Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Nga TVSH-ja për ushqimet te taksimi i ri i pagave, të gjitha ndryshimet në paketën fiskale 2027
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Ekonomi > Nga TVSH-ja për ushqimet te taksimi i ri i pagave, të gjitha ndryshimet në paketën fiskale 2027
EkonomiLajmi i fundit

Nga TVSH-ja për ushqimet te taksimi i ri i pagave, të gjitha ndryshimet në paketën fiskale 2027

Published: October 27, 2026
Shpërndaje

Qeveria po përgatit një nga ndërhyrjet më të gjera të viteve të fundit në sistemin e taksave, duke propozuar ndryshime që prekin drejtpërdrejt bizneset, pagat e punonjësve, çmimet e produkteve dhe shërbimeve, si dhe mënyrën se si administrata tatimore do të mbledhë detyrimet.

Paketa e re fiskale, e cila synohet të zbatohet nga 1 janari 2027, parashikon njëkohësisht rritje dhe ulje taksash.

Nga njëra anë, qeveria propozon uljen e TVSH-së për ushqimet bazë dhe lehtësimin e tatimit për një pjesë të pagave, ndërsa nga ana tjetër rrit tatimfitimin, taksën mbi dividendin, TVSH-në e përgjithshme dhe atë për sektorin e turizmit.

- Publicitet -

Një ndryshim i rëndësishëm lidhet me bizneset e vogla, pasi pragu i regjistrimit të detyrueshëm në TVSH propozohet të përgjysmohet, duke përfshirë mijëra subjekte të reja në këtë skemë.

Vetëm nga rritja e tatimfitimit dhe tatimit mbi dividendin, taksapaguesit do paguajnë rreth 8 miliardë lekë më shumë në vit, ose afërsisht 85 milionë euro.

Ndërhyrjet shoqërohen me masa edhe më të ashpra për mbledhjen e detyrimeve tatimore. Për shumë kategori biznesesh do rriten si pagesat ndaj shtetit, ashtu edhe kostot administrative.

Skyweb.al sjell më poshtë ndryshimet kryesore të paketës fiskale dhe mënyrën se si ato pritet të ndikojnë te qytetarët dhe bizneset.

Ulet TVSH-ja për ushqimet

Një nga ndryshimet më të rëndësishme për konsumatorët është propozimi për uljen e TVSH-së për produktet ushqimore bazë nga 20% në 6%. Masa përfshin bukën, miellin, qumështin, kosin natyral, vezët, orizin, makaronat, vajin ushqimor, mishin e pulës, viçit dhe derrit, peshkun bazë, frutat, perimet, bishtajoret, sheqerin dhe ushqimet bazë për foshnjat.

Qëllimi sipas draftit është lehtësimi i shpenzimeve të familjeve, veçanërisht atyre me të ardhura të ulëta dhe të mesme, të cilat shpenzojnë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit për ushqime.

Megjithatë, ulja e TVSH-së nuk garanton automatikisht uljen e çmimeve në të njëjtën masë. Kjo do të varet nga mënyra se si tregtarët dhe furnizuesit do ta pasqyrojnë ndryshimin e taksës në çmimet përfundimtare. Deri tani nuk është parë asnjë ulje kur vjen fjala te paguesi fundor pra qytetari konsumator, pavarësisht nga lëvizjet e tregjeve, valutës apo taksave.

Rritet TVSH-ja e përgjithshme 

Për të kompensuar një pjesë të të ardhurave që do të humbasë nga ulja e TVSH-së për ushqimet, qeveria propozon rritjen e normës së përgjithshme nga 20% në 21%.

Ky ndryshim prek një gamë të gjerë mallrash dhe shërbimesh që nuk përfitojnë nga normat e reduktuara.

Në praktikë, për një produkt që kushton 1,000 lekë pa TVSH, tatimi aktual është 200 lekë, ndërsa me normën e re do të bëhej 210 lekë.

Megjithëse në letër bëhet fjalë për vetëm një pikë përqindjeje, efekti do ndihet në shumë sektorë të ekonomisë, përfshirë transportin, materialet e ndërtimit dhe shërbime të ndryshme.

Për bizneset, ndryshimi kërkon edhe përshtatjen e sistemeve të faturimit dhe të çmimeve. Vetëm kjo rritje do të shkaktojë rreth 10.6 miliardë lekë pagesa taksash shtesë nga taksapaguesit.

Rritet TVSH-ja për turizmin

Një tjetër sektor që do të përballet me rritje taksash është turizmi.

Qeveria propozon që TVSH-ja e reduktuar për shërbimet e akomodimit, hotelet me status special dhe agroturizmin të rritet nga 6% në 10%.

Prej vitit 2017, këto aktivitete kanë përfituar nga një trajtim lehtësues fiskal, i cili synonte zhvillimin e industrisë turistike.

Sipas Ministrisë së Financave, sektori është zgjeruar ndjeshëm gjatë viteve të fundit, ndërsa përfitimet nga ulja e taksave nuk janë përkthyer domosdoshmërisht në çmime më të ulëta për turistët.

Rritja e TVSH-së do t’i vendosë operatorët përpara dy alternativave: të përballojnë vetë një pjesë të kostos shtesë ose do ta transferojnë atë te klientët përmes çmimeve më të larta. Me gjasa do ndodhë si gjithmonë e dyta.

Nga kjo masë, taksapaguesit do paguajnë rreth 614 milionë lekë më shumë në vit.

Bizneset me xhiro mbi 5 milionë lekë futen në TVSH

Një ndryshim me ndikim të drejtpërdrejtë te bizneset e vogla është ulja e pragut të regjistrimit të detyrueshëm në TVSH.

Aktualisht, ky detyrim zbatohet përgjithësisht për bizneset me qarkullim vjetor mbi 10 milionë lekë. Nga viti 2027, qeveria propozon që kufiri të ulet në 5 milionë lekë.

Kjo do të thotë se një biznes që realizon 6 apo 7 milionë lekë shitje në vit, edhe pse deri tani mund të mos ketë qenë i detyruar të regjistrohej në TVSH, do të duhet të përfshihet në këtë skemë.

Ndryshimi pritet të prekë 17,516 tatimpagues të rinj. Ndikimi në koston përfundimtare do të varet nga lloji i biznesit, blerjet që kryen dhe mundësia për ta pasqyruar tatimin në çmimet e shitjes.

Nga kjo masë qytetarët taksapagues do të paguajnë rreth 4.5 miliardë lekë shtesë.

Tatimfitimi për kompanitë rritet nga 15% në 17%

Kompanitë që i nënshtrohen normës standarde të tatimit mbi fitimin pritet të paguajnë më shumë nga viti i ardhshëm.

Qeveria propozon rritjen e kësaj norme nga 15% në 17%, duke shtuar detyrimin që bizneset paguajnë mbi fitimin e realizuar.

Për shembull, një kompani me 10 milionë lekë fitim të tatueshëm paguan aktualisht 1.5 milionë lekë tatimfitimi. Me normën e propozuar, detyrimi do të bëhej 1.7 milionë lekë, ose 200 mijë lekë më shumë.

Kjo kategori taksapaguesish do të paguajë me ndryshimin rreth 5 miliardë lekë shtesë me shumë çdo vit.

Norma 0% e tatimit mbi të ardhurat, e parashikuar për subjektet me të ardhura bruto vjetore deri në 14 milionë lekë, mbetet në fuqi deri në fund të vitit 2029, sipas kushteve ligjore. Pra, rritja në 17% nuk do të zbatohet automatikisht për çdo biznes të vogël.

Tatimi mbi dividentin rritet nga 8% në 15%

Përveç tatimfitimit, qeveria propozon të rrisë ndjeshëm edhe tatimin mbi dividendin, pra mbi fitimet që kompanitë u shpërndajnë ortakëve ose aksionarëve.

Norma aktuale prej 8% propozohet të bëhet 15%. Nëse një ortak merr 1 milion lekë dividend të tatueshëm, aktualisht paguan 80 mijë lekë tatim. Me normën e re do të paguajë 150 mijë lekë, ose 70 mijë lekë më shumë.

Për kompanitë që paguajnë tatimfitim dhe më pas shpërndajnë fitimin e mbetur si dividend, të dyja taksat do të ndikojnë në shumën përfundimtare që marrin ortakët.

Sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave, rritja e tatimit mbi dividendin do ti ngarkojë bizneset me rreth 3 miliardë lekë shtesë pagesa për shtetin në vit.

Ndryshon taksimi i pagave

Paketa fiskale ndërhyn edhe në mënyrën e taksimit të pagave.

Aktualisht, norma prej 23% zbatohet mbi pjesën e të ardhurave që kalon pragun përkatës të pagës bruto prej 200 mijë lekësh në muaj.

Qeveria propozon që ky prag të rritet në 300 mijë lekë, duke lehtësuar barrën tatimore për punonjësit me paga të mesme dhe të larta.

Për pjesën e pagës nga 300 mijë deri në 700 mijë lekë do të zbatohet norma 23%, ndërsa për pjesën që tejkalon 700 mijë lekë në muaj propozohet një normë e re prej 32%.

Kjo nuk do të thotë që një person me pagë mbi 700 mijë lekë do të tatohet me 32% mbi të gjithë pagën. Norma më e lartë do të zbatohet vetëm mbi pjesën e të ardhurave që kalon kufirin e përcaktuar.

Ndryshimi synon të ulë tatimin për një pjesë të profesionistëve të kualifikuar, ndërsa të ardhurat shumë të larta do të përballen me një normë më të madhe tatimore.

Parapagimi i tatimfitimit, Tatimet mund të përdorin mbledhjen me forcë

Paketa nuk ndryshon vetëm normat e taksave, por edhe mënyrën e mbledhjes së tyre.

Një nga propozimet parashikon që këstet e parapagimit të tatimfitimit të konsiderohen detyrime tatimore sapo të përfundojë afati i pagesës.

Kjo do t’i japë administratës tatimore mundësinë të përdorë procedurat ligjore të mbledhjes së detyrimeve të papaguara, pa pritur deklarimin përfundimtar vjetor të fitimit.

Në praktikë, bizneset që nuk paguajnë në kohë këstet paraprake mund të përballen me masa shtrënguese për mbledhjen e tyre.

Qeveria e argumenton këtë ndryshim me nevojën për të përmirësuar disiplinën e pagesave dhe për të shmangur grumbullimin e detyrimeve në fund të vitit.

Masa më të forta për pagesat cash dhe gjoba për dokumentacionin

Ndryshime propozohen edhe për zbatimin e kufizimeve të pagesave me para në dorë.

Sipas paketës, gjoba prej 10% të vlerës së transaksionit do të shtrihet edhe në rastet kur bizneset kryejnë pagesa ose arkëtime cash me konsumatorët në kundërshtim me kufijtë ligjorë.

Ndërkohë, parashikohen gjoba nga 100 mijë deri në 150 mijë lekë për mosdorëzimin brenda afatit të dokumentacionit të transferimit të çmimit, kur ky dokumentacion kërkohet nga administrata tatimore.

Masat synojnë të forcojnë kontrollin ndaj transaksioneve dhe respektimin e detyrimeve, por njëkohësisht shtojnë rëndësinë e administrimit të saktë financiar nga bizneset.

Rritet akciza e duhanit, shtrenjtimi parashikohet të vijojë deri në vitin 2033

Paketa fiskale propozon gjithashtu një kalendar të ri të rritjes së akcizës për produktet e duhanit.

Nga 1 janari 2027, akciza specifike për cigaret propozohet të rritet nga 7,750 në 8,100 lekë për 1,000 fije, ose rreth 4.5%.

Rritja do të vazhdojë gradualisht në vitet në vijim, ndërsa nga viti 2030 parashikohet edhe një komponent shtesë i lidhur me çmimin e shitjes me pakicë.

Për konsumatorët, kjo mund të përkthehet në çmime më të larta të cigareve, në varësi të mënyrës se si prodhuesit dhe importuesit do ta transferojnë koston.

Kush përfiton dhe kush paguan më shumë nga paketa e re?

Në tërësi, paketa fiskale 2027 paraqet një rishpërndarje të barrës tatimore mes konsumatorëve, punonjësve dhe bizneseve.

Familjet mund të përfitojnë nga ulja e TVSH-së për produktet ushqimore, nëse kjo masë pasqyrohet në çmimet e shitjes. Një pjesë e punonjësve me paga mbi 200 mijë lekë pritet gjithashtu të paguajnë më pak tatim mbi të ardhurat.

Nga ana tjetër, kompanitë që paguajnë tatimfitim me normën standarde, ortakët që tërheqin dividendë, operatorët e turizmit dhe bizneset që do të përfshihen për herë të parë në skemën e TVSH-së pritet të përballen me detyrime të reja ose më të larta.

Rritja e TVSH-së së përgjithshme mund të ndikojë edhe në çmimet e mallrave dhe shërbimeve të tjera, duke e shuar me gjasa për konsumatorët përfitimin nga ulja e tatimit mbi ushqimet.

Qeveria përfiton nga rritja e të ardhurave dhe zgjerimi i bazës së tatimpaguesve. Për bizneset, sfida do të jetë përballimi i detyrimeve shtesë pa dëmtuar aktivitetin dhe konkurrueshmërinë.

Ndryshimet mbeten propozime dhe zbatimi i tyre do të varet nga miratimi përfundimtar i akteve përkatëse. Nëse miratohen në këtë formë, viti 2027 do të sjellë një ndryshim shumë të ndjeshëm në mënyrën se si taksohen konsumi, puna dhe fitimet e bizneseve në Shqipëri.

n.s. / dita

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo
Posto një koment

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajmi i Fundit

  • Nga TVSH-ja për ushqimet te taksimi i ri i pagave, të gjitha ndryshimet në paketën fiskale 2027
  • Ndryshimet në Paketën Fiskale, Rama: Grini sallatën tuaj të urrejtjes. Gazetari: Pabesi e tillë s’ishte parë në histori të tranzicionit
  • Votimet në Izrael, shënohet pjesëmarrja më e lartë në 50 vjet, pritet rezultat i ngushtë
  • Mbledhje online si në kohë lufte: Deputetët e PS votojnë nga shtëpia dhe makina
  • NATO shqyrton ndryshimin e planeve për vitin 2027, samiti në Tiranë nën hije dyshimi

Komentet e Fundit

  1. Primitivi adhuron on ​Vala e komenteve në rrjetet sociale të Ramës tregon që zemërimi dhe revolta janë masive, pavarësisht nëse e shtyp apo jo me dhunë protestën në rrugë
  2. demo on ​Vala e komenteve në rrjetet sociale të Ramës tregon që zemërimi dhe revolta janë masive, pavarësisht nëse e shtyp apo jo me dhunë protestën në rrugë
  3. Pensionisti i Rruges se Elbasanit on ​Vala e komenteve në rrjetet sociale të Ramës tregon që zemërimi dhe revolta janë masive, pavarësisht nëse e shtyp apo jo me dhunë protestën në rrugë
  4. Luan on Ku është kufiri mes Protestës dhe Pushtetit: A munden ta transformojnë edhe studentët tanë zemërimin në votë?
  5. demo on ​Vala e komenteve në rrjetet sociale të Ramës tregon që zemërimi dhe revolta janë masive, pavarësisht nëse e shtyp apo jo me dhunë protestën në rrugë

Kategori

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?