Gara për zgjedhjen e drejtuesve të rinj të shërbimeve spitalore nis në maj. Dikasteri i Shëndetësisë ka konfirmuar afatet dhe procedurat e konkurrimit për zgjedhjen e drejtuesve të rinj të shërbimeve mjekësore në 5 spitalet publike të kryeqytetit: Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, “Spitalin Universitar të Traumës” Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” dhe atë “Koço Gliozheni”, si dhe Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”.
Përzgjedhja e drejtuesve të rinj do të bëhet në bazë të aplikimit me dosje, ndërkohë që do të jetë një komision ekspertësh të fushës që do të bëjnë seleksionimin e garuesve, duke listuar në fund edhe kandidatin që do të shpallet fitues për drejtimin e secilit shërbim spitalor universitar.
Për të qenë pjesë e garës, çdo aplikant duhet që në nisje të muajit maj të dorëzojë dosjen e dokumenteve të përcaktuara tashmë për konkurrim. Sipas afateve të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë, dorëzimi i dokumenteve mund të bëhet nga data 2-17 maj pranë zyrës së burimeve njerëzore të Fakultetit të Mjekësisë.
“Dokumentacioni duhet të jetë kopje e noterizuar dhe në gjuhë shqipe. Në rast paraqitje dokumentacioni në gjuhë të huaj, ky i fundit duhet të dorëzohet i përkthyer dhe noterizuar. Në përfundim të vlerësimit të dosjeve, lista e të kualifikuarve do të shpallet në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Universitetit të Mjekësisë, si dhe spitalit përkatës në të cilin është bërë aplikimi”, konfirmohet nga dikasteri i Shëndetësisë. Dosjen me dokumentet që duhet të dorëzoni gjatë procesit të aplikimit e gjeni të plotë në vijim të shkrimit.
Janë përcaktuar tashmë edhe kriteret që duhet të përmbushë çdo kandidat për të hyrë në garë për drejtimin e shërbimeve spitalore. Të drejtën e konkurrimit, e gëzojnë kandidatët që: janë mjekë specialistë të diplomuar në fushën e shërbimit për të cilën kandidojnë, janë të regjistruar në urdhrin profesional përkatës, zotërojnë titullin “Profesor”, “Profesor i asociuar” ose kanë Doktoratë/PhD të mbrojtur në një nga universitetet e Shqipërisë, të BE-së, SHBA-së, Kanadasë, Turqisë, Australisë ose Japonisë.
Një tjetër kriter i rëndësishëm është edhe koha e ushtruar e punës si pedagog. Kështu, kandidati për shef shërbimi duhet të ketë qenë jo më pak se 5 vjet pedagog pa ndërprerje në fushën ku konkurron.
Ndaj tij nuk duhet të ketë asnjë dënim të dhënë nga Urdhri i Mjekut, si dhe të mos ketë qenë asnjëherë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë. Mjaft i rëndësishëm është edhe kriteri i përvojës së punës. Autoritetet e dikasterit të shëndetësisë bën me dije se aplikuesi për shef shërbimi duhet të ketë jo më pak se 10 vjet në specialitetin përkatës.
Skema e vlerësimit
Më herët është zbardhur edhe udhëzimi zyrtar me skemën e vlerësimit me pikë që do të zbatohet në zgjedhjen e drejtuesve të rinj të shërbimeve spitalore. Autoritetet e shëndetit kanë bërë me dije se tre janë kriteret mbi të cilat do të bazohet vlerësimi me pikë i çdo kandidati.
Kriteri i parë ka të bëjë me titujt dhe gradat që secili kandidat në garë zotëron. Për këtë kriter në total do të mund të sigurohen deri në 30 pikë, prej të cilave 15 janë për ata që kanë fituar titullin “Profesor”, 10 pikë për “Profesor i asociuar” , 5 pikë për PHD, si dhe me 3 pikë që do të vlerësohet “Doktoratura”.
Kriteri i dytë që do të vlerësohet ka të bëjë me projektin katër vjeçar që çdo aplikues do të duhet të paraqesë për drejtimin e shërbimit në të cilin garon. Ky kriter siguron edhe nivelin më të madh të pikëve që çdo garues mund të sigurojë gjatë procesit të konkurrimit. Sipas skemës së përcaktuar nga dikasteri i Shëndetësisë, nëpërmjet këtij kriteri çdo kandidat që konkurron për drejtimin e shërbimeve spitalore universitare do të mund të sigurojë 54 pikë në total.
Kriteri i tretë ka të bëjë me vlerësimin e aftësive profesionale dhe organizative që çdo kandidat duhet të ketë për drejtimin e strukturës përkatëse shëndetësore. Vlerësimi maksimal i këtij kriteri bëhet me një total prej 14 pikësh.
Kandidati fitues lidh kontratë punësimi trepalëshe me drejtuesin e strukturës shëndetësore universitare, pjesë e së cilës është shërbimi përkatës, dhe me drejtuesin e institucionit të arsimit të lartë përkatës. Mospërmbushja e detyrimeve kontraktore që lidhen me funksionimin e strukturës shëndetësore universitare përbën shkak për prishjen e kontratës trepalësh. Monitorimi i punës së drejtuesit të çdo shërbimi mjekësor do të bëhet përmes vlerësimit të treguesve të performancës, si dhe në bazë të detyrimeve kontraktore sipas parashikimeve në kontratën përkatëse të lidhur në momentin e marrjes së detyrës.
KUSHTET QË DUHET TË PLOTËSOJË ÇDO KANDIDAT QË KONKURRON PËR SHEF SHËRBIMI:
- Të jetë mjek specialist i diplomuar në fushën e shërbimit për të cilin kandidon.
- Në rastet kur kandidati ka vetëm shtetësi të huaj, ai duhet të zotërojë certifikatën e mbrojtjes së gjuhës shqipe, me përjashtim të rasteve kur kandidati ka kryer një cikël të plotë studimesh në gjuhën shqipe.
- Të jetë i regjistruar në urdhrin profesional përkatës.
- Të zotërojë titullin “Profesor”, “Profesor i asociuar” ose të ketë Doktoratë/PhD të mbrojtur në një nga universitetet e Shqipërisë, të BE-së, SHBA-së, Kanadasë, Turqisë, Australisë ose Japonisë.
- Të jetë mjek pedagog me kohë të plotë, me kontratë me kohëzgjatje të pacaktuar në IAL-në përkatëse dhe të ketë të njëjtin specialitet në shërbimin shëndetësor universitar, për të cilin kandidon, ose të jetë/të ketë qenë mjek pedagog me kohë të plotë i strukturave universitare homologe të Bashkimit Evropian ose vendeve anëtare të OECD.
- Të mos ketë qenë asnjëherë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë.
- Të mos ketë asnjë dënim të dhënë nga Urdhri i Mjekut.
- Të ketë përvojë akademike si pedagog me kohë të plotë, jo më të vogël se 5 (pesë) vjet. Në rastet kur asnjë nga pjesëtarët e stafit mjekësor nuk plotëson kriterin e sipërpërmendur, mund të pranohen edhe kandidatë me përvojë akademike, jo më të shkurtër se 8 (tetë) vjet pa ndërprerje si pedagog me kohë të pjesshme në fushën ku ai konkurron. Konsiderohet përvojë akademike aktiviteti didaktik i kryer në institucione publike të arsimit të lartë apo në institucione jopublike të arsimit të lartë, të akredituara dhe në programe studimi të akredituara brenda vendit, në periudhën e përvojës së kryer. I njëjti kriter vlen dhe për institucionet dhe programet e akredituara/e njohura në një nga vendet e Bashkimit Evropian ose vendet anëtare të OECD.
- Të ketë përvojë klinike/diagnostike jo më pak se 10 vjet në specialitetin përkatës.
NË DOKUMENTACIONIN E KËRKUAR PËR APLIKIM DUHET TË PËRFSHIHET:
- Kërkesa me shkrim e shoqëruar me fotokopjen e dokumentit të identifikimit.
- Jetëshkrimi (CV).
- Diplomë e Mjekësisë së Përgjithshme.
- Diplomë e specialitetit të shërbimit. (Diplomat, të cilat janë marrë jashtë vendit, duhet të jenë njohur dhe njehsuar, sipas legjislacionit në fuqi nga MAS).
- Titullin që zotëron “Profesor”, “Profesor i Asociuar” ose Doktoratë/ PhD. (Titujt, të cilët janë marrë jashtë vendit, duhet të jenë njohur dhe njehsuar, sipas legjislacionit në fuqi nga MAS)
- Kandidatët që kanë vetëm shtetësi të huaj, duhet të paraqesin certifikatë/diplomë të njohjes së gjuhës shqipe.
- Licenca e Ushtrimit të profesionit.
- Vërtetim anëtarësimi nga Urdhëri i Mjekut.
- Vërtetim që nuk ka asnjë dënim të dhënë nga Urdhri përkatës.
- Vërtetim nga institucionet, ku vërteton vitet e punës si pedagog (të përcaktohet me kohë të plotë/të pjesshme, data e fillimit dhe përfundimit të punës ose në vazhdim, departamenti dhe specialiteti mjekësor ku aplikanti ka punuar/punon).
- (Kujdes, vërtetim apo kontratë pune nga strukturat homologe të huaja, duhet të jenë të përkthyera dhe të noterizuara)
- Formularin e vetëdeklarimit në zbatim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”
- Vërtetim i gjendjes gjyqësore (Dëshmi Penaliteti)
- Vërtetim nga institucioni/institucionet shëndetësore që kandidati ka përvojë klinike/diagnostike jo më pak se 10 (dhjetë) vjet në specialitetin përkatës.
- Çdo dokumentacion që provon aftësitë profesionale dhe organizative (vitet e punës në pozicione drejtuese etj.)
- Projekt për platformën 4-vjeçare, i cili duhet të përmbajë zhvillimin e shërbimit mjekësor, vizionin dhe objektivat e matshme si dhe rezultatet e pritshme, platformen për zhvillimin e teknologjisë, zhvillimin e burimeve njerëzore dhe administrimin e shërbimit.
p.k\dita
