Nga Prof. Ksenofon Krisafi
Botuar në DITA
Lufta e Vlorës e vitit 1920, qëndron në themelin e sakrificave sublime autentike të Kombit shqiptar, të kryera në etapa të caktuara të zhvillimit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ajo kontribuoi për riafirmimin e shqiptarëve si subjekt i rëndësishëm politik, shoqëror, kulturor, historik në Ballkan dhe në Evropë dhe forcoi bindjen e tyre për vlerat, meritat dhe aftësitë për t’i dalë zot fateve të vendit, qoftë edhe duke u përballuar me fuqi të mëdha të asaj kohe, siç ishte Italia. Lufta e Vlorës bën pjesë në ato ngjarje e “veprimtari historike dhe të përtashme, të arritura historike e të përtashme, vepra historike dhe të përtashme, që përbëjnë identitetin tonë, që sigurojnë vazhdimësinë tonë në hapësirat në të cilat jemi dhe kemi të drejtë etnike e historike”, sikurse shprehet akademik Rexhep Qosja.
Rëndësia e kësaj ngjarjeje, nga më madhoret në historinë e shqiptarëve, ka të bëjë me faktin se ajo në njëfarë kuptimi ndikoi që Fuqitë e Mëdha të rishikonin qëndrimin e tyre ndaj çështjes shqiptare. Deri në atë kohë Shqipëria dhe shqiptarët shiheshin si shprehje gjeografike, si monedhë tregu në kompromiset e mëdha të diplomacisë europiane. Pranohej fare pak ose aspak mendimi se edhe ata meritonin të kishin vendin e vet të merituar në arkitekturën politike europiane. Ishte epopeja e Vlorës, së bashku edhe një varg faktorësh të tjerë, kombëtarë e ndërkombëtarë, që do t’i bënte Fuqitë e Mëdha ta merrnin në konsideratë faktorin shqiptar dhe të hiqnin dorë nga planet për copëtim.
Ajo do të vuloste bindjen e diplomacisë së Fuqive të Mëdha se faktori shqiptar ishte dhe duhej vlerësuar si element i rëndësishëm ekuilibri gjeostrategjik e gjeopolitik në rajon e në kontinent. Disa prej tyre edhe pse të përfshira në ballafaqime për një varg çështjesh, ndër to edhe për çështjen shqiptare, duket se pranonin që, në kuadrin e zgjidhjeve pragmatiste, varianti më optimal mund të ishte respektimi i pavarësisë së Shqipërisë, sipas statusit dhe përmasave të përvijuara nga Konferenca e Londrës e 1912-1913.
Konferenca e paqes e Parisit, e thirrur në mbarim të Luftës së Parë Botërore, u shfrytëzua nga disa prej qarqeve drejtuese të diplomacisë së Fuqive të Mëdha, për pazarllëqe. Pjesë e tyre ishte edhe Shqipëria. Nëpërmjet Memorandumit të 9 dhjetorit 1919, ato propozuan si mënyrë zgjidhjeje të problemit shqiptar, vendimet e miratuara në Traktatin e fshehtë të Londrës – 1915, cedimin e mjaft prej territoreve në favor të fqinjëve si dhe vendosjen e pjesës së mbetur nën mandatin e Italisë. Traktati i Londrës përfaqësonte një akt tipik të eliminimit të pavarësisë së Shqipërisë dhe copëtimin e saj në interes të fqinjëve.
Planet për copëtimin e shtetit shqiptar dhe Lufta e Vlorës
Plani për vendosjen e mandatit italian mbi Shqipërinë u kristalizua në formë konkrete më 14 janar 1920, kur kryeministri i Francës, Klemanso, i dorëzoi delegacionit të shtetit Serbo-Kroato-Slloven (ish-Jugosllavisë), propozimet e tij përmbledhëse mbi këto çështje. Në letrën e tij, në pjesën ku bëhej fjalë për Shqipërinë, thuhej se “Italia duhet të mbajë Vlorën ashtu sikurse ka qenë vendosur në bazë të traktatit të Londrës dhe përveç kësaj duhet të ketë një mandat mbi Shqipërinë, sipas të cilit krahinat shqiptare që do të administrohen në këtë mënyrë nga shteti Serbo-Kroat-Slloven, do të gëzojnë një regjim të posaçëm si një province autonome, siç është vendosur në marrëveshjen mes Republikës së Çekosllovakisë lidhur me provincën Rutene të Çekosllovakisë. Kufiri i Jugut duhet të ndjekë vijën e propozuar nga delegacionet franceze dhe britanike në komisionin për çështjet greke, duke ia lënë Greqisë Gjirokastrën dhe Korçën”.
Se ç’ndodhte në mjediset e Konferencës së Parisit, ku diskutoheshin fatet e botës, e dëshmon mjaft mirë, por në një mënyrë dëshpëruese dhe gati groteske, Daniel Moynihan, i cili sjell një nga skenat e zhvillimit të punimeve të saj. Ai thotë, ndër të tjera, se një anëtar i delegacionit amerikan i kishte treguar që “ne hymë në dhomën tjetër ku dyshemeja ishte e pastër dhe Uilsoni hapi një hartë të madhe… mbi dysheme dhe u ul në gjunjë për të na treguar çfarë kishim bërë; edhe shumica prej nesh ishin ulur në gjunjë. Unë isha në sërën e parë dhe ndjeva se dikush po më shtynte, kur ktheva kokën i zemëruar pashë se ai ishte Orlandua (kryeministri italian) që po zvarrisej këmba dorës si një ari drejt hartës. Unë u hoqa mënjanë dhe ai doli menjëherë në radhën e parë. Ah sa do të doja të kisha një fotografi të njerëzve të rëndësishëm të botës që rrinin këmbë e duar mbi hartë.”
Dhe për ta plotësuar këtë tablo trishtuese që demonstron se si merreshin vendimet nga një forum që njerëzit e mendonin si shprehjen e drejtësisë së kulluar ndërkombëtare, le të përmendim edhe diçka që kumtohet nga Harold Nikolsoni, pjesë e delegacionit britanik në Konferencë. Në një letër që i dërgonte gruas së vet, thotë ndër të tjera se fatet e popujve që besuan në fjalët e Uilsonit për vetvendosjen e tyre dhe që i kishin drejtuar sytë gjithë ankth nga Parisi, vareshin tek disa “njerëz injorantë dhe të papërgjegjshëm” që sipas tij ishin Uillsoni, Llojd Xhorxhi dhe Zhorzh Klemansoi. Duke folur për çështjen e përcaktimit të të kufirit shqiptar në rajonet jugore, më 3 mars të vitit 1919, ai shkruante në ditarin e tij se “në drekë isha me Laroche. Ai pothuajse më bindi se grekët duhet të kenë Korçën… më shpjegoi se vendosja e Italisë përgjatë të vetmes vijë të komunikimit mes Manastirit dhe Sarandës do të çojë në një grindje të përhershme ndërmjet Serbisë dhe Greqisë. Është fat tmerrësisht i keq për Shqipërinë, që ka Italinë të vendosur si një fuqi mandatore dhe kështu kufijtë e saj do të copëtohen thjesht se asnjë nga ne nuk e beson Italinë në Ballkan”.
Në këtë kontekst real mentalitetesh vendoseshin statusi – krijimi ose zhdukja e shteteve dhe kufijtë e tyre. Atë e bënin njerëz që pak ose aspak dinin se ç’përfaqësonin vendimet e tyre për jetët e miliona njerëzve. Në këto rrethana u përpunua dhe u sponsorizua edhe projekti anglo-francez për vendosjen e mandatit italian mbi Shqipërinë, i cili nuk u vu në jetë për dy arsye: E para për shkak të kontradiktave dhe konflikteve midis Fuqive të Mëdha dhe partnerëve të tyre me të vegjël; E dyta sepse në Shqipëri në atë kohë u ngrit një valë e gjerë protestash dhe u organizua një rezistencë e madhe popullore që kundërshtonte copëtimet dhe aneksimet e trojeve shqiptare.
Ndërsa në Paris vazhdonin “betejat” e të mëdhenjve të botës me zhvendosje të ndenjurash mbi hartën e Ballkanit e të Europës, në Shqipëri, por veçanërisht në Vlorë dhe rrethinat e saj, të rivendikuara nga Orlandua, në zbatim të Traktatit të Londrës të 26 prillit 1915, një grup patriotësh shqiptarë i ngacmonte pareshtur një ndjesi e fuqishme ankthi për të ardhmen e vendit. Ata ishin të bindur se Shqipëria do të shpëtonte vetëm kur fatin e saj ta merrnin në dorë vet shqiptarët. Për këtë qëllim u thirr Kongresi i Lushnjës, që u shndërrua në një nga ngjarjet më madhore të kohës.
Ai krijoi organet e shtetit shqiptar, denoncoi intrigat e Fuqive të Mëdha në kurriz të Shqipërisë dhe hodhi poshtë orvatjet për t’i imponuar asaj një zgjidhje në formën e mandatit. Në vendimin e Kuvendit të Lushnjës thuhej se Asambleja Kombëtare vendosi të mos pranojë asnjë mandat ose protektorat të huaj. Rindërtimi i strukturave të shtetit, vënia e tyre në veprim, organizimi i jetës politike, ekonomike, administrative, sigurimi i rendit dhe i qetësisë publike, do të ishin ndër të tjera edhe dëshmi e aftësive të shqiptarëve për t’u renditur në familjen e popujve europiane. Shteti duhet të funksiononte në të gjitha përmasat, përfshirë edhe shtrirjen e autoritetit në rajonet periferike të vendit.
Në përpjekjet për sensibilizimin e opinionit publik ndërkombëtar për ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë bie në sy, ndër të tjera edhe një thirrje e Mit’hat Frashërit, botuar në gazetën franceze L’Humanité, të 1 shkurtit 1920. U publikua në një kohë kur Italia ishte angazhuar fuqimisht për realizimin e projektit të marrjes së mandatit mbi Shqipërinë e cunguar nga aneksimet e parashikuara për fqinjët e tjerë. I shqetësuar nga zhvillimet turbulente të asaj kohe, në mjediset e Konferencës së Parisit, ai ngrinte alarmin mbi synimet e Italisë ndaj Shqipërisë në përgjithësi dhe Vlorës në veçanti.
Pretendimet e Italisë për Vlorën, si dhe për pjesën tjetër të Shqipërisë, bien në kundërshtim me parimin e kombësive mbi të cilat Italia mbështet pretendimet e saj në Fiume… Shqipëria (përfshirë Vlorën) formon një shtet, pavarësia e të cilit është njohur dhe garantuar nga një akt ndërkombëtar, një shtet i cili nuk ka elemente alogjenike dhe i cili ka më shumë se çdo shtet tjetër të drejtën të themelohet mbi parimin e kombësive.”
Akt tjetër domethënës ishte gjithashtu vrasja nga Avni Rustemi në Paris, në qershor të vitit 1920, e Esat Pashë Toptanit, i identifikuar si pjesëmarrës në planet antishqiptare të fqinjëve. Ishte dëshmi e vendosmërisë së shqiptarëve për të ruajtur me çdo kusht e me çdo çmim atdheun e tyre nga çdo pazarllëk i bërë nga tradhtarë vendas ose shtetet e tjerë.
Lëvizja dhe kundërshtimi masiv i shqiptarëve brenda vendit, të cilëve iu bashkuan edhe mbështetja e komuniteteve të tyre jashtë, dëshmoi vendosmërinë e tyre për të mbrojtur me luftë atdheun nga çdo përpjekje për copëtimin e tij. Ata i drejtuan protesta të shumta Konferencës së Paqes dhe qeverive të Fuqive të Mëdha kundër përpjekjeve për ta copëtuar Shqipërinë midis shteteve fqinje. Si shprehëse e mendimit të gjerë publik dhe e grupeve përparimtare shqiptare, gazeta Populli, shkruante në atë kohë se ndërsa qarqet zyrtare shoviniste jugosllave e greke do të donin t’i hiqnin ndonjë këmbë ose dorë Shqipërisë, Italia imperialiste “don që ta marrim në shpinë”.
Reagimi i shqiptarëve duhet të ketë ndikuar edhe në pozitën amerikane ndaj çështjes shqiptare. E pohon këtë edhe historiani italian Pietro Pastoreli, një ndër njohësit më të mirë të kësaj periudhe, i cili thotë se “duke kritikuar zgjidhjen e parashikuar për Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara ishin të parët, që e kuptuan se në këtë vend diçka kishte ndryshuar”.
Në përcaktimin e qëndrimit që u mbajt ndaj Shqipërisë në atë kohë, krahas rolit të faktorit të jashtëm, i cili shfaqet në përplasjen e interesave të kundërta të fqinjëve dhe Fuqive të Mëdha të kohës, ka luajtur rolin e vet edhe faktori shqiptar.
Lëvizja e kundërshtimit të mandatit italian do të merrte përmasa cilësore dhe karakter të gjerë politik e popullor, me organizimin e luftës së armatosur të Vlorës. Ishte një luftë që do të përballte një popull të vogël prej 1 milionë banorësh, me ideale të pashuara liridashëse, me një mbretëri të madhe, pushtuese, Italinë. Shqiptarët, të paktë në numër, të pajisur me armë të vjetra, pothuajse pa asnjë aleat, u ndeshën me ushtritë e rregullta të një shteti të fuqishëm që kishte pas vetes një koalicion të madh shtetesh, Antantën kordiale. Me heroizmin e treguar ata shkruan një ndër faqet më të ndritura të historisë së Shqipërisë, Luftën e Vlorës, që u zhvillua në muajt qershor–shtator të vitit 1920. Nëpërmjet saj shqiptarët iu kundërvunë me forcën e armëve ushtrive italiane, të cilat, në pritje të legalizimit të projekteve për mandatin italian, nga Konferenca e Paqes, mbanin të pushtuar Vlorën dhe rrethinat e saj, Karaburunin dhe ishullin e Sazanit.
E realizuan këtë mision të shenjtë sepse u bashkuan, u organizuan, krijuan strukturat drejtuese dhe u hodhën në luftë për të çliruar vendin nga pushtuesit e huaj. Komiteti “Mbrojtja Kombëtare”, që përfaqësonte kombin shqiptar dhe ishte ngarkuar të organizonte kryengritjen kombëtare, pasi kishte përcaktuar strategjinë e luftës, më 3 qershor 1920, i përcolli gjeneralit italian Piaçentinit një ultimatum. Me tone të fuqishme dhe vendosmëri shembullore thuhej ndër të tjera se “qeveria italiane sado e fuqishme të jetë nuk mund të ndalojë një popull të vogël si shqiptarët të japë jetën për idealin e lirisë së vet… Populli shqiptar si edhe të tjerët nuk ka ndërmend t’i nënshtrohet shitjes së tij si bagëti në tregjet europiane si plaçkë për Italinë, Serbinë, Greqinë. Ai parapëlqen të rrëmbejë armët dhe t’i marrë Italisë administrimin e Vlorës, Tepelenës dhe Çamërisë dhe t’i vejë ato nën administrimin e qeverisë së Tiranës.” Ultimatumi përfundonte duke kërkuar përgjigje brenda një afati prej 24 orësh, që nuk u respektua.
Se ç’ngjau në vijim le t’i referohemi një prej eksponentëve politikë të asaj kohe, i cili i ka ndjekur zhvillimet nga afër. Është fjala për Eqrem Vlorën, që “e shihte luftën me dylbi”, sepse shpenzonte shumë kohë me takime, biseda, darka e dreka me gjeneral Piaçentinin dhe bashkëpunëtorët e tij, që komandonin dhe drejtonin ushtritë italiane kundër shqiptarëve, bashkëkombasve të Eqrem beut. Tërësisht i befasuar nga ç’po ndodhte, shkruante në Kujtimet e veta se
“Si kishte qenë e mundur?! Si kishin arritur disa mijëra fshatarë që në dy javë t’i dëbojnë italianët nga një zonë prej 2000 km², të zenë 3100 robër, 17 topa dhe një mori armatimesh, municionesh dhe ushqimesh? E gjitha kjo shëmbëllente me një çudi! Por, kush i njeh shqiptarët, nuk e ka të vështirë ta kuptojë këtë ecuri ngjarjesh… Lufta për Vlorën vazhdoi e rreptë. As ditë dhe as natë nuk rreshti zjarri i pushkëve dhe gjëmimi i topave përmbi qytet dhe fshatrat përreth.” Duket se nga ç’i kishin parë sytë gjatë verës së atij viti habia do t’i kalonte shpejt, prandaj vazhdonte duke pohuar se “në 17 gusht trupat italiane u larguan nga qyteti dhe hypën nëpër anije, më 3 shtator “rebelët”, fitimtarë dhe krenarë me të drejtë, hynë në Vlorë dhe e bashkuan krahinën e tyre me pjesën tjetër të Shqipërisë.” E përfundon rrëfimin e vet duke pohuar se “ata e kishin merituar këtë sukses.”
Në sinkron gati të plotë me të, shprehet edhe studiuesi dhe diplomati italian Pietro Quaroni, i cili ka shërbyer në Shqipëri në vitet 1931-1932. Në librin Valixhia diplomatike, gjatë përshkrimit të rezultatit të ballafaqimit të armatosur shqiptaro-italian, në verën e vitit 1920, ka një pasazh shumë domethënës. Për Luftën e Vlorës, të cilën Musolini e kishte quajtur “mynxyra jonë shqiptare” dhe “katastrofa jonë në Shqipëri”, kurse Gabriele D.Anuncio “asgjësimi i fitores tonë” dhe “një tjetër delikt i shëmtuar… kundër atdheut (italian)”, Quaroni thotë ndër të tjera se “të çapërlehesh për të shtënë në dorë mandatin mbi Shqipërinë, ta arrish këtë, duke siguruar edhe pëlqimin ndërkombëtar dhe pastaj duke patur armët në dorë, të na përzënë një grusht rebelësh shqiptarë, kjo i kapërcen kufijtë e imagjinatës”.
Përcaktim shumë i saktë që, me pak fjalë, thotë gjithë të vërtetën. Për shqiptarët ajo ishte një krenari e ligjshme kombëtare, kurse për italianët, një disfatë e dhimbshme dhe gati e pashpjegueshme. Gjenerali Luigi Cadorna, ish kryetar i Shtatmadhorisë së Ushtrisë italiane në Luftën e Parë Botërore, në deziluzion të plotë do të shkruante se “kurrë nuk është parë ndonjë shembull i tillë që qeveria e një shteti fitimtar të pësojë një ofensivë kaq të turpshme në dinjitetin kombëtar… Tërheqja jonë nga Vlora u bë në rrethana të turpshme…”
Ushtritë e një mbretërie prej rreth 40 milionë banorësh, të armatosura me mjetet luftarake më moderne të kohës, të komanduara nga gjeneralë të sprovuar në beteja të shumta, u mundën nga çetat shqiptare, të armatosura në mënyrë modeste, me armë të zakonshme, madje edhe me sëpata e hanxharë.
Heroizmi i luftëtarëve shqiptarë, gjaku i dëshmorëve, e hodhën Italinë në det, kurse Traktatin e Londrës dhe gjithë planet e tjera pas tij, në koshin e historisë. Lufta e Vlorës është quajtur epope e lavdishme. Ajo ishte realisht e tillë, sepse në njëfarë kuptimi e shpëtoi përfundimisht Shqipërinë nga rreziku iminent i copëtimit dhe zhdukjes nga harta politike e botës. Ajo i tregoi diplomacisë së Fuqive të Mëdha se shqiptarët e mbronin me gjak atdheun e tyre.
Lufta e Vlorës përfundoi me largimin e ushtrive italiane nga territori shqiptar dhe rivendosjen e pavarësisë së Shqipërisë, sipas përcaktimeve të vendimeve të Konferencës së Londrës të viteve 1912-1913. Kjo ishte një fitore shumë e madhe për shqiptarët. Në shtypin e atyre ditëve vihej në dukje e vërteta e madhe se “luftën nuk e bëka topi dhe mitrolozi, po e bëka trimëria dhe bashkimi.”
Lidhur me rolin e luajtur nga Kongresi i Lushnjës dhe rëndësinë e vendimeve të tij, Robert Lari Uodëll, në librin Problemet e shqiptarëve gjatë Konferencës së Paqes 1919-1920, shkruan se “faktori kryesor që e shpëtoi Shqipërinë nga coptimi përfundimtar, ishte veprimi i vetë shqiptarëve në mbrojtje të vendit të tyre. Duke mos gjetur mbështetje tek paqebërësit e Parisit, udhëheqësit shqiptarë formuan një qeveri në janar 1920 dhe u ngritën e dëbuan nga vendi të gjitha ushtritë e huaja. Ai del në këtë konkluzion sepse ishte i bindur që, “në optikën e Fuqive të Mëdha, një Shqipëri e pavarur do të ishte një qënie e padëshirueshme dhe se duhej të bëhej coptimi i saj midis Italisë, Jugosllavisë dhe Greqisë, duke ruajtur një pjesë të Shqipërisë së Mesme, me një pavarësi nominale, nën kujdesin e një Fuqie të Madhe.”
Shqiptarët e detyruan qeverinë italiane të ulej, të negocionte dhe të firmoste një marrëveshje ndërkombëtare dypalëshe, nga të parat që shteti shqiptar i pasluftës së parë botërore nënshkruante me një shtet tjetër. Në projektet fillestare parashikohej që qeveria italiane do të njihte shprehimisht pavarësinë e Shqipërisë dhe qeverinë e saj, italianët do të lëshonin territorin shqiptar, me përjashtim të ishullit të Sazanit, ku do të kishin të drejtë të bënin ndërtime mbrojtëse. Këtë lajm Gazeta e Korçësdo ta përsëriste pak a shumë me të njëjtën përmbajtje në datën 17 korrik 1920. Një javë më pas Italia pranoi largimin nga Shqipëria, sipas kushteve që do të përcaktoheshin në marrëveshjen që do të nënshkruhej më 2 gusht të atij viti.
Marrëveshja me Italinë mbi tërheqjen e trupave italiane nga Vlora, e cila mban emërtimin Protokoll Paraprak, u nënshkrua në Tiranë, nga “Sulejman Delvina, kryetar i Këshillit të Ministrave të qeverisë së përkohshme shqiptare” dhe “G. Manzoni, ministër fuqiplotë i mbretit të Italisë, i ngarkuar për të sistemuar marrëdhëniet ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë”, sikurse thuhet në preambulën e Protokollit. Në tekst nuk përmendet shprehimisht njohja e qeverisë shqiptare, por nga përmbajtja e disa prej dispozitave, del qartë se nuk kishte asnjë dyshim që qeveria italiane e njihte atë. Aty gjenden formulime të tilla si përfaqësuesit e mësipërm “të autorizuar siç duhet nga qeveritë e tyre dhe të frymëzuar nga dëshira për t’i vendosur në një bazë të qëndrueshme marrëdhëniet e përzemërta që ekzistojnë ndërmjet qeverive dhe popujve të Italisë dhe të Shqipërisë…” “Qeveria italiane për të dhënë prova të ndjenjave të saj të respektit për sovranitetin shqiptar mbi Vlorën dhe për tërësinë territoriale të Shqipërisë…” Formulime të tilla dëshmojnë se për atë kohë, kishin perënduar planet e dikurshme të Italisë për aneksimin e disa pjesëve të territorit shqiptar si dhe vendosjen e pjesës tjetër nën mandatin vet. Marrëveshja parashikonte madje se të dy qeveritë kishin rënë dakord për shkëmbimin e përfaqësuesve zyrtarë midis tyre. Mbi këtë bazë në Tiranë do të kishte një përfaqësues të Italisë dhe në Romë një përfaqësues të Shqipërisë. Rangu i ulët i tyre (nën të zakonshmin) mund të çojë në konkluzionin se kjo ishte një njohje de facto. Njohja de jure do të vinte me vonë.
Trajtimi i kësaj çështjeje u zgjat disi sepse, siç do të shihet në vijim, gjatë diskutimeve që u bënë në organet e Lidhjes së Kombeve për kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim, përfaqësuesit e Italisë, mbrojtën pikëpamjen se ajo nuk e kishte njohur qeverinë shqiptare.
Marrëveshja do t’i hapte rrugën avancimit të mëtejshëm në përpjekjet për afirmimin ndërkombëtar të qeverisë shqiptare të dalë nga Kongresi i Lushnjës, nëpërmjet kërkesave për njohje nga qeveritë e vendeve të tjera. Ato përkuan në kohë me themelimin e Lidhjes së Kombeve, organizatës së parë universale, me karakter politik. Pranimi prej saj do të përfaqësonte ripohimin e pavarësisë së shtetit shqiptar, një ripohim i veçantë, me një bazë të gjerë, që do të bëhej nga një grup shtetesh të bashkuar në një organizatë ndërkombëtare. Si njohje kolektive ajo do të ishte njohje cilësore. Prandaj gjithë përpjekjet e qeverisë shqiptare në fushën e politikës së jashtme u fokusuan pothuajse tërësisht te aksioni i anëtarësimit në Lidhjen e Kombeve.
Përpjekjet për anëtarësim në Lidhjen e Kombeve
Qeveria shqiptare e dalë nga Kongresi i Lushnjës, në janar tё vitit 1920, i kërkoi Lidhjes së Kombeve që ta pranonte Shqipërinë anëtare të saj. Kërkesa i drejtohej Sekretarit të Përgjithshëm, Erik Drymond (Eric Drummond) dhe mbante datën 12 tetor 1920. Ishte firmosur nga kryeministri, Pandeli Evangjeli, i cili kryesonte përkohësisht delegacionin shqiptar në Konferencën e Paqes, në Paris. Aty thuhej se “qeveria shqiptare, shprehëse besnike e ndjenjave të të gjithë popullit shqiptar, duke dashur me gjithë shpirt të konsolidojë paqen në Ballkan, kërkon të pranohet në Lidhjen e Kombeve dhe të marrë pjesë në Asamblenë e Madhe që do të mblidhet në Gjenevë 15 nëntorin që vjen.” Muajt tetor-dhjetor 1920 ishin të mbushur me një punë intensive diplomatike të qeverisë shqiptare dhe delegacioneve të saj në Paris e Gjenevë, të asistuar dhe mbështetur nga miqtë e shumtë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve të cilët iu ndodhën pranë në ato kohë të vështira.
Në ditët e para të nëntorit 1920, Mehmet Konica, në cilësinë e ministrit të Punëve të Jashtme, i dërgoi Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes, një notë ku i përsëriste kërkesën për anëtarësim. Drymond, pasi e shqyrtoi paraprakisht, njoftoi palën shqiptare se me qëllim që t’ua bënte të ditur anëtarëve të Lidhjes dhe ta shtronte për diskutim në punimet e Asamblesë, i lypseshin kopjet autentike të dokumentave me anë të të cilave Shqipëria kishte shpallur pavarësinë, ose nëpërmjet të cilave i ishte dhënë qeverisja e plotë. Kërkonte gjithashtu edhe kopje autentike të deklaratave, me të cilat qeveritë e vendeve të tjera kishin njohur de facto ose de jureqeverinë e Shqipërisë.
Për ndjekjen e fatit të saj nëpër strukturat përkatëse të Lidhjes, qeveria shqiptare caktoi një delegacion që kryesohej nga Fan S. Noli dhe që kishte në përbërje Xhorxh Adamidin, Pandeli Calen dhe Hil Mosin, për çka më 8 Nëntor 1920 njoftoi zyrtarisht Sekretariatin e Lidhjes. Me mbërritjen e tij në Gjenevë, më 12 nëntor 1920, ai nisi menjëherë nga puna, duke dorëzuar në Sekretariatin e Lidhjes dosjen e dokumenteve. Aty përfshiheshin ekstrakte nga zhvillimet ndërkombëtare dhe ato të brendshme në Shqipëri gjatë viteve 1913-1914, pjesë (nenet 2 dhe 3) nga Traktati i Paqes midis aleatëve ballkanike dhe Turqisë, i Londrës, i 30 majit 1913, Vendimi i Konferencës së Ambasadorëve i 29 korrikut 1913, statuti organik i Shqipërisë i prillit 1914 (nenet 1 dhe 2 të kreut I, si dhe nenet 7 dhe 8 të kreut II).
Më pas vazhdoi me plotësimin e dosjes me akte të tjera, ndër të cilat një vend të veçantë zinte një memorandum që iu dorëzua sekretariatit të Lidhjes së Kombeve nga Fan S. Noli, më 22 nëntor 1920. Aty bëhej një parashtrim i përmbledhur i kërkesës shqiptare, mbështetur me argumentet e duhura. Bie në sy strukturimi dhe qartësia e ekspozimit të çështjes, duke u fokusuar te fakti që shteti shqiptar që kërkonte të anëtarësohej në Lidhjen e Kombeve dhe qeveria e tij e paraluftës, kishin marrë normalisht njohjen ndërkombëtare. Ky status i Shqipërisë si subjekt i së drejtës ndërkombëtare juridikisht nuk ndryshoi gjatë Luftës së Parë Botërore, pavarësisht faktit që territori i saj u bë place d’armes nga ushtritë e atyre shteteve që e kishin njohur si shtet të pavarur dhe neutral dhe që kishin marrë përsipër të garantonin neutralitetin e tij nëse cenohej nga dikush.
Në Memorandumin e dorëzuar nga Noli më 22 nëntor 1920 flitej gjithashtu edhe për marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë së pasluftës dhe njohen e qeverisë së saj. Natyrisht bilanci ishte modest për shkak të rrethanave tepër të ndërlikuara të krijuara nga Lufta dhe nga traktatet ndërkombëtare që kishin parashikuar copëtimin dhe ndarjen e saj midis shteteve fqinjë. Por, Lufta e Vlorës dhe zhvillimet domethënëse brenda Botës shqiptare që afirmuan vullnetin e palëkundur të popullit shqiptar për jetë të pavarur shtetërore si dhe ballafaqimet e ashpra në marrëdhëniet ndërmjet fqinjëve dhe Fuqive të Mëdha, të cilët po “prisheshin në pazaret” e pasluftës, bënë që Shqipëria të mbijetonte, të riorganizohej politikisht, administrativisht dhe të niste një jetë shtetërore të vështirë, por relativisht normale.
Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes njoftoi anëtarët e saj për kërkesën e qeverisë shqiptare dhe e përfshiu atë në rendin e ditës së punimeve të Asamblesë, të datës 15 nëntor 1920, që ishte edhe inagurimi i fillimit të punimeve. Tre ditë më parë, delegacioni kishte dorëzuar në Sekretariat dokumentet plotësuese, sipas kërkesës së ekspertëve të Komisionit të Pranimeve, si dhe të disa prej anëtarëve të Asamblesë. Ato përbëheshin nga kopje të pjesëve të ndryshme nga Traktati i Paqes, të nënshkruar në Londër, më 30 maj 1913, midis Turqisë dhe aleatëve ballkanikë, i cili vërtetonte se Turqia kishte hequr dorë nga sovraniteti i saj mbi Shqipërinë, vendimi i 29 korrikut 1913, i Konferencës së Londrës, si dhe aktet vijuese që e njihnin Shqipërinë si një principatë sovrane nën autoritetin e një Princi të huaj.
Më 22 nëntor, Fan Noli dorëzoi përsëri në Sekretariat pjesë nga Statuti Organik i shtetit shqiptar, i miratuar në Vlorë, më 10 prill 1914 nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit dhe i nënshkruar nga përfaqësuesit e gjashtë Fuqive të Mëdha. Depozitoi gjithashtu një memorandum të titulluar Shqipëria përpara Lidhjes së Kombeve, të përgatitur nga delegacioni shqiptar në Gjenevë, të cilit i bashkëlidhej një hartë gjeografike e Shqipërisë. Nëpërmjet tij parashtrohej në trajtën e një platforme të plotë juridike kërkesa dhe çështja shqiptare në tërësinë e vet dhe plotësohej dosja e dokumenteve të kërkuara.
Memorandumi e trajtonte atë në aspektin e sigurimit të njohjes së shtetit dhe të qeverisë së Shqipërisë para lufte, si dhe të statusit të saj juridiko-ndërkombëtar gjatë dhe pas luftës. Aty thuhej se, edhe pse Shqipëria u përfshi në vorbullën e Luftës së Parë Botërore, statusi i saj ndërkombëtar nuk ndryshoi. “Shqipëria nuk ishte shtet i ri i krijuar pas lufte sepse ekzistonte si shtet i pavarur që në 1913”. Shteti shqiptar ishte ai që u njoh më 1913 dhe nuk ishte nevoja për ta njohur ex novo.
Qeveria e tij gjithashtu ishte produkt i një vullneti politik, të sanksionuar juridikisht nga një kuvend kombëtar. Ajo kontrollonte dhe administronte pjesën më të madhe të vendit, megjithë vështirësitë e jashtëzakonshme që i krijoheshin nga fqinjët, të cilët mbanin ende disa territore të pushtuara. Ajo posedonte në përmasa relativisht të mjaftueshme atributet e domosdoshme për t’u konsideruar qeveri e ligjshme e shtetit shqiptar. Ishte njohur de facto madje deri në kufijte e njohjes de jurenga disa prej qeverive të shteteve fqinje.
Në kërkesën për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, që Noli ia kishte dërguar Lidhjes së Kombeve, më 22 nëntor 1920, vinte në dukje se “Qeveria e tanishme e Shqipërisë mban marrëdhënie miqësore me Italinë, e cila e ka njohur atë në fakt duke dërguar në Tiranë një ministër fuqiplotë. Një komision shqiptar i kryesuar nga z. Konica, Ministër i Punëve të Jashtme, ndodhet tani në Romë për të negociuar një marrëveshje përfundimtare me Italinë. Një modus vivendi është lidhur midis qeverisë së tanishme shqiptare dhe qeverisë greke dhe me Jugosllavinë kanë filluar bisedimet për të rregulluar çështjen e kufirit mbi bazën e vendimit të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës të vitit 1913, bazë të cilën Jugosllavia e pranon në parim. Së këtejmi rrjedh se Italia, Jugosllavia dhe Greqia e kanë njohur de facto qeverinë e tanishme shqiptare, ndërsa pavarësia dhe sovraniteti i shtetit shqiptar janë njohur de jure nga Fuqitë e Mëdha si dhe nga shtete ballkanike që më 1914.”
Dosjen shqiptare Këshilli i Lidhjes, ia kaloi Komisionit të Përhershëm Konsultativ për Çështjet Ushtarake, të përbërë nga 3 përfaqësues, ekspertë ushtarakë, detarë dhe ajrorë, i cili shqyrtonte kërkesat e ardhura nga shtete që dëshironin të bëheshin anëtarë të Lidhjes së Kombeve. Ajo u diskutua në mbledhjen e 4 dhjetorit 1920 të komisionit të V-të. Diskutimet zhvilloheshin mbi bazën e raportit të nënkomisionit që ishte ngarkuar të mblidhte të dhëna rreth kandidaturës së Shqipërisë, si dhe të mendimeve të shfaqura nga ana e seksionit juridik të Lidhjes.
Në përfundim, në datën 6 dhjetor, Komisioni përgatiti një raport drejtuar Asamblesë, ku u shpreh se ndodhej në vështirësi për të vendosur lidhur me kërkesën shqiptare për shkak se, sipas tij, shteti shqiptar nuk ishte njohur prej shteteve të tjerë, kishte probleme me kufijtë, qeveria shqiptare nuk ushtronte pushtet efektiv mbi të gjithë territorin e vendit, pjesë të të cilit ndodheshin ende të pushtuara nga shtetet fqinje. Preteksti juridik i referohej nenit 1 të Statutit, i cili thoshte ndër të tjera se “mund të bëhet shtet anëtar i Lidhjes…çdo shtet … që qeverisej lirisht.”
Në Raportin që iu paraqit Komisionit të Përhershëm të pranimeve dominonin qëndrimet e kundërshtarëve të pranimit, të cilat përfaqësoheshin nga delegati francez, Vivian. Në role protogonistësh negativë u paraqitën përfaqësuesit e vendeve fqinjë, të cilët ishin drejtpërsëdrejti të interesuar për të mohuar ekzistencën e shtetit shqiptar. Ata kishin projektuar copëtimin dhe ndarjen e saj. Prandaj kundërshtonin hyrjen në Lidhjen e Kombeve.
Një ndër ta ishte përfaqësuesi i Greqisë, i cili deklaroi se Shqipëria nuk kishte kufij të caktuar në mënyrë përfundimtare. Duke manipuluar abuzivisht me konceptet e së drejtës ndërkombëtare insistonte se Traktati i Londrës, i 26 prillit 1915, kishte vendosur që kufijtë e saj të ndryshoheshin. Sipas tij, ai kishte anuluar vendimet e Konferencës së Ambasadorëve, sepse ishte nënshkruar nga pothuajse të gjitha Fuqitë e Mëdha që kishin miratuar edhe vendimet e Konferencës së Londrës. Ai tha se midis Shqipërisë dhe Greqisë, nuk ishte nënshkruar ndonjë marrëveshje dypalëshe për kufijtë, por ishin bërë vetëm disa rregullime praktike.
Përfaqësuesi i Serbisë, gjithashtu shtet me rivendikime të shumta ndaj Shqipërisë, pretendoi se Shqipëria nuk kishte kufij shtetërorë, nuk kishte një qeveri të njohur ndërkombëtarisht etj. Sipas tij, ajo ishte thjesht “një embrion shteti”, madje “një problem ndërkombëtar” dhe si e tillë nuk duhej pranuar në Lidhjen e Kombeve.
Rol negativ luajti edhe deklarata e përfaqësuesit të Italisë, i cili marrëdhëniet me qeverinë e Tiranës i paraqiste si marrëdhënie fakti dhe jo si marrëdhënie zyrtare. Ai, duke mohuar jo shprehimisht Protokollin e lartpërmendur të 2 gushtit 1920, përfundonte se “Qeveria italiane nuk e kishte njohur qeverinë shqiptare as de jure as de facto”.
Në mbështetje të qëndrimeve antishqiptare të fqinjëve dolën edhe përfaqësuesit e Francës dhe të Britanisë së Madhe. Delegati francez deklaroi se “Fuqitë e Mëdha nuk e kishin përcaktuar ende statusin e Shqipërisë” dhe se pranimi i saj në Lidhjen e Kombeve do të ishte “një sfidë kundrejt Fuqive”. Përfaqësuesi britanik u shpreh se “Shqipëria nuk është njohur nga Fuqitë”, prandaj “as Komisioni i V as Asamblea nuk mund t’iu dalin përpara vendimeve të Fuqive për këtë çështje.”
Nuk ishte e vështirë të kuptohej se rezultati i kërkesës shqiptare ishte paragjykuar negativisht. Prandaj Komisioni i propozoi Asamblesë që kërkesa shqiptare të shtyhej deri sa të sqarohej statusi ndërkombëtar i Shqipërisë.
Anglezët Sesil dhe Rouell përkrah kërkesës shqiptare
Gjatë diskutimeve në nënkomisionin e pranimeve dhe në organe të tjera të Lidhjes u shfaqën edhe pikëpamje të tjera, krejtësisht të kundërta nga ato të përfaqësuesve të shteteve fqinjë, të Francës e Britanisë së Madhe, përsa iu përkiste cilësive të shtetshmërisë së Shqipërisë. Krahas mendimit, le ta quajmë in extremis negativist, ishte evidentuar edhe një qëndrim tjetër, i formuluar dhe mbrojtur fuqimisht nga përfaqësuesit e dominioneve britanike, Afrikës së Jugut dhe Kanadasë, përkatësisht Lordi Robert Sesil (Robert Cecil) dhe Njuton Uesli Rouell (Newton Wesley Rouell), të dy anglezë. Këta personalitete të spikatura në fushën e politikës dhe të doktrinës juridiko-ndërkombëtare bënë një mbrojtje të shkëlqyer për pozitën juridiko-ndërkombëtare të Shqipërisë gjatë Luftës së Parë Botërore dhe në mbarim të saj, duke avancuar argumentime të konsoliduara juridike.
Për përfshirjen e tyre përkrah kërkesës shqiptare thuhet se një rol të veçantë ka luajtur deputeti britanik, Obri Herbert (Aubrey Herbert), një mik i vjetër i Shqipërisë dhe njëkohësisht mbështetës i çështjes shqiptare, i cili kishte krijuar në Londër, në vitin 1913, një komitet pro shqiptar. Noli kishte njohje të hershme me të dhe gjykoi se ishte rasti që të përdorej ndikimi dhe personaliteti i tij në sensibilizimin e opinionit diplomatik ndërkombëtar në favor të pranimit të kërkesës shqiptare. Prandaj i shkroi Herbertit, me lutje që të vinte në Zvicër. Duke e vlerësuar realisht dhe maksimalisht çastin e veçantë historik për të ardhmen e Shqipërisë, ai mbërriti në Gjenevë në mesin e nëntorit, për t’u angazhuar me të gjitha mundësitë për të lobuar me miqtë dhe të njohurit e vet. U përpoq të krijonte bindje në drejtësinë e kërkesës shqiptare së pari te përfaqësuesit e dy prej dominioneve britanike, te miku i tij, Lordi Robert Sesil dhe te Njuton Uesli Rouell, të përmendur më sipër.
Sesil, jurist dhe personalitet i shquar britanik, ishte kryetar i Nën-Komisionit të Dytë për pranimet si dhe Raportues i Posaçëm për Shqipërinë. Gjatë paraqitjes së kërkesës për anëtarësim, bëri një përshkrim të hollësishëm të rastit të saj. Në vijim, në ndërhyrjet e herëpashershme, arsyetoi nga pikëpamja ndërkombëtare efektet juridike të Traktatit të fshehtë të Londrës, 1915, ndaj statusit të Shqipërisë dhe kufijve të saj, të përcaktuar nga vendimet e Konferencës së Londrës. Mbrojtja e tij u dallua jo vetëm për argumentimin e fuqishëm juridik, por edhe për elokuencën, elegancën e paraqitjes, oratorinë dhe begatinë linguistike.
Ai deklaroi se kërkesa e Shqipërisë përbënte një rast të veçantë dhe nuk mund të pajtohej me pretendimin e përfaqësuesit serb, i cili insistonte se lufta e kishte zhdukur shtetin shqiptar që ekzistonte para shpërthimit të saj. Sesil arsyetoi se kur një shtet është njohur ndërkombëtarisht, ai nuk mund të zhduket as nga pushtimi prej ushtrive të huaja, as nga rënia e autoritetit të qeverisë, sa kohë që shtetasit e tij ruanin ndërgjegjen kombëtare dhe aspironin për një ekzistencë të pavarur, siç kishte ndodhur me popullin shqiptar. Nëse do të pranohej e kundërta atëhere edhe shumë shtete të tjerë, që kishin qënë për një kohë të gjatë nën pushtimin e huaj e që tashmë ishin anëtarë të Lidhjes, nuk duhet të ishin pranuar. Shqipëria, tha ai, e kishte fituar njohjen ndërkombëtare qysh përpara lufte. Statusin e saj nuk mund ta ndryshonin as pushtimi i territorit nga forcat ndërluftuese, as edhe traktatet e fshehta gjatë luftës ose projektet e ndryshme që u bënë në kuluaret e Konferencës së Paqes… “Traktatet” mbetën në letër, ato nuk u zbatuan asnjëherë, mbetën vetëm propozime, projekte dhe, pra, nuk e prekën pozitën e Shqipërisë si shtet të njohur ndërkombëtarisht.
Në vijim të arsyetimit të mësipërm, britaniku tjetër, Rouell, duke iu referuar praktikës së lidhjes së traktateve të fshehta për copëtimin e shteteve të vegjël e të pambrojtur, tha se “nuk mund ta quaj të ligjshme dhe të drejtë që një grup çfarëdo shtetesh të vendosin të ndajnë një shtet tjetër, që është pak a shumë i dobët dhe i pambrojtur, për të cilin madje kanë garantuar edhe neutralitetin”.
Deklarimet e Sesilit dhe të Rouellit i dhanë dorë delegacionit shqiptar. Ai pasuroi dhe përforcoi arsyetimet e veta për statusin e Shqipërisë si shtet i pavarur, që ishte përcaktuar nga Konferenca e Ambasadorëve dhe që ishte rimarë abuzivisht në shqyrtim, pa të drejtë dhe pa efekte juridike nga Traktati i Fshehtë i Londrës. Ato kishin rëndësi veçanërisht të madhe përsa i përkiste afirmimit të ekzistencës së saj si shtet i pavarur, si subjekt i së drejtës ndërkombëtare, me status politik e juridik të përcaktuar dhe të njohur ndërkombëtarisht. Prandaj argumentet e tyre u përsëritën edhe nga Fan Noli, i cili dha shpjegime të hollësishme në nënkomision për të gjitha çështjet e ngritura nga përfaqësuesit grekë e serbë, duke përgënjeshtruar si të pavërteta pretendimet e tyre. Ai foli për punën e kryer nga qeveria shqiptare për çështje të tilla si forma e qeverisjes, sistemi i doganave, çështjet e fesë, arsimit dhe përbërjen e popullsisë etj.
Ballafaqimi i qëndrimeve dhe pikëpamjeve divergjente të shfaqura prej tyre tyre mori hera-herës trajtat e një beteje juridiko-ndërkombëtare dhe procedurale.
Viviani kërkoi që vendimi mbi kërkesën e Shqipërisë të shtyhej për më vonë derisa të vendosej statusi ndërkombëtar i saj me anë të një marrëveshjeje tjetër të Fuqive të Mëdha, meqënëse statusi i saj, i përcaktuar më 1913 dhe 1914, nuk mund të kishte më fuqi. Ai u mbështet edhe nga delegati Italian, Pagliano, i cili u shpreh se ishte në favor të propozimit të Vivianit, përderisa nuk e refuzonte pranimin e Shqipërisë, por e linte për më vonë. Më tej, si për t’u shfajësuar, theksoi se Italia nuk e kundërshtonte pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve.
Në vijim të diskutimeve mbi çështjen e anëtarësimit ose jo të Shqipërisë, Tang-Tsaj-Fau, përfaqësues i Kinës, tha se e mirëpriste pranimin e Shqipërisë, por përkrahu propozimin për ta lënë anëtarësimin e saj për më vonë sepse nuk ishte njohur de jure, nuk kishte kufij të përcaktuar dhe një pjesë e tokave të saj mbaheshin të pushtuara nga ushtritë e huaja. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe delegati serb, M. Spalaikoviç, nën arsyetimin se Shqipëria ishte akoma në stadin foshnjor.
Në kundërshtim me pretendimet e kolegëve të tij, veçanërisht Vivianit, Sesili, tha se “propozimi i z. Viviani nuk duhet të jetë plotësisht i pëlqyer. Asamblea nuk mund të pranojë ta lërë vendimin mbi këtë çështje në dorë të një grupi shtetesh… Shqipëria duhet të pranohet në Lidhjen e Kombeve përderisa ka gjithë karakteristikat e nevojshme për të qenë shtet. Dhe ajo ka dhënë prova së është shtet që do të ekzistojë”. Si zgjidhje ai propozoi miratimin e rezolutës së mëposhtme: “…Asamblea, pasi shqyrtoi raportin e Komisionit të V-të për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, deklaron:
1- Se të gjithë kombet, përfshirë edhe Shqipërinë, kanë të drejtë për jetesë kombëtare në qoftë se dëshirojnë.
2- Asamblea është e mendimit se Shqipëria është shtet sipas kërkesave të nenit I, të Statutit dhe është njohur në të gjitha kushtet e tjera të këtij neni.
3- Asamblea vendos të pranojë Shqipërinë si anëtare në Lidhjen e Kombeve”.
Në mbështetje të propozimit të Sesil, Njuton Rouell u shpreh se votonte në favor të pranimit të Shqipërisë sepse, sipas tij, shteti shqiptar ka kufij që janë njohur prej konferencave ndërkombëtare. Traktati i fshehtë i Londrës dhe coptimi i trojeve shqiptare nuk janë fakte që të provojnë se Shqipëria nuk është shtet i pavarur.
Sesili, gjatë debateve në Komisionin e V-të, shtoi se kërkesa e Shqipërisë përbënte një rast të veçantë, ajo duhej të pranohej, sepse ishte një komb i formuar, që kishte vuajtur po aq sa kombe të tjerë të Ballkanit. Por Komisioni, i ndodhur përpara dy projekt-rezolutave, asaj të propozuar nga Sesil dhe një tjetre, të propozuar nga Viviani, miratoi me 13 vota pro dhe 8 kundër, propozimin e Vivianit, për shtyrjen e pranimit të Shqipërisë. Rezultati i votimit dhe përshkrimi i debateve të zhvilluara në Komisioni iu rekomandua Asamblesë.
Shqipëria pranohet në Lidhjen e Kombeve
Asamblea e rimori në shqyrtim kërkesën shqiptare gjatë seancës së 28-të plenare, më 17 dhjetor 1920. Debati u hap nga Sesil, i cili mbrojti sërish pozicionin e tij të mëparshëm, duke pohuar që në nisje të fjalës se “E ndjej veten në një pozitë të vështirë të flas këtu si një raporter dhe natyrisht shpresoj që Asamblea do të gjykojë nga një pikëpamje e ndryshme nga ajo që karakterizoi komisionin. Do të kërkoj që Shqipëria të pranohet në Lidhjen e Kombeve dhe, më jepni leje t’ju jap arsyet që më bënë të arrij në këtë përfundim. Çështja e Shqipërisë u diskutua me kujdes prej komisionit të posaçëm. Komisioni thirri, dëgjoi dhe ripyeti përfaqësuesit e Shqipërisë duke bërë që ata të vërtetojnë deklaratat dhe shpjegimet e tyre mbi këtë çështje. I dëgjuam dhe shpjegimet e përfaqësuesve të Greqisë, dhe arritëm në një zë unanim që Shqipëria ka gjithë karakteristikat e një shteti”.
Ai kundërshtoi tezën se Traktati i fshehtë i Londrës, i 26 prillit 1915, kishte zhveftësuar vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1913 dhe theksoi se rregullimi i ri i çështjes shqiptare, i propozuar gjatë bisedimeve të Fuqive të Mëdha, në prillin e vitit 1915, për rregullimin politik të Europës pas Luftës së Parë Botërore, kishte mbetur një propozim që nuk ishte vënë kurrë në zbatim. Nga pikëpamja juridike, një propozim i bërë nga disa Fuqi nuk mund të abrogonte një traktat të nënshkruar zyrtarisht nga Fuqi të tjera. Kjo do të shkallmonte themelet e të drejtës ndërkombëtare, do të mohonte karakterin e shenjtë të traktateve, ruajtja e të cilit ishte thelbësore për Lidhjen e Kombeve. Shqipëria nuk e kishte humbur kurrë pozitën e saj si shtet dhe se nga pikëpamja juridike, askush nuk ishte i autorizuar të mohonte apo të vinte në dyshim situatën e saj të përcaktuar qartë si një shtet Europian. Ai i bëri thirrje Asamblesë të zbatonte drejtësinë dhe të drejtën për popullin shqiptar.
Pranimi i Shqipërisë, tha në vazhdim, nuk do ta vinte Lidhjen përpara rrezikut të mosrespektimit të nenit 10 të Statutit, i cili stipulonte se: “Anëtarët e Lidhjes angazhohen të respektojnë dhe të mbajnë integritetin territorial dhe pavarësinë politike aktuale të çdo anëtari të Lidhjes, nga çdo agresion nga jashtë. Në rast agresioni, kërcënimi ose rreziku për agresion, Këshilli do të paralajmërojë mjetet e sigurimit të këtij detyrimi.” Nisur nga fakti që ajo kishte si fqinjë Serbinë dhe Greqinë, që ishin anëtarë të Lidhjes dhe jo shtete jashtë ndikimit të saj, pohohej se “territori i saj ndodhet në një pjesë të botës që është vatra e turbullirave për Europën. Asgjë nuk është më thelbësore për paqen europiane se sa një rregullim i çështjes së Ballkanit. Të gjithë ata që e shohin të vërtetën në fytyrë do të bashkohen me këtë mendim. Sa më shumë vonojmë për rregullimin e çështjeve nacionale në Ballkan aq më shumë do të konservoheshin kërcënimet dhe rreziqet për paqen europiane. Le të më lejohet t’i vë në dukje Asamblesë në mënyrën më të ngutshme që ne, që përfaqësojmë instrumentin e madh të paqes, nuk kemi të drejtë të lejojmë një kërcënim të paqes së botës që të zgjatet qoftë edhe një çast më shumë, për sa kohë që kjo nuk do të ishte absolutisht e nevojshme.”
Ai theksoi gjithashtu se Lidhja e Kombeve ka rastin t’i japi një vendi musliman siç është Shqipëria, po atë rëndësi që ka një shtet kristian. Kush njeh historinë e Shqipërisë, njeh forcën dhe fuqinë e saj patriotike. Sepse populli shqiptar, ashtu si dhe mjaft popuj të tjerë e kanë treguar patriotizmin e vet nëpërmjet luftrave për liri dhe ekzistencë. Patriotizmi shqiptar është po aq i fortë sa ai i zviceranëve apo francezëve. Shqiptarët e dëshirojnë me zjarr pavarësinë e tyre dhe këtë e kanë mbrojtur me luftë.
Oratorë të tjerë që morën fjalën më pas, u bashkuan me propozimin e tij. Rowell, në sinkron të plotë me të, u shpreh se “Shqipëria plotëson të gjitha kërkesat e Statutit dhe ne duhet ta pranojmë me plot besim këtë vend në Lidhjen e Kombeve”.
Arsyetimet e tyre, ndryshe nga sa kishte ndodhur më parë, u mbështetën nga delegacionet e Francës, Britanisë së Madhe dhe të Italisë, të cilat, u duk se ndryshuan befasisht qëndrimin e tyre të deriatëhershëm. Përfaqësuesi anglez, Herbert Fisher deklaroi se duhej të duartrokitej pranimi i Shqipërisë, i cili do të ndihmonte në paqëtimin e Ballkanit, kaq shumë të nevojshëm. “Delegacioni ynë, tha ai,- pasi e studjoi edhe një herë gjendjen në Shqipëri pas paraqitjes së raportit ka arritur në të njëjtin konkluzion me Lord Robert Sesil dhe deklarojmë votën tonë pro pranimit të Shqipërisë”.
Francezi Vivian u shpreh se e çmon elokuencën e delegatit britanik Fisher dhe bashkohet me propozimin e Lordit Sesil. Përfaqësuesi italian Schanzer, me të njëjtën gjuhë të modifikuar, tha se Zoti Rowell na kujtoi deklaratat e bëra nga Z. Giolitti, kryetari i qeverisë italiane në kohën e largimit tonë nga Vlora, të cilat kanë qenë të qarta e të thjeshta. Unë, vazhdoi ai, pata nderin dje të shpreh pikëpamjet tona mbi pranimin e shteteve të reja dhe nga kjo pikëpamje, duke u mbështetur në parimet tona të përgjithshme, e them përsëri se Italia dëshiron lirinë, pavarësinë dhe progresin e Shqipërisë. Nisur nga dëshira që ajo të jetë një element paqeje dhe rregulli në gadishullin e Ballkanit, jemi pro pranimit të saj në Lidhjen e Kombeve.
Interesant ishte diskutimi i përfaqësuesit të Indisë, Ali Imam, i cili, shpjegimit të votës pro të vendit të vet, i shtoi një argument specifik. Ai u shpreh se mbështeste raportin e Lordit Sesil edhe sepse Shqipëria përbëhet nga dy besime fetare muslimane dhe të krishtera, ku muslimanët janë në mazhorancë dhe kjo është një ogur i mirë për këtë popull, ku muslimanët dhe të krishterët bashkëjetojnë në harmoni me njëri-tjetrin dhe kjo është një provë e mirë për anëtarësimin në Lidhjen e Kombeve.
Oratorë të tjerë që morën fjalën më pas, u bashkuan me propozimin e tij. Diskutimet do t’i mbyllte përfaqësuesi i Rumanisë, nga fjala e të cilit vlen të përmendet pohimi se “çështja e pranimit të Shqipërisë duhet të meret në konsideratë. Për këto arsye dhe të tjera, të cilat i ekspozoi zoti Cecil, ne jemi të kënaqur të deklarojmë votën e Rumanisë pro anëtarësimit të Shqipërisë”.
Qëndrimi që u mbajt me këtë rast, i gjykuar nga pikëpamja juridiko-ndërkombëtare, pavarësisht interferimit të padyshimtë të faktorëve politikë, ishte i mbështetur dhe i pakontestueshëm. Sepse në vështrimin e përgjithshëm juridik ajo çka ndodhi me Shqipërinë në periudhën e Luftës së Parë Botërore nuk mund të barazohet me shuarjen ose humbjen e cilësisë së saj si shtet.
Doktrina e së drejtës ndërkombëtare priret nga teza që në rast se një entitet humbet njërën nga cilësitë e shtetit, nuk do të thotë se pushon së ekzistuari si i tillë. Mungesa e një qeverie vepruese në një shtet, si rezultat i pushtimit apo ndërhyrjes së një shteti ose një koalicioni shtetesh, nuk do të thotë se ai nuk është më shtet. Pushtimi dhe përvetësimi i një territori me anë të forcës është akt i paligjshëm. Territori i përvetësuar në këtë mënyrë nuk i përket pushtuesit. Si rregull, sipas profesorit të së drejtës ndërkombëtare, Martin Dixon, janë qeveritë dhe jo shtetet ato që mund të pushojnë së ekzistuari si pasojë e përdorimit të paligjshëm të forcës.
Ndërkombëtaristi i shquar, Ian Brownlie, arsyeton se pushtimi ushtarak nuk e prek shtetshmërinë – ex hypothesi pushtuesi nuk e zhvendos dot sovranitetin territorial, megjithëse karakteristikat e shtetshmërisë janë cenuar. Nuk është e drejtë t’i përshkruash qeveritë në mërgim si shtete pa popull apo pa territor, kur zhvendosja e tyre është shkaktuar nga një pushtim ushtarak. Shtetet kukulla, sikurse ishin krijuar Sllovakia dhe Kroacia, si rrjedhim i kërcënimit apo përdorimit të paligjshëm të forcës, përkatësisht më 1939 dhe 1941, ishin njohur nga shumë pak shtete.” Me këtë arsyetim bashkohen edhe autorë të tjerë të së drejtës ndërkombëtare.
Këto procese ose të afërta me to ndodhën në Shqipëri gjatë Luftës së Parë Botërore, 1914-1918, të cilat u përsëritën edhe në Luftën e Dytë Botërore, 1939-1944. Në ato kohë nuk pati një nënshtrim të vullnetshëm të Shqipërisë ndaj sovranitetit të një shteti tjetër apo shkrirje (bashkim personal ose real) të saj në një organizëm tërësisht të ri. Ishte thjeshtë një pushtim faktik i paligjshëm, i justifikuar nën petkun e një akti juridiko-ndërkombëtar gjithashtu të paligjshëm.
Pas mbylljes së diskutimeve në seancën e 28 plenare të 17 dhjetorit 1920, kryetari i Asamblesë, Paul Hyman (Paul Louis Adrien Henri Hymans), hapi votimin për kërkesën e anëtarësimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Rezultoi se 35 shtete votuan pro, 7 abstenuan dhe asnjë nuk votoi kundër. Shqipëria u pranua anëtare e Lidhjes së Kombeve.
Të nesërmen delegacioni shqiptar zuri vendin e vet në sallën e Asamblesë së Lidhjes.
Pranimi i Shqipërisë nga Asamblea ishte i papritur, sepse nuk kishin kaluar as dy javë nga votimi i parë në Komision, ku kërkesa shqiptare u rrëzua. Tashmë qëndrimi kishte evoluar tërësisht. Ky ndryshim i menjëhershëm i rezultatit, shpjegohet veç të tjerash edhe me interesat rivale ndërmjet Fuqive të Mëdha. Ndër ato që i dolën krah kërkesës shqiptare dalloheshin Italia, e cila, pasi dështoi në zbatimin e Traktatit të fshehtë të Londrës, prill 1915, gjykoi të ofronte përkrahje për rimëkëmëbjen e Shqipërisë, sepse e shihte si sferën e ardhshme të influencës së saj në brigjet detare përballë dhe si kryeurën e depërtimit eventual në brendësi të gadishullit ballkanik. Britania e Madhe, kishte nuhatur erën e naftës dhe gazit që sapo ishin zbuluar në territorin e shtetit shqiptar të asaj kohe. Ajo parandjente avantazhet e shfrytëzimit të mundshëm të tyre si dhe të pasurive të tjera minerale shqiptare. Nuk u shfaq vetë në skenë, por veproi nëpërmjet përfaqësuesve të dy prej dominioneve të saj, Afrikës së Jugut dhe Kanadasë, duke i vënë në rolin e protagonistëve në mbrojtje të kandidaturës shqiptare.
Ndryshimi i menjëhershëm i rezultatit është shpjeguar veç të tjerash edhe me interesat rivale ndërmjet Fuqive të Mëdha, me kompromiset e tyre të realizuara ngandonjëherë në “minutën e fundit”- last minute compromise.
Por, do të ishte padrejtësi, nëse do të mohohej motivi idealist, aftësitë e admirueshme, kompetenca e jashtëzakonshme profesionale juridike dhe sidomos përkushtimi i mrekullueshëm i Lordit Robert Sesil dhe kolegut të tij Njuton Roell, në përkrahje të kërkesës shqiptare, të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Për të dy, por veçanërisht për Lordin Sesil, si një prej figurave më të rëndësishme të kohës dhe fitues i çmimit Nobel për Paqe, homazhi dhe respekti i shqiptarëve duhet të jenë të pakufishme.
Pranimi në Lidhjen e Kombeve hap me rëndësi për afirmimin ndërkombëtar
Anëtarësimin në Lidhjen e Kombeve, Shqipëria, ashtu si shumë shtete të tjerë me përmasat dhe pozitat e saj, e konsideronte avantazh në rrugën e afirmimit si shtet i pavarur. Ishte kjo arsyeja që përpjekjet për hyrjen në Lidhjen e Kombeve u shndërruan në një nga aksionet më të rëndësishme të politikës së jashtme shqiptare të asaj kohe.
Pranimi pati rëndësi të madhe sepse i shërbeu forcimit të pozitave ndërkombëtare të shtetit shqiptar përballë synimeve të shteteve fqinjë. Ai u prit me entusiazëm të veçantë nga shqiptarët, qeveria e tyre si dhe nga delegacioni i saj në Gjenevë.
Të nesërmen e pranimit, më 18 dhjetor 1920, F. Noli mbajti një fjalim, në seancën plenare të Lidhjes, ku, përmes emocioneve të fuqishme, me një gjuhë dhe stil të admirueshëm diplomatik dhe me një anglishte perfekte, tha ndër të tjera: “Një herë, Edmund Burke thirri në Dhomën e Komunëve: Ej, koha e kalorësisë kaloi! Kur këtu dje Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve u binda se Burke e kishte gabim. U çudita kur dje pashë përkrahës nga të katër anët e botës që u ngritën në këmbë, në mbrojtje të asaj fëmije të braktisur e të persekutuar të Evropës, përkrahës nga Afrika e Amerika, nga Azia dhe Evropa, kur pashë fqinjët tanë, si të gjithë fqinjët evropianë, që bujarisht votuan në favorin tonë, ndërsa m’u mbushën sytë me lotë. Ne ishim të dënuar të luftonim e të vuanim në heshtje, po kurrë nuk e humbëm guximin, ne shpresonim për një ditë më të mirë. Dhe tani, po shoh se si kanë ndryshuar punët e njerëzit… Unë gëzohem për këtë sepse, sipas mendimit tim, pranimi ynë e nderoi shumë Lidhjen… Unë ju falenderoj të gjithëve për mirësinë tuaj.”
Në vijim, duke respektuar me skrupulozitet parimet e protokollit diplomatik, përshëndeti dhe i shprehu falenderime Lordit Robert Sesil, emri i të cilit, siç u shpreh ai, do të mbetej i paharruar në zemrat e të gjithë shqiptarëve, Rowell-it, që mbështeti me argumente çështjen shqiptare, si dhe delegatët e vendeve të tjerë, të cilët punuan me durim për të përgatitur këtë fitore.
Atij nuk i ka shpëtuar pothuajse asnjë hollësi nga respektimi i etikës diplomatike të trajtimit të këtij momenti delikat dhe të rëndësishëm për historinë e Shqipërisë. Noli nuk i kurseu vlerësimet dhe nuk u kufizua në fjalët e përdorura, si ndaj fuqive të mëdha ashtu edhe ndaj fqinjëve, edhe pse ishte i ndërgjegjshëm se komplimentet që drejtonte nuk ishin gjithmonë të merituara. U shpreh p.sh. se kjo arritje do të kishte qenë e pamundur, sikur të mos ishin delegatët anglezë dhe francezë që përkrahën mocionin e Lordit Sesil. Iu drejtua me mirënjohje Italisë, fqinjës së përtej detit, ndihma e së cilës u sigurua “me ardhjen në fuqi të të shkëlqyeshmit burrë shteti, z. Giolitti”. Po ashtu, sjellja e Greqisë dhe Serbisë preku popullin shqiptar.
Fjala e Nolit u ndërpre disa herë nga duartrokitje të zgjatura.
Është me interes telegrami që Fan S.Noli dhe Pandeli Cale ua dërgonin kolegëve të tyre, menjëherë pas marrjes së njoftimit mbi rezultatin e votimit në Asamblenë e Lidhjes, më 17 dhjetor 1920. Ata shkruanin: “Jemi të lumtur, t’ju lajmërojmë, se sot, e premte, më 17 dhjetor, n’ orën 11.30 Shqipëria u pranue me vota t’unijshme si mis i Lidhjes së Kombeve.”
Më 20 nëntor 1920, informoi telegrafisht kryeministrin Pandeli Evangjelin për zhvillimet gjatë diskutimit të anëtarësimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Edhe pse përshkrimi jepet shkurt Noli nuk ka lënë asnjë aspekt të veprimtarisë së kryer prej tij dhe delegacionit shqiptar në Gjenevë për të siguruar anëtarësimin në Lidhjen e Kombeve. Ai ka vlerësuar gjithashtu edhe kontributet e politikanëve dhe personaliteteve të huaja, duke përmendur posaçërisht ata që kishin më shumë merita. Diplomatët dhe politikanët, si rregull, nuk shprehen e nuk angazhohen á titre personel, por në emër të shteteve që përfaqësojnë, prandaj Noli i bënte me dije qeverisë së vet qëndrimet e shteteve anëtare të Lidhjes së Kombeve. Njoftimi i tij ka vlerën e një dokumenti autentik, të prodhuar në të njëjtën kohë me zhvillimin e ngjarjeve që përshkruan ose analizon. Si një historik sintetik i pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, në vijim citohet in extenso, pa vënë dorë mbi formulimin e tij. Në të thuhet: “Qasja e Shqipërisë u vu në urdhrin e ditës në mbledhjen e Ligës, pasi shkeli këmbë Lord Robert Cecil-i, e disa delegatë deshën t’a hithnin në shporta kërkimin tonë, nga shkaku që kish arrirë në sekretariat pas 15-ës së tetorit. Inglia është indiferente dhe Italia krejt e ftohtë. Franca u ngroh dhe nënqesh që kur ra Venizelosi.
Një zyrtar i lartë i sekretariatit dhe mik intim dhe i besuar i Clemencau-it na e bëri punën fusha dhe na tha që nga të dy ndalimet për hyrjen e Shqipërisë në Ligë, Greqia u eleminua krejt dhe Jugosllavia nofta do të mos kundërshtonjë shumë. Senatori Hafa Saine, delegat i Belgjikës, të cilin e njoh që nga Amerika, më tha me një siguri e cila uronj të jetë aqë e bazuar sa e kujton edhe aij, që Finlanda dhe Shqipëria do të qasen pa shumë bisedime. Iu luta të m’a përsëdytë, se kisha frikë mos na gënjyen rresht. M’a përsëdyti. Svicra na sheh me sy të mirë, profesor Pitard-i dhe Du Bochet-i, redaktor në Journal de Geneve, punoi midis delegatëve helvetianë; presidenti Motta ish i pari që na ktheu kart-vizitën; këto ditë do t’a shohim. Spanja dhe republikat latino-amerikane na simpathizojnë. Edhe gjë e papritur, Japonia na bën me sy! Nga këto të gjitha ndonëse jam shumë pesimist, ju telegrafova fjalët “success probable”, të cilat ju lutem të m’i interpretoni kështu:
“Munt t’i teket Safit të na gëzonjë me një shaka të pëlqyer!”. Nga ana jonë ja tani ca gjëra pozitive: Puna e …(nuk lexohet) do të bisedohet prej një komisioni nënë z. Robert Cecil-in, i cili ësht i disponuar mirë pa neve; si të bënjë raportin ky komision përpara mbledhjes së ligës në favor a kundër, Senator Lafontaine i Belgjikës, do të marrë anën tonë me një fjalë mi Shqipërinë, që do t’a gatitin bashkë, pas këtë do të vërtitet Sir Said Ali Imami i Indisë, të cilin do t’u mpreh nesër për të mprojtur din-kardashit ilirian; këtyre le t’u mbajë bason një katolik i nxehtë i Spanjës, i Chilisë, i Argjentinës, a që të tre bashkë; pa sikur të marrë pjesë në këtë tavatur Bar Hayashi i Japonisë, të cilin do t’a shoh nesër të paktën Phya Buri Tavarasthi i Siamit (në origjinal është shkruar, ndoshta gabimisht Sram), koncerti do të bëhet aq i shijëshmë sa do shkruaj i kënaqur nga Geneva, edhe skur të mos na qasin, se fundi i fundit u mësuam të trokasim në dyer të shurdhra. Sikundër shikoni, nga lajmet që ju dhamë me telegrame dhe me këtë letër, s’ka dyshim që nisa dhe unë t’a prish zakonin e shenjtë të Shqipërisë, dhe kjo më kujton fjalën e njohur: “Kur ke miq mëkatarë, është gjithnjë rrezik të kapësh sëmundjen e tyre”. Për fat të mirë kam aqë pak kohë për të vënë prapë në katin e letër-shkrimit, sa do t’ju lutem këndojeni këtu e tutje me telegrame të cilat do mos jua kursenj, posa të kem një lajm me rëndësi.”
Historiku i anëtarësimit do të plotësohej edhe me përshkrimin e përpjekjeve të anëtarëve të delegacionit shqiptar në Gjenevë e jashtë saj, çka del nga një tjetër telegram që ia drejtonte disa ditë më vonë kolegut dhe mikut të vet, Hilë Mosit, të cilit i shprehte mirënjohjen për kontributin dhe bashkëpunimin e treguar. Teksti i plotë është si vijon: “I dashur shok, Në kohën e fitimit, unë kujtoj gjithmonë shokët e mi, shokët e luftës, të cilët kanë marrë pjesë me të gjithë fuqinë e tyre. Ju kini luftuar me mua ndër do rasa të vështira pa u thyer prej lodhjeve të cilat do të kishin rrëzuar të tjerë njerëz më pak të fortë se ju. Të jini siguruem se ju i kini fituem meritat e atdheut i cili do të jetë mirënjohës për fitimin e bamum në emën të tij, e për të cilin një pjesë e gjanë ju takon edhe juve. Unë po ju bekoj me gjithë zemrën time dhe po ju falënderoj për bashkëveprimin në kohë të misionit historik. Unë ju uroj këshëndellat t’i sjellin paqen vendit tonë dhe fatbardhësinë juve dhe familjes suej. Shumë miqësisht Fan Noli, Gjenevë 23 dhjetor 1920.”
Misioni shqiptar në Gjenevë
Pas pranimit në Lidhjen e Kombeve në dhjetorin e 1920, Shqipëria akreditoi pa humbur kohë misionin e vet të përhershëm. Fan Noli edhe pse nuk kishin mbërritur ende anëtarët e tjerë nga Parisi, njoftoi Sekretariatin e Lidhjes së Kombeve se selia e tij ishte vendosur në Hotel “Monopole”, në Gjenevë. Më vonë misioni shqiptar do të zhvendosej suksesivisht në hotelet “Metropole”, “Excelsior” etj. Statusin e përfaqësisë së përhershme në kuptimin e mirëfilltë të fjalës do ta merrte në vitin 1921. Do vazhdonte ekzistencën si e tillë deri në 1925, kur u vendos mbyllja, duke e realizuar përfaqësimin nga Tirana.
Ambasadori dhe përfaqësuesi i parë i përhershëm i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve ishte Fan Noli, personalitet i shquar poliedrik, veprimtar i madh në dobi të çështjes shqiptare, statist, politikan, diplomat, shkrimtar, studiues, përkthyes etj.
Në vitet 1926-1929 dhe pas vitit 1935, këtë post e mori Mehdi Frashëri, politikan, jurist dhe intelektual me emër. Misioni u rihap në vitin 1930, pas miratimit në vitin 1929 të Ligjit organik të MPJ. Për arsye ekonomike, titullari i tij, përfaqësuesi i përhershëm i Shqipërisë pranë Lidhjes së Kombeve, do të vazhdonte të qëndronte në Tiranë dhe do të shkonte në Gjenevë sa herë të shfaqej nevoja. Me kalimin e kohës ligji u ndryshua me qëllim që t’iu përshtatej më mirë zhvillimeve dhe politikës së jashtme të vendit. Një ndër amendimet që iu bë ishte përcaktimi në ligj i mbajtjes së një përfaqësie të përhershme shqiptare pranë Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, në vend të dërgatave të posaçme. Arsyetimi që justifikoi këtë ndryshim ishte se kështu do të sigurohej një kontakt i përhershëm i mbretërisë me qarqet ndërkombëtare të politikës dhe do të ishte një zgjidhje më e mirë ekonomike. Përfaqësues i përhershëm i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në vitet 1930-1935 ishte Lec Kurti, diplomat kariere me kontribute të rëndësishme, ish ambasador në Londër etj. Në vitin 1936 në qytetin e Gjenevës u hap konsullata shqiptare, drejtuesi i së cilës në vitet ’30 të shekullit të kaluar ishte Vasfi Xhomo, që kryente edhe detyrën e sekretarit të Përfaqësisë së Përhershme të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Prej vitit 1935, në qytetin e Bernës, Shqipëria kishte hapur një konsullatë nderi.
Në janar të vitit 1936, në strukturën e MPJ-së u shtua Drejtoria për Lidhjen e Kombeve, e cila konsiderohej si organizata më e rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave ndërkombëtare të shqiptarëve në ato vite. Ajo do të merrej edhe me problemet e diasporës shqiptare jashtë vendit, si dhe do të përpunonte dhe administronte statistikat mbi numrin dhe gjendjen e tyre. Drejtori i saj ishte Hamdi Karazi. Veprimtaria e saj zgjati deri në prillin e vitit 1939, kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste.
Disa javë më vonë Misioni shqiptar në Lidhjen e Kombeve do ta përfundonte veprimtarinë e vet dhe do të mbyllej zyrtarisht me kërkesën formale të kryeministrit kuisling, Shefqet Vërlaci. I vënë në shërbim të pushtuesve fashistë, ai niste drejt Gjenevës lajmin se shteti shqiptar kishte vendosur të dilte nga Lidhja e Kombeve, duke zhbërë dhe hedhur poshtë përpjekjet e jashtëzakonshme, përkushtimin dhe idealizmin patriotik të delegacionit shqiptar gjatë vitit 1920, për pranimin e Shqipërisë në atë organizatë, si dhe kontributet e disa dhjetra diplomatëve të akredituar në mision ose të aktivizuar në delegacionet që dërgoheshin në punimet e Lidhjes dhe organizatave të tjera me seli në Gjenevë gjatë gati 20 vjetëve. Me veprimin e tij antikombëtar ai ekzekutonte një ndër synimet e Italisë fashiste për likuidimin e pavarësisë dhe sovranitetit shqiptar, për shndërrimin e Shqipërisë në rajon të Italisë, në një quinta sponta të saj në Adriatik dhe në detin Jon.
Pushtimi i Shqipërisë dhe Lidhja e Kombeve
Shqipëria, duke iu besuar sloganeve mbi të cilat u ngrit organizata, shpresonte se do të ndjente nga afër përkrahjen dhe mbrojtjen e saj. E ndodhur në situata të vështira në raportet me fqinjët, ajo pati rastin t’i drejtohej disa herë Lidhjes së Kombeve për t’i kërkuar ndërmjetësim, ndihmë ose shpëtim. Përgjithësisht qendrimi që u mbajt ndaj saj ishte pothuajse inert, megjithëse në ndonjë rast gjeti mirëkuptimin relativ të organeve të Lidhjes dhe mori njëfarë sadisfaksioni për kërkesat e veta. Ajo do të pësonte zhgënjimin e plotë me pozicionin krejtësisht inaktiv që Lidhja mbajti në kohën e agresionit të armatosur ushtarak të Italisë fashiste ndaj Shqipërisë. Anëtarësia në organizatën e Gjenevës nuk e shpëtoi dot Shqipërinë nga pushtimi. Ai ishte përgatitur gradualisht gjatë viteve 20’-30’ të shekullit të kaluar nga autoritetet fashiste italiane dhe nga politika tolerante e qeverive shqiptare të asaj kohe. Më 7 prill 1939 Italia fashiste realizoi aneksimin e plotë të vendit, me vendosjen e ushtrive të veta, së bashku me autoritetet drejtuese dhe instaloi në vend një qeveri kuislinge si alibi të një të ashtuquajturi bashkim personal ose real, italo-shqiptar.
Qendrimin e vet pothuajse shpërfillës ndaj Shqipërisë Lidhja e Kombeve e kishte nisur herët. Shqipëria si anëtare formalisht gëzonte të drejtën e një lloj proteksioni nga e saj. Mirëpo, Konferenca e Ambasadorëve, organ i Konferencës së Paqes së Parisit, sanksionoi për Shqipërinë një status hybrid. Me vendimet e 9 nëntorit 1921 riafirmoi pavarësinë e saj, por e hipotekoi atë duke e vendosur praktikisht nën protektoratin e Italisë, pa marrë parasysh se ajo ishte pranuar në Lidhjen e Kombeve si shtet sovran. Shqipëria e ndodhur në hapat e para të ringritjes së shtetit pas Luftës, si dhe e atakuar fuqimisht në mënyrë të vazhdueshme nga fqinjët e veriut dhe të jugut, duket se nuk e vlerësoi sa duhej rrezikun real të vendimit të lartpërmendur. Gjithëçka do të zbulohej në qershorin e vitit 1926, kur Musolini i kërkoi qeverisë shqiptare haptas që të nënshkruante një marrëveshje për pranimin formal të protektoratit.
Ministri i ShBA në Tiranë, në njoftimin dërguar Departamentit të Shtetit për këtë ngjarje, tregon se qeveria shqiptare, për të fituar kohë, thirri ministrin britanik, amerikan, francez dhe jugosllav, duke i informuar se kishte vetëm 24 orë afat përpara se të vinte nënshkrimin. Ministri britanik, duke i keqkuptuar instruksionet e tij, protestoi kundër këtij demarshi dhe për fatin e tij të keq u qortua nga Austin Chamberlain, ministri i Punëve të Jashtme.
Titullari i përfaqësisë amerikane në Tiranë, pasi mësoi për kërkesën italiane, i raportoi qendrës së vet në Uashington. Reagimi nga përtej oqeanit ishte i vagët, për të mos thënë asgjë. Shkaku kishte të bënte me faktin se në mbarim të Luftës së Parë Botërore, qeveria amerikane ndjehej e bllokuar për ndërmarrje veprimesh sepse Senati kishte adoptuar të ashtuquajturën politikë izolacioniste, për çka Amerika qëndroi edhe jashtë Lidhjes së Kombeve. Për këtë arsye Presidenti Ruzvelt e ndjeu veten të pafuqishëm për të reaguar që në kohën kur Musolini pushtoi Etiopinë.
Jugosllavia dhe Franca gjithashtu nuk bënë asnjë veprim dhe Shqipëria, e mbetur pa përkrahje nga jashtë, iu dorëzua Italisë nëpërmjet një traktati që u nënshkrua në nëntor të 1926-s, i cili përgatiti udhën e invazionit italian 13 vjet më vonë. Lidhja e Kombeve e cila, sipas Statutit kishte marrë përsipër të “garantonte” sovranitetin e shteteve anëtare, nuk ndërmori asnjë veprim. Jo vetëm nuk e shqyrtoi pushtimin italian, cenimin e sovranitetit dhe të pavarësisë së shtetit shqiptar, por asnjë nga anëtarët e saj, nuk reagoi zyrtarisht.
Për motive objektiviteti dhe për besnikëri ndaj të vërtetës historike, duhet pohuar se në planin diplomatik nga qeveria që braktisi vendin, pati një përpjekje formale për të kundërshtuar pushtimin Italian. Është fjala për dy ndërhyrje që përfaqësia shqiptare në Paris, ndërmori në organet drejtuese të Lidhjes së Kombeve në muajt prill dhe maj 1939. Në arkivin e Lidhjes gjënden dy kërkesa, që mbajnë datat 8 dhe 9 prill 1939, dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes, Jozef Avenol (Joseph Avenol), nga përfaqësuesi shqiptar në Paris, Mehmet Abid. Duke iu referuar neneve 10, 11 dhe 17 të Statutit, ai i kërkonte Këshillit dënimin e Italisë për dhunimin e pavarësisë së Shqipërisë, si anëtare me të drejta të plota e Lidhjes.
Aty thuhej ndër të tjera se “… pas marrjes së instruksioneve nga qeveria ime, para agresionit të turpshëm të bërë nga Italia fashiste kundër vendit tim, kam nderin të kërkoj një mbledhje të menjëhershme të Këshillit të Lidhjes së Kombeve, që të vendosë për ndihmën që i duhet dhënë Shqipërisë për ruajtjen e pavarësisë dhe të integritetit të saj territorial. Rrethanat e këtij atentati të poshtër dhe njëkohësisht kundër të gjitha rregullave të Drejtësisë dhe Humanitetit, kërkojnë që Këshilli të tubohet e të shqyrtojë sa më shpejt këtë çështje dhe të vendosë me përpikmëri e rreptësi, mbështetur në nenin 10 dhe të shoqëruar nga nenet 11 dhe 17 të Statutit të Lidhjes së Kombeve…”.
Avenoli, i akuzuar shpesh si simbol i krahut reaksionar në Lidhje që kishte sabotuar qëllimisht veprimtaritë e saj, nën një pretekst formal, u përgjigj se nuk mund ta vlerësonte kërkesën në përputhje me statutin e Lidhjes, meqenëse ajo nuk kishte ardhur nga qeveria shqiptare dhe as prej përfaqësuesit të saj të akredituar në Lidhjen e Kombeve, në Gjenevë. Prandaj pasi e lexoi letrën e Zogut para Këshillit të Lidhjes, deklaroi se nuk kishte asnjë kompetencë tjetër përveç leximit të saj.
Më 13 maj 1939, mbërriti në Pallatin e Kombeve një tjetër letër, e dërguar nga vetë Zogu, (mbante datën 9 prill 1939). Nëpërmjet saj i kërkohej Lidhjes plotësimi i detyrimeve që buronin nga Statuti dhe marrja e masave përkatëse për rivendosjen e pavarësisë dhe sovranitetit të Shqipërisë. Aty thuhej se “Konferenca e Londrës më 1912-1913 dhe më pas Konferenca e Ambasadorëve në Paris më 1921, ia kanë njohur pavarësinë Shqipërisë. Shqipëria, zyrtarisht hyri dhe u bë anëtare e Lidhjes së Kombeve, dhe kufijtë e saj u caktuan përfundimisht. Prej asaj kohe, pra që prej 18 vjetësh, Shqipëria kishte marrëdhënie korrekte e të përzemërta me të gjitha shtetet, veçanërisht me fqinjët, duke u afirmuar si faktor i vërtetë paqeje në Ballkan. Me qëllime të mira dhe si një shtet i pavarur, Shqipëria ka nënshkruar një Traktat të Aleancës Mbrojtëse me Italinë. Mbështetur në nenin 18 të (Statutit të) Lidhjes, ky traktat u regjistrua në Lidhjen e Kombeve.
Por papritur, Italia në kundërshtim me këtë traktat dhe në kundërshtim me të gjitha normat administrative të marrëdhënieve ndërkombëtare, veçanërisht me Paktin e Lidhjes së Kombeve dhe me Paktin Briand-Kellog, pa kurrfarë provokimi të Shqipërisë së pavarur, cënoi dhe pushtoi ushtarakisht territorin shqiptar më 6 prill me cënimin e hapësirës ajorore dhe, më 7 prill, nëpërmjet bombardimit të porteve dhe qyteteve të pambrojtura dhe, më në fund, me zbarkimin e trupave në bregdetin shqiptar. Armata shqiptare përkundër faktit se është e reduktuar në numër, formacione, armatime e municione, kundërshtoi dhe i rezistoi pushtuesit, siç bëjnë të gjitha shtetet e lira për të ruajtur pavarësinë e tyre… Duke protestuar fuqimisht e zyrtarisht kundër dhunës së Italisë dhe kundër humbjes së pavarësisë së Shqipërisë, që është anëtare e Lidhjes së Kombeve, lus Shkëlqesinë Tuaj që këtë çeshtje t’ua bëjë me dije anëtarëve të Lidhjes së Kombeve, duke kërkuar që akti i kryer me gjak dhe me hekur nga Italia, të mos njihet, e të merren masat e duhura për t’i rikthyer popullit shqiptar të drejtat e mëparshme.”
Kështu shkruante Zogu që, ndryshe nga sa ishte zotuar se do të vishte opingat dhe do të dilte në mal për të mbrojtur vendin, ia kishte mbathur dhe priste që Shqipërinë t’ia çlironte dhe t’ia kthente Lidhja e Kombeve. I vetquajturi “mbret i shqiptarëve”, së bashku me familjen dhe disa “oborrtarë”, siç thotë Gwen Robyns në Geraldina e shqiptarëve, Biografi e autorizuar,pas një inkursioni turistik disamujor në Greqi, Turqi, Rumani, Poloni, Lituani, Letoni, Estoni, Suedi, Belgjikë, në fillim të gushtit 1939, u vendos në Versajë të Francës.
Kundër pushtimit fashist italian të Shqipërisë reagoi edhe përfaqësuesi i parë i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, Fan Noli. Ai iu drejtua me telegram proteste sekretarit të përgjithshëm të Lidhjes, si dhe “Të mëdhenjve” të asaj kohe. Gazeta Le Temps ka botuar, në numrin e të martës së 11 prillit 1939, një shkrim me titullin “Një protestë nga Imzot Fan Noli, ish-kreu i shtetit shqiptar”, ku flitet për telegramet e Fan Nolit dërguar në ato kohë udhëheqësve më të lartë botërorë, kundër pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Në gazetë shkruhet: “Peshkopi shqiptar Fan Noli, i cili më parë ishte president i Republikës së Shqipërisë (në fakt posti më i lartë që ai ka patur në hierarkinë shtetërore në Shqipëri ishte ai i kryeministrit, shënimi i autorit), aktualisht është udhëheqësi shpirtëror i rreth 30.000 shqiptarëve ortodoksë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, u dërgoi të dielën z. Roosevelt (presidentit amerikan), z. Daladier (kryeministrit francez), z. Chamberlain (kryeministrit britanik) dhe z. Avenol, sekretarit të përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, një telegram proteste kundër aksionit ushtarak italian në Shqipëri.”
Ndërkohë, siç u përmend pak më sipër, më 13 prill 1939, ishte regjistruar në Sekretariatin e Lidhjes një telegram i nënshkruar nga kryeministri kuisling, Shefqet Vërlaci. Ishte një tjetër demarsh i ndërmarrë pranë Lidhjes së Kombeve, formalisht sërish nga Shqipëria, por në sens krejt të kundërt. Italia, që sapo e kishte pushtuar ushtarakisht Shqipërinë, me justifikime të paqëndrushme juridiko-ndërkombëtare, kërkonte ta mbulonte aktin e saj, nën petkun e të ashtuquajturve “bashkim personal” ose “bashkim real” italo-shqiptar. Me synimin për ta paraqitur si një veprim të kryer me dëshirën dhe vullnetin e vet Shqipërisë, u përkujdes edhe për anën formalo-juridike. Ndërmorri një varg masash duke miratuar disa akte nga “autoritetet” kuislinge shqiptare, të instaluara prej saj në Tiranë dhe nga autoritetet italiane në Romë, me qëllim që ta “argumentonte” vullnetin e Shqipërisë për “bashkim”.
Një ndër to ishte unifikimi i organeve kryesore qendrore dhe monopolizimi i funksioneve dhe kompetencave të tyre nga pushtuesi. Në këtë optikë duhet parë likuidimi i sovranitetit dhe subjektivitetit juridiko-ndërkombëtar të shtetit shqiptar, i konkretizuar në një varg veprimesh. Pas gati dy muajsh nga pushtimi ushtarak, u vendos suprimimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe unifikimi shërbimit diplomatik e konsullor të të dy vendeve.
Më 3 qershor, në Romë, Galeazo Çiano, ministri i jashtëm italian dhe Xhemil Dino, i ashtuquajturi ministri i jashtëm i qeverisë fantomatike shqiptare, nënshkruan një marrëveshje, sipas së cilës zhvillimi i marrëdhënieve ndërkombëtare të Italisë dhe Shqipërisë kalonte në kompetencën e Ministrisë së Punëve të Jashtme italiane. Kjo e fundit “pranonte të merrte përsipër” edhe administrimin, emërimin, transferimin, shkarkimin e personelit diplomatik e konsullor shqiptar. Marrëveshja sanksiononte realizimin e pothuajse gjithë formaliteteve të zhdukjes së sovranitetit të shtetit shqiptar, çka e ngazëlleu Çianon që të shënonte në Ditarin e tij se “…u zgjidh problemi i unifikimit të shërbimeve diplomatike shqiptare me ato italiane. Mjaftuan disa dekorime e ndonjë post për kryerjen e operacionit të tredhjes së Shqipërisë pa e bërë pacientin të bërtasë. Tashmë aneksimi praktikisht është realizuar”.
Përmbajtja e marrëveshjes së mësipërme iu njoftua përfaqësive diplomatike e konsullore në Tiranë, duke iu bërë të ditur se nuk do të gëzonin më privilegjet dhe imunitetet diplomatike. Ato ditë përfaqësuesi i ShBA, Hugh Grant, i shkruante Departamentit të Shtetit në Uashington se “nuk ka më asnjë shenjë të pavarësisë e të sovranitetit shqiptar. Qeveria shqiptare është thjeshtë një mashtrim”. Ai mori porosinë që të njoftonte autoritetet në Tiranë për mbylljen e legatës dhe largimin e tij nga Shqipëria. Ndërkohë, ministria e jashtme italiane njoftoi ambasadat dhe legatat italiane se tani e tutje në vendet ku ishin të akredituara do të përfaqësonin edhe interesat shqiptare. Ato do të merrnin në dorëzim ambientet, pajisjet dhe arkivat e legatave dhe konsullatave shqiptare në shtetet e tjerë.
Për t’i pasur “duart e lira” dhe për t’iu shmangur trajtimit ndërkombëtar të pushtimit u vendos gjithashtu edhe dalja nga organizatat ndërkombëtare, posaçërisht nga Lidhja e Kombeve. Pushtuesi u kujdes deri në detaje për ta maskuar këtë manovër. Nuk e ndërmori vetë aktin e njoftimit formal të daljes së Shqipërisë nga Lidhja, me sa duket sepse e kishte braktisur një vit e ca më parë, por ua diktoi kolaboracionistëve të vet në Tiranë. Në këto rrethana, Shefqet Vërlaci, me urdhër dhe tekst të formuluar nga autoritetet pushtuese të fashizmit italian, njoftonte Sekretariatin e saj se “Qeveria shqiptare, mbështetur në Asamblenë Kushtetuese, ka vendosur që shteti shqiptar të dalë nga Lidhja e Kombeve”, dhe “kërkonte miratimin e pranimit të kësaj kërkese”. Më 14 prill, Avenoli iu përgjigj Vërlacit se “… nuk është kompetent për të marrë vendim për pranimin e lënies së anëtarësisë së Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve”, por do të vinte në dijeni të gjithë anëtarët e Lidhjes për kërkesën e qeverisë shqiptare. Ky veprim i ndërmarrë nga “autoritetet” kuislinge shqiptare përbën një ndër rastet e pakta të daljes së shteteve nga anëtarësia në organizatat ndërkombëtare.
E para që e kishte lënë Lidhjen e Kombeve ishte Japonia kur u akuzua për “krizën e Mançurisë”, shteti tjetër që doli ishte Paraguai kur Asamblea e Lidhjes nuk e toleroi në kohën e konfliktit me Bolivinë, Italia që doli më11 dhjetor 1937, sepse u ndëshkua me sanksione formale nga Lidhja e Kombeve, shteti tjetër do të ishte Bashkimi Sovjetik, i cili nuk doli, por u përjashtua, kur pushtoi Finlandën. Pikërisht kësaj liste iu shtua Shqipëria e 1939, e pushtuar dhe e urdhëruar nga Italia fashiste, e cila dëshironte që në aventurën e saj aneksioniste, të ndjehej krejtësisht e çliruar nga çdo tentativë për ndonjë ndërhyrje ose për shqyrtim formal të likuidimit të pavarësisë së një shteti sovran.
Pas një muaji e gjysmë, më 22 maj 1939, në sesionin e 105 të Këshillit, Lidhja e Kombeve, që, siç rezultoi, po përjetonte “çastet e fundit” të ekzistencës së vet, “gjeti kohë” që të merrte në shqyrtim pushtimin e Shqipërisë. Sesioni i Këshillit kryesohej nga delegati sovjetik Maiski. Merrnin pjesë përfaqësuesit e Belgjikës, Bolivisë, Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, Kinës, Republikës Domenikane, Francës, Greqisë, Iranit, Letonisë, Zelandës së Re, Perusë, Suedisë dhe Jugosllavisë. Në kuadrin e pikës së dytë të rendit të ditës, që kishte të bënte me kërkesën e Shqipërisë për dalje nga Lidhja, nga 15 anëtarët e Këshillit, diskutuan Maiski i Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, Xhordani i Zelandës Re, Halifaksi i Britanisë dhe Irlandës Veriut, Boné i Francës, Tudela i Perusë dhe Subotiç i Jugosllavisë.
Ata u kujdesën maksimalisht që të mos përmendnin fjalë kompromentuese ose lënduese si agresion, Itali, Shqipëri, pushtim, pavarësi dhe sovranitet i dhunuar etj. Në përfundim, kryetari i radhës i Këshillit, Maiski, i cili pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, e cilësoi si një agresion të padyshimtë të një fuqie të madhe kundër një fuqie të vogël, u shpreh se “letra e Mbretit Zog dhe të gjitha korrespondencat e tjera, duhen dërguar në Asamble”.
Meriton të përmendet diskutimi i përfaqësuesit kinez, Uellington Po, i cili, pasi dëgjoi me vëmendje ekspozenë e Sekretarit të Përgjithshëm lidhur me pushtimin fashist të Shqipërisë dhe protestën e përfaqësuesve të ligjshëm të tij, tha ndër të tjera se “Qeveria kineze nuk pati rast që të vendoste marrëdhënie zyrtare me Shqipërinë dhe nuk ka interesa të veçanta në këtë vend, mirëpo komunikata që u soll dhe u lexua, aktualizon një çështje të përgjithshme parimore e me rëndësi shumë të madhe. Eshtë fyes fati i një shteti anëtar të Lidhjes së Kombeve, që është një fakt i kryer, të cilin Lidhja dhe Pakti ekzistues nuk mund të guxojnë ta injorojnë për shkak të karakterit të përgjithshëm. Çështja që u parashtrua këtu kërkon patjetër një studim dhe ndriçim juridik të dispozitave të Paktit…, dhe Këshilli mund t’ia fillojë vendosjes në rendin e ditës dhe zgjidhjes së kësaj çështjeje”.
Qëndrimi i Lidhjes së Kombeve ndaj pushtimit të Shqipërisë tregonte se ajo po ecte me shpejtësi drejt fundit të saj të paracaktuar. Mosregjistrimi i kërkesave shqiptare në rendin e ditës së Asamblesë, mospublikimi i tyre në dokumentet e Sekretariatit etj. janë fakte që binin ndesh me përcaktimet e rregulloreve të brendshme të organeve të saj.
Nga dokumentacioni i ndodhur në arkivin e Pallatit të Kombeve rezulton se çështja e pushtimit të Shqipërisë nuk u vu në kohën e duhur në rendin e ditës së punimeve të Lidhjes. Ajo u la pasdore, u konsiderua si diçka e rëndomtë dhe jo si një akt i rëndë kundër lirisë dhe pavarësisë së një shteti anëtar, që, ndër të tjera, kërcënonte paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. E shpërfillur gati kejtësisht u trajtua formalisht, sa për të kaluar radhën, pa seriozitetin e duhur, madje pas çështjes së “Higjenës Fshatare të Vendeve Amerikane”(!) – Konferenca Ndërqeveritare e Vendeve Amerikane për Higjenën Fshatare.
Teksti i letrës së Mehmet Abidit nuk u botua kurrë, ndonëse duhej publikuar si dokument i Sekretariatit. Rrjedhimisht kërkesa dhe çështja shqiptare nuk u regjistrua në rendin e ditës së Asamblesë dhe, për pasojë, as që u diskutua në themel prej saj.
Këtu përfundon historia e përmbledhur e anëtarësisë së Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, e cila ka edhe disa kapituj të tjerë që lidhen me çështje kufitare me fqinjët, me konflikte gjyqësore etj. Ato paraqesin interes, por janë objekt trajtimi më vete.
Raporti i Shqipërisë me Lidhjen e Kombeve, që zuri fill si zhvillim i drejtpërdrejtë i ngjarjeve që pasuan mbarimin e Luftës së Vlorës dhe dështimin e pazarllëqeve të Fuqive të Mëdha për copëtimin e trojeve shqiptare, mbetet gjithësesi një përvojë interesante e pjesëmarrjes së Shqipërisë në një prej organizatave ndërkombëtare më të mëdha të kohës. Pavarësisht se ajo nuk mori prej saj gjithëçka që dëshironte, Lidhja e Kombeve ishte për Shqipërinë mësimi i parë edhe pse zhgënjyes i diplomacisë shumëpalëshe.
—–
©️Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016