Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, po shqyrton mundësinë e dorëheqjes në muajin mars, menjëherë pas një mbledhjeje të posaçme të Këshillit Evropian që pritet të zhvillohet në Romë. Sipas gazetës italiane La Repubblica, ky skenar mund t’i hapë rrugën zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Itali.

Burime qeveritare bëjnë të ditur se Meloni e ka diskutuar këtë mundësi me aleatët e saj të koalicionit, Antonio Tajani, Matteo Salvini dhe Maurizio Lupi. Samiti në Romë pritet të organizohet në kuadër të përvjetorit të Traktatit të Romës, të nënshkruar më 25 mars 1957, që hodhi themelet e integrimit evropian. Sipas skenarit të raportuar, kryeministrja mund të shfrytëzojë këtë moment për t’iu drejtuar presidentit të Republikës dhe për të kërkuar zgjedhje të parakohshme.

Sa i përket datës së votimit, 16 maji është data e parë e mundshme, ndërsa skenari që po shqyrtohet si më i mundshëm është zhvillimi i zgjedhjeve në qershor. Ky i fundit do të mundësonte organizimin e zgjedhjeve parlamentare në të njëjtën ditë me ato lokale në qytetet kryesore të vendit.

Ndërkohë, kampi i djathtë ka përshpejtuar diskutimet për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë bashkish në Romë, Milano, Napoli, Torino dhe Bolonja. Çështja pritet të jetë një nga temat kryesore të takimit të ardhshëm të drejtuesve të koalicionit, së bashku me projektbuxhetin e shtetit.

Megjithatë, drejtuesit e shumicës qeverisëse vazhdojnë të mohojnë publikisht se po përgatiten zgjedhje të parakohshme. Për momentin, dorëheqja e Melonit mbetet një hipotezë e raportuar nga mediat italiane dhe jo një vendim i konfirmuar zyrtarisht.

Qeveria e Giorgia Melonit ka shënuar gjithashtu një rekord jetëgjatësie, duke kaluar kabinetin e dytë të Silvio Berlusconit dhe duke u bërë qeveria më jetëgjatë e periudhës së pasluftës në Itali. Kryeministrja ka vlerësuar më herët si arritje të kabinetit të saj hapjen e vendeve të reja të punës, forcimin e sigurisë dhe disiplinën buxhetore.