Testimet për aftësimin praktik të stomatologëve të rinj do të nisin ë javën e fundit të këtij muaji. Kandidatët që do të kalojnë me sukses këtë vlerësim, do të mund të vijojnë garën nëpërmjet provimit të shtetit për të fituar lejen e ushtrimit të profesionit në këtë specialitet, ndërsa mbetësit do të duhet të presin sezonet e radhës për të ridhënë testin e kalimit të praktikës.
Urdhri i Stomatologut ka përcaktuar tashmë datat në të cilat do të zhvillohet testi i praktikës për sezonin e prillit. Sipas kalendarit të zbardhur, të gjithë praktikantët e rinj të stomatologjisë për pesë ditë me radhë, duke nisur nga data 24 prill do të t’i nënshtrohen vlerësimit për njohuritë e fituara gjatë ndjekjes së praktikës tre mujore. Vlerësimi për aftësimin praktik është procesi që realizohet nëpërmjet testimit me gojë, për të vlerësuar aftësitë profesionale që kandidati ka fituar gjatë zhvillimit të praktikës së detyruar profesionale. Komisioni i Vlerësimit të Aftësimit Praktik është autoriteti që vlerëson dhe përcakton nëse kandidati e kalon testimin e aftësimit praktik.
“Vlerësimi i Aftësimit Praktik do të zhvillohet në datat 24, 25, 26, 27, 28 prill 2023”, konfirmon Urdhri i Stomatologut. Gjatë ditëve në vijim do të shpallet edhe lista e kandidatëve që plotësojnë kushtet për të hyrë në testin e aftësimit praktik, ku për secilin prej tyre do të përcaktohet data dhe ora specifike se kur do të duhet të paraqiten para komisionit për të zhvilluar provimin përkatës.
Dhënia e provimit të praktikës kushton 10,000 lekë. Kështu, për të mos rrezikuar hyrjen në testimin e këtij sezoni, çdo kandidat duhet që më parë të ketë shlyer këtë tarifë pranë bankave të nivelit të dytë, mandatin e të cilës duhet ta dorëzoni pranë strukturave përgjegjëse të këtij institucioni.
Autoritetet e këtij urdhri kanë zbardhur edhe rregullat që duhet të përmbushin kandidatët që do t’i nënshtrohen vlerësimit të aftësimit praktik. Për të mos rrezikuar hyrjen në testim, do të duhet që të paraqiteni në ambientet e provimit 30 minuta para kohës së përcaktuar, ndërkohë që duhet detyrimisht të jenë të pajisur me kartë identiteti ose pasaporte, mjetet e nevojshme dhe të lejuara për zhvillimin e testimit. “Ndalohet marrja me vete dhe përdorimi i celulareve dhe mjeteve të tjera të komunikimit gjate zhvillimit të vlerësimit, pasi kjo konsiderohet si kriter skualifikimi. Po ashtu ndalohet komunikimi gjatë zhvillimit të vlerësimit të aftësimit praktik, si dhe konsumi i duhanit, ushqimeve, etj”, bëjnë me dije autoritetet e këtij urdhri.
Për t’u ardhur në ndihmë kandidatëve që do të testohen në këtë sezon, Urdhri i Stomatologut ka zbardhur edhe fondin e 367 pyetjeve përgatitëse. Në këto kushte, çdo kandidat mund të orientohet rreth përmbajtjes që do të ketë testi i aftësimit praktik, të cilat i gjeni të detajuara online në faqen zyrtare të këtij institucioni.
Lidhur me vlerësimin e këtij provimi, praktika profesionale konsiderohet e kryer vetëm pas marrjes së vlerësimit pozitiv në këtë testim. Vlerësimi i praktikës cilësohet pozitiv në rastet kur kandidati siguron nga komisioni 50-100 pikë. Kur kandidati vlerësohet me më pak se sa 50 pikë duhet të përsërisë provimin, por vetëm gjatë sezonit të ardhshëm që do të zhvillohet në muajin tetor.
Çdo kandidat i diplomuar në këtë specialitet ja zhvilluar praktikën profesionale për tre muaj me radhë, nën drejtimin dhe përgjegjësinë e një profesionisti të kualifikuar që ka ushtruar profesionin në mënyrë të ligjshme dhe të pavarur për një periudhë mbi 3 vjet.
Marrja e lejes për ushtrimin e profesionit
Vetëm kandidatët që do të kalojnë me sukses provimin e praktikës do mund të hyjnë në sezonin e radhës të provimeve për licencat e reja që pritet të zhvillohet gjatë muajit maj. Sikundër ndodh me profilet e tjera mjekësore, edhe për stomatologët, testimi final i licencës, do të jetë i informatizuar dhe çdo kandidat duhet të paraqitet në ambientet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit për të plotësuar testin me alternativa online. Për t’u ardhur në ndihmë kandidatëve, QSHA ka detajuar edhe fondin e mijëra pyetjeve nga të cilat do të përzgjidhen edhe pyetjet që do të jenë pjesë e tezës së provimit të licencës.
Personi, që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit, si dhe kualifikimet profesionale në atë profesion, të cilat duhet të vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara nga institucionet përgjegjëse brenda ose jashtë vendit dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për profesionet e rregulluara.
Kandidatët që do t’i nënshtrohen vlerësimit praktik, në ditën e testimit duhet:
- Të jenë të pajisur me kartë identiteti ose pasaporte.
- Të paraqiten 30 minuta para fillimit të vlerësimit.
- Të jenë të pajisur me mjetet e nevojshme për zhvillimin e testimit
- Ndalohet marrja me vete dhe përdorimi i celulareve dhe mjeteve të tjera të komunikimit gjate zhvillimit të vlerësimit, pasi kjo konsiderohet si kriter skualifikimi.
- Ndalohet komunikimi gjatë zhvillimit të vlerësimit të aftësimit praktik.