Ilija Srdanoviç, kardiolog dhe profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Novi Sad, është figura që udhëhoqi drejt fitores “Listën e Studentëve” në Serbi, duke i dhënë fund dominimit politik 14 vjeçar të Aleksandar Vuçiç. Partia e drejtuar nga Vuçiç arriti të marrë 38.7% të votave, kundrejt Listës Studentore, parti e dalë nga protestat 2-vjeçare, e cila arriti të marrë 52% të votave, që përkthehen në 140 mandate në Parlament. Sukses u arrit edhe nga partitë shqiptare, të cilat u bashkuan nën siglën e ‘Koalicionit Shqiptar’ dhe arritën të marrin 2 mandate deputetësh në Serbi.
Po kush është Ilija Srdanoviç, kardiologu që rrëzoi Vuçiç pas 14 vitesh në pushtet
Ilija Srdanoviç, kardiolog dhe profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Novi Sad, është vendosur në krye të Listës Studentore që garon në zgjedhjet parlamentare në Serbi, duke u bërë një nga figurat kryesore të lëvizjes studentore kundër korrupsionit dhe pushtetit të Aleksandër Vuçiçit. I njohur kryesisht për karrierën e tij në mjekësi, Srdanoviç u bë më i njohur për publikun pas mbështetjes që u dha protestave studentore, të cilat shpërthyen pas tragjedisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, në nëntor të vitit 2024.
Më 14 shtator 2026, studentët që organizuan protestat njoftuan se ai do të kryesonte listën e tyre zgjedhore, të paraqitur me emrin “Lista Studentore”. Në një intervistë për median serbe Nova.rs, Srdanoviç deklaroi se ndihej i nderuar nga besimi i studentëve. Ai bëri gjithashtu të ditur se nuk kishte ndërmend të hiqte dorë nga profesioni i mjekut dhe nga kujdesi për pacientët për shkak të angazhimit politik.
Karriera akademike dhe profesionale
Srdanoviç ka lindur në vitin 1970 në Novi Sad, ndërsa shkollën fillore dhe gjimnazin i ka përfunduar në Vrbas. Studimet e mjekësisë i përfundoi në Fakultetin e Mjekësisë në Novi Sad në vitin 1995. Në vitin 2001 përfundoi specializimin në mjekësinë interne, ndërsa në vitin 2004 specializimin e ngushtë në kardiologji.
Në vitin 2010 mori gradën master në kardiologji në Fakultetin e Mjekësisë në Beograd, kurse në vitin 2012 mbrojti doktoraturën në të njëjtën fushë në Novi Sad. Që nga viti 1997, ai është i angazhuar në Institutin e Sëmundjeve Kardiovaskulare të Vojvodinës, në Sremska Kamenicë. Paralelisht, prej vitit 2018 jep mësim në Fakultetin e Mjekësisë në Novi Sad, në katedrën e mjekësisë së urgjencës.
Nga mbështetës i protestave në krye të listës zgjedhore
Përfshirja e Srdanoviçit në lëvizjen studentore u bë më e dukshme pas protestave të organizuara për kërkimin e përgjegjësisë për tragjedinë e Novi Sadit. Ai mori pjesë në tubime publike dhe mbajti fjalime në mbështetje të studentëve, përpara se të zgjidhej kryesues i listës zgjedhore.
Në takimin e parë parazgjedhor të lëvizjes studentore në Novi Sad, ai vlerësoi rolin e të rinjve në mobilizimin e shoqërisë dhe në përpjekjen për ta ndryshuar vendin. Në një intervistë për agjencinë Beta, të publikuar nga Danas, Srdanoviç tha se ndryshimi politik duhet të shoqërohet me rikthimin e besimit te institucionet, forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit.
Çfarë kërkon Lista Studentore?
Sipas deklaratave të Srdanoviçit të raportuara nga mediat serbe, ndër përparësitë e lëvizjes janë rikthimi i pavarësisë së institucioneve, lufta kundër korrupsionit, përmirësimi i funksionimit të sistemit gjyqësor dhe garantimi i lirisë së medias. Në fushën e shëndetësisë, ai ka vënë theksin te depolitizimi i profesionit, krijimi i kushteve më të mira për mjekët e rinj dhe nxitja e punësimit të personelit shëndetësor në zonat rurale.
Sipas tij, subvencionet dhe lehtësitë për profesionistët që zgjedhin të punojnë jashtë qendrave të mëdha mund të ndihmojnë në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore. Srdanoviç e ka lidhur gjithashtu ndryshimin politik me nevojën për t’u dhënë qytetarëve mundësi të jetojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Serbi.
Tragjedia e Novi Sadit, në qendër të kërkesave për drejtësi
Rritja e protestave studentore lidhet drejtpërdrejt me shembjen e tendës së betonit në hyrje të stacionit hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor 2024. Tragjedia shkaktoi vdekjen e 16 personave dhe u shndërrua në një simbol të pakënaqësisë publike ndaj korrupsionit dhe mungesës së përgjegjësisë institucionale.
Srdanoviç ka kritikuar faktin që, sipas tij, përgjegjësia për tragjedinë nuk është përcaktuar në mënyrë të kënaqshme, pavarësisht kohës së kaluar dhe protestave të vazhdueshme. Ai ka kërkuar që përgjegjësit të identifikohen dhe të përballen me drejtësinë. Me kandidaturën e tij, lëvizja studentore synon ta shndërrojë mobilizimin qytetar në përfaqësim politik.
j.l./ dita

Do Zoti nuk asht kundra shqiptareve!