Rihapen aplikimet me formularin A1 dhe A1Z për të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që duan të rikthehen në garë për studimet e larta gjatë vitit të ri akademik 2023-2024.
Qendra e Shërbimeve të Arsimit bën me dije se në ndihmë të maturantëve dhe kandidatëve të tjerë që nuk kanë aplikuar dot në kohë, janë miratuar datat e reja të plotësimit të këtyre formularëve.
Duke nisur nga dita e sotme dhe për tre ditë me radhë maturantët dhe kandidatët e tjerë do të mund të aplikojnë online për plotësimin e formularëve, ku do të konfirmojnë lëndën me zgjedhje që do të japin provim gjatë Maturës Shtetërore 2023, si dhe rezultatet e arritura në testimet e viteve të shkuara për kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para këtij viti, por që duan të rikthehen në garë për universitetin. Rregullat e plotësimit të formularit do të jenë të njëjta, si ato të aplikuara në fazat e mëparshme.
“Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka miratuar datat 25-27 prill si afatin e ri për plotësimin e Formularit A1 dhe A1Z”, detajohet në urdhrin e QSHA-së. Plotësimi i formularëve është vendimtar jo vetëm për të konfirmuar mbylljen me sukses të studimeve të shkollës së mesme, por edhe për të qenë pjesë e konkurrimit për studimet e larta përgjatë vitit të ri akademik.
Sipas rregullave të përcaktuara në udhëzimet për plotësimin formularëve, ekspertët e dikasterit të Arsimit sqarojnë se formularin A1 duhet ta plotësojnë të gjithë nxënësit që përfundojnë përgjatë këtij viti studimet e shkollës së mesme. Aplikimi do të bëhet online në portalin e maturës, dhe në çdo rast maturanti do të ndihmohet nga një mbikëqyrës për të shmangur gabimet në plotësimin e tij Këta maturantë, gjatë plotësimit të formularit duhet të zgjedhin nga lista e 11 lëndëve të miratuara lëndën që do të japin si provim me zgjedhje. Për shkollat profesionale bëhet e ditur se teoria profesionale është e zbërthyer sipas indeksit të shkollave. Maturantët e shkollave profesionale lëndën me zgjedhje duhet ta përzgjedhin detyrimisht nga lista që është e përcaktuar vetëm për këtë profil shkollash.
Ndërsa formularin A1Z duhet ta plotësojnë kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2023 dhe që kanë detyrim për të dhënë një, ose disa provime të maturës. Këtë formular gjithashtu mund ta plotësojnë edhe kandidatët që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë vendit, të cilët pasi kanë bërë njehsimin e diplomës në komisionin përkatës të QSHA-së dhe rezulton se kanë detyrimin për të dhënë një, ose disa provime të maturës, si dhe kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme në Shqipëri, ose jashtë vendit, që nuk kanë detyrim për të dhënë provime të Maturës 2023, por që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në universitetet publike, apo private përgjatë vitit të ri akademik. Kjo kategori maturantësh duhet të paraqitet në shkollat ku kanë kryer studimet e mesme. Për të bërë plotësimin e këtij formulari, ata duhet që të paraqesin një kopje të noterizuar të Dëftesës së Pjekurisë dhe vërtetimin me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme me fotografi, certifikatë të maturës me notat gjitha viteve të lëshuar nga drejtori i shkollës sipas regjistrit të amzës, apo dokumentin të lëshuar nga Arkivi i Shtetit.
Provimet e vitit 2023
Në të gjitha shkollat e arsimit të mesëm në vend, qofshin këto publike, apo private ka nisur tashmë faza përgatitore për provimet e Maturës Shtetërore 2023 që do të zhvillohen gjatë muajit qershor, sipas datave të përcaktuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Edhe për këtë vit, maturantët do të zhvillojnë katër provime: 3 provime të detyruara, përkatësisht në lëndët gjuhë dhe letërsi, matematikë, dhe gjuhë e huaj e parë, si dhe një lëndë që do të jepet si provim me zgjedhje nga lista zyrtare e miratuar nga MAS.
Provimet do të zhvillohen vetëm me shkrim, teksa do të vijojë të mbetet në fuqi i njëjti prag i kalueshmërisë. Kështu, çdo maturant apo kandidat tjetër, që do t’i nënshtrohet provimeve të këtij viti, do të konsiderohet mbetës vetëm në rastet kur nuk do të arrijë të grumbullojë 25 për qind të totalit të pikëve, me të cilat vlerësohet çdo tezë provimi. Ky maturant do të mund të japë sërish provimin ku rezultoi mbetës në sezonin e vjeshtës që do të zhvillohet gjatë muajit shtator.
Për të orientuar maturantët në lidhje me përgatitjen për provimet e maturës, janë zbardhur edhe programet orientuese me temat që duhet të rishikoni me kujdes për zhvillimin e provimeve. Provimet e detyruara do të mbështeten vetëm në kurrikulën bërthamë. Programet orientuese të provimeve të detyruara (Gjuhë shqipe dhe Letërsi, Matematikë, Gjuhë e huaj) për të gjithë maturantët/kandidatët janë në përshtatje me programet ekzistuese të arsimit të mesëm të lartë. Ndërsa programet orientuese të lëndëve zgjedhje janë të njëjta për të gjithë maturantët që kanë plotësuar formularin A1 dhe A1Z. Programi orientues i lëndëve me zgjedhje përmban programin e lëndës bërthamë dhe atë me zgjedhje.
p.k\dita
