Gara për licencimin e psikologëve të rinj nis javën e ardhshme. Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka përcaktuar datën 15 shtator, si ditën kur të gjithë kandidatët që kanë kryer studimet e larta dhe stazhin e praktikës në këtë profil, do të hyjnë në provimin e shtetit, rezultatet e të cilit janë vendimtare në marrjen e lejes së ushtrimit të profesionit.
Sipas rregullores së përcaktuar për provimet e shtetit, personi, që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit, si dhe kualifikimet profesionale në atë profesion, të cilat duhet të vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara nga institucionet përgjegjëse brenda ose jashtë vendit dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për profesionet e rregulluara.
“Për të gjithë kandidatët aplikantë në provimin e shtetit për profesionin e rregulluar të Psikologut, ju informojmë se provimi do të zhvillohet në godinën e Qendrës së Shërbimeve Arsimore në datën 15 shtator 2023”, konfirmojnë burimet zyrtare të kësaj qendre.
Në varësi të numrit të kandidatëve, provimi do të zhvillohet me turne, sipas kalendarit që pritet të shpallet në vijim nga QSHA, teksa janë detajuar rregullat që do të duhet të ndiqen në ditën e provimit, për të mos rrezikuar nga penalitetet.
Për të mos rrezikuar përjashtimin nga gara për licencat në këtë sezon, duhet të bëni kujdes që në ditën e provimit të paraqiteni pranë kësaj qendre 30 minuta përpara orarit të publikuar për zhvillimin e testimit, teksa duhet të jeni detyrimisht të pajisur me këto dokumente: “Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë, dokumenti origjinal) dhe kopje të tyre, si dhe faturën origjinale me vulën përkatëse, të pagesës së tarifës së provimit për llogari të Qendrës së Shërbimeve të Arsimit , të kryer në një bankë të nivelit të dytë bazuar në herën e pjesëmarrjes.
Mungesa e një prej dokumenteve ju penalizon duke ju lënë jashtë testimit, çka do të thotë se duhet të prisni sezonet e radhës për të hyrë sërish në testin e licencës, duke humbur kështu shanset për të aplikuar përgjatë kësaj periudhe për vendet e lira të punës në strukturat publike dhe private në vend.
“Kandidatët, të cilët nuk paraqesin dokumentet e mësipërme, nuk mund të marrin pjesë në provim”, bëjnë me dije autoritetet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit.
Kandidati gjatë zhvillimit të provimit duhet të zbatojë rregullat e mëposhtme, ku: ndalohet mbajtja dhe përdorimi i celularëve apo mjeteve të tjera të komunikimit gjatë zhvillimit të provimit, pasi kjo vlerësohet si kriter mos kualifikimi, ndalohet komunikimi me kandidatët e tjerë gjatë zhvillimit të provimit deri në marrjen e deklaratës së rezultatit, apo lëvizja përtej vendit të përcaktuar për zhvillimin e provimit.
Edhe për këtë sezon licencimi, testi do të jetë i informatizuar, çka do të thotë se pyetjet janë vetëm me alternativa. Në përfundim të testit kandidati do të mësojë direkt se sa është numri i pikëve të marra me përgjigjet e dhëna për çdo pyetje. Në ndihmë të bluzave të bardha që do testohen në këtë sezon, ekspertët e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit kanë detajuar edhe fondin e mijëra pyetjeve nga të cilat do të përzgjidhen edhe pyetjet që do të jenë pjesë e tezës së provimit të licencës. Kështu, çdo kandidat mund të orientohet rreth përmbajtjes që do të ketë testi i licencës, duke u njohur me fondin e detajuar të pyetjeve që gjendet në faqen online të Qendrës së Shërbimeve të Arsimit.
Në rregulloren e provimit të shtetit të miratuar më herët, saktësohet se kandidatët që do të vlerësohen në testimin me alternativa me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencën profilit në të cilën aplikojnë, pasi rezultojnë mbetës. Në rastet kur një kandidat nuk paraqitet në provim, ose tërhiqet përpara fillimit të tij, atëherë provimi nuk do të vlerësohet si i kryer. Pjesë e sezonit të testimeve do të bëhen edhe shumë kandidatë të cilët kanë hyrë në testime gjatë sezoneve të shkuara, por që nuk kanë arritur dot të sigurojnë pikët minimale që duhen për të qenë kalues. Këta kandidatë do të duhet të shlyejnë një tarifë më të lartë se sa kandidatët që testohen për herë të parë.
Tarifa për kandidatët që e japin për herë të parë provimin e shtetit është 10,000 lekë, për kandidatët që e japin për herë të dytë është 12,500 lekë, për kandidatët që e japin për herë të tretë është 15,000 lekë, për kandidatët që e japin për herë të katërt provimin e shtetit është 17,500 lekë, për kandidatët që e japin për herë të pestë provimin e shtetit është 20,000 lekë. Ndërsa tarifa për ata që e japin për herë të gjashtë, e më shumë, provimin e shtetit është 25,000 lekë.
Kujdes, në ditën e provimit çdo kandidat duhet:
- Të paraqitet pranë Qendrës së Shërbimeve të Arsimit 30 minuta para nisjes së provimit.
- Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë, dokumenti origjinal).
- Kopje të Kartës ID ose Pasaportës.
- Faturën origjinale me vulën përkatëse, të pagesës së tarifës së provimit për llogari të Qendrës së Shërbimeve të Arsimit, të kryer në një bankë të nivelit të dytë (sipas faturës për arkëtim të publikuar, bazuar në herën e pjesëmarrjes).
Tarifat që duhet të shlyeni sipas herës që testoheni për licencën :
- Tarifa për kandidatët që e japin për herë të parë provimin e shtetit do të jetë 10,000 lekë.
- Tarifa për kandidatët që e japin për herë të dytë provimin e shtetit do të jetë 12,500 lekë.
- Tarifa për kandidatët që e japin për herë të tretë provimin e shtetit do të jetë 15,000 lekë.
- Tarifa për kandidatët që e japin për herë të katërt provimin e shtetit do të jetë 17,500 lekë.
- Tarifa për kandidatët që e japin për herë të pestë provimin e shtetit do të jetë 20,000 lekë.
- Tarifa për kandidatët që e japin për herë të gjashtë dhe më shumë provimin e shtetit do të jetë 25,000 lekë.
P.k\dita
