Provimet kombëtare të arsimit bazë për vitin shkollor 2022-2023 do të zhvillohen në dhjetëditëshin e fundit të muajit qershor. Ministria e arsimit dhe Sportit ka miratuar tashmë udhëzimin zyrtar me datat dhe rregullat se si do të zhvillohen tre provimet e lirimit për nxënësit që përfundojnë klasën e nëntë gjatë këtij viti.
Testi i parë që do të japin nxënësit e klasave të 9-ta do të jetë në lëndën e gjuhës shqipe, provim i cili është vendosur që të zhvillohet në datën 20 qershor. Tre ditë më pas, përkatësisht në datën 23 qershor do të zhvillohet provimi i dytë në lëndën e matematikës. Ndërsa testi i fundit do të jetë i gjuhës së huaj që do të plotësohet në datën 26 qershor. Për nxënësit e pakicave kombëtare bëhet e ditur se do të zhvillojnë edhe provimin kombëtar të arsimit bazë në lëndën “Gjuhë amtare”, provim i cili do të jepet në datën 21 qershor.
Nxënësit që do të vlerësohen kalues në të tre provimet me shkrim, do të pajisen me dëftesën e përfundimit të arsimit të detyruar 9-vjeçar dhe do të mund të vijojnë më tej me procedurat e regjistrimit për ndjekjen e shkollës së mesme. Ndërsa mbetësit do të kenë mundësi që të rijapin provimet në sezonin e vjeshtës dhe vetëm më pas do të mund të vijojnë me procesin e regjistrimit për në shkollë të mesme.
Mbeten të njëjta rregullat e zhvillimit të provimeve, sikundër ka ndodhur edhe gjatë viteve të shkuara. Në këto kushte, çdo provim kombëtar i arsimit bazë për këtë vit shkollor do të fillojë në orën 10:00, ndërkohë që nxënësit do të kenë në dispozicion 2 orë e 30 minuta për të plotësuar të gjitha pyetjet e testit të secilës lëndë. Nxënësit me aftësi të kufizuara që ndjekin shkollat e zakonshme do t’i zhvillojnë provimet kombëtare bazuar në planin edukativ individual me të cilin punojnë në përshtatje me veçoritë e tyre. Ndërsa drejtoria e Institutit të Nxënësve që nuk shikojnë “Ramazan Kabashi”, do të tërheqë testin në qendrën e Shërbimeve Arsimore një ditë para zhvillimit të provimit, të cilin duhet ta kthejë në sistemin e shkrimit “Brail” që është i përshtatshëm për t’u plotësuar nga nxënësit që kanë këtë aftësi të kufizuar. Për secilën lëndë, pyetjet ose kërkesat në test do të jenë të tri niveleve, nivelit të ulët, atij mesatar, si dhe pyetjet për nxënësit e shkëlqyer.
Lidhur me provimin e tretë, MAS përcakton në udhëzim se gjuhët e huaja që do të jepen në provimet e lirimit për vitin shkollor 2022-2023 janë: anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht”. Testi i gjuhës së huaj të parë hartohet në përputhje me gjuhën që në planin mësimor të arsimit të mesëm të ulët trajtohet si gjuhë e huaj e detyruar në nivelin gjuhësor A2. Për nxënësit e klasave të nënta të shkollave mbështetëse dygjuhëshe franceze, italiane dhe gjermane, saktësohet se do të japin provim gjuhën përkatëse të seksionit në nivelin gjuhësor A2.
Arsimi bazë i detyruar
Arsimi bazë i detyruar synon të zhvillojë aftësitë intelektuale, krijuese, praktike dhe fizike të nxënësve, të zhvillojë personalitetin e tyre dhe t’i pajisë ata me elementet themelore të kulturës së përgjithshme dhe edukatën qytetare. Arsimi bazë i detyruar fillon në moshën 6 vjeç dhe zgjat 9 vjet. Nxënësi është i detyruar të ndjekë arsimin bazë deri në moshën 16 vjeç. Arsimi bazë është i njësuar. Institucionet e tij shtrihen në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Shtetasit që mbushin moshën 16 vjeç, por që nuk arrijnë ta përfundojnë arsimin bazë, mund ta përfundojnë atë në shkollat me kohë të shkurtuar. Arsimi bazë përbëhet nga dy cikle: Cikli fillor, (klasa I-V) dhe Cikli i mesëm i ulët, (klasa VI-IX). Arsimimi i nxënësve me aftësi të kufizuar bëhet në shkolla speciale, në klasa speciale brenda shkollave normale ose të integruar në klasa normale.
Arsimi i mesëm
Ndjekja e arsimit tw meswm nuk wshtw i detyrueshëm. Arsimi i mesëm në Republikën e Shqipërisë përbëhet nga gjimnazet (me kohë të plotë dhe të shkurtuar) si dhe nga shkollat e mesme profesionale. Gjimnazet publike japin një kulturë të përgjithshme që është zgjerim i njohurive e thellim i kulturës dhe njohurive të fituara në shkollat e arsimit bazë. Kohëzgjatja e gjimnazit është 3 vjet dhe përfundon me provimet e Maturës Shtetërore. Në planin mësimor janë përfshirë nëntë fusha si: Artet, Edukimi fizik dhe sportet,Gjuha e huaj (ose gjuhët e huaj), Gjuha shqipe dhe letërsia, Karriera dhe aftësimi për jetën, Matematika, Teknologjia & TIK, Shkencat natyrore dhe Shkencat shoqërore. Kurrikula e gjimnazit është e përbërë nga kurrikula bërthamë dhe kurrikula me zgjedhje. Gjimnazet me kohë të shkurtuar, shërbejnë edhe për arsimimin e të rriturve. Kohëzgjatja e studimeve në gjimnazet me kohë të shkurtuar, është 4 vjet dhe ato përfundojnë me dhënien e provimeve të Maturës Shtetërore (MSH). Plani mësimor dhe programet kurrikulare, miratohen nga Ministri i Arsimit dhe Sportit.
Datat kur do të zhvillohen provimet kombëtare për klasat e 9-ta:
- Në datën 20 qershor do të zhvillohet provimi i parë në lëndën e Gjuhës shqipe.
- Në datën 23 qershor do të zhvillohet provimi i dytë në lëndën e matematikës.
- Në datën 26 qershor do të zhvillohet provimi i tretë në lëndën e Gjuhës së huaj.
- Për nxënësit e pakicave kombëtare bëhet e ditur se do të zhvillojnë edhe provimin kombëtar të arsimit bazë në lëndën “Gjuhë amtare”, provim i cili do të jepet në datën 21 qershor.
Provimi i Gjuhës Shqipe
Testi i lëndës së gjuhës shqipe do jetë i strukturuar në tre pjesë. Pjesa e parë do ketë pyetje rreth një fragmenti letrar, pjesa e dyte pyetje rreth një fragmenti joletrar, si dhe pjesa e tretë do të ketë pyetjet rreth njohurive të sistemit gjuhësor. Ekspertët e MASR thonë se fragmentet ose tekstet në test janë të panjohura për nxënësit dhe nuk janë pjesë e teksteve. Për sa i përket përfaqësimit të teksteve letrare dhe teksteve jo letrare, në program sqarohet se do të jenë në raportin: 70% me 30%.
Provimi i matematikës
Për testin e matematikës, bazuar në kurrikulën e miratuar, përmbushja e kompetencave matematikore që një nxënës duhet të zotërojë përgjatë gjithë zhvillimit të lëndës dhe jo vetëm, arrihet nëpërmjet 5 tematikave kryesore që janë: numri, matja, gjeometria, algjebra dhe funksioni, statistika dhe probabiliteti. Për secilën tematikë është paraqitur pesha që zë secila pre tyre në numrin e pyetjeve që do të ketë testi i kësaj lënde. Tematikat dhe renditja e tyre nuk presupozojnë që përmbajtja e testit duhet të zhvillohet në këtë renditje. Në përgatitjen për përmbushjen e këtij programi do të përdoren kryesisht tekstet mësimore të lëndës së matematikës, klasa VI-IX.
Provimi i gjuhës së huaj
Testi i gjuhës së huaj do të organizohet mbi kompetencën komunikuese, realizimi i të cilës përgjatë gjithë zhvillimit të lëndës së gjuhës së huaj ndihmon nxënësin: të zhvillojë konceptet bazë gramatikore, ortografike, leksikore, etj, të përzgjedhë fjalorin e duhur në kontekste të ndryshme shoqërore, të njohë dhe të zbatojë rregullat dhe parimet sipas të cilave mesazhi gjuhësor organizohet dhe strukturohet, të përzgjedhë dhe të zbatojë strategjitë e duhura në përçimin e mesazhit.
