Për të vijuar studimet në degët e fakulteteve që janë pjesë e Universitetit të Sporteve të Tiranës, maturantët dhe të gjithë kandidatët e tjerë që do të garojnë për kuotat e 2022, do të duhet që t’i nënshtrohen konkursit të pranimit që do të zhvillohet gjatë muajit gusht. Rezultatet e testeve praktike (konkursit) janë vendimtare në sigurimin e pikëve finale me të cilat maturantët do të konkurrojnë për të vijuar studimet në këtë institucion të arsimit të lartë publik, kjo pasi pikët e konkursit vlerësohen me 70 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve të rinj, ndërsa rezultatet e Maturës Shtetërore vlerësohen me 30 për qind.
Në ndihmë të maturantëve që do të konkurrojnë për të vijuar studimet në këtë universitet, gazeta “Dita”, boton në vijim të shkrimit, guidën e plotë udhëzuese në lidhje me programet e studimit, kuotat e miratuara për secilin program, si dhe kriteret që duhet të përmbushni për të konkurruar dhe për të qenë fitues të ndjekjes së studimeve të ciklit të parë “Bachelor” në Universitetin e Sporteve të Tiranës për vitin e ri akademik 2022-2023. Sipas afateve të vendosura më herët nga autoritetet e arsimit të lartë, bëhet e ditur se konkurset e pranimit për të gjitha programet e studimit të këtij universiteti do të zhvillohen ndërmjet datave 22-25 gusht.
Kriteret e pranimit
Konkurrimi për studimet e larta në Universitetin e Sporteve do të zhvillohet për programet e studimit që ofrohen nga tre fakultetet që janë pjesë e këtij institucioni të arsimit të lartë, që janë: programi i studimit në Fakultetin e Fushave të Veprimtarisë Fizike, të Shëndetit dhe të Rekreacionit, programi i studimit në Fakultetin e Shkencave të Lëvizjes, si dhe programi i studimit në Fakultetin e Rehabilitimit.
Kanë të drejtë të pranohen në programin e ciklit të parë “Bachelor” në Universitetin e Sporteve të Tiranës të gjithë kandidatët që kanë përfunduar me sukses arsimin e mesëm të lartë dhe që plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar sipas akteve nënligjore në fuqi. Kandidatët i nënshtrohen konkurrimit praktik konform testeve te miratuara tashmë nga Senati Akademik i këtij Universiteti.
Raporti ndërmjet konkurrimit praktik dhe mesatares së kandidatit është 70 për qind me 30 për qind. Për kandidatët që konkurrojnë për të hyrë në ciklin e parë “Bachelor” duhet që të grumbullojnë minimumi 10 pikë nga 70 të mundshme të konkurrimit praktik. Për kandidatët që do të grumbullojnë më pak se sa ky numër pikësh nuk do të mund të vijojnë më tej procedurat për pranim në këtë universitet. Gjithashtu bëhet e ditur se të gjithë kandidatët që konkurrojnë në për këto programe studimi duhet të plotësojnë kushtet shëndetësore sipas Kartelës Mjekësore të miratuar për secilën degë.
Kushtet për të hyrë në konkursin e pranimit:
Sikundër ka ndodhur gjatë viteve të shkuara, në testimet praktike do të mund të hyjnë vetëm kandidatët që në formularin e preferencave kanë listuar degët e këtij institucioni të arsimit të lartë. Kështu, gjatë plotësimit të formularit A2 duhet të rendisni me patjetër degët e këtij universiteti. Në përfundim të përzgjedhjes së preferencave Qendra e Shërbimeve të Arsimit, do të zbardhë listën e të gjithë kandidatëve që kanë aplikuar për degët e Universitetit të Sporteve, të cilët do të vijojnë më pas procedurat e regjistrimit për të hyrë në konkurset praktike sipas datave të miratuara për secilin fakultet.
Në këto kushte, të drejtën për konkurrim në Universitetin e Sporteve të Tiranës për kuotat e reja të pranimeve që do të realizohen përgjatë vitit të ri akademik 2022-2023 e gëzojnë të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që plotësojnë këto kushte: kanë përfunduar me sukses maturën shtetërore dhe që plotësojnë kriterin e notës mesatare sipas vendimeve në fuqi, kanë plotësuar formularin A2 pranë sekretarive të shkollave të mesme sipas udhëzimeve të MAS, kanë kryer pagesën e tarifës së konkurrimit dhe kanë bërë regjistrimin përfundimtar pranë degës së Informacionit Studentor dhe Regjistrimeve në UST, si dhe kanë plotësuar Kartelën Shëndetësore sipas formatit të përcaktuar”.
Procedura e regjistrimit do të jetë e njëjtë sikundër ka ndodhur edhe përgjatë viteve të shkuara. Maturantët duhet të paraqiten pranë sekretarive përkatëse të fakultetit në datat e përcaktuara për të dorëzuar dosjen e dokumenteve të regjistrimit. Konkretisht në këtë dosje duhet të përfshini: 2 fotografi, kopjen e kartës së identitetit, mandatin e pagesës së tarifës së konkurrimit, si dhe kartelën mjekësore. Kjo kartelë duhet të ketë në përmbajtje të konfirmuara nëpërmjet vulave përkatëse kontrollet mjekësore që kandidati duhet të ketë kryer tek mjeku kardiolog, ai okulist, tek radiologu, ORL, grupin e analizave të kërkuara, si dhe vlerësimin final që tregon se maturanti është i aftë për të vijuar konkurrimin dhe studimet në degët e Universitetit të Sporteve.
Kuotat e miratuara për 2022
Për pranimet e vitit të ri akademik në të tre fakultetet e Universitetit të Sporteve do të mund të përzgjidhen si fitues 493 kandidatë, prej të cilëve 450 janë fitues në radhët e maturantëve, ndërsa pjesa tjetër e kuotave janë për kandidatët e kategorive të veçanta dhe atyre nga trojet. Ndarjen e plotë të kuotave të pranimit për vijimin e studimeve në ciklin e parë “Bachelor” për secilin prej fakulteteve e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit.
Krahas kuotave të miratuara për pranimet e ciklit të parë, Senati Akademik i Universitetit të Sporteve ka miratuar edhe kuotat e pranimeve për studimet e ciklit të dytë “Master profesional” dhe “Master shkencor”. Në të dy këto cikle studimi të nivelit të dytë do të mund të përzgjidhen si fitues 459 studentë, sipas ndarjes së përcaktuar për secilin program studimi, të cilën e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit.
Konkurrimi në Fakultetin e Shkencave të lëvizjes
Edhe për vitin e ri akademik, kandidatët janë të detyruar të konkurrojnë në dy teste praktike, që janë testi numër 1 që do të vlerësohet me 60 pikë që është testi kompleks koordinativ, ose siç njihet ndryshe testi cirkuit, si dhe testi numër 2 që ka të bëjë me kërcim së gjati nga vendi dhe që do të vlerësohet me 10 pikë. Shumatorja e pikëve të grumbulluara nga këto dy teste do të japin nivelin e pikëve të fituara nga konkursi për testin praktik. Këto pikë të mbledhura edhe me ato të fituara nga mesatarja e shkollës së mesme do të përbëjnë edhe rezultatin total të konkursit me të cilin çdo kandidat vajzë apo djalë do të jetë fitues.
Konkurrimi në Fakultetin e Veprimtarisë Fizike, Shëndetit dhe Rekreacionit
Po ashtu edhe për programin e studimit të Fakultetit të Veprimtarisë Fizike Shëndetit dhe Rekreacionit konkurrimi praktik do të zhvillohet me anë të dy testeve praktike që do të zhvillojnë të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë përzgjedhur të garojnë për të vijuar studimet në këtë fakultet. Kandidatët janë të detyruar që të konkurrojnë në dy teste kërcim së gjati nga vendi dhe testi cirkuit. Në konkurs do të lejohet të hyjnë vetëm kandidatët e listës së shpallur për konkurrim, të cilët duhet të jenë të pajisur me dokument identifikimi që mund të jetë kartë identiteti ose pasaportë biometrike. Kandidatët që nuk kanë asnjë dokument nga këto të përmendura të identifikimit nuk do të lejohen të marrin pjesë në konkurs.
Në testet praktike të sporteve do hyjnë kandidatët që plotësojnë këto kushte:
- Kanë përfunduar me sukses maturën shtetërore dhe që plotësojnë kriterin e notës mesatare sipas vendimeve në fuqi,
- Kanë plotësuar formularin A2 pranë sekretarive të shkollave të mesme sipas udhëzimeve të MAS.
- Kanë kryer pagesën e tarifës së konkurrimit dhe kanë bërë regjistrimin përfundimtar pranë degës së Informacionit Studentor dhe Regjistrimeve në UST.
- Kanë plotësuar Kartelën Shëndetësore sipas formatit të përcaktuar.
Dosja që duhet për regjistrimi në konkurset e pranimit:
- Fotokopje e Kartës së Identitetit.
- Kartela Mjekësore që vërteton gjendjen shëndetësore të konkurruesit në përballimin e sforcimeve fizike, dokument që do të plotësohet nga mjekët e ambulancave në çdo rreth.
- Dy foto me përmasa 40mm*60mm.
- Mandat pagesën e tarifës së konkurrimit.
