Zyrtarë rusë sinjalizuan në vitin 2019 se Kremlini do të ishte i gatshëm të tërhiqej nga mbështetja e tij për Nicolás Maduron në Venezuelë, në këmbim të një dore të lirë në Ukrainë, sipas Fiona Hill, këshilltare e presidentit Donald Trump në atë kohë.
Rusët e hodhën vazhdimisht idenë e një “marrëveshjeje shumë të çuditshme shkëmbimi mes Venezuelës dhe Ukrainës”, tha Hill gjatë një seance dëgjimore në Kongres në vitin 2019. Komentet e saj dolën sërish në pah këtë javë dhe u shpërndanë në rrjetet sociale pas operacionit të fshehtë amerikan për kapjen e Maduro-s.
Hill tha se Rusia e shtyu këtë ide përmes artikujve në mediat ruse që i referoheshin Doktrinës Monroe, një parim i shekullit XIX sipas të cilit SHBA kundërshtonte ndërhyrjen evropiane në Hemisferën Perëndimore dhe, në këmbim, pranonte të mos ndërhynte në çështjet evropiane. Kjo doktrinë u përmend nga Trump për të justifikuar ndërhyrjen e SHBA-së në Venezuelë.
Edhe pse zyrtarët rusë nuk bënë kurrë një ofertë formale, ambasadori i atëhershëm i Moskës në Shtetet e Bashkuara, Anatoly Antonov, i la asaj shumë herë të kuptohej se Rusia ishte e gatshme t’i lejonte SHBA-së të vepronte si të donte në Venezuelë, nëse SHBA do të bënte të njëjtën gjë për Rusinë në Evropë, i tha Hill këtë jave agjencisë Associated Press.
“Para kësaj kishte një ‘nënkuptim pas nënkuptimi, shtytje e lehtë, shkelje syri, po sikur të bënim një marrëveshje?’ Por askush (në SHBA) nuk ishte i interesuar atëherë,” tha Hill.
Trump e dërgoi Hill-in, atëherë këshilltaren e tij të lartë për Rusinë dhe Evropën, në Moskë në prill 2019 për të përcjellë atë mesazh. Ajo tha se u kishte thënë zyrtarëve rusë se “Ukraina dhe Venezuela nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën”.
Në atë kohë, tha ajo, Shtëpia e Bardhë ishte në një linjë me aleatët duke njohur liderin e opozitës venezueliane Juan Guaidó si president të përkohshëm të vendit.
Por, shtatë vjet më vonë, situata është ndryshe.
Pas rrëzimit të Maduro-s, SHBA ka thënë se tani do ta “drejtojë” politikën ndaj Venezuelës. Trump ka rinovuar gjithashtu kërcënimin për të marrë nën kontroll Groenlandën, një territor vetëqeverisës i Danimarkës dhe pjesë e aleancës ushtarake të NATO-s, dhe ka kërcënuar me veprime ushtarake kundër Kolumbisë për shkak të trafikut të kokainës.
Kremlini do të ishte “i entuziazmuar” nga ideja që vendet e mëdha, si Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Kina, të kenë sfera influence, sepse kjo provon se “forca bën ligjin”, tha Hill.
Veprimet e Trumpit në Venezuelë e bëjnë më të vështirë për aleatët e Kievit të dënojnë planet e Rusisë për Ukrainën si “të paligjshme”, sepse “sapo kemi pasur një situatë ku SHBA ka marrë kontrollin, ose të paktën i ka prerë kokën qeverisë së një vendi tjetër, duke përdorur trillim,” i tha Hill AP-së.
Administrata Trump e ka përshkruar operacionin në Venezuelë si një veprim të zbatimit të ligjit dhe ka këmbëngulur se kapja e Maduro-s ishte e ligjshme.
Ministria e Jashtme ruse nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment lidhur me rrëfimin e Hill-it.
Presidenti rus Vladimir Putin nuk ka komentuar për operacionin ushtarak për rrëzimin e Maduro-s, por Ministria e Jashtme lëshoi deklarata duke dënuar “agresionin” amerikan.
j.l./ dita

dikush mund të bëjë pazar me diçka që ka dhe jo me diçka që pretendon që ka!!kështu puta nuk mund të jepte venezuelën!jo vetëm sepse nuk e kishte por dhe sepse nuk mund ta ndalte amerikën për të vepruar!!në të njëjtën kohë,amerika nuk mund ti jepte një gjë që ishte “e saja”!pra puta e ka bërë atëherë njëlloj si po e bën sot në ukrainë!”bëjmë bisedime për paqen dhe shkëmbejmë,teritoret e tua!”!e njëjta gjë dhe me amerikën!”të lë tënden,për të më lënë tënden”???po të mos ishin(pas një farë kohe,dy vjet maksimumi)armët bërthamore!?rusia do kishte fuqi vendsje gjeopolitike njëlloj sa sudani!!perëndimi bëri gafën në vitet ’90 që besoi në mënyrë naive,sa ska ku të vejë,tashti duhet riparuar gabimi!!i duhet hequr nga dora arsenali atomik putanës ruse!!