Deputeti socialist Plarent Ndreca ka reaguar pas daljes nga SPAK, duke kërkuar nga mediat që të mos keqinformojnë publikun.
Në media u raportua se Ndreca është nën hetim, por vetë ai, përmes një reagimi në rrjetet sociale thotë se ishte thirrur për të dhënë sqarime “lidhur me disa rrethana të një hetimi në zhvillim për persona të tretë”.
Ai gjithashtu thotë se si ligjvënës ka të drejtën të vëzhgojë nga afër institucionet e drejtësisë “veçanërisht në mënyrën se si ushtrojnë kompetencat e tyre”, si dhe duket se “thumbon” sërish ILD-në duke thënë se “me heshtjen ndaj shkeljeve, veprojnë në kundërshtim me mandatin e tyre kushtetues”.
Të dashur gazetarë,
Ju lutem mos keqinformoni opinionin publik (sigurisht, jo të gjithë ju).
Siç e kam sqaruar edhe në dalje nga Prokuroria e Posaçme, prezenca ime aty sot kishte të bëjë me dhënien e sqarimeve lidhur me disa rrethana të një hetimi në zhvillim për persona të tretë. Kjo çështje nuk ka asnjë lidhje me veprimtarinë time parlamentare, as me vizitat e kryera në këtë funksion.
Thirrja e një deputeti për të dhënë sqarime në një institucion kushtetues si Prokuroria e Posaçme, ashtu si edhe përgjigjja ime vullnetare ndaj kësaj thirrjeje, nuk përbën as lajm, as diçka të jashtëzakonshme. Është pjesë e marrëdhënies normale institucionale që përcakton vetë Kushtetuta.
Nga ana tjetër, ky respekt për institucionet nuk e përjashton, përkundrazi, e nxit detyrimin për t’i vëzhguar ato nga afër — veçanërisht në mënyrën se si ushtrojnë kompetencat e tyre. Kjo mbetet pjesë thelbësore e veprimtarisë sime parlamentare, deri në ditën e fundit të mandatit.
Veprimtari që do të ushtrohet në ditët në vijim përmes publikimit të sjelljeve të disa institucioneve kushtetuese, të cilat në këndvështrimin tim, me heshtjen ndaj shkeljeve, veprojnë në kundërshtim me mandatin e tyre kushtetues dhe brënda një qasje korporatiste, që vetëm drejtësisë për njerzit nuk i shërben.
i.b./dita