Territori shqiptar do të mbetet nën ndikimin e masave ajrore të ftohta me origjinë verilindore, duke sjellë gjatë orëve të paradites mot të kthjellët, por të ftohtë. Kjo situatë meteorologjike do të na shoqërojë deri në orët e pasdites, kur priten kalime vranësirash në të gjithë territorin e vendit, ku më të dukshme vranësirat do të paraqiten në zonat malore përgjatë kufirit lindor.
Megjithatë, sipas MeteoAlb, nuk priten reshje.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie gjatë orëve të mëngjesit dhe mesditës, duke luhatur vlerat ditore nga 0°C, temperatura më e ulët e shënuar në Peshkopi, deri në 21°C, vlera maksimale e cila pritet të regjistrohet përkatësisht në qarkun e Vlorës.
Era do të fryjë mesatare, duke arritur shpejtësinë mbi 35 km/h, nga drejtimi kryesisht verior. Kjo do të bëjë që në brigjet detare të krijohet dallgëzim 1 ballë.
