Finalizohet megaoperacioni policor antidrogë i koduar “CAMPER”. Arrestohen 4 persona të dyshuar, sekuestrohen 260 kg lëndë narkotike kanabis sativa dhe 2 automjetet kamper që ishin përshtatur për transportimin e lëndës narkotike. Rezultatet i konfirmoi në një dalje të pak minutave më parë, drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Ermal Muçaj, në konferencë për shtyp.
U arrestuan në flagrancë shtetasit: M. C., 20 vjeç, M. C., 20 vjeçe, F. T., 24 vjeç dhe A. P., 21 vjeçe, të katërt me shtetësi rumune. Gjithashtu janë shpallur në kërkim 5 shtetas, si bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale, por për arsye hetimi të dhënat e tyre nuk bëhen publike. Bëhet me dije se ngarkesa kishte destinacion një nga vendet europiane dhe grupi po bëhej gati ta nxirrje me mjetet “Camper” jashtë kufijve. “Gjatë kontrollit të automjeteve të tyre, në tentativë për të dalë nga territori shqiptar, u gjetën të fshehura në një ndarje të fshehtë dhe të përshtatur artificialisht, në automjet, një sasi prej 260 kilogramë lëndë narkotike”, tha Muçaj. Organizata, për llogari të disa bashkëpunëtorëve po shqiptarë, tashmë të shpallur në kërkim, kamufloheshin si turistë, duke marrë me qira mjetet luksoze, dhe të ndarë në dy çifte kryenin trafikimin e lëndës narkotike nga vendi ynë për në Greqi dhe më tej.
“Në vijim të operacioneve policore për goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, strukturat hetimore dhe Forca Operacionale e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, si dhe shërbimet e Komisariateve të Policisë Sarandë dhe Himarë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, bazuar në inteligjencën policore, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “CAMPER”. Në kuadër të këtij operacioni, sot, në orët e para të mëngjesit, u bë e mundur kapja dhe prangosja e 4 shtetasve rumunë që transportonin një sasi prej 260 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, me 2 automjete luksoze të tipit “Camper”, me targa rumune, me qëllim trafikimin e kësaj lënde në shtetin grek e më tej. Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij rasti, si dhe për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë të bashkautorëve të tjerë shqiptarë tashmë të shpallur në kërkim nga Policia”, tha Muçaj, duke siguruar qytetarët për bashkëpunimin dhe informacionet që ndihmojnë në këto aksione.
