Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kosovë
  • Kuriozitet
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Një ftesë për të menduar ndryshe për politikën dhe politikat e zhvillimit
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kosovë
  • Kuriozitet
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kosovë
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > opinion > Një ftesë për të menduar ndryshe për politikën dhe politikat e zhvillimit
opinion

Një ftesë për të menduar ndryshe për politikën dhe politikat e zhvillimit

Published: 2 Qershor, 2025
Shpërndaje

Nga Dorian Koçi

 

Janë të rrallë librat e politikanëve që lexohen me kërshëri. Në një kontekst ku politika shqiptare vazhdon të perceptohet si një hapësirë e konsumuar nga retorika e konfrontimit, mungesa e transparencës dhe dobësia institucionale, libri “Politika si ide” i Valentina Leskajt vjen si një kontribut i rrallë që përpiqet të rikthejë politikën te ideja – dhe jo thjesht te pushteti. Ky është një tekst që nuk e ndan përvojën personale nga analiza teorike dhe që ndërton një urë mes mendimit lokal dhe atij evropian mbi qeverisjen, barazinë dhe etikën publike.

- Publicitet -

Politika si moral dhe jo si makiavelizëm praktik

Në thelb, libri kundërshton paradigmën realiste të politikës si “lojë force”, ku çdo mjet është i justifikuar nga qëllimi. Kjo është në kontrast të hapur me qasjet makiaveliane apo me konceptin shmitian të “politikës si vendimmarrje për armikun”, që nxisin ndarje, polarizim dhe një kulturë politike të mbështetur mbi frikën dhe konfliktin. Në vend të kësaj, Leskaj rikthen në vëmendje dimensionin normativ të politikës, në frymën e teorive të Jürgen Habermas, i cili ngulmon për një sferë publike të bazuar në komunikim racional, argumentim etik dhe ndërtim konsensual të vullnetit kolektiv.

Përmes analizave të saj, autorja përpiqet të ringrejë vlerat e besimit, transparencës dhe përgjegjshmërisë në jetën publike. Ajo e koncepton politikën si një akt moral, si një mjet për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse, jo si një platformë për përfitime personale apo dominim mbi tjetrin. Në këtë drejtim, politika nuk shihet më si një fushë teknike e rezervuar për elitën, por si një hapësirë etike dhe qytetare ku çdo individ ka rolin dhe zërin e vet.

Libri synon të përmbysë nihilizmin politik që mbizotëron në diskursin shqiptar dhe të risjellë shpresën se politika mund të jetë hapësirë për emancipim, jo për manipulim. Duke promovuar një qasje politike të rrënjosur në integritet dhe kujdes për të përbashkëtën, Leskaj sfidon kulturën e instrumentalizimit të pushtetit dhe u jep lexuesve një model të ri për të menduar dhe praktikuar politikën – një model ku morali nuk është pengesë, por themel i domosdoshëm i legjitimitetit demokratik.

Feminizmi si projekt emancipues, jo thjesht kërkesë për kuota

Ndryshe nga trajtimi shpesh sipërfaqësor i feminizmit në Shqipëri – i reduktuar në diskutime teknike mbi kuotat apo përfaqësimin formal – Leskaj e vendos këtë koncept në një kuadër teorik të afërt me feminizmin europian. Ajo e kupton feminizmin jo si antagonizëm gjinor, por si pjesë e një përpjekjeje të thellë dhe gjithëpërfshirëse për drejtësi sociale, emancipim individual dhe qytetari të barabartë për të gjitha kategoritë e margjinalizuara. Në këtë kontekst, barazia gjinore nuk është vetëm një çështje statistikash apo ndarjesh numerike të pushtetit, por një imperativ etik dhe politik që kërkon transformim rrënjësor të strukturave sociale, kulturore dhe institucionale.

Qasja e Leskajt është veçanërisht e rëndësishme për një shoqëri tranzicioni, ku barazia gjinore nuk është përkthyer ende në barazi reale, dhe ku normat patriarkale vijojnë të riprodhohen në mënyrë të heshtur në jetën publike dhe private. Ajo sfidon narrativat që e shihnin feminizmin në kohën e komunizmit si ideologji të huaj apo të papërshtatshme për “kontekstin shqiptar”, duke treguar se kërkesa për barazi nuk është import, por pjesë e historisë dhe nevojave konkrete të grave shqiptare.

Vëmendja që i kushton valëve të ndryshme të feminizmit – nga fillesa me figura si Ollga Plumbi dhe Selfixhe Ciu Broja te reflektimet bashkëkohore mbi ndikimet post-feministe – e vendos librin në dialog të gjallë me zhvillimet ndërkombëtare të mendimit gjinor. Në këtë mënyrë, ajo përfaqëson një përpjekje të qëndrueshme për të lokalizuar teoritë globale në një realitet ku ato kanë hasur shpesh rezistencë kulturore dhe politike, por që gjithashtu paraqet mundësi për rikonceptualizim dhe transformim emancipues.

Leskaj thekson gjithashtu nevojën për ndërlidhjen e çështjeve gjinore me temat e drejtësisë ekonomike, të kujdesit social dhe të politikave publike që i japin zë përvojave të grave në mënyrë më substanciale se përfaqësimi formal. Në këtë frymë, feminizmi për të nuk është vetëm një betejë për të drejtat e grave, por një projekt më i gjerë etik dhe shoqëror, që synon të zhbëjë hierarkitë e padrejta dhe të promovojë një formë të re të bashkëjetesës demokratike.

Shqipëria ndërmjet universalizmit etik dhe partikularizmit pragmatik

Një aspekt tjetër i rëndësishëm është tensioni midis universalizmit etik dhe partikularizmit politik – një debat që ka shoqëruar mendimin evropian që nga Kant-i deri te Rawls-i., Leskaj, përmes përvojës së saj, vendos theksin te rëndësia e standardeve dhe parimeve – si në luftën kundër varfërisë, në ndërtimin e institucioneve apo në promovimin e të drejtave të njeriut. Në këtë kuptim, ajo rreshtohet me autorët bashkëkohorë që i japin përparësi etikës publike mbi interesat e momentit, duke synuar ndërtimin e një “klime politike të qëndrueshme” në frymën e deliberacionit demokratik. Kjo qasje pasqyron edhe ndarjen mes lirisë pozitive dhe lirisë negative, ku Leskaj duket se mbështet modelin e angazhimit pozitiv që përpiqet të krijojë hapësira për të mirën e përbashkët. Po ashtu, ndërlidhja me etikën e kujdesit (care ethics), vërehet në theksin që i jep politika e saj solidaritetit, ndjeshmërisë sociale dhe reflektimit moral në vendimmarrje. Përmes kësaj përqasje, ajo e përfshin përvojën shqiptare në diskursin evropian ku politika nuk shihet vetëm si mjet instrumentor, por si hapësirë kujdesi, ndërveprimi dhe ndërgjegjësimi etik. Leskaj kësisoj nuk pozicionohet thjesht si një grua politikane, por si pjesë e një rryme mendimi që e sheh politikën si mjet emancipimi dhe ndërtimi të një etike publike të qëndrueshme.

Qytetaria aktive si kundërpeshë ndaj pasivizmit social

Libri tërheq vëmendjen edhe për promovimin e një qytetarie aktive, një koncept ky i trajtuar gjerësisht në mendimin modern të fund shekullit të XX dhe fillimit të shekullit XXI. Leskaj thekson rolin e shoqërisë civile, të bashkëjetesës komunitare dhe të ndjeshmërisë sociale në përballjen me sfida globale si pandemia, urbanizimi i pakontrolluar apo ngrohja globale. Në këtë sens, përfshirja e temave si antisemitizmi, kriza demografike, planifikimi familjar apo pabarazitw horizontale nuk janë dekorative, por dëshmi e përpjekjes për të sjellë në Shqipëri konceptet bashkëkohore të qeverisjes progresive që janë diskutuar në forumet ndërkombëtare – ku autorja ka qenë shpesh pjesëmarrëse aktive. Ajo e trajton qytetarinë jo vetëm si të drejtë, por edhe si detyrë morale dhe angazhim të vazhdueshëm në shërbim të përmirësimit të jetës kolektive. Kjo qasje i jep lexuesit një kuadër të gjerë konceptual mbi mënyrat e ndryshme me të cilat individët mund të ndikojnë pozitivisht në komunitet – përmes vullnetarizmit, reagimit ndaj padrejtësive sociale, mbështetjes së politikave të qëndrueshme mjedisore, apo pjesëmarrjes në debatet publike. Nëpërmjet këtij vizioni, qytetaria aktive shfaqet si një kundërpeshë e fuqishme ndaj pasivizmit, apatisë dhe indiferencës që shpesh përhapen në shoqëritë e tranzicionit.

Dialog me mendimin filozofik dhe politik ndërkombëtar

Në frymën e Hana Arendt-it, që theksonte se “politika nis kur njeriu flet dhe vepron në prani të tjetrit”, ajo mbështet idenë se etika në politikë nuk është luks, por domosdoshmëri për mbijetesën demokratike. Në vijën e mendimit të Bobbios, që shquhej për insistimin në sundimin e ligjit dhe transparencën institucionale, Leskaj kërkon një politikë që mbështetet mbi rregulla dhe jo mbi arbitraritetin e pushtetit. Ajo nënvizon rolin e qytetarisë aktive dhe solidaritetit social në shoqëritë  si Shqipëria. Po ashtu, përmes përmendjes së Havel-it dhe Magris-it, libri i saj reflekton mbi nevojën për ruajtjen e humanizmit në një botë gjithnjë e më të teknokratizuar. Këto referenca nuk janë thjesht përmendje emrash, por dëshmi e një dialogu të hapur dhe të ndërgjegjshëm mes përvojës lokale dhe mendimit global – një përpjekje për ta ngritur diskursin politik shqiptar në lartësinë e reflektimeve që kanë ndërtuar qytetërimin demokratik europian.

Sfida e lexuesit

Leximi i librit të Leskajt nuk është një përvojë pasive informimi, por një proces sfidues që kërkon angazhim intelektual dhe ndjeshmëri etike. Nuk mjafton të ndjekësh argumentet e saj – lexuesi ftohet t’i vërë në diskutim bindjet e veta, të reflektojë mbi dimensionin moral të politikës, mbi kuptimin e qytetarisë aktive dhe mbi rolin e feminizmit në shoqëri. Ky është një libër që i drejtohet një lexuesi që kërkon më shumë sesa analiza sipërfaqësore apo fraza të gatshme; ai kërkon një lexues të vetëdijshëm, të gatshëm për të hyrë në një dialog kritik me idetë, për të sfiduar indiferencën dhe për të marrë pjesë në rindërtimin e kuptimeve të përbashkëta. Në këtë mënyrë, vetë akti i leximit shndërrohet në një praktikë qytetare – një formë e angazhimit që shkon përtej faqes së shkruar dhe që rezonon me vetë thelbin e mesazhit të autores.

Një ftesë për të menduar ndryshe për politikën

“Politika si ide” është më shumë se një rrëfim personal: është një dokument reflektimi i thellë, që i ofron lexuesit shqiptar mundësinë për të hyrë në një dialog të munguar me mendimin bashkëkohor evropian dhe për të sfiduar stereotipet e rrënjosura mbi politikën si art manipulimi apo pushteti. Leskaj nuk propozon një politikë të thjeshtuar në makiavelizëm praktik, por një politikë të rrënjosur në moral, etikë dhe ndërtim racional të konsensusit, në frymën e Habermasit. Libri shfaqet si një thirrje për qytetari aktive – përtej votës dhe përfaqësimit formal – ku shoqëria civile, solidariteti dhe ndërgjegjja sociale marrin rol qendror në përballjen me sfida globale dhe lokale. Aty ku diskursi publik shqiptar shpesh zhytet në cinizëm dhe apati, Leskaj sjell një tjetër ton: besimin se politika mund të jetë një mjet emancipimi dhe përmirësimi kolektiv.

Libri përbën një ndërhyrje të guximshme në një kulturë politike ku shpesh mungon reflektimi teorik dhe ku vendimet politike nuk shoqërohen me debat të thelluar publik. Ai u ofron lexuesve një instrument për të rimenduar jo vetëm politikën si strukturë, por edhe si përvojë jetësore, si praktikë morale dhe si mision emancipues. Duke ndërlidhur idetë e Habermas-it, Arendt-it, Bobbio-s dhe mendimtarëve të tjerë të mendimit demokratik evropian me realitetin shqiptar, Leskaj jo vetëm që pozicionon veprën e saj në një rrjedhë ndërkombëtare të reflektimit politik, por gjithashtu dëshmon se Shqipëria ka potencialin për të qenë pjesë aktive e këtij dialogu

Në mënyrë të veçantë, qasja e saj ndaj feminizmit si projekt emancipues dhe jo thjesht kërkesë për kuota e vendos librin në një linjë me mendimin kritik bashkëkohor, duke kërkuar një rikonceptualizim të rolit të gruas në jetën publike dhe një përthyerje të teorive globale në realitetin kulturor shqiptar.

Në fund të leximit, bëhet e qartë se sfida që shtrohet nuk është thjesht intelektuale, por edhe praktike e morale : si ta mendojmë dhe ta ndërtojmë një politikë më të drejtë, më të hapur dhe më humane ? Politika si ide nuk jep receta, por ngre pyetje që kanë vlerë të qëndrueshme – për qytetarin, për studiuesin, për vendimmarrësin. Në një kohë kur besimi në institucione dhe figura publike është në rënie, libri i Leskajt është një përpjekje për të rindërtuar jo vetëm diskursin politik, por edhe vetë lidhjen midis qytetarit dhe demokracisë. Prandaj, më shumë se një tekst për t’u lexuar, Politika si ide është një sfidë për t’u përjetuar – një thirrje për t’u angazhuar dhe për të mos e lënë politikën në duart e pasivitetit dhe harresës.

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • VIDEO: E rëndë në Sarandë! “I forti” i Ksamilit dhunon dhe përgjak një person në sy të fëmijëve
  • Humb jetën punëtori në Shëngjin, ra në kontakt me rrymën elektrike dhe më pas u rrëzua nga skela
  • Plagosi 30 njerëz që prisnin jashtë një klubi nate në Los Angeles, shoferi u neutralizua nga kalimtarët
  • VIDEO: Përplasje fizike deri te përdorimi i armëve, çfarë ndodhi në klubin e natës në Palasë?
  • Ky është Skifter Tagani, pronari i biskotave “Tagani” që falsifikonte datat e ushqimeve

Komentet e Fundit

  1. Tartari në Humb jetën punëtori në Shëngjin, ra në kontakt me rrymën elektrike dhe më pas u rrëzua nga skela
  2. TRENI në FOTO: “Vendbanimi më i vjetër liqenor i Evropës ndodhet në Shqipëri”, arkeologët po gjejnë prova se…
  3. TRENI në Një përshkrim shokues që duhet lexuar
  4. TRENI në Pas tensioneve në Theth, Rama njofton 6 reforma ligjore: S’ka më ‘tokë të xanum’, do bëjmë ligj të ri për kontrollin e territorit
  5. TRENI në Historia e këngës “Mëma ime Greqi – Majmun evgjitësh” dhe krahasimi me realitetin e Shqipërisë. Çfarë arti bën krijuesi shqiptar?
Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara

Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?