Elidiana Canaj*
Me gjithë respektin për ju shoku Hulusi, për nivelin, moshën dhe eksperiencën tuaj, me keqardhje shkruaj, se Ju po e keqinformoni organizatën dhe opinionin! Do të shkoj edhe më tej: me këtë shkrim, e jo vetëm, ju po dizinformoni! Pse nuk i bëni pyetje vetes dhe atyre që ju rrinë pranë: pse u krijua kjo situatë në krye të Organizatës?
- Publicitet -
Besoj të mos kini nevojë t’u them unë, por drejtimi është art, mençuri, vizion, përgjegjësi dhe, në një organizatë si kjo e jona, është edhe besim e dashuri vëllazërore…..! Ne nuk po ndihemi kështu në marrëdhëniet me ju, me Veliun me Vladimir Marashin… Të jesh në krye nuk do të thotë të kesh të drejta të pakufizuara e privilegje!
Ne jemi gjallë, profesor dhe mund të bashkëbisedojmë! Besoj ta kini këtë prirje edhe ju në metodën e punës suaj!
Fatkeqësisht po ndodh realisht, që ne nuk jemi të pranishëm aty ku shkoni ju e ku flisni kundër nesh dhe nuk e dimë se çfarë thoni dhe si e me çfarë argumente “na demaskoni”.
Nga leximi me vëmendje i shkrimit tuaj, dua të sqaroj që:
Ju kam drejtuar një letër të hapur ku ju kërkoj të më shpjegoni pse më kini etiketuar “fraksioniste” dhe armike për Organizatën (dhe jo vetëm mua). Ende nuk më kini dhënë përgjigje. Etiketime të tilla i dëgjoj veç tani dhe vetëm që kur kini ardhur ju “si kryetar” në krah të z. Veli dhe ca të tjerëve. Edhe pse nuk i kam dëgjuar me veshët e mi të artikuluara nga ju e ballë për ballë, por i kam lexuar nga pena juaj, do të ishte mirë të mendoja dhe të ndjeja si filozofi i lashtësisë greke të shkollës peripatetike që, “pranoj edhe të më rrahin në mungesë!” Por nuk e kam të lehtë as për moshën, as për edukimin e formimin tim, as për karakterin e ndjeshmërinë time ndaj vlerave të atdhetarizmit që të sillem sikur nuk ka ndodhur gjë!
Ju kam kërkuar të bisedojmë veçmas me ju për probleme të Organizatës e ju na kini mirëpritur, por, të dy herët, që u takuam kur ishim bashkë me sh. Murat, nuk e respektuat kërkesën, sepse kini pasur të tjerë pranë dhe nuk kemi mundur të sqarohemi.
Përsa i përket funksionit tim po e ritheksoj: unë jam nënkryetare! Nuk e kam dhënë dhe nuk e jap dorëheqjen! Edhe pse Ju më kini ndërprerë mundësinë të kryej detyrën, se kini urdhëruar të mos komunikojë kush me mua aty e të mos kem informacion as elektronik e as me poste (dhe jo vetëm me mua) për probleme të marrëdhënieve me jashtë, që unë mbuloj!
Lidhur me takimin e programuar për probleme të programit të punës së komisionit, gjithashtu dua të sqaroj që ishte njoftuar ora e dita për t’u takuar në zyrën e Kryesisë dhe nuk mund të justifikohet vetoja e sjellja brutale me profesorët nga të pranishmit në zyrë dhe nga z. Veli. Çfarë pune do të prishej në Organizatë nëse do të bisedonim hapur e në tavolinë? Komisioni dhe nëkryetarët e sekretari do të diskutonin bashkërisht për programin e punës dhe kriteret e përzgjedhjes së kandidaturave për kryetar të Organizatës. Nëse deri tani nuk kemi pasur praktika të tilla, kohët kanë ndryshuar dhe shtrojnë nevojën e përsosjes edhe në procedurat e përzgjedhjes së udhëheqjes dhe nuk gjykojmë se vepruam gabim! I shërbejnë punës së vazhdimësisë së Organizatës. Sot ne kemi prurje cilësore edhe nga radhët e pasardhësve. Kemi personalitete që nderojnë drejtimin e Organizatës! Kjo procedure vërtet nuk parashihet në statut, por, nuk shprehet kund ndalimi i saj! Pra lejohet!
Sjellja me egërsi dhe ofendimet e të pranishmëve në zyrën e Kryesisë së Komitetit Kombëtar ishin shokuese për të gjithë ne, që kishim shkuar të bisedonim për të mirën e Organizatës, që u cilēsuam fraksionistë! Te pranishmit në zyrë ishin përfaqësues të një keshilli zonal. Zyra është e Kryesisë dhe ne, antarët e Kryesisë u përzumë më brutalitet!!!! Nuk dua të keqpërdoret ky shpjegim, sepse, strukturat, sipas hierarkisë, kanë edhe detyra specifike e përgjegjësi me rreze të ndryshme ndikimi! Nuk u falet juve, profesor, të merrni në mbrojtje situatën e krijuar të asaj dite! Ju nuk ishit i pranishëm! Të tjerë mund t’u kenë disinformuar me qellim jo të mirë! (Mos valle duan të perfitojnë nëpërmjet Jush atë që nuk u takon dhe që nuk e meritojnë?). Pse e konsideroni shkelje vendimin e mbledhjes së Kryesisë për ngritjen e komisionit dhe parashtrimin hapur e në diskutim mes drejtuesve kryesorë lidhur me kriteret dhe procedurat për zgjedhjen e kryetarit? Ku e shihni në këtë vendim dëmin apo kundërvenien me statutin?
Grupi i kontrollit të brendshëm financiar u miratua në mbledhjen e Kryesisë së datës 03.02.2023. (Çuditërisht gazeta jonë nuk shkruajti asgjë për vendimet që u muarrën edhe pse ne e çuam me shkrim dokumentin dhe e dorëzuam edhe në protokoll). Urdhrin e përgatitur për ngritjen e grupit të kontrollit financiar e firmosi edhe sh Veli. Raporti iu dorëzua Kryesisë dhe grupi i kontrollit kërkoi të thirret mbledhja. Ju, profesor, duhet të jeni në dijeni dhe duhet të reagoni, (nëse jeni kryetar edhe pse ende nuk jeni as antar kryesie… ) si për thirrjen e mbledhjes së Kryesisë ashtu edhe për problemet dhe shkeljet që pasqyrohen në raport! Gjendja, që rezulton, nuk na nderon! Grupi ynë “i fraksionistëve/armiqve” synon të zgjidhen problemet dhe nuk pajtohet me shkelje financiare e ligjore apo statutore në Organizatën tonë! Nuk e di si e gjykoni ju! Organizata jonë duhet të mbetet model organizimi, funksionimi, të mbetet vlerë kombëtare! Por Ju, siç duket, për këto qendrime korrekte e parimore na quani fraksionistë! Dallimet tona me grupin e vogël pranë jush, janë parimore! Mes nesh ka një hendek të thellë në mendime e qendrime! Ndaj, në emër të misionit historik atdhetar dhe të antarësisë së shëndoshë dhjetra mijëshe të Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ të Popullit Shqiptar “Nderi i Kombit”, jeni i lutur të gjykoni me përgjegjësi dhe me objektivitet!
Praktika shumëvjeçare e drejtimit në Organizatën tonë ka qenë bashkëbisedimi, konsultimi në mes shokësh antarë të forumeve drejtuese të zgjedhura, informimi, vendimmarrja kolegjiale. Tani, ne jo vetëm që nuk kemi informacion, njoftim, njohje për veprimtaritë që organizoni ju aty, nuk dimë kush propozon, kush i shqyrton propozimet e kush merr vendime, në emër të kujt e përse, përkundrazi, ofendohemi se nuk “vijmë në punë”! Në ç’klimë të vijmë? Ku ta dinim ne qe ju shkuat ekskursion me autobuz në Ardenicë në ditën e Pashkëve? Mësuam nëpërmjet lidhjeve të të tjerëve nga postimet në rrjetet sociale, mbas faktit të kryer! (Sepse edhe lidhjet në rrjetet sociale na janë ndërprerë!) Ku e dinim ne që 10 vetë do të shkonit tek muralja e Vasil Shantos? Ku e dimë ne që shkoni nëpër Shqipëri dhe sqaroni situatën e krijuar nga “këta nënkryetarët fraksionistë e armiq”? Pse nuk na njoftoni? Pse nuk i shpërndani detyrat e të mos rendoheni veç ju profesor dhe ajo pjesë që paguhen aty me të ardhurat e Organizatës?
Po e bëj edhe një sqarim: në mbledhjen e Komitetit Kombëtar e patë që “frenat” i mbante z. Veli edhe pse, sipas zgjedhjes së tij, do të isha vetem unë si përfaqësuese nga n/kryetarët në drejtimin e mbledhjes bashkë me ju dhe sh. Qemal! E vërtetë është gjithashtu që unë, bashkë me n/kryetarët e tjerë insistuam të ishim bashkëdrejtues! Por ne nuk bëmë proces verbal dhe nuk i numëruam votat! Kush e përgatiti? Çfarë dokumenti dorëzuat në gjykatë për të vërtetuar se u “zgjodhët ju kryetar”? Pse te mos njihemi edhe ne me dokumentin “zyrtar”? Ky shkrim nuk prezanton tek antarësia dhe tek opinioni i dashamirëve të shumtë atdhetarë shqiptarë ad seriozitet, as përgjegjësi, as respekt, as vizion në drejtimin e Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve!
Kam edhe një pyetje personale: ç’ishte ajo shprehje e juaja: “Bëri prezantimin e vetes së saj atje, por edhe rrjetin e saj social si nënkryetare e Komitetit….., por e kujt komitet? E ketij ekzistuesit, që e ka braktisur përmbi tre muaj, apo e atij të organizatës fantazmë që orvatet të krijojë?” – E dua një përgjigje të sinqertë, publike dhe të argumentuar! Më erdhi shumë keq kur e lexova! Nga i kini marrë këto informacione? Meqë nuk arritët të lexoni kronikën në gazetë, se nuk u pranua të botohej, po ju shkruaj këtu: – unë kam shkuar në Vodicë të Kolonjës me rastin e 80 vjetorit të krijimit të batalionit Hakmarrje, formacion luftarak i Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare, me veprimtari të shquar në Kolonjë e jo vetëm. Nga ky batalion shkuan luftëtarë në të gjitha brigadat partizane që u krijuan në qarkun e Korçës! Në këtë batalion ka qenë edhe babai im partizan nga data 15 kortik 1943. E kisha edhe një detyrim të shtuar si bija e ishpartizanit Murat Abazi Selenica të isha në këtë vit jubilar! Ç’të keqe ka? Pse hamendësoni e shpifni për qendrimin tim? Unë jam n/kryetare e këtij Komiteti Kombëtar, në këtë Organizatë! E kam për nder e përgjegjësi të respektoj aktivisht vlerat historike të LANÇ! Organizata e Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ të Popullit Shqiptar e ka në programin e vet kujtojë, të nderojë e të respektojë historinë e ngjarjeve datave të ngjarjeve dhe vlerave të LANÇ sidomos pervjetoret jubilare të formacioneve partizane por edhe te te rënëve në luftën per liri e antifashizëm. Pse pjesëmarrja ime aty u gjykua negativisht! Me dhimbje për shpifjet që lexoj, por me bindje e vendismëri deklaroj se nuk largohem me vullnetin tim as nga funksionet që më janë besuar me votë nga kjo organizate e as nga misioni i saj! Tjetërkush le të gjejë veten!
Nëse e kini seriozisht, merruni me mbarëvajtjen e Organizatës dhe strukturave të saj! Historia e LANÇ, vlerat historike etnike, Organizata qendrojnë shumë herë më lart se sejcili prej nesh duke ju përfshirë edhe ju!
Shoku Hulusi!
Dua gjykimin tuaj objektiv për zgjidhjen e problemeve që kanë lindur kohët e fundit! Referencat tuaja të deritanishme janë të pasakta! Ju edhe jeni i keqinformuar edhe keqinformoni, sepse gjykoni në mënyrë të njëanshme! Mos u orientoni nga interesat e grupit të njerëzve pranë jush që duket sikur bëjnë revolucionarin e luftarakun idealist në Organizatë!
Hiqeni merakun nga unë se nuk kam ambicje për karrike e pushtet! Ju siguroj se nuk e kërkoj për asnjë arsye karrigen dhe përgjegjësinë e kryetarit të Komitetit Kombëtar dhe as karrigen e sekretarit të përgjithshëm! Por ju siguroj gjithashtu se nuk do të pajtohem kurrë me ata/ato kandidatura që nuk e meritojnë të jenë as anëtarë në Organizatën tonë
Me respekt për lexuesit!
Faleminderit gazetës Dita, që na mundëson të shpjegojmë të vërtetën!
*Nënkryetare e Komitetit Kombëtar
Tiranë, më 28.05.2023