Elbasanin e të tjerë, me luftën e tyre të vendosur, e bënë Kongresin e Dibrës arenë të luftës së mendimit dhe të veprimit më të përparuar atdhetar të shqiptarëve për atë kohë kundër qëndrimeve reaksionare dhe antishqiptare të xhonturqve dhe të bashkëpunëtorëve turkomanë. Këta atdhetarë të mbështetur nga Dervish Hima, Ibrahim Temo, Sotir Peci, Loni Logori, Ferit Ypi, Fehim Zavalani e plot të tjerë që nuk morën pjesë drejt për së drejti në mbledhjet e komisionit të ngushtë të Kongresit, bënë që kongresi të shndërrohej në tribunë luftarake për shpalosjen e kërkesave të mirëfillta, politike, të shqiptarëve, të kërkesave më të avancuara të rretheve atdhetare shqiptare. Me këtë rast nderohet një plejadë atdhetarësh të shquar shqiptarë, pra, jo vetëm dibranë, të fillimit të këtij shekulli. Të gjithë së bashku këta atdhetarë e shndërruan Kongresin e Dibrës në një forum të lartë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në të cilin u mbajtën qëndrimet dhe u morën vendimet më të avancuara të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare pas Lidhjes së Prizrenit, në prag të Shpalljes së Pavarësisë.
PROFESOR SHPUZA JU UROJ GJITHE TE MIRAT, JU LUTEM TE JENI ME AKTIV, KEMI NEVOJE PER JU .FALEMNDERIT GAZETES DITA QE JA U JEP KETE HAPESIRE JUVE DHE NEVE.
Falenderime Profesor Gazmendit per kontributin e shquar ne ndricimin shkencor te momenteve kyce te
historise tone kombetare,
Agimi
Respekte per Prof. G. Shpuzen, qe vlereson lart Kongresin e famshem te Dibres!
Mor zotni Shpuza!Perse perhere ne ane te regresit juve?
Yt ate,Selim Shpuza u be zedheneesi historik i rreaksionit fanatik turkoshak te Haxhi Qomilit.Keshtu u be dora e enver hoxhes ne trajtimin e historise se asaj periudhe,qe i kushtoi shume Atdhetareve shqiptare,qe shpallen Pavaresine ne Vlore.Ne diskutimin e Projektit te Historise se Shqiprise ,Dy Dijetare dhe Deshmitare te asaj Periudhe,,Alexander Xhuvani dhe Qamil Celirama ju kundervune trajtimit historik te rrebelimit regresiv fanatik musulman te Haxhi Qamilit,.Madje Qamil Celirama,ish sekretar i Nolit dhe Bolshevik i Leninit,ja perplasi ne sy enver hoxhes kundershtimin e tij per trajtimin e Haxhi Qamilit si Pugacof,dhe rrebelimin taliban te fshataresise se Shijakut,Tiranes,Kavajes,Fushe Krujes,Peqinit,si kryengritje fshatareve kunder sundimit Feudal.Natyrisht Qamil Celirama vuajti pasojat e terbimit te tmerrshem te Enver Hoxhes,,per nje plak 80 vjecar.
Le te vijme tek Kongresi i Dibres.
Eshte kunderpergjigja xhonturke ndaj Kongresit Kombetar te Manastirit.
Shkrimi i gjuhes Shqipe kishte marre jete qe me Hartimin e Alfabetit te Veqilharxhit ne 1847 me te cilin u shkrua Alfabetarja e vitit 1848,por nje alfabet te persosur me shkronja krejt latine krijoi Kristoforidhi ne 1862 me te cilin u hartuan perkthimet e Bibles.Donte s`donte Turqia Shkrimi i gjuhes shqipe kishte marre jete,Shkollat e para ishin ngritur pa pyetur Turqine.
Per cfare duhej ky Kongres i Dibres?
Xhonturqit duke organizuar nje Kongres ne vendin e Ulemave,turkoshakeve,haxhilereve,hoxhallareve,(diber,tetove,shkup edhe sot koken n`xhami)kerkonin me cdo kusht te mbanin shqiptaret nen sundim,duke jju imponuar alfabetin arab,.Xhonturqit erdhen ne kongres me parrullen:Nuk ka Shqiperi,ka vetem Province Osmane.alfabetin Arab e kerkon populli musulman,qe nuk mund te pranoje germat e kaurreve.
Mbeshtetes te ketyre parrullave antikombetare u bene edhe delegacionet serbe me kryepriftin serb te Kosoves,Delegacioni grek me kryepriftin e Janines,delegacioni bullgar dhe ai vllah.
Greket kishin te drejte te mesonin ne shkolla greke te gjitha niveleve ne perandorine osmane,pa pasur nevoje per kongres,qe nga pushtimi i Kostandinopojes ne 1453,Bullgaret,Serbet,kishin patriarkanat e tyre dhe shkolla ne gjuhet kombetare me alfabet cirilik.Vetem shqiptaret ishin te privuar nga mesimi i gjuhes se tyre ne perandorine osmane.Ne kongtresin e Dibres nuk u diskutuan as Autonomia Shqiperise mbi 4 vilajete,as Pavaresia e Shqiperise,as adsministrata shqiptare,as sherbimi ushtarak ne trojet shqiptare.
U vendos qe gjuha shqipe te shkruhej me alfabet arab,si turqishtja,,ne ato krahina ku shumica ishte musulmane,.Edhe dhespoti i Janines ishte ndakord qe te shkruhej shqipja nga orthodokset,por vetem me shkronja greke.Keshtu ne Kongresin e Dibres mbeten te kenaqur te gjitha palet edhe xhonturqit organizatore,,edhe xhon greket edhe hoxhallaret,haxhileret,turkoshaket e mullahet e Dibres.Keta Ejup Ohri,Rexhep Voka,Haxhi Ali Elbasani,Musa Qazimi,jane LLUMI I TURKOSHAKEVE ANTISHQIPTARE,qe per pak e fundosen Shqiperine bashke me qerren turke.
Ju kujtohet Klubi Selanikut,,,I shkreti Haxhi Ali,,i ndjeri Ali Haxhi,,qe kishte formuar nje Alfabet me germa arabe. Ja ky eshte Haxhi Aliu.
O DEMO keni goje te flisni ju halet sor…, Dibra eshte qendra e rezistences anti osmane dhe anti serbe ne trojet shqiptare….ka luftra anti Osmane sa gjithe Ballkani bashke, jo vetem por dhe Serbise 9 vjet Dibra i beri rezistence…