Konkurrimin për programet e studimit të specializimeve afatgjata në mjekësi për vitin akademik 2022-2023 do të mund ta ndjekin të gjithë kandidatët që kanë fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit në një nga specialitetet mjekësore të përcaktuara sipas akteve ligjore në fuqi. Senati Akademik i Universitetit të Mjekësisë së Tiranës ka miratuar së fundmi udhëzimin që i hap udhë procesit të konkurrimeve për programet e specializimeve në mjekësi për këtë vit, duke konfirmuar jo vetëm kuotat e mundshme të pranimeve për secilin specialitet, por edhe afatet, procedurat e aplikimit, si dhe tarifat e konkurrimit dhe regjistrimit si fitues.
Aplikimi për këto programe studimi do të nisë gjatë ditës së nesërme për të vijuar deri në datën 10 mars. Kështu, të gjithë kandidatët që do të duan të konkurrojnë këtë vit për të fituar një të drejtë studimi në programet e specializimit afatgjatë në mjekësi, duke nisur nga dita e nesërme, datë 22 shkurt, si dhe deri në datën 10 mars, do të duhet që të dorëzojnë dosjen e aplikimit pranë strukturave përgjegjëse të këtij institucioni të arsimit të lartë.
Universiteti i Mjekësisë bën me dije se programet e specializimit afatgjatë në mjekësi do të mund t’i ndjekin për herë të parë gjatë këtij viti akademik 325 kandidatë. Kaq është edhe numri total i kuotave të pranimeve të reja të miratuara për këtë cikël studimesh, të cilat ndahen si në vijim, ku: 140 do të jenë kuota pranimi të mbuluara nga Ministria e shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, 15 janë kuota pranimi nga Ministria e Drejtësisë, 4 janë kuota për Ministrinë e Brendshme, 161 janë kuotat e lira, ndërkohë që 5 kuotat e mbetura janë për transferim të studimeve nga institucionet jashtë vendit. Sa i takon kuotave të pranimit për transferim studimesh (5 kuota), në udhëzim saktësohet se këto kuota do të shpërndahen nga Rektorati bazuar në propozimin e dekanateve sipas kërkesave të aplikantëve që vijnë nga institucione të tjera të arsimit të lartë jashtë vendit, në programe specializimi afatgjata të njëjta, apo të njëjtit profil. Studentët e transferuar nuk mund të regjistrohen në vite më të larta se sa viti i dytë u studimeve të programit përkatës specializues.
Tarifa e aplikimit dhe regjistrimit
Tarifa e konkurrimit në programet e specializimit për garën e këtij viti është përcaktuar në vlerën e 5,000 lekëve. Ndërsa tarifa vjetore e shkollimit për studentët që do të shpallen fitues nga ky konkurrim do të jetë 115,000 lekë. Studentët e shpallur fitues do të duhet që të shlyejnë 30 për qind të kësaj tarife vjetore menjëherë sapo të regjistrohen, ndërsa këstet e tjera do të arkëtohen sipas afateve dhe masës në përqindje të përcaktuara nga fakultetet përkatëse. Studenti i cilësuar si përsëritës i nënshtrohet tarifës vjetore të studimit të vitit përkatës që është duke ndjekur.
Kush duhet të aplikojë?
Sipas kushteve të përcaktuara në rregulloren e zbardhur nga Universiteti i Mjekësisë, në programet e specializimit afatgjatë për kuotat e reja të pranimeve, kanë të drejtë që të aplikojnë të gjithë kandidatët që kanë fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit nga urdhrat përkatëse profesionale dhe që plotësojnë këto kushte: kanë përfunduar me sukses studimet dhe janë pajisur me diplomën përkatëse në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë “Master i shkencave”, si dhe kanë fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit në Republikën e Shqipërisë”. Në garë për kuotat e reja të pranimeve do të mund të përfshihen edhe kandidatët që janë diplomuar jashtë vendit në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë “Master i shkencave”, por që kanë kryer njësimin e diplomës pranë institucionit përgjegjës për arsimin. Edhe këta kandidatë duhet të kenë fituar edhe të drejtën e ushtrimit të profesionit në vendin tonë.
Për të marrë pjesë në procesin e konkurrimit, kandidati duhet të paraqitet personalisht , ose të autorizojë me prokurë një tjetër individ, për të dorëzuar dosjen e aplikimit sipas afateve të vendosura, përbërjen e të cilës e gjeni të plotë në vijim të shkrimit.
Testimi i informatizuar
Pas mbylljes së aplikimeve, dekanatet brenda datës 15 mars do të duhet të shpallin në faqet e tyre zyrtare listën e kandidatëve të regjistruar për konkurrim për kuotat e 2023. Ndërkohë që brenda datës 20 mars do të shpallet edhe lista finale e kandidatëve që do t’i nënshtrohen fazës së dytë të konkurrimit që është testimi i informatizuar që do të zhvillohet në QSHA. Ditën e zhvillimit të provimit, kandidatët duhet të kenë me vete dokumentacionin në vijim: “Dokument identiteti (kartë identiteti ose pasaportë), një fotokopje të saj, si dhe mandat pagesën e hyrjes në testim. Ditën e provimit duhet të paraqiteni në ambientet e përcaktuara 30 minuta para fillimit të provimit.
Formula e shpalljes së fituesve
Sipas skemës së përcaktuar, vlerësimi i kandidatëve që do të aplikojnë për kuotat e pranimit për këtë vit akademik do të bëhet me një sistem prej 1000 pikësh maksimumi. Këto pikë konvertohen në 30 për qind (300 pikë) që do të vijnë nga nota mesatare e ponderuar e rrumbullakosur me dy shifra pas presjes dhjetore, si dhe 70 për qind (700 pikë) që kandidati do t’i sigurojë në testimin e informatizuar që do të zhvillojë në ambientet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit në muajt e ardhshëm.
Pas këtij procesi, Komisioni i Vlerësimit shpall listën e kandidatëve të kualifikuar, duke i renditur sipas pikëve kumulative në rend zbritës, ku kandidati i fundit ka jo më pak se 380 pikë, për vijimin e procedurës së përzgjedhjes së programit të studimit. “Zgjedhja e programit të specializimit bëhet nga vetë kandidati brenda dy ditëve nga shpallja e rezultateve finale. Kandidatët që kanë grumbulluar jo më pak se 380 pikë nga numri i pikëve totale të konvertuara (maksimumi 1000 pikë, kualifikohen për procesin e përzgjedhjes së programit të specializimit sipas sistemit të meritës)”, thuhet në udhëzimin e zbardhur nga Universiteti i Mjekësisë. Zgjedhja e specializimit bëhet në mënyrë transparente, nga vetë kandidatët fitues, sipas rendit zbritës të pikëve në listën përfundimtare që do të shpallë Universiteti pas realizimit të provimit
Programet e studimeve të specializimeve afatgjatë përfshijnë kuota pranimi për specialitetet në Alergologji, Anatomi patologjike, Anestezi-reanimacion, Dermatologji, Endokrinologji, Gastrohepatologji, Hematologji, Diagnozë me imazhe, Kardiokirurgji, Kardiologji, Kirurgji e përgjithshme, Kirurgji maksilo-faciale, Laborator klinik-biokimik, Mikrobiologji, Mjek familjeje, Mjekësi interne, Mjekësi ligjore, Nefrologji, Neurologji, Neurokirurgji, ORL, Obstetrikë-gjinekologji, Okulistikë, Onkologji, Ortopedi-traumatologji, Pediatri, Pedodonti, Pneumonologji, Psikiatri, Psikiatri e fëmijëve dhe e adoleshentëve, Reumatologji, Sëmundje infektive, Shëndet publik, Terapi stomatologjike, Toksikologji klinike, si dhe stomatologji (kirurgji orale, kirurgji maksilo- faciale, protetika fikse, protetika të lëvizshme, protetika kirurgjikale, ortodonci periodontologji).
Dosja e aplikimit për kuotat e specializimeve afatgjata në Mjekësi duhet të përfshijë:
- Formular aplikimi, sipas modelit të përcaktuar
- Letër motivimi i/e aplikantit.
- Fotokopje e dokumentit të identifikimit të vlefshëm, kartë identiteti ose pasaportë.
- Kopje e njësuar me origjinalin në Republikën e Shqipërisë e diplomës universitare, të programit të studimit të ciklit të parë “Bachelor” si dhe të ciklit të dytë “Master i Shkencave”, ose të programit të integruar të studimeve të ciklit të dytë, dhe listës/listave të notave. Për rastet e diplomave të huaja paraqitet kopje e njësuar me origlina1in e vërtetimit të njohjes në Republikën e Shqipërisë, e shoqëruar me diplomën/diplomat dhe listën/listat përkatëse të notave ose të një dokumenti tjetër të vlefshëm për regjistrimin në Universitet në vendin ku janë kryer studimet, të lëshuar nga institucioni i arsimit të lartë përkatës. Në rast se njohja e diplomës nuk ka përfunduar ende, kandidati paraqet vërtetim që ka dorëzuar dokumentacionin për njohje në MASR, dhe duhet të dorëzojë dokumentin e njohjes jo më vonë se data e parashikuar për testimin e informatizuar, si dhe përpara shpalljes së rezultatit përfundimtar nga Komisioni i Vlerësimit.
- Kopje e njësuar me origjinalin në Republikën e Shqipërisë e dokumentit që vërteton njohjen e gjuhës së huaj, sipas përcaktimit në rregulloren përkatëse të specializimeve afatgjata në fushën e mjekësisë përkatësisht “Të zotërojë të paktën një nga gjuhët e huaja (anglisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht) në nivelin B2, si kriter minimal në programet e studimit të ciklit të tretë të specializimeve afatgjata në fushën e mjekësisë, me kusht që afati i fundit për paraqitjen e shlyerjes së gjuhës së huaj në nivel C1, sipas akteve nënligjore në fuqi, për këtë kategori studentësh të jetë përpara përfundimit të vitit të parë akademik” të programit përkatës.
- Kopje e noterizuar e licencës për ushtrimin e profesionit në Republikën e Shqipërisë dhe e dëshmisë së regjistrimit në urdhrin profesional përkatës.
- Dëshmi penaliteti e vlefshme.
- Mandat pagesa për tarifën e konkurrimit prej 5,000 lekë.
- Kandidatët që aplikojnë për kuotat e Ministrisë së Drejtësisë apo Ministrisë së Mbrojtjes, dorëzojnë një letër mbështetëse të ministrisë përkatëse sipas formatit të parashikuar
- Dy foto personale.
- Afati i dorëzimit të dokumentacionit në fakultetet përkatëse është deri më datë 10.03.2023.

