Në të gjithë vendin maturantët kanë nisur tashmë edhe me përgatitjet për provimet e Maturës Shtetërore 2023. Edhe për këtë vit, katër janë testet që do të plotësohen nga të gjithë maturantët e shkollave të mesme: tre provimet e detyruara në lëndën e gjuhës së huaj, gjuhës shqipe, matematikës, si dhe provimi i katërt i lëndës me zgjedhje (përcaktimi i të cilës është bërë sipas preferencave të vetë nxënësve).
Bashkë me rregulloren se si do të zhvillohen provimet, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka konfirmuar edhe llojet e testeve zyrtare që do të plotësohen në maturën e këtij viti. Sipas autoriteteve të MAS, testet do të hartohen në varësi të profilit shkollor që maturanti ka kryer. Në tabelën e detajuar në vijim të shkrimit, për çdo profil shkollor (gjimnazet e përgjithshme, ato profesionale, shkollat artistike, sportive, seksionet dygjuhëshe, si dhe gjimnazin me kohë të shkurtuar), do të gjeni të detajuar llojin e testit që do të jepet si provim i detyruar, apo si provim me zgjedhje.
Testi i gjuhës së huaj që do të jepet si provim i detyruar (D3) do të hartohet në përputhje me gjuhën, e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm të lartë (gjimnazit) trajtohet si gjuhë e huaj e parë. Lista e gjuhëve të huaja, që do të jepen si provim i detyruar janë anglisht, frëngjisht, italisht gjermanisht, spanjisht dhe turqisht. Ndërkohë që testi i provimit do të jetë në nivelin gjuhësor që përcaktohet në kurrikul në përfundim të studimeve të shkollës së mesme që maturanti kryen, që në varësi të profilit të shkollës së mesme mund të jetë i nivelit B1 dhe B2. Lënda që do të jepet si provim i detyruar i gjuhës së huaj është përzgjedhur që gjatë plotësimit të formularit A1 dhe A1Z. Kandidatët e viteve të kaluara (të maturave shtetërore 2014, 2015, 2016, 2017, 2018, 2019, 2020, 202I, 2022) që kanë rezultuar jokalues në provimin D3, duhet ta rijapin këtë provim. Kandidatët e tjerë, (të maturave shtetërore para vitit 2014) që aplikojnë me Formularin A1Z, nuk do ta rijapin provimin e detyruar D3.
Për të orientuar maturantët në lidhje me përgatitjen për provimet e maturës, janë zbardhur tashmë edhe programet orientuese me temat që duhet të rishikoni me kujdes për zhvillimin e provimeve. Provimet e detyruara do të mbështeten vetëm në kurrikulën bërthamë. Programet orientuese të tre lëndëve të detyruara janë në përshtatje me programet ekzistuese të arsimit të mesëm të lartë. Programet e lëndëve me zgjedhje janë të njëjta për të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që aplikojnë me plotësimin e formularit A1 dhe A1Z. Programi orientues i lëndëve me zgjedhje përmban programin e lëndës bërthamë, si dhe asaj me zgjedhje
Në udhëzimin e miratuar më herët nga Ministria e arsimit dhe Sportit, përcaktohet se provimet e maturës për këtë vit, do të fillojnë në orën 10:00. Çdo maturant do të ketë në dispozicion 2 orë e 30 minuta për të plotësuar testet e secilës lëndë që është pjesë e provimeve të maturës. Testet do të hartohen, administrohen dhe vlerësohen nga Qendra e shërbimeve Arsimore. Ndërkohë që testi i secilit provim do të vlerësohet maksimalisht me 60 pikë. Për të qenë kalues, maturanti duhet që të marrë detyrimisht 25 për qind të këtyre pikëve maksimale me të cilat vlerësohet testi. Kandidatët që do të rezultojnë mbetës në provimet e sezonit të muajit qershor, provimet do të mund t’i japin gjatë sezonit të vjeshtës. Në ndihmë të maturantëve, në të gjitha shkollat e mesme do të organizohen konsultimet sipas një kalendari të përcaktuar, i cili do të miratohet edhe nga Zyrat Vendore të arsimit Parauniversitar.
Për provimet e detyruara dhe lëndën me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2023, është menduar që provimet të zhvillohen në qendra të mëdha. Do të jenë pallatet e sporteve, ambientet e universiteteve, palestrat, si dhe struktura të tjera me hapësira të konsiderueshme, të cilat do të përzgjidhen nga MAS si ambientet ku maturantët e shumtë në numër do të paraqiten për të plotësuar secilin provim. Në këto kushte, rreziku për të pasur problematika, të tilla, si: komunikimin me njëri tjetrin, komunikim me mësuesin, apo parregullsi të tjera të ngjashme, do të jenë më të vështira që të bëhen në sallat e mëdha, ku të gjithë do të mund të shohin gjithçka. Kjo do të bëjë që të shmanget çdo lloj abuzimi, apo problematike që ka shoqëruar procesin e administrimit gjatë vitit të shkuara.
Për provimet e këtij viti është vendosur që të hiqet fleta e përgjigjeve. Kështu maturantët do të mund të plotësojnë përgjigjet e sakta direkt në tezën e provimit dhe jo më në fletën e përgjigjeve, sikundër ka ndodhur deri në maturën e vitit 2022. Sipas ekspertëve, është vlerësuar se plotësimi edhe i kësaj flete merr më shumë kohë për maturantët, ndërkohë që shton riskun për më shumë gabime. Duke hequr plotësimin e kësaj flete, maturanti ka më shumë kohë në dispozicion për të bërë plotësimin e duhur të përgjigjes direkt në test.
Penalitetet për maturantët:
- Sipas kushteve të përcaktuara në rregulloren e provimeve për 2023, maturanti do të përjashtohet nga provimi kur konstatohet se: Ndryshon vendin që i është caktuar, merr, jep informacion apo kopje, ose komunikon me maturantë të tjerë, kur bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit, kur mban telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimit, si dhe kur refuzon kontrollin nga ana e administratorëve gjate hyrjes në qendrën e provimit.
- Po sipas rregullores, maturantit nuk i njihet rezultati nëse përdor laps, stilolapsa me ngjyra jo si atë të përcaktuar në rregulloren e provimit, nëse ka hequr ose dëmtuar kodin e sekretimit të testit (barkodin), nëse ka dëmtuar testin (palosur, zhubrosur, grisur, vendosur shenja të dallueshme dhe të veçanta), të evidentuara në procesverbal, nëse vërtetohet kopja, e pjesshme, ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga komisioni përkatës, si dhe në rastet kur është marrë masa e përjashtimit nga provim.

