Krahas bluzave të bardha, reforma e rritjes së pagave do të përfshijë edhe administratën e kujdesit shëndetësor. Për këtë kategori rritja do të jetë nga 25-50 për qind.
Në përfundim të mbledhjes së qeverisë, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirli, ka bërë me dije se nga rritja e pagës në sektorin publik shëndetësor do të përfitojnë 22 mijë profesionistë të shëndetësisë dhe punonjës të administratës.
Sipas ministres, rritja e pagave për mjekët e familjeve dhe infermierët sipas planit të qeverisë, do të nisë nga viti 2024.
“Fokusi ynë për fuqizimin e sistemit shëndetësor ka qenë në mbështetjen e profesionistëve të shëndetësisë. Kemi rritur dhe fuqizuar të gjitha aspektet e punës duke nisur nga investime, rritja e pagave, kemi rritur 63 % mbështetjen për mjekët dhe infermieret nga pikënisja dhe me reformën e rritjes së pagave kemi rritjen me 50 mijë lekë në muaj për mjekët specialist që punojnë në strukturat tona të spitaleve dhe poliklinikave në të gjithë vendin.
Kemi një rritje me 7 % për mjekët dhe do kemi një rritje për të gjithë punonjësit që punojnë në administratën e kujdesit shëndetësor një rritje prej 25-50 % duke krijuar një hierarki të pagave që reflekton rritjen pagave, një rritje historike. Nuk do ndalim këtu, ne kemi një plan konkret për vijimin e rritjes së pagave për shëndetësisë, do të vijojë edhe për 2024 për mjekët e familjes dhe infermierët ku do ketë një rritje page të targetuar për ta, përfitojnë 22 mijë profesionistë të shëndetësisë dhe punonjës të administratës në sektorin shëndetësor ku i shërben motivimit dhe rritjes së dinjitetit të mjekëve tanë. Do të sjellë rritje të cilësisë së shërbimeve”, deklaroi ministrja Manastirliu.
p.k\dita
