Rusia ka nisur një projekt ambicioz shkencor për të zgjatur ndjeshëm jetëgjatësinë e njeriut, duke synuar fillimisht arritjen e moshës 85-90 vjeç dhe, në një fazë të mëvonshme, kapërcimin e kufijve biologjikë të plakjes. Në këtë strategji, që mbështetet nga miliarda rubla fonde shtetërore, përfshihen kërkimet gjenetike, zhvillimi i terapive eksperimentale kundër plakjes dhe teknologjitë e rigjenerimit të organeve.
Në qendër të kësaj nisme qëndron edhe Maria Vorontsova, vajza e madhe e presidentit rus Vladimir Putin, e cila është mjeke endokrinologe dhe një nga figurat e përfshira në programet kërkimore për jetëgjatësinë.
Ironikisht, kjo përpjekje për të shpëtuar dhe zgjatur jetën e njeriut po zhvillohet në të njëjtën kohë kur Rusia po përballet me humbje të mëdha njerëzore në luftën kundër Ukrainës.
Maria Vorontsova, në krye të kërkimeve për jetëgjatësinë
Maria Vorontsova, e cila drejton Institutin e Kërkimeve dhe Edukimit Mjekësor në Universitetin Shtetëror të Moskës, është një nga emrat kryesorë të përpjekjeve ruse në fushën e gjenetikës dhe mjekësisë së avancuar.
Edhe pse Vladimir Putin nuk e ka identifikuar publikisht me emër si vajzën e tij, Vorontsova është përfshirë në projekte kërkimore të mbështetura nga shteti rus.
Në vitin 2022, Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj saj, duke e lidhur me programet e kërkimit gjenetik të financuara nga Kremlini. Ndërsa në vitin 2025, ajo përfitoi një grant prej 30 milionë rublash nga Fondacioni Rus i Shkencës për ngritjen e një laboratori që do të studiojë rigjenerimin qelizor dhe proceset e plakjes.
Gjatë një forumi në Shkollën e Menaxhimit Skolkovo në Moskë, Vorontsova prezantoi një strategji me dy faza për zgjatjen e jetës njerëzore.
Faza e parë synon që njerëzit të arrijnë potencialin natyror të jetëgjatësisë, të cilin ajo e vlerëson në 85-90 vjet. Për këtë, sipas saj, rëndësi të veçantë kanë ushqyerja e shëndetshme, zakonet e mira që në fëmijëri dhe kontrollet e rregullta mjekësore.
Faza e dytë është shumë më ambicioze: kapërcimi i kufizimeve biologjike që përcaktojnë plakjen dhe jetëgjatësinë. Vorontsova e përshkroi këtë sfidë si një përpjekje për të “mashtruar Zotin ose natyrën”.
Megjithatë, ajo pranoi se shkenca është ende larg arritjes së këtij objektivi, ndërsa shprehu bindjen se në dekadat e ardhshme kërkimi i zgjidhjeve kundër plakjes do të bëhet një nga prioritetet kryesore të mjekësisë.
Mbi 2 trilionë rubla për të luftuar plakjen
Nisma është pjesë e një strategjie më të gjerë shtetërore, të promovuar nga vetë Vladimir Putin.
Në vitin 2024, presidenti rus njoftoi programin kombëtar “Teknologjitë e Reja për Ruajtjen e Shëndetit”, i cili u vu në zbatim në vitin 2025, paralelisht me programin “Jetë e Gjatë dhe Aktive”.
Për të dyja projektet, Rusia parashikon investime që tejkalojnë 2 trilionë rubla.
Një pjesë e fondeve do të përdoret për kërkime gjenetike dhe zhvillimin e trajtimeve eksperimentale, përfshirë atë që autoritetet ruse e kanë quajtur “vaksinë kundër plakjes”.
Sipas zëvendësministrit rus të Shkencës dhe Arsimit të Lartë, Denis Sekirinsky, bëhet fjalë për një qasje terapeutike që synon bllokimin e një gjeni të lidhur me ndryshimet qelizore që shfaqen gjatë procesit të plakjes.
Organe njerëzore në derra dhe bioprintim 3D
Ambiciet ruse nuk kufizohen vetëm te trajtimet kundër plakjes. Sipas një hetimi të publikuar nga Wall Street Journal në maj, studiuesit rusë po eksperimentojnë edhe me bioprintimin 3D të indeve të gjalla dhe mundësinë e rritjes së organeve njerëzore brenda derrave miniaturë.
Shkencëtarët pretendojnë se kanë arritur të prodhojnë kërc njerëzor dhe një gjëndër tiroide miu përmes teknologjisë së bioprintimit. Synimi përfundimtar është që deri në vitin 2030 të bëhet i mundur zëvendësimi i organeve njerëzore me struktura të krijuara përmes këtyre teknologjive.
Ndërkohë, zëvendëskryeministrja ruse Tatyana Golikova ka deklaruar se vendi synon të nisë prodhimin e një medikamenti kundër plakjes në periudhën 2028-2030.
Autoritetet kanë vendosur si objektiv shpëtimin e 175 mijë jetëve deri në vitin 2030 përmes këtyre programeve.
Kontrasti me humbjet e mëdha në luftën e Ukrainës
Përpjekja për të shpëtuar 175 mijë jetë njerëzore krijon një kontrast të fortë me humbjet që Rusia po pëson në luftën kundër Ukrainës.
Që në vitin 2024, media e pavarur ruse Meduza kishte vënë përballë objektivin e qeverisë për të shpëtuar 175 mijë jetë me vlerësimet për më shumë se 120 mijë ushtarë rusë të vrarë në front.
Që atëherë, bilanci i viktimave është rritur ndjeshëm. Sipas vlerësimeve të Ministrisë britanike të Mbrojtjes, humbjet ruse kanë arritur në shifra shumë më të larta, ndërsa në fillim të shtatorit u raportua se numri i personave të vrarë ose të plagosur duke luftuar për Rusinë kishte kaluar gjysmë milioni.
Të dhënat e cituara nga mediat, të lidhura me statistikat e agjencisë ruse Rosstat, flasin gjithashtu për qindra mijëra vdekje të shkaktuara nga lufta.
Përtej këtyre shifrave, Kremlini ka vendosur objektiva të qarta edhe për rritjen e jetëgjatësisë mesatare të popullsisë: nga 74.2 vjet në 78 vjet deri në vitin 2030 dhe në 81 vjet deri në vitin 2036.
Megjithatë, hendeku mes burrave dhe grave mbetet i madh. Jetëgjatësia e burrave rusë vlerësohet rreth 68 vjet, dukshëm më e ulët se në shumë vende perëndimore.
Putini, Xi Jinping dhe ëndrra për pavdekësinë
Interesi i presidentit rus për zgjatjen e jetës nuk është i ri. Sipas Wall Street Journal, Putini ka treguar prej vitesh interes për trajtimet rigjeneruese dhe teknologjitë kundër plakjes.
Një episod që tërhoqi vëmendje ndodhi në vitin 2018, kur gjatë një takimi në Kremlin ai i sugjeroi kancelarit të atëhershëm austriak Sebastian Kurz të provonte krioterapinë, një trajtim që ekspozon trupin ndaj temperaturave shumë të ulëta.
Një tjetër moment domethënës u regjistrua në shtator të vitit 2025, gjatë paradës ushtarake në Pekin, kur një mikrofon i hapur kapi një bisedë mes Putinit dhe presidentit kinez Xi Jinping për mundësinë e zgjatjes së jashtëzakonshme të jetës.
Xi komentoi se njerëzit në të kaluarën rrallë arrinin moshën 70-vjeçare, ndërsa sot një 70-vjeçar konsiderohet ende i ri. Putini, nga ana e tij, foli për përparimin e bioteknologjisë dhe mundësinë e zëvendësimit të përsëritur të organeve njerëzore, duke përmendur edhe perspektivën e pavdekësisë.
Xi shtoi se në këtë shekull njerëzit mund të arrijnë të jetojnë deri në 150 vjet.
Mikhail Kovalchuk, arkitekti tjetër i projektit
Krahas Vorontsovës, një rol të rëndësishëm në programin rus të jetëgjatësisë ka edhe fizikani Mikhail Kovalchuk, drejtues i Institutit Kurchatov, një prej qendrave më të rëndësishme kërkimore të Rusisë.
Ai mbikëqyr një program federal për zhvillimin e kërkimeve gjenetike dhe është një nga mbështetësit kryesorë të ideve për riparimin dhe zëvendësimin e pjesëve të trupit të njeriut.
Kovalchuk është vëllai i Yuri Kovalchuk, bankier dhe një prej aleatëve më të afërt të Vladimir Putinit.
Në deklaratat e tij publike, fizikani ka pranuar se është e vështirë të flitet për pavdekësinë, por ka theksuar se shkenca do të rrisë ndjeshëm aftësinë për të riparuar organizmin njerëzor.Sipas një burimi pranë Kremlinit, cituar nga Meduza në vitin 2024, ideja e programit të jetëgjatësisë është nxitur pjesërisht nga interesimi i Kovalchuk për jetën e përjetshme.
Nga Stalini te Putin, një obsesion i vjetër rus
Kërkimi për zgjatjen e jetës ka një histori të gjatë në Rusi.Në vitet 1920, shkencëtari sovjetik Alexander Bogdanov eksperimentoi me transfuzione gjaku, duke besuar se ato mund të ndihmonin në rinovimin e organizmit. Megjithatë, ai vdiq në moshën 55-vjeçare pas një prej eksperimenteve të tij.
Në vitet 1930, mjeku Alexander Bogomolets organizoi një konferencë ndërkombëtare për jetëgjatësinë dhe propozoi se njerëzit mund të jetonin deri në 150 vjet. Kërkimet e tij morën vlerësime edhe nga Joseph Stalin, por vetë shkencëtari vdiq në moshën 65-vjeçare.
Një tjetër emër i njohur ishte Vladimir Khavinson, i cilësuar nga mediat ruse si “gerontologu i Putinit”. Ai promovoi trajtime kundër plakjes me peptide të nxjerra nga indet e viçit dhe pretendonte se njeriu mund të jetonte deri në 120 vjet.
Khavinson shprehu gjithashtu shpresën se do të ndihmonte në zgjatjen e jetës së Putinit, të cilit i kishte kushtuar edhe disa nga deklaratat e tij publike. Megjithatë, ai ndërroi jetë në vitin 2024, në moshën 77-vjeçare.
Skepticizëm në komunitetin shkencor
Pavarësisht investimeve të mëdha dhe mbështetjes politike, programi rus i jetëgjatësisë është pritur me skepticizëm nga një pjesë e komunitetit shkencor.
Disa studiues kanë vënë në pikëpyetje bazën shkencore të projekteve, duke argumentuar se ambiciet e shpallura nuk shoqërohen ende me rezultate të mjaftueshme të publikuara në revista ndërkombëtare të rishikuara nga kolegët.
Një burim në një spital të Moskës i tha Meduzës në vitin 2024 se iniciativa pasqyronte “tekët e një Byroje Politike në plakje”, ndërsa studiues të tjerë e kanë cilësuar projektin të vështirë për t’u kuptuar nga pikëpamja shkencore.
Alexander Ostrovsky, një studiues që u largua nga Rusia pas pushtimit të Ukrainës, deklaroi për Wall Street Journal se pa publikime shkencore dhe prova të verifikueshme, pretendimet për përparime të mëdha mbeten kryesisht në nivel ambiciesh.
Sipas tij, ekziston rreziku që disa studiues t’i paraqesin Putinit pikërisht ato rezultate që presidenti dëshiron të dëgjojë, me qëllim sigurimin e financimeve.
j.l./ dita
