Janë 120 mësuesit e rinj që do të garojnë të premten për të siguruar lejen e ushtrimit të profesionit si mësues për lëndën e fizikës.
Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka zbardhur tashmë listën zyrtare të kandidatëve që përgjatë datës 12 maj do t’i nënshtrohen provimit të shtetit për të siguruar lejen e ushtrimit të profesionit në këtë profil lëndor.
Secili mësues që është pjesë e listës së shpallur nga QSHA duhet të jetë i kujdesshëm dhe të paraqitet për të zhvilluar provimin vetëm në orarin e përcaktuar specifikisht për të.
Për të mos rrezikuar hyrjen në provim, kandidatët që janë pjesë e kësaj liste duhet të paraqiten në ambientet e kësaj qendre 30 minuta para fillimit të provimit të shtetit. Ditën e provimit kandidati duhet të jetë detyrimisht i pajisur me: letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë) për pjesëmarrje në provimin e shtetit (dokumenti origjinal, si dhe kopje të tyre). Me vete duhet të mbani edhe faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit të derdhur në një nga bankat e nivelit të dytë, ku të jetë e specifikuar hera pjesëmarrjes. Autoritetet e QSHA-së sjellin në vëmendje se fatura duhet të ketë vulën e bankës përkatëse.
Edhe për këtë profil lëndor, provimi do të jetë i strukturuar në tre pjesë, të cilat përfshijnë pyetjet rreth njohjes së rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, pyetjet rreth pedagogjisë, metodave të mësimdhënies dhe menaxhimit të klasës, si dhe pyetjet specifike për profilin lëndor të fizikës në të cilin mësuesi kërkon të fitojë licencën.
Kandidatët që do të vlerësohen në testimin me alternativa me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencën, pasi rezultojnë mbetës. Nëse kandidati nuk e merr provimin me herën e parë, kur ta rijapë atë sërish, duhet të paguajë një tarifë edhe më të lartë. Tarifa vjen në rritje, për çdo provë të dështuar të kandidatit.
Pajisja më lejen e ushtrimit të profesionit, e lejon çdo mësues të ri që të nisë procedurat e mëtejshme të konkurrimit për vendet e lira të punës në shkollat e arsimit parauniversitar, si dhe gjimnazeve publike dhe private të vendit. Kandidatët që do të hyjnë në provimin e shtetit për licencat e reja në mësuesi duhet të jenë të pajisur detyrimisht me diplomat e ciklit të parë dhe të dytë të studimit, të lëshuar nga universitetet përkatëse publike, apo private. Në mungesë të dokumenteve që konfirmojnë mbarimin e studimeve në këto dy cikle, mësuesit nuk mund të garojnë për të fituar lejen e ushtrimit të profesionit.
Lista e kandidatëve që kalojnë nesër në provimin e shtetit për licencën profesionale të mësuesisë
p.k\dita
