Nëse e mbajnë nën kontroll sëmundjen, diabetikët mund të bëjnë një jetë krejtësisht normale. Sot, fatkeqësisht ka ende shumë mite të rreme për këtë sëmundje, disa prej të cilave janë vërtet absurde dhe nuk kanë bazë shkencore. Në vijim të shkrimit po tregojmë shtatë nga mitet e rreme më të zakonshme rreth diabetit.
Trajtimet natyrore janë më efektive se ilaçet
Le të fillojmë me marrëzitë më të mëdha në këtë botë. Nuk është e vërtetë që ilaçet e bëra vetë, të bëra në shtëpi ose natyrale janë më të mira se ilaçet. Një terapi medikamentoze, nëse rekomandohet nga një specialist, absolutisht nuk mund të zëvendësohet kurrë me ilaçe, apo kura natyrale.
Diabetiku nuk mund të hajë brumëra
Një tjetër mit i gabuar është se diabetikët nuk mund të hanë ushqime të tilla si: makarona, bukë, pica dhe oriz. Eliminimi i plotë i këtyre ushqimeve është i gabuar, sepse sheqeri është thelbësor për funksionimin e trupit dhe trurit në përgjithësi. Megjithatë, trupi ynë është në gjendje të marrë këtë sheqer nga karbohidratet komplekse (niseshte) në makarona, bukë, oriz dhe patate. Prandaj është mirë të preferoni karbohidratet komplekse ose niseshtenë që përthithen ngadalë dhe nuk shkaktojnë rritje të papritur të nivelit të sheqerit në gjak. Nga ana tjetër, është mirë të reduktoni marrjen e karbohidrateve të thjeshta.
Në rast të diabetit të tipit 1 mund të bëni pa insulinë
Diabeti i tipit 1 shkaktohet nga sekretimi i reduktuar, ose ndonjëherë i munguar, i insulinës nga pankreasi. Tek njerëzit me diabet të tipit 1, mosmarrja e insulinës është e rrezikshme dhe madje mund të çojë në vdekje. Ndaj nuk duhet të besoni kurrë një të pavërtetë të kësaj natyre.
Vlera e glukozës në gjak mund të kuptohet në bazë të ndjesive trupore
Në këtë deklaratë ekziston ideja se çdo person e njeh trupin e tij ose të saj dhe simptomat e hiper dhe hipoglikemisë. Është gjithashtu e vërtetë që, si rregull, simptomat tek personi priren të jenë të njëjta çdo herë. Megjithatë, në rast sëmundjeje, një kontroll në shtëpi me pajisje është një hap i domosdoshëm.
Diabetikët nuk duhet të konsumojnë ëmbëlsira
Nuk ka asnjë ushqim të vetëm që një person me diabet nuk mund ta konsumojë, përfshirë ëmbëlsirat. “Ëmbëlsirat”, thekson doktori, “janë ushqime që duhen konsumuar me masë dhe në sasi të vogla: një herë në javë, një porcion, në mëngjes ose në fund të drekës në vend të frutave. Ajo që është e rëndësishme është kur t’i hamë ato’. Në fakt, duhet theksuar se ëmbëlsirat nuk duhet të hahen larg vaktit, apo vonë pas darkës.
Proteina është më e mirë se karbohidratet
Këtu është pikërisht pikënisja që është e gabuar, sepse një dietë e ekuilibruar është terapia më e mirë e mundshme kundër diabetit. Rrjedhimisht, duhet të përfshijë edhe marrjen e një sasie të mjaftueshme karbohidratesh, mundësisht komplekse dhe me një indeks të ulët glicemik.
Diabetikët duhet të qëndrojnë në dietë gjatë gjithë kohës
Gjëja kryesore që duhet të dini është se diabetikët, por kushdo në përgjithësi, nuk duhet të ndjekë dieta ‘bëje vetë’, sepse mund të jetë jashtëzakonisht e rrezikshme. Nuk rekomandohen as dietat ekstreme për të humbur peshë. Në fakt, gjëja më e mirë është një dietë e arsyeshme që mund të zbatohet rregullisht gjatë gjithë jetës.
p.k\dita
