Nga Orgen Peci
Nga një analizë me këndvështrim ekonomiko-financiar e paketës së propozuar fiskale, kostoja e jetesës në Shqipëri ka gjasa të rritet më tej për shumicën e qytetarëve. Edhe pse reforma paraqitet si me dy anë (rritje dhe lehtësime), efekti kumulativ (përfundimtar) do të jetë me ndikim inflacionist. Lehtësimi teorik nga ushqimet do neutralizohet plotësisht nga rritja e TVSH-së së përgjithshme, zgjerimi i bazës së biznesit të vogël në TVSH dhe rritja e taksimit mbi sipërmarrjen.
Paketa e re fiskale parashikon uljn e TVSH-së për ushqimet bazë nga 20% në 6%. Në teori, kjo duhet të ulë çmimet e shportës. Përvojat e kaluara tregojnë se në tregun shqiptar uljet e taksave apo ndryshimet në tregje më të mëdha kurrë nuk përkthehen në ulje çmimesh për konsumatorin përfundimtar. Ky marzh fitimi thithet nga tregtarët.
Por veç kësaj, ndryshimet e tjera në paketë, me gjasa do shkaktojnë efekt zinxhir që do ta shuajnë efektin e uljes tek taksa e ushqimeve, pasi kjo do shkojë të mbulojë rritjen e kostove operative.
Rritja e TVSH-së së përgjithshme (nga 20% në 21%)
Ndryshe nga ulja e taksave që ngurron të transmetohet te qytetari, rritja e taksave transmetohet pothuajse menjëherë te çmimi përfundimtar. Pasi prek transportin, energjinë/lëndët e para, shërbimet dhe materialet e ndërtimit, kjo rritje me 1% do të shtrenjtojë zinxhirin e prodhimit për të gjithë sektorët e tjerë.
Përgjysmimi i pragut të TVSH-së për biznesin e vogël (nga 10 në 5 mln lekë)
Kjo është një nga masat më me ndikim në rritjen e çmimeve: Përfshirja e mbi 17,500 bizneseve të reja me xhiro 5–10 milionë lekë (lagje, dyqane të vogla, shërbime lokale) në skemën e TVSH-së do të rrisë si barrën e tyre tatimore, ashtu edhe kostot administrative (kontabilitet, sisteme faturimi). Bizneset e vogla nuk do ta përballojnë këtë kosto nga fitimi i tyre i ngushtë, por do t’ia kalojnë drejtpërdrejt konsumatorit, duke rritur çmimet me pakicë.
Rritja e TVSH-së në turizëm (nga 6% në 10%)
Turizmi nuk është vetëm për të huajt; ai prek drejtpërdrejt edhe pushimet e qytetarëve shqiptarë dhe bar-restorantet/akomodimet në vend. Rritja e kësaj takse do të sjellë menjëherë rritje të çmimeve të akomodimit dhe shërbimeve turistike. Për më tepër, do të nxisë rritjen e çmimeve në gjithë sektori e shërbimeve (HORECA).
Efekti indirekt nga Tatimfitimi (17%) dhe Dividendi (15%)
Edhe pse këto taksa i paguajnë bizneset dhe pronarët e tyre: Mbledhja e ~85 milionë eurove shtesë nga bizneset përmes tatimfitimit dhe dividendit u prek kapitalin për investime.
Për të ruajtur marzhin e fitimit, bizneset do të kenë dy rrugë: të rrisin çmimet e produkteve/shërbimeve ose të frenojnë rritjen e pagave për punonjësit. Kjo ul fuqinë blerëse reale të qytetarëve.
Taksimi i pagave dhe inflacioni i duhanit
Pagat: Ndryshimi i fashave të pagave lehtëson një pjesë të punonjësve me paga me të larta (200-300 mijë lekë), ndërsa penalizon pagat shumë të larta (>700 mijë lekë me 32%). Megjithatë, ky lehtësim prek një përqindje shumë të vogël të popullsisë (elitën e profesionistëve) dhe nuk kompenson goditjen e përgjithshme që merr masa e gjerë e popullsisë me paga minimale apo mesatare.
Akciza e duhanit: Rritja direkte e akcizës do të rrisë automatikisht koston e këtij produkti, duke ndikuar direkt në shpenzimet e shumicës së familjeve konsumuese.
Si përfundim, nëse paketa miratohet siç është propozuar, bilanci përfundimtar do të jetë rritja e mëtejshme e kostos së jetesës. Ulja e TVSH-së për ushqimet ka gjasa të përthihet nga tregtarët ose të anulohet nga rritja e TVSH-së së përgjithshme dhe e taksave të tjera indirekte, ndërsa të gjitha masat e tjera (TVSH 21%, taksimi i biznesit të vogël, turizmi, akciza) do të nxisin drejtpërdrejt rritjen e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve me pakicë.
DITA
