Ndryshon formula e pranimit për maturantët dhe kandidatët që do të konkurrojnë gjatë këtij viti, për të ndjekur për herë të parë studimet e larta në degët e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës në Universitetin Politeknik të Tiranës.
Referuar kritereve të pranimit për vitin akademik 2023-2024, është propozuar që të rritet përqindja e peshës së testit të pranimit në raport me mesataren e Maturës Shtetërore.
Sipas autoriteteve të këtij institucioni të arsimit të lartë, për pranimet e reja të këtij viti është propozuar që testi i pranimit të ketë 60 për qind të ndikimit, ndërkohë që në konkurrimet e një viti më parë vlerësohej me 40 për qind. Ndërsa ndikimi i mesatares nga 60 për qind që ishte një vit më parë, për pranimet e reja të 2023 do të jetë me 40 për qind.
Kriteret e pranimit për 2023-2024
Për vitin e ri akademik, në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës do të konkurrohet për dy programet e integruara të studimit të ciklit të dytë: “Master i shkencave me profil Arkitekt”, “Master i shkencave me profil Urbanist”, si dhe programin e studimit të ciklit të parë: “Bachelor në Arkitekturë Interieri dhe Dizajn”.
Kriteret që do të zbatohen për përzgjedhjen e fituesve të rinj në këto programe janë: Nota mesatare minimale e konkurrimit që miratohet çdo vit nga qeveria, si dhe testi i pranimit. Për secilin nga këta dy tregues është përcaktuar edhe ndikimi që do të kenë në llogaritjen e rezultatit final që do të marrë çdo maturant që konkurron për të ndjekur studimet në programet e këtij fakulteti.
“Renditja e aplikantëve do të bëhet referuar pikëve të grumbulluara sipas formulës që përfshin pikët e mesatares dhe ato të testit të pranimit. Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, për këtë vit akademik ka propozuar rishikimin e formulës së pranimit, me synim rritjen e përqindjes së peshës së testit në raport me mesataren”, sqarohet në vendimin e miratuar më herët në lidhje me kriteret e pranimit për këtë fakultetet nga Senati Akademik i Universitetit Politeknik të Tiranës. Formulën e detajuar se si do të shpallen fituesit e rinj të 2023 e gjeni të plotë në vijim të shkrimit.
Si do jetë testi i pranimit
Krahas mesatares së konkurrimit, kriteri i dytë mbi të cilin do të bazohet përzgjedhja e fituesve të rinj që do të ndjekin programet e Arkitekturës është edhe testi i pranimit që do të zhvillohet nga fakulteti. Testi i pranimit do të vlerësojë katër komponentë kryesorë që kanë të bëjnë me njohuritë e arsyetimit logjik, kulturës së përgjithshme, njohurive rreth historisë së arkitekturës, si dhe njohurive të vizatimit dhe prezantimit. Secili nga këta komponentë do të ketë 25 për qind të ndikimit në rezultatin final të testit të pranimit.
Testi i arsyetimit logjik ka 25 për qind të pyetjeve të përgjithshme. Kandidati potencial, i cili do të ndjekë studimet në degët e Arkitekturës dhe Urbanistikës, duhet të reflektojnë një seri cilësish të lidhura me arsyetimin logjik të tij. Pyetjet do të merren me raste ose probleme, të cilat do të bazohen në tekste të eseve me një natyrë shkencore, apo me një natyrë abstrakte, zgjidhja e së cilës kërkon adoptimin e formave të ndryshme të arsyetimit logjik. Në fushën e arsyetimit logjik, tentohet të evidentohen ata kandidatë që shfaqin kapacitet analitik racional, si dhe intuitë në perceptimin 2-dimensional e 3-dimensional. Të dyja format e dijes (empirike apo inteligjencë natyrale) ndikojnë në performancën e kandidatëve, por një pjesë e mirë e pyetjeve fokusohen në aftësinë e tyre për të analizuar në një kohë relativisht të shkurtër. Në një hark të kufizuar kohor, kandidatët duhet të kuptojnë kërkesat e problemit të paraqitur, të analizojnë dhe të japin alternativën e duhur.
Testi i kulturës së përgjithshme ka 25 për qind të pyetjeve të paraqitura. Pyetjet do të bazohen në tekste të eseve shkencore ose treguese nga autorë klasikë ose bashkëkohorë, ose në tekstet aktuale të botuara në gazeta ose në revista të përgjithshme, apo të specializuara. Në pjesën e testit të kulturës së përgjithshme do të kombinohen pyetje të ndryshme që do të arrijnë të nxjerrin në evidencë sintezën e dijeve të kulturës së përgjithshme të marrë nga kandidati, deri në atë moment. Fushat të cilat kontrollohen, lidhen ngushtë si me aktualitetin politik, social e kulturor, por edhe me koncepte e fenomene të së shkuarës.
Testi i historisë dhe historisë së arkitekturës ka për qëllim përcaktimin e kritereve të përgjithshme në përputhje me orientimin kronologjik në lidhje me protagonistët dhe fenomenet me rëndësi historike (të epokës së lashtë, të Mesjetës së lartë dhe të ulët, të epokës moderne, të epokës bashkëkohore). Këto udhëzime të përgjithshme historiko-kronologjike gjithashtu do të verifikohen nëpërmjet vlerësimit të njohurive të ndërthurura me ngjarje artistike specifike arkitekturore (vepra arkitekturore ose rryma artistike). Në pjesën e testit të kulturës së historisë së përgjithshme do të kombinohen pyetje të ndryshme që do të arrijnë të nxjerrin në evidencë sintezën e dijeve të marrë nga kandidati deri në atë moment. Literatura në të cilën do të mbështetet testi do të bazohet në: tekstet shkollore të Historisë. (për shkollat e mesme) 2. Tekstet shkollore të Historisë së Artit. (për shkollat e mesme).
Po ashtu, edhe testi i vizatimit dhe prezantimit do të ketë 25 për qind të pyetjeve të paraqitura. Testi synon të konstatojë aftësinë për të komunikuar grafikisht, për të analizuar grafikët, vizatimet dhe kushtet e korrespondencës në lidhje me objektin e përfaqësuar nga zotërimi i nocioneve elementare, që lidhen me komunikimin grafik dhe prezantimin (objektet, bimët, lartësitë, aksonometritë, etj). Për të kryer këtë test, duhet të keni mjetet e vizatimit teknik. Pyetjet do të bazohen në tekstin shkollor të teknologjisë.
Maturantët kanë nisur tashmë me përgatitjet finale për provimet e detyruara dhe lëndës me zgjedhje që do të zhvillohen gjatë muajit qershor sipas datave të përcaktuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.

p.k\dita
