Përcaktohet mesatarja që duhet për të konkurruar për vijimin e studimeve të ciklit të dytë në programet “Master profesional”, si dhe “Master shkencor” të Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës për pranimet e vitit të ri akademik. Teksa kanë shpallur të gjitha udhëzimet se si do të zhvillohet konkurrimi për pranimet e reja në këto programe, autoritetet e këtij fakulteti bëjnë me dije se nota mesatare që duhet të kenë studentët për të aplikuar për degët “Master shkencor” është 6.5, ndërsa në programet e “Masterit profesional” do të mund të garojnë edhe kandidatët që kanë mesatare më të ulët se sa kjo notë. Një tjetër kusht i rëndësishëm që duhet përmbushur nga kandidatët që garojnë për kuotat e programeve të nivelit shkencor, është edhe njohja sipas testeve të licencuara nga MAS, e një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Evropian (anglisht, italisht, gjermanisht, frëngjisht, si dhe spanjisht).
Kuotat dhe programet e studimit
Gara për pranimet e reja në ciklin “Master profesional” do të zhvillohet në katër programe të ndryshme studimi që janë E drejtë civile”, “E drejtë penale”, “E drejtë publike”, si dhe “Eu Bussines Law”, në të cilat do të mund të ndjekin studimet 135 kandidatë, pasi kaq është edhe numri i kuotave të reja të pranimeve të miratuara nga Senati Akademik i Universitetit të Tiranës. Ndërsa në programet e nivelit shkencor, konkurrimi do të zhvillohet në tre programe studimi, ku në secilën prej tyre do të pranohen nga 110 studentë të rinj. Ndarjen e plotë të kuotave për secilin program studimi i gjeni të detajuar në vijim të shkrimit.
Afatet e konkurrimit
Aplikimet për kuotat e reja të pranimeve në këto degë kanë nisur tashmë. Autoritetet e Fakultetit të Drejtësisë bëjnë me dije se edhe për vitin e ri akademik konkurrimi për studimet e nivelit të dytë do të zhvillohet me anë të dosjes, ku çdo kandidat i interesuar duhet të paraqitet personalisht për të dorëzuar dosjen e dokumenteve të përcaktuara. Ndërkohë që dorëzimi i aplikimeve për këtë cikël mund të bëhet çdo ditë nga ora-8:00 deri në orën 18:00 pranë strukturave përgjegjëse të fakultetit deri në datën 18 tetor. Kjo datë shënon dhe mbylljen e aplikimeve për garën e pranimeve të reja të ciklit të dytë që do të zhvillohet përgjatë këtij viti. Në vijim të shkrimit do të gjeni të plotë edhe sojën e konkurrimit që duhet të dorëzoni brenda këtij afati të përcaktuar.
Kush duhet të aplikojë?
Referuar kushteve të përcaktuara mbi aplikimet e ciklit të dytë, bëhet e ditur se në këto degë kanë të drejtë që të aplikojnë kandidatët që kanë përfunduar me sukses studimet dhe janë pajisur me diplomën përkatëse të vlefshme në Republikën e Shqipërisë, në një program të ciklit të parë në fushën përkatëse të studimit ose në fusha të tjera të përafërta, i cili rezulton i licencuar në momentin e regjistrimit të studentit dhe akredituar në momentin e diplomimit të studentit. Po ashtu mund të aplikojnë edhe të gjithë kandidatët që janë diplomuar jashtë vendit në një program studimi të ciklit të parë, të licencuar dhe akredituar. Në çdo rast pranimi, kandidati duhet të ketë kryer njësimin e diplomës pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin e lartë, procedurë e cila duhet që të ketë përfunduar brenda muajit dhjetor të këtij viti.
Për pranimet në programet “Master shkencor” niveli minimal i njohjes së një prej 5 gjuhëve të huaja të Bashkimit Evropian (anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht dhe spanjisht) duhet të jetë e nivelit B1, dëshmuar kjo nga testet përkatëse që janë të njohura nga MAS nëpërmjet udhëzimit të posaçëm.
Studentët që kanë prioritet në përzgjedhje
Në vendimin e shpallur nga drejtuesit e këtij Fakulteti, janë përcaktuar edhe prioritet që do të zbatohen në përzgjedhjen e fituesve të rinj që do të pranohen për të vijuar studimet në secilën degë studimi të nivelit “Master”. Kështu, sipas vendimit të marrë, kuotat fillestare do të plotësohen duke u dhënë prioritet fillimisht aplikantëve që kanë përfunduar studimet e ciklit “Bachelor” në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, si dhe aplikantëve që kanë përfunduar po studimet e nivelit të parë, por në një institucion të arsimit të lartë jashtë vendit.
Nëse pas aplikimit të kushtit të mësipërm do të ketë kuota të paplotësuara, atëherë përzgjedhja do të vijojë me kandidatët që kanë përfunduar studimet e nivelit të parë në strukturat e arsimit të lartë jopublik në degën e Drejtësisë që veprojnë në vendin tonë.
Pas përfundimit të aplikimeve do të jetë një komision ekspertësh që do të bëjë verifikimin e të gjitha dosjeve të paraqitura nga studentët aplikues. Në varësi të kritereve të pranimit, si dhe kuotave të miratuara për secilin program studimi do të bëhet edhe shpallja e fituesve për secilën degë në datën 26 tetor, ku më pas do të bëhet edhe regjistrimi i tyre.
KUOTAT E PRANIMEVE NË PROGRAMET MASTER I SHKENCAVE
![]()
KUOTAT E PRANIMEVE NË PROGRAMET MASTER PROFESIONAL
![]()
Dosja e aplikimit për studimet “Master” në programet e Drejtësisë
- Diplomë, ose fotokopje të saj të njësuar me origjinalin, të ciklit të parë të studimeve të përfunduar në Republikën e Shqipërisë. Diplomës së ciklit të parë të studimeve të përfunduar jashtë vendit, të shoqëruar me fotokopje të diplomës të njësuar me origjinalin, ose, në mungesë të saj, të një dokumenti tjetër zyrtar mbi bazën e të cilit është kryer njësimi në Republikën e Shqipërisë, të lëshuar në vendin ku ka kryer studimet, që i lejon regjistrimin dhe vazhdimin e studimeve universitare në vendin përkatës.
- Diplomën e Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave ose fotokopje të tyre të njësuar me origjinalin, e konfirmuar nga institucioni përkatës arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar (DRAP/ZVAP). Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara hyrjes në fuqi të vendimit nr. 876, datë 3.11.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për disa ndryshime në vendimin nr. 78, datë 8.2.2006 të Këshillit të Ministrave “Për krijimin e Maturës Shtetërore dhe pranimet në shkollat e larta publike”, i ndryshuar”, paraqesin Dëftesën e Pjekurisë (origjinal ose fotokopje të saj, të njësuar me origjinalin, të konfirmuar nga institucioni përkatës arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar (DRAP/ZVAP). Në qoftë se kandidatët nuk posedojnë dëftesë pjekurie të shkollës së mesme, duhet të paraqesin dublikatë të dëftesës së pjekurisë, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme ku ka përfunduar shkollën dhe të konfirmuar nga institucioni përkatës arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar (DRAP/ZVAP), ose dokumentin e lëshuar nga Arkivi i Shtetit së bashku me listën e notave.
- Formularin e aplikimit, sipas formatit të përcaktuar.
- Fotokopjen e dokumentit të identifikimit (kartë identiteti, letërnjoftim ose pasaportë).
- 2 fotografi personale.
- Mandatin e pagesës prej 2,000 lekësh kur aplikoni për program të parë studimi, si dhe mandatin prej 3,000 lekësh kur aplikoni për kuotat e përcaktuara si degë e dytë.
- Dëshminë e njohjes së një prej 5 gjuhëve të huaja të BE sipas testeve të licencuara nga MAS.
Dokumentacioni shtesë vetëm për shtetasit e huaj:
- Dëshmi e njohjes së gjuhës shqipe, fituar në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës (për rastet kur regjistrohet në një program studimi që zhvillohet në gjuhën shqipe).
- Curriculum Vitae.
- Deklaratën sipas formatit të përcaktuar.
Dokumentacioni shtesë për kandidatët e kategorive të veçanta:
- Kandidatët me statusin e personit me aftësi të kufizuar duhet të dorëzojnë edhe kopjen e noterizuar të librezës së të verbrit të lëshuar nga Shërbimi Social Shtetëror, ose kopje të noterizuar të vendimit të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë.
- Kandidati me statusin e jetimit duhet të dorëzojë fotokopjen e noterizuar të dokumentit që certifikon statusin e jetimit të lëshuar nga Shërbimi Social Shtetëror.
- Kandidati rom-dhe ballkano-egjiptian duhet të dorëzojë edhe një vetdeklarim që konfirmon këtë status.
Dokumentacioni shtesë vetëm për kandidatët që aplikojnë për program të dytë studimi:
- Fotokopje e njehsuar me origjinalin e diplomës universitare të ciklit të dytë të studimeve së bashku me suplementin e listën e notave. Për diplomat e fituara jashtë vendit duhet të dorëzoni edhe vërtetimin e njohjes së tyre.
- Planin e plotë të programit të studimit, përfshirë syllabuset përkatëse vërtetim e listës së notave dhe krediteve të fituara për çdo lëndë dhe detyrim të shlyer, i cili do të shërbejë për njohjen e provimeve të shlyera dhe krediteve përkatëse nëse kërkohet njohja e tyre.
