Një skandal i ri ka përfshirë rrethin e familjes presidenciale në SHBA, pas zbulimeve se Donald Trump Jr. ka kaluar disa ditë në një kamp të largët gjuetie në Mongoli në shoqërinë e një oligarku rus të afërt me Vladimir Putin.
Sipas një hetimi të publikuar nga Financial Times dhe të pasqyruar gjerësisht në mediat ndërkombëtare si La Repubblica, ngjarja ka ndodhur në fund të muajit gusht. Djali i madh i presidentit amerikan ka udhëtuar drejt kryeqytetit mongol Ulaanbaatar dhe më pas në një kamp gjuetie në provincën Uvs, i shoqëruar nga një detaj i Shërbimit Sekret amerikan.
Në këtë ekspeditë, atij iu bashkua me një avion charter Umar Kremlev, një biznesmen rus me ndikim dhe kreu i Shoqatës Ndërkombëtare të Boksit (IBA), i njohur për lidhjet e tij të ngushta me strukturat e sigurisë së Kremlinit dhe rrethin e ngushtë të Vladimir Putin. Sipas dëshmive të udhërrëfyesve vendas, gjatë dy ditëve që kaluan së bashku në kamp – ku dyshja u tregua e kujdesshme për të shmangur fotografitë e përbashkëta – Trump Jr. ka gjuajtur një “argali të Altai-t”, një specie e rrallë dhe e rrezikuar dashi të egër, e lakmuar për brirët e saj masivë.
Ky udhëtim ka ndezur menjëherë alarmin në Uashington. Kritikët dhe ligjvënësit demokratë kanë ngritur shqetësimin se lidhjet e afërta të djalit të presidentit me figura kyçe të kontrolluara ose të afërta me shërbimet e inteligjencës ruse përbëjnë një rrezik të hapur sigurie, ndërkohë që përfaqësuesit e Trump Jr. janë munduar ta minimizojnë takimin, duke e cilësuar atë thjesht si një pasion të pëbashkët për natyrën, gjuetinë dhe peshkimit.
Ndërkohë që skena politike amerikane zien nga debatet dhe kërkesat për hetime parlamentare lidhur me financimet dhe dhuratat e mëparshme mes Kremlev dhe familjes Trump, episodi i Mongolisë dëshmon edhe një herë se si pasionet e fshehta dhe diplomatike e gjejnë gjuhën e përbashkët larg syrit të publikut, madje edhe në cepat më të largët të globit.
Përshtati DITA nga La Reppublica
