Nga Xhevdet Shehu
Kjo është një ditë urimi dhe e bekuar për Prof. Dr. Kseonofon Krisafin, i cili sot mbush 75 vjeç.
Datëlindja e Prof. Dr. Ksenofon Krisafit është shenjuar më 13 qershor të vitit 1947, në qytetin e Gjirokastrës. Prindërit e tij vinin nga dy fshatra të vendosur në ekstremet e krahinës së Lunxhërisë, të cilët, së bashku edhe me burimet e Budukut, në bregun e djathtë të lumit Drino dhe ujësjellësin e Hosit, burimi ujor mbi fshatin Kakoz, në Malin e Lunxhërisë, furnizojnë me ujë qytetin e Gjirokastrës.
Një nga këngët më mbresëlënëse popullore për mua, si një adhurues i folklorit, sidomos të jugut, është një këngë që i përket një treve të Gjirokastrës.
Lunxhëri, plot lezete,
Ç’bukuri që ke mbi vete!
Po ku qëndron kjo bukuria e Lunxhërisë?, kam pyetur shpesh herë.
Dhe një nga përgjigjet që i kam dhënë kësaj pyetjeje është se lezeti dhe nuri i Lunxhërisë janë njerëzit e saj. Ata e kanë bërë edhe më të bukur dhe i kanë dhënë emër kësaj treve në mbarë Shqipërinë.
Ksenofon Krisafi është një emblemë e Lunxhërisë, një nga bijtë e shquar të kësaj krahine që ia ka lartësuar namin jo vetëm Lunxhërisë, por edhe Gjirokastrës…
Ksenofon Krisafi ka hyrë në elitën intelektuale të këtij vendi dhe kjo nuk është pak për një njeri. Në pamje të parë e pabujë, ajo është një jetë e plotësuar me punë dhe krijimtari të bollshme, me përsosje deri në përkryerje të personalitetit, me një karrierë brilante dhe gjurmë të pashlyeshme të sintetizuar në librat e shumtë të tij.
Duke njohur peripecitë e jetës së Ksenofonit, mundimet, përpjekjet, përplasjet dhe triumfet e tij, e them me bindje se jeta e tij është një roman më vete, lehtësisht e konvertueshme në një film dokumentar a artistik. Le ta kenë parasysh këtë sugjerim lunxhiotët dhe gjirokastritët që dinë t’i çmojnë dhe lartësojnë njerëzit dhe vlerat e tyre.
Duke shkruar rreth jetës së Ksenofon Krisafit, më erdhi një mendim, që në fakt është një mangësi e jona: Kemi krijuar një traditë jo të saktë, madje edhe hipokrite, që për personalitetet e historisë dhe të kulturës sonë të shkruajmë libra dhe monografi pasi ata ndahen nga jeta. Unë nuk pajtohem me një praktikë të tillë. Ne i kemi personalitetet midis nesh dhe bëjmë sikur nuk i shikojmë. Madje ndodh që edhe i nënvlerësojmë. Më pas u kujtojmë meritat.
Le të çlirohemi nga komplekset dhe t’ua themi në sy këto merita personaliteteve sa i kemi midis nesh. T’u themi: Miku ynë i mirë, ke bërë këtë e atë, këtë e ke bërë shumë mirë, atë tjetrën mund ta bëje edhe më mirë. Le t’i dëgjojë këto fjalë vlerësuese autori sa është gjallë. Pasi më vonë faktet edhe mund të tjetërsohen, madje edhe të shtrembërohen me qëllim. Por kur protagonistin e kemi mes nesh, na thotë: Ndal! Kjo vlen! Kjo është e tepruar! Sepse e vërteta është kështu si e kam përjetuar unë…
Ksenofon Krisafi ka shumë mundësi të më kritikojë mua për këto që po shkruaj. Pavarësisht se jam menduar gjatë, përfytyroj Ksenon duke më qortuar për ca gjëra, duke më kundërshtuar për ca të tjera…
Po për tri gjëra ku ai ka një kontribut të pamohueshëm, nuk më kundërshton dot:
E para, ai është pjesëmarrës në të gjitha tryezat që nga viti 1986, (kur ishte 39 vjeç!) për çështjen e rëndësishme të kthimit të arit të grabitur Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Është një histori shumë e përfolur dhe e diskutuar sidomos pas vitit 1990. Prof. Krisafi është protagonist në zgjidhjen që iu dha kësaj çështjeje dhe e ka thënë botërisht këtë të vërtetë me dokumente dhe me histori reale, të cilat i ka përmbledhur në librin e tij “Në kërkim të arit. Historia e arit shqiptar të rrëmbyer gjatë Luftës së Dytë Botërore”.
E dyta, ai ka një kontribut të rëndësishëm si ambasador në OKB për çështjen e Kosovës, që e ka dëshmuar në librat që ka shkruar.
E treta, për çështjen e kufirit detar me Greqinë. Ai ishte një interlokutorët dhe nga polemizuesit më të zjarrtë në mbrojtje të kufirit detar. Ka shkruar vazhdimisht në gazetën DITA dhe ka dhënë intervista të panumërta.
Por, ka edhe një meritë tjetër, të katërt, po aq të rëndësishme, në mos më e vlerëshmja: Ai është një nga mbrojtësit më të zjarrtë të kauzës së Luftës sonë Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe dëshmorëve të saj.
Pa folur më tej për meritat dhe kontributet e tij në fushën akademike, për të cilat do të flas në vijim, ai ka një jetë të marramendshme në disa fusha dhe unë si mik i tij e admiroj, e vlerësoj dhe ia shpall publikisht meritat që ka.
E pra, për të gjitha këto merita, a nuk e meriton një libër të veçantë, madje duke ia serënditur një për një të gjitha ato që ka bërë, vlerësimet që i janë bërë, madje duke parashikuar edhe punët e ardhshme të tij, pasi ai është tepër aktiv dhe me siguri do të na befasojë me vepra të vyera edhe në të ardhmen…
Rent, or Maratonomak!, do të thoshte Fan Noli.
Mund të shkruanin lehtësisht për Ksenon (kështu e thërrasim midis nesh) Fatos Tarifa, Pëllumb Xhufi, Dr. Sabit Brokaj, i ndjeri Moikom Zeqo e sa e sa të tjerë miq e shokë tanët të përbashkët. Jam ndodhur shpesh në shoqërinë e tyre dhe ruajmë kujtime shumë të mira të përbashkëta ku na bashkonte dhe na bashkon i njëjti shqetësim qytetar për më të mirën e këtij vendi. Diskutimet kanë qenë dhe mbeten të zjarrta dhe të pambarimta elitare për politikën, për historinë, për kulturën… Kemi përmendur shpesh filozofë, poetë, shkrimtarë, politikanë të nivelit të lartë, kemi debatuar për doktrina dhe ide, me kryeshqetësimin se si kjo Shqipëria jonë të bëhet më e mirë.
***
Pak a shumë Ksenoja dhe unë kemi një fillesë të përbashkët idealiste, të lidhur me antifashizmin. Më 23 dhjetor 2019, Ksenofon Krisafi dhe unë jemi pranuar anëtarë të Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Kemi bërë dhe një fotografi së bashku në kujtim të asaj dite. Në të vërtetë, Ksenoja dhe unë jemi pasardhës veteranësh, pasi ne vetë kemi lindur pas lufte, ndërsa prindërit tanë kanë qenë partizanë.
Rreth dy muaj më parë para se të pranoheshim në forumin e lartë të veteranëve të LANÇ-it, duhet të ketë qenë fundi i muajit tetor 2019, Ksenoja më tregoi një fotografi të mrekullueshme. Ishin thuajse dy fëmijë. Kjo fotografi është bërë në datën 17 nëntor 1944, në ditën e çlirimit të Tiranës, më tha Ksenua. Ky më i gjati është im atë, Llukani, partizan, kurse ky më i vogli është xhaxhai im….
Mbi bazën e atyre që më tregoi Ksenofoni, në ditën e 75 vjetorit të çlirimit të Tiranës, botova në DITA, shkrimin tim me titull “Ku je, o Llukan partizani”, një fragment të të cilit po e sjell në vijim.
Pamja e Sheshit Skënderbej pas betejës së Tiranës më 17 nëntor 1944 ishte apokaliptike. Gërmadha që nxirrnin ende tym, njerëz të tromaksur tek-tuk nëpër rrugë që nxitonin e nxitonin duke shikuar para e mbrapa, majtas e djathtas, skuadra partizanësh që patrullonin për ruajtjen e qetësisë. Breshëri pushkësh që zbrazeshin herë pas here në drejtime të ndryshme bënin të ngjetheshin kalimtarët e të strukeshin me ngut diku… Maja e minaresë së Xhamisë së Et’hem Beut ishte këputur nga një predhë që kushedi se nga kishte ardhur.
Qendra e Tiranës ishte e mbushur me gjermanë, kuaj dhe gomarë të vrarë. Para hotel “Dajtit” kullosin kafshë. Robërit gjermanë të luftës ecnin drejt aeroportit, të shoqëruar nga disa partizanë të armatosur që i shihnin me neveri e përbuzje…
E mes kësaj tabloje të zymtë, një djalë, një fëmijë jo më shumë se 12-vjeç që e quanin Dhjimitër, vraponte rrugëve të shkretuara dhe më lot në sy bërtiste:
“O Llukan! Ku je, o vëlla? Ku je, o Llukan Partizani?!”
Dhe qante. Dëgjonte krisma dhe shkonte drejt tyre. Takoi një togë partizanësh në rrugën e Durrësit dhe u turr drejt tyre.
– Dini gjë ku është Llukani?
– Cili Llukan, more djalë?
– Vëllai im. Llukan Partizani e quajnë…
Ata ngritën supet si të thoshin “nuk e njohim” dhe ikën tutje nga e kishin detyrën. Fëmija nuk mori përgjigje. Fëmija u dëshpërua. Por nuk u ndal. Dëgjoi një breshëri armësh dhe u drejtua andej nga erdhën krismat. Fëmijëve u pëlqejnë krismat dhe nuk e njohin rrezikun. Fëmija nuk e njeh frikën. Fëmijës i pëlqen më shumë një shesh beteje se një park lodrash.
Ia mbathi me vrap për nga rruga e Kavajës…
Fëmija as nuk e dinte atëherë dhe nuk e kuptoi as më vonë se ç’ferr po përshkonte në kërkim të vëllait të tij më të madh. Por, sikurse do të tregonte më vonë, edhe po ta dinte rrezikun që i kanosej, nuk do të ndalej.
Dhe më në fund, pas shumë e shumë peripecish, e gjeti vëllain që kishte dy vjet pa e parë…
Kjo histori që përshkrova më sipër është krejtësisht e vërtetë. Po këtë të vërtetë vetë Ksenofon Krisafi do të mësonte më vonë, pasi ai u lind dy vjet e gjysmë pas çlirimit të Shqipërisë.
***
Ksenofoni ishte fëmija i parë i ushtarakut Llukan Krisafi dhe gruas se tij Ollga Puleri. Pa asnjë dyshim se ishte një kohë e vështirë. Ndonëse entuziazmi i fitores mbi fashizmin ishte ende i madh, dëgjoheshin ende krisma e batare pushkësh, varfëria ishte e madhe, por po aq i madh ishte dhe optimizmi se ditë më të mira do të vinin…
Kur Ksenofoni ishte dy vjeç plasi një luftë, ajo që tashmë njihet si provokacionet greke të gushtit 1949. Korça dhe Gjirokastra ishin në vijën e parë të këtij fronti… Sapo mbaroi kjo përballje ushtarake me fqinjin tonë jugor, filloi lufta e bandave që mësynin nga toka, nga deti e nga ajri. Kjo luftë që do të shtonte numrin e dëshmorëve të atdheut, do të vazhdonte 5 vjet me radhë…
Do të fashitej shumë shpejt gëzimi i madh i ardhjes së tij në jetën e familjes së këtij çifti, që jetonte në qytetin jugor të Delvinës, ku ish partizani i çetës Koto Hoxhi, batalionit “Misto Mame”, Brigadës VIII, grupit të Theollogos dhe Brigadës së XII, tashmë ushtarak i Divizionit të VII, kryente detyrën e përgjegjësit të mencës së oficerëve. Në zbatim të politikës për bashkimin e Shqipërisë me ish konfederatën Jugosllave, dikush në udhëheqjen shqiptare asaj kohe (i është faturuar Koçi Xoxes) hodhi idenë që për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë, veçanërisht në jugun e saj, nga synimet aneksioniste greke, duhet të pranohej ardhja e dy divizioneve jugosllave. Për ta provuar këtë u inskenua formimi i nje grupi armiqësor prej 300 oficerësh e nënoficerësh në Divizionin e Delvinës, të cilët u arrestuan dhe mbushën qelitë e burgut të tmerrshëm të kalasë së Gjirokastrës.
Njëri prej tyre ishte edhe Llukani.
Kështu jeta e Ksenos nisi me një dramë të rëndë, kur ai, foshnje një muajshe, mbeti në duart e nënës së vet dhe të dy së bashku, u ndjenë të braktisur në qytet, në mes të rrugëve, si familja e një armiku.
Përfytyroni një foshnjë të tromaksur në gjirin e nënës së vet. Ky ishte Ksenofon Krisafi. I mbante iso nënës së vet në logorimën e saj. Qante nëna, qante dhe i biri në gjirin e saj pa e ditur përse. Nëna kishte engjëll të birin që mbante në krahë, fëmija besonte se vetëm me krahët e nënës do të fluturonte. Nëna është Perëndi për fëmijën, fëmija është engjëll për nënën. Kjo është ligjësi e jetës.
Ksenofoni e kishte një Perëndi! Nënën! Ndaj dhe mbijetoi. Por pikërisht në atë kohë, kur Ksenoja nuk ishte ngritur në këmbë, në mënyrë të pavetëdijshme ndjeu sfidën që e priste përpara. Luftën për jetën. Një luftë që nuk in dihej as fillimi dhe as fundi.
Do të duhej të kalonin vite që djaloshi Kseno të merrte vesh se çfarë kishte ndodhur dhe si kishte mbijetuar babai i tij… Pa kaluar as dy vjet, u deklarua se historia e grupit armiqësor të Divizionit të Delvinës ishte vepër e jugosllavëve dhe agjentëve të tyre në udhëheqjen shqiptare. Pasi i kishin torturuar me muaj të tëre në mënyrë çnjerëzore, për t’iu marrë pohimin se ishin pjesëtarë të një grupi armiqësor që punonte për dorëzimin e vendit te greket, i liruan nga burgu duke iu thënë se dënimi i tyre ishte i padrejtë. Mes tyre ishte dhe Llukani.
Por nga grupi prej rreth 300 vetësh tashmë mungonin 8 vetë, që ishin dënuar me vdekje dhe ishin pushkatuar
Kjo histori që përshkrova më sipër është krejtësisht e vërtetë. Po këtë të vërtetë vetë Ksenofon Krisafi do të mësonte më vonë, pasi ai u lind dy vjet e gjysmë pas çlirimit të Shqipërisë.
***
Kështu rrodhën vitet dhe fëmija i parë, i kësaj familjeje të traumatizuar që në fillesat e jetës së saj bashkëshortore, do të niste jetën dhe pavarësisht privacioneve të shumta do të shkëlqente në mësime, do te mbaronte me rezultate maksimale shkollën e mesme dhe më pas Fakultetin Juridik ne Universitetin e Tiranës.
Ksenofon Krisafi punoi rreth një vit e gjysmë në Durrës dhe u transferua si pedagog në Fakultet, pastaj në Ministrinë e Jashtme, vazhdoi për rreth 4 vjet veprimtarinë private si jurist dhe u rikthye serish si dekan i Fakultetit, ambasador në Zyrën e Kombeve te Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Gjenevë, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, këshilltar diplomatik i Kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit, anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, anëtar dhe drejtor ekzekutiv i Komisionit të Letrave me Vlerë, dekan i fakultetit Juridik në Universitetet Luarasi, në universitetin Europian të Tiranës dhe atë Mesdhetar të Shqipërisë.
Ai është anëtar themelues dhe presidenti i parë i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave. Është doktor honoris causa i Universitetit Sancti Cirylli të Maltës, mban titullin Grand Ambasciatore dell Accademia Imperiale në Martina Bianca etj.
Ai ka spikatur edhe në fushën kërkimore – shkencore, akademike e botuese.
Ka mbajtur leksione në universitetet e Sorbonës, Gjenevës, La Sapienza – Rome, Barit, Sasarit, Foggias, Luvenit, Aristotelius të Selanikut dhe Pantion të Athinës, Varshavës, Krakovit, Bialystokut, Upsalës, të Prishtinës, Vinja del Mar – Kili, Dushanbe – Taxhikistan, Saigon etj.
Ka marrë pjesë në disa dhjetëra konferenca shkencore në Shqipëri dhe shtete të tjerë.
Ka botuar një numër të konsiderueshëm librash, midis të cilëve po përmend Në kërkim të arit, Diplomaci pas lufte, Për tokën dhe detin e Shqipërisë, Organizimi politik në trojet shqiptare, E drejta e organizatave ndërkombëtare, Lufta e Kosovës në labirintet diplomatike, Në Gjenevë për Kosovën, Kontribute në shkencë dhe në diplomacinë shqiptare, Amerika dhe rendi i sotëm botëror, (në bashkautorësi me Fatos Tarifën), si dhe mbi dhjetë libra të tjerë në bashkautorësi.
Ka botuar disa dhjetëra artikuj shkencore dhe qindra shkrime publicistike, intervista ne shtypin e përditshëm dhe periodik si dhe ka marrë pjesë në qindra emisione ne radio e kanale televizive etj.
Për veprimtarinë, rolin, përkushtimin, guximin dhe kontributet e shquara në dobi të çështjes kombëtare, të politikës së jashtme dhe të diplomacisë shqiptare, është nderuar me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, titullin “10 vjetori i pavarësisë se Kosovës”, përkatësisht nga presidentët e Shqipërisë dhe te Kosovës, si dhe i janë dhënë titujt “Qytetar Nderi i Gjirokastrës”, “Personalitet i shquar i Labërisë”, “Mirënjohja e Mallakastrës”, “Mirënjohja e Lunxhërisë”, “Mirënjohja e Çamërisë”, “Mirënjohja e Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it të Shqipërisë”, “Mirënjohja e Shoqatës Europiane të Studentëve të Drejtësisë-ELSA”, “Mirënjohja e UMSH” etj.
Është e pamundur që në një shkrim jubilar si ky të shkruhet gjithçka për jetën dhe veprën e Kseonofon Krisafit. Ai meriton më shumë më tepër. Për jetën e Krisafit, veprimtarinë, kontributet, përkushtimin e tij të lartë atdhetar e kombëtar, mund te shkruhen dhjetëra, ndoshta edhe qindra faqe, sepse është një jetë aktive mbi gjysmëshekullore. Sot le të mjaftohemi me urimin e përzemërt:
Ta gëzosh ditëlindjen, i dashur Kseno! Jetë të gjatë, të shëndetshme dhe të begatë!
Vlen Libri per te Vertetten e kufive tokesore dhe detare te Shqiperise ne keto momente te veshtira.
Greket vazhdojne te shtyjne sinoret.
Urime Prof. Kristafi, edhe 100.
Edhe Belul Gjeraqina pasi lexoi shkrimin elegjik ja hoqi vehtes nga marazi. I ziu Belul, kurre se kishte menduar se do kishte edhe nje Belul te kohes moderne.
Edhe njeqind emblemes se Lunxherise, gjigandit te mendimit juridik shqiptar, kolosit te diplomacise, njerit prej luftetareve me te flakte per ceshtjen e Kosoves, heroit qe shpartalloi synimet greke per te na grabitur detin, burrin e vogel ne trup me koke e zemer te madhe. Habi si UM se mban si rektor kete superpedagog, akademik, por edhe politikan modern ne mentalitet dhe veprim. Nano e mbante ne pellembe te dores, Meta e mbante ne zemer, dhe Anastasi sigurisht ne bashin e vendit.
Urimet me te mira Ksenofonit per datelindjen: shendet,mbaresi per vete dhe familjen dhe Pena mos I resulted kurre.
Per ty Xhevdet, qe nuk di t’i ndahesh punes dhe miqeve,ne kohe te mira dhe te veshtira, uroj te jesh perhere nder I publicistikes shqiptare. Gjithe te mirat mik!
JETË TË GJATË ZOTIT KRISTAFI NË TË MIRË TË KONTRIBUTIT TË SHQUAR TË ÇËSHTJEVE KOMBËTARE.
Faleminderit zoti Shehu që na paraqet jetën e veprën e kolosëve të veprimtarisë atdhetare.
E njof , nga distanca , si lunxhot dhe karjanjot . Familje shume e mire , ne te gjitha kohrat . Vasil Kersafi , ka pase marre vjzen e kusheriut tim . Vete Karjani shquhet edhe brenda Lunxherise , qe konsiderohet krahine me emancipim shoqeror te larte . Fshati Gjat eshte afer , ose lagje . Aty ka lindur diplomati i shquar Mihal Prifti . Mund te thoni se i ka sherbyer atij sistemi . Shqiperia ka pasur dhe ka nevoje , per njerez te ditur , ne te tera kohrat . Kariani eshte vendlindja e Odhise Porodinit , intelektual dhe veteran i luftes . Aktivist i shquar shoqeror . Karianjotet jane punetore , te mencur dhe te ndershem . Ne te tera kohrat kane pase furnizuar tregun e Gjirokastres me perime cilesore dhe brenda nje konvejeri rigoroz . Ne kohen e ish Kooperativave , Kariani shquhej , brenda Kooperatives “Odrie” si nje brigate e rendimenteve te larta dhe e unitetit te fshatit . Ish brigadieri Simo Vasi , ishte drejtus i shkrire me popullin , qe drejtonte . Gezonte simpatine e gjithe fshatareve . I shenova keto fakte , per te thene se mjedisi nga vjen Profesori , ka qene dhe mbetet frymezus , per brezat . I uroj shendet Profesorit dhe autorit te shkrimit . Zgalem
O Zgalem, o melhem, po ky Kariani cfare eshte mo, fshat? Po ku ia kane gjetur kete emer? Kuptohet qe prej fshatit Karian, Karianas do te dalin, ose shkurt Kara.
Urimet më të përzemërta për këtë personalitet të shquar të Shqipërisë!
E kam takuar dhe përshëndetur disa herë, kur ishte në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave të RSH dhe kam patur privilegjin të takoj një burrë shteti jo të zakonshëm, shumë të respektuar, të dashur, të thjeshtë, i shquar për këshilla të mençura, të imponon respekt, dashuri dhe fjala i zë vend për çdo gjë, që thotë…
Me rastin e ditëlindjes urime, i nderuar Ksenofon Krisafi!
Jetë të gjatë dhe të shëndetshme, të gëzuar dhe produktive!
Je nderi dhe lavdia e Lunxherisë!
Je nderi dhe lavdia e Shqipërisë! Një jetë të tërë ke punuar me përkushtim për kombin dhe kombi do të shpërblejë me pavdeksinë.
Puna dhe veprat e tua janë testamente të përjetshëm, që do t’i shërbejnë vendit për historinë, për kulturën, për diplomacinë, për edukimin akademik të studentëve dhe brezave, që do të vijnë.
Të gjithë shqiptarët përulen përpara veprës Tuaj, të nderojnë dhe do të jenë përjetë mirënjohës për kontributin tuaj të çmuar sa intelektual, aq edhe atdhetar.
Falënderim për modelin e gazetarit dhe kontributin e çmuar në GAZETARI, i nderuari Xhevdet Shehu!
Falënderim të veçantë për konsideratat e larta dhe të merituara ndaj Pro. Dr. Ksenofon Krisafit.
Faleminderit Gazeta DITA!
Urimet me te mira djalin e ri, Prof. Ksenofon Krisafit, ne kete 75 -vjetor te tij!
Ta kish pas ditlindjen nji muaj perpara. Mbase e kish lexu Rama kte elegjine dhe kish bo presidebt Ksenon!
O Ilir, elegjia eshte per ata te botes se pertejme, prandaj mos ja fut kot. Ksenofoni eshte si kokra e molles, embleme ari per nje krahine te tere.
Urimet me te mira qe dalin nga thellesia e zemres per profesor Ksenofon Krisafin .
Paradoksi,qe kemi njerez te ndritur e te ditur si profesor Krisafi dhe na drejtojne tycat,te korruptuarit,aventurieret e sharlatanet eshte nje problem i madh.
Populli i mbetur ne Vendlindje duhet te gjeje nje zgjidhje.
Te shkrihen Partite politike,.Te nxirren jasht ligjit, Kush deshiron te zgjidhet ne forume drejtuese te hedhe kandidaturen ne zgjedhje dhe te votohet nga populli.Pse duhen mbajtur gjithe Ato Parti politike te kushtueshme, si shushunja qe thithin mireqenjen e popullit dhe sjellin ne krye te shtetit Pehlivane te korruptua,te shitur.
Populli mund ta ushtroje Demokracine pa ndermjetesine e partive politike.