Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Pak histori
Jemi në periudhën kur përkujtohet 85 vjetori i Luftës Civile të Spanjës, ku edhe u shënua qëndresa e parë madhore kundër nazifashizmit që po përgatiste kasaphanën e Luftës së Dytë Botërore. Një ndër viktimat e para të asaj lufte Botërore do të ishte Shqipëria. Është nder për shqiptarët të kujtohet kjo luftë, pasi në historinë tonë moderne ajo është shëmbëlltyra më e mirë e shpirtit internacionalist të shqiptarëve. Pa asnjë lloj mobilizimi zyrtar, përkundrazi në ilegalitet të plotë nga qeveria e Ahmet Zogut, rreth 70 të rinj u nisën vullnetarisht nga të gjitha hapësirat shqiptare, nga Shqipëria, Kosova dhe Çamëria drejt Spanjës që po mbytej në gjak. Është një nga luftërat civile më të përgjakshme që ka njohur historia dhe akti i të rinjve shqiptarë është nga më të bukurit dhe më heroikët e Shqipërisë moderne.
Lufta civile spanjolle shpërtheu në Spanjë ndërmjet rebelëve (të njohur si Nacionales) dhe Republikës Spanjolle me të ashtuquajturit Republicanos (qeveria dhe përkrahësit e saj). Lufta u zhvillua midis muajit korrik të 1936 dhe prill 1939 dhe përfundoi me humbjen e çështjes republikane, e ndjekur më pas nga diktatura e Francisko Frankos (Francisco Franco).
Lufta antifashiste e Spanjës është e njohur i një luftë internacionale në të cilën luftonin forcat e mbretit të mbështetura nga fuqitë fashiste dhe forcat proletare popullore të mbështetura nga fuqitë vullnetare të lëvizjeve socialiste e komuniste në Evropën e asaj kohe dhe më gjerë. Kjo luftë nga shumë të rinj në botë e edhe të rinjtë shqiptarë shihej si luftë çlirimtare e popujve. Për këtë shkak në këtë luftë në radhët e brigadave internacionale antifashiste janë radhitur më se 35000 vullnetarë nga 53 shtete të botës.
Të rinjtë shqiptarë në luftën e Spanjës (1936) u radhitën si ushtarakë në radhët e Brigadave Internacionale. Është pohuar se ishin 70 vullnetarë shqiptarë në atë luftë mes tyre dhe një vajzë e re, Justina Shkupi. Justina ishte shoqe e ngushtë Gonxhe Bojaxhiut, (Nënë Terezës), e cila kur vizitoi për herë të parë Shqipërinë pas marrjes së Çmimit Nobel për Paqe, u kërkoi autoriteteve të kohës të shkonte te varri i shoqes së saj. Por nuk e plotësoi dot këtë dëshirë. Askush nuk e mbante mend se ku ishte varri i saj.
Është e habitshme se si nuk dihet edhe sot e kësaj dite lista e plotë me emrat e vullnetarëve shqiptarë të asaj lufte.
Është në nderin tonë si shqiptarë t’i kujtojmë dhe nderojmë siç e meritojnë heronjtë e asaj lufte heroike. Sot ky shkrim le tw jetw si njw homazh pwr heroin Musa Fratari nga Pwrmeti.
Si u formua heroi përmetar
Musa Ali Kame, ose i njohur ndryshe Musa Fratari, lindi në pranverë të vitit 1911 në Fratar të Përmetit, në një familje të mesme fshatare. Fratari ndodhet në krahinën e Dishnicës së Përmetit, rreth 5 km në lindje të qytetit jugor të Këlcyrës. Musai që në fëmijëri u edukua me ndjenja patriotike e demokratike. Fëmininë Musai e kaloi në fshatin e tij, Fratar, ku kreu edhe shkollën fillore. Familja e tij ishte në gjendje ekonomike të mirë. Ajo trashëgonte dhe tradita të hershme patriotike, në luftë kundër pushtuesve. Babai, Ali Kame, kishte marrë pjesë aktive në lëvizjen kundër xhanturqëve për pavarësinë e Shqipërisë, në çetat e patriotëve Spiro Ballkameni, Riza Velçishlit, etj. Familja Kame ishte kthyer në bazë për luftëtarët e këtyre çetave. Nëna e Musa Fratarit një grua e zgjuar dhe me karakterin e saj ndikoi mjaft në edukimin e fëmijëve. Ajo kishte një vend të barabartë me të shoqin, Aliun, gjë që ishte mjaft e rrallë për kohën.
Në vitin 1914 Shqipëria e Jugut u sulmua nga bandat “Vorioepiriote” dhe ushtria e rregullt greke, të cilat u pritën me rezistencë nga popullsia e krahinave, ku mori pjesë aktive dhe babai i Musait, Aliu. Duke qenë një luftë e pabarabartë dhe rezistencë e paorganizuar nga ana forcat shqiptare, ato u detyruan të tërhiqen duke braktisur shtëpitë e tyre të terrorizuar nga masakrat e egra të ushtarëve dhe andartëve grekë. Musai ishte 4 vjeç në këtë këtë luftë e cila zgjati rreth 4 vjet. Nga shkatërrimet e bëra nga hordhitë greke, në të gjithë vendin pllakosi zija e bukës dhe sëmundjet epidemike, ku mjaft fshatarë e sidomos fëmijë, vdiqën nga mungesa e ushqimit dhe sëmundjet. E gjithë kjo nuk kaloi pa lënë gjurmë tek Musai, që ishte në moshën ku formohej karakteri tek i cili ngulitej urrejtja për për armikun. Musai, babanë e kishte idhull dhe dëgjonte me vëmendje të madhe historitë e tij që në të shumtën e rasteve përmendeshin Rilindasit si Naim Frashëri, Vaso Pasha etj.
Në rrugën e dijes dhe të përgatitjes
Shkollën fillore e kreu në fshatin e tij, Fratar, ku u dallua për rezultate dhe disiplinë shembullore. Ishte shkolla e parë që hapej në fshatin e tij, ishte viti 1918. Duke parë rezultatet në mësime dhe vullnetin për dije, familja e dërgon në vitin 1922 në shkollën qytetëse të Përmetit. Aty gjeti një atmosferë që e ndihmoi në zhvillimin e prirjeve demokratike dhe nëpërmjet jetës kolektive të konviktit. Përmeti, pas zgjedhjeve në Asamblenë Kombëtare të vitit 1923, ishte bërë një nga kështjellat e lëvizjes demokratike. Këtu u vendos qendra e Partisë Liberale, e kryesuar nga Fan Noli. Shkollën plotore të Përmetit Musai e mbaroi në maj 1924, me rezultate të shkëlqyera. Shpërthimi i Revolucionit Demokratik të Qershorit, i kryesuar nga Fan Noli, e gjeti Musanë 14 vjeç pranë familjes në Fratar. Babai Ali Kame së bashku me fshatarë e qytetarë të Përmetit luftuan kundër forcave feudale të Ahmet Zogut.
Këto lëvizje lanë gjurmë të pashlyeshme tek Musai, të cilit i pëlqenin programet demokratike dhe kombëtare të këtij revolucioni. Musait, i aprovohte bursës në Liceun e Korçës. Shumë shpejt ai u ambientua me jetën dhe aktivitetin e gjërë të shkëmbimit të ideve të reja demokratike dhe ideve komuniste. Në fund të vitit 1924 u bë rrëzimi i Qeverisë Demokratike të Fan Nolit dhe erdhi në fuqi Zogu. Për mendimet e tij të avancuara dhe revolucionare, nga fundi i muajit korrik 1925 i prenë gjysmën e bursës për në lice, gjë që krijoi probleme ekonomike për familjen. Gjatë vitit shkollor 1925-1926, nëpër shkolla u rrit presioni i shtetit zogist ndaj çdo ideje dhe lëvizjeje që binte ndesh me regjimin, duke përfshirë nxënës dhe inteligjencën demokratike. Në drejtorinë e shkollës ishte mendimi se Musa Fratari po bëhej një element i rrezikshëm, “kokëshkretë” dhe e përjashtuan nga shkolla. Pas shumë përpjekjesh, u fut në gjimnazin mbretëror në kryeqytet, në konviktin “Vaso Pasha”. Gjimnazin ushtarak të Tiranës e mbaroi në vitin 1930 kur ishte 19 vjeç. Atij ju akorduar e drejta e studimit për në Itali, në shkollë ushtarake për oficer. Musai në muajin gusht 1930 u nis për në Itali, për studime në Modena, në akademinë ushtarake së bashku me studentë shqiptarë.
Fryma patriotike dhe atdhedashuria e madhe, e marrë në familjen e tij dhe nga ambjenti shkollor përparimtar, kultivuan më tej revoltën ndaj padrejtësive. Së bashku me Asim Vokshin, që ishte nxënës me Musanë në këtë shkollë, ata shfrytëzonin kohën për të lexuar literaturë të ndaluar dhe të takoheshin me elementë komunistë si Ali Kelmendi, një militant i shquar i lëvizjes komuniste, i cili njihet si një nga përkrahësit aktivë të kësaj fryme politike dhe ideologjike.
Në rrugëtimin e vështirë drejt Spanjës
Musa Fratarit u përjashtua nga shkolla ushtarake në vitin e fundit, gjë që rëndoi gjendjen shpirtërore dhe rriti revoltën tek djaloshi 22 vjeçar. Pas refuzimit të qeverisë për të punuar përkthyes i italishtes, ai iku në Francë, tek i vëllai që ishte punëtor në Paris. Në Itali, në Modena plagosi Q.Sh., si shkaktarin e përjashtimit nga shkolla. Ky veprim çoi në arrestim nga policia italiane. Familja lajmin e mësoi nga gazetat italiane.
Pas 7 muajve u la i lirë dhe kthehet në Shqipëri, në Tiranë tek vëllai Sulo, i cili kryente shërbimin ushtarak. Në Tiranë, Musai në kafen “Kursal”, forcat e policisë e çuar në komandën e garnizonit. E akuzuan se kishte ardhur për të vrarë ministrin e Mbrojtjes dhe, për këtë, me një urdhër e detyronte Musain të qëndronte i izoluar në fshatin e tij, në Fratar. Në fshatin e lindjes, qëndroi dy vjet e gjysëm i izoluar. Gjatë periudhës 1934-1936, duke ju shmangur kontrollit të xhandarmërisë, shkoi në Korçë, Fier, Tiranë, Gjirokastër, etj., dhe takoi shokë të idealeve demokratike.
Në vitin 1936 atë e thërrasin për të kryer shërbimin ushtarak. Fillimisht, nisi jetën e ushtarit në Tiranë, por që shumë shpejt u padit dhe u largua për në Ersekë, ku dhe e përfundoi shërbimin ushtarak në tetor 1936. Pas përfundimit të ushtrisë, Musai kërkoi vizë për të shkuar në Francë, gjë që ju refuzua nga regjimi zogollian. Qëllimi i Musajt ishte të shkonte në Spanjë, ku kish filluar një luftë për jetë a vdekje midis republikanëve dhe fashizmit të Frankos ku, mesa duket qeveria shqiptare kishte të dhëna prandaj dhe e ndaloi. Por Musai nuk u tërhoq nga vendimi i marrë për të shkuar vullnetar, në ndihmë të luftëtarëve.
Shkoi në Paris tek vëllai, Sulo, që ishte emigrant ekonomik, duke i bërë të ditur qëllimin e ardhjes në Francë. Qëndroi pak ditë dhe për në Spanjë u nis me patriotin nga Podgorani, Daut Muçon, i cili ishte punëtor në Francë. Ai ra dëshmor në Luftën e Spanjës. Viti 1937 – 1938 kur Musai ishte në Spanjë luftimet kishin marrë përpjestime kolosale dhe përleshjet ishin të përgjakshme midis forcave kundërshtare. U inkuadrua në Brigadën XII Internacionale.
Musa Fratari në luftime u dallua për guxim e trimëri të rrallë në çdo betejë. Forcat frankiste të ndihmuara nga Hitleri, Duçe dhe gjithë reaksioni botëror, po eksperimentonin armët më të reja të kohës dhe po fitonin terren ndaj rezistencës heroike të luftëtarëve të lirisë.
Ai u rreshtua dhe luftoi në frontin më të vështirë, më të gjërë e më të rëndësishëm të luftës për mbrojtjn e Republikës së Re Spanjolle, në brigjet e lumit Ebro. Këtu luftoi për tre muaj rresht dhe përkrah shokut të tij, Xhemal Kadës, ra dhe Musa Fratari. Ata në këtë luftë nuk i lidh uniforma e oficerit dhe akademia që kishin studiuar, nuk i lidhi as data dhe vendi i rëniës se tyre, nuk i lidhi as Brigada XII “Garibaldi”, ku ishin vullnetarë pothuajse të gjithë shqiptarët, por i lidhi bashkëveprimi i tyre në frontin e luftimeve. Xhemal Kada ndërtonte ura të nënujshme për të mos u zbuluar nga aeroplanët fashistë, ndërsa Musai i mbronte ato nga çdo sulm i këmbësorisë armike dhe aviacionit zbulues. Musa në luftime u shfaq një oficer me shumë kulturë, që të gjitha dijet e tij ushtarake për artilerinë i përdorte me zotësi, për të mbrojtur Republikën Spanjolle. Në sulm të paparë, me të gjitha armët që përdori armiku, më datën 28 shtator 1938, ranë shumë shqiptarë e në mes tyre edhe Musa Fratari, Xhemal Kada, Thimjo Gogozoto, etj.
Nderimi për vullnetarin e Garibaldit
Pas një viti, më 1939, vendi ynë u sulmua dhe u pushtua nga Italia fashiste, gjë që Musai e kishte parashikuar dhe që e detyroi të rrëmbente armët, për t’i dalë përpara qysh në Spanjë, por do t’i takonte të tjerëve shqiptarë që t’i dilnin për zot vendit të tyre nga pushtuesi italo-gjerman.
Presidiumi i Kuvendit Popullor, në vitin 1969, duke vlerësuar lartë jetën dhe veprimtarinë patriotike të Musa Fratarit, përveç urdhërave dhe dekoratave të tjera, i ka dhënë pas vdekjes, titullin e lartë “Hero i Popullit”.
Në qytetin e Këlcyrës është ngritur busti i Heroit, ku ruhet, nderohet dhe respektohet nga populli i krahinës, si një figurë që dha jetën për çështje madhore si liria dhe solidariteti midis popujve të botës.
Shkolla 9-vjeçare e Këlcyrës, mban emrin e Musait, një fabrikë ushqimore në kohën e socializmit ka mbajtur emrin e tij. Në fshatin e lindjes është ngritur një bust i heroit. Gjithë familja e tij u lidh me luftën, eci në gjurmët e djaloshit trim dhe ende ruan tradita të larta patriotike, për të nderuar kujtimin dhe amanetin e Musa Fratarit dhe gjithë të rënëve. Të afërmve dhe gjithë të tjerëve, nuk iu dha mundësia për të bërë homazhe në vendin ku trimat ranë në betejë, sepse u penguan nga regjimi i Frankos dhe izolimi i vendit tonë Shqipërisë për shumë vite.
Tani kanë kaluar 85 vjet nga Lufta e Spanjës, familjarë dhe Shqipëria janë krenarë që dhanë një kontribut të çmuar në atë luftë heroike, duke rënë dëshmorë në lulen e rinisë, për idealin e lartë – çlirimin e popujve të shtypur.