Nga Adem Harxhi
Lëvizja për çlirimin e gruas, në këto pesë dekadat e fundit ka ndikuar ndjeshëm në zhvillimet shoqërore. Sot, shumë gra kanë përqafuar fort idetë e feminizmit dhe të barazisë midis sekseve. Ka midis tyre që janë shtyrë deri në ekstrem. Ato kanë krijuar atë që disa autorë e konsiderojnë si orientimin “Amazonë” në shoqëri.
Sipas legjendës së Hippolitës, kultura Amazonë i kishte zhvleftësuar burrat dhe i kishte eliminuar ata nga të gjitha pozitat qeverisëse. Në disa versione të legjendës, të gjithë burrat ishin skllevër, ndërsa në versione të tjera, “burrat hamshorë” prej ishujve fqinjë, shërbenin vetëm për riprodhim. Amazonat shkonin në ishujt fqinjë, ngeleshin atje shtatzëna dhe ktheheshin për të lindur fëmijët në ishullin e tyre. Vajzat që lindnin i mbanin në ishull, djemtë i dërgonin tek baballarët.
Edhe sot, shumë gra “amazona” i kërkojnë dhe pastaj i abandonojnë të dashurit e tyre. Për gratë e sotme “moderne”, tek të cilat spikat vetëbesimi dhe synimi për karrierë, asnjë burrë nuk ka më rëndësi.
Por, në legjendën origjinale, Hippolita, mbretëresha e Amazonave, më në fund e krijoi marrëdhënien me një burrë. Një marrëdhënie që kënaqi feminitetin e saj dhe bëri që të rrëzohet përfundimisht kultura mitologjike “Amazonë”.
Legjenda e Hippolitës, siç dihet, tregohet në shumë variante. Ne, për qëllimin që ka ky shkrim, do ta kujtojmë legjendën e vjetër në variantin që e tregon autorja Mary Renault në veprën e saj “The Bull from the Sea”.
Tezeu, mbreti i Athinës, rastësisht shkoi në ishullin e Amazonave dhe u çudit nga çdo gjë që pa atje.
Gratë që ai pa, nuk u ngjanin fare grave shtëpiake dhe të buta të Athinës. Këto ishin gra luftëtare, të tendosura, atlete që notonin në det të hapur, që kalëronin mbi kuajt pa samar dhe të armatosura për luftë. Trupat e tyre ishin të praruara prej diellit, ndërsa flokët bionde zbrisnin me gërsheta të trasha poshtë shpinës.
“Në qoftë se këto janë gra, – tha i çuditur Tezeu, – si duhet që të jenë burrat?”
Ai shtangu kur pa Hippolitën, mbretëreshën e Amazonave. Kurrë më parë nuk kish soditur një fytyrë kaq krenare dhe të bukur. Ai e cilësoi atë si “Hënën, perëndeshën e pafajshme; fisnike dhe të rreptë si një luan”. Ai menjëherë ra në dashuri me të, por shpejt kuptoi se aty pari nuk kish asnjë burrë, me të cilin të luftonte për ta fituar Hippolitën. Luftëtari me të cilin do të luftonte, ishte para tij, ishte vetë Hippolita.
“Çfarë të bëj që ta fitoj këtë luftë?”. Këtë pyetje i bëri vetes Tezeu, ndërsa pa tek Hippolita staturën e luftëtarit, njësoj si të vetën. Ai ndjeu se duhet të luftonte për vdekje, por nga ana tjetër, dëshironte ta merrte atë të gjallë. Prapa burrit, tek ajo, ai kish parë gruan dhe ai e donte atë grua për vete.
Le ta ndërpresim për një moment këtë përrallë të vjetër dhe të marrim në konsideratë atë që ajo na nxit të shohim te “Gratë Amazona” të sotme. Shumë gra që e lexojnë këtë histori të vogël tërheqëse, mund ta identifikojnë veten me heroinën Hippolita, mbretëreshën e Amazonave. Ato, heshturazi, presin për kohë të gjatë një “mbret”, që të vijë e të kërkojë dashurinë e tyre. Por, shumë burra të “mëdhenj”, sot, nuk dëshirojnë të luftojnë me gra, siç bëri Tezeu. Ata u largohen zënkave dhe kërkojnë vajza më të sjellshme.
Sido që të jetë, kjo është një përrallë, prandaj le ta vazhdojmë.
I përvëluar nga pasioni, Tezeu ndjeu se fati, në fakt jeta e tij ishte e lidhur me të mbretëreshës Amazonë. Ata vlerësuan me kujdes njëri-tjetrin dhe ndonëse gjuhët që flisnin ishin të ndryshme, arritën të merren vesh. Tezeu tha se ai erdhi paqësisht, por Hippolita ishte e zëmëruar. Ajo e dinte që Tezeu dhe njerëzit e tij e kishin parë ritualin e valles së vjetër që kërcenin amazonat. Ky ritual ishte një “mister“ i ndaluar për sytë e burrave. Dhe…ndëshkimi për këtë veprim të palejuar, ishte vdekja. Hippolita dhe vajzat e saj sfiduan Tezeun dhe burrat e tij. Ato kërkuan të luftojnë. Ndërkohë, Tezeu tha: “Vetëm unë pashë…dhe të ftoj të luftojmë një për një, o mbretëresha e vajzave… Ndeshu me mua Hippolita. Mbreti nuk mund ta refuzojë Mbretin.”
Hippolita u prek në krenari dhe nder. Ajo kërkoi që po të vritet në dyluftim, Tezeu duhet të kryejë ritualin e nderimit të saj dhe do t’i linte të qeta vajzat Amazona. Tezeu e pranoi menjëherë këtë kusht dhe kërkoi që po qe se ai do të vdesë, ta djegin në malin e ishullit, që të qëndronin bashkë.
Të dy ranë dakord me këto kushte, por Tezeu shtoi edhe diçka:
“Po qe se unë fitoj dhe ti do të mbetesh e gjallë, ti do të më marrësh mua për mbretin tënd dhe do të vish me mua.”
Kjo nuk mund të ndodhë, mendoi Hippolita dhe ia ktheu thjesht e shpejt: “Unë luftoj për vdekje”
Mbreti, që e dinte se nuk do ta vriste, iu përgjigj: “A je dakord atëherë?”
Në kundërshtim me dëshirat e luftëtareve të saj Amazona, Hippolita pranoi dhe zgjodhi si armë të saj të parë shtizën, pastaj shpatën. Ajo bëri një luftë të egër për vdekje, aq të fortë dhe të shpejtë sa që Mbreti mendoi me vete: “Do të isha i lumtur të mos e bëja këtë luftë për ditë”.
Më në fund, ai e rrëzoi atë në tokë dhe e mbajti ashtu të shtrirë për shumë kohë, që ajo të qetësohej. Pastaj i tha: “Lufta mbaroi Hippolita. Ti nuk vdiqe. A do ta mbash fjalën?”
Ajo u përgjigj si në një ëndërr: “Ashtu le të bëhet”.
Mbreti i madh i Athinës e ngriti atë në duart e tij dhe e nxori nga fusha e betejës. Ai ndjeu se fatet e tyre u lidhën për jetë.
Dihet se perandori të tëra janë thërrmuar për një grua. Bota vëzhgoi e çuditur se si Duka i Windsorit, Mbreti Eduard VIII, abdikoi mbretërinë për një grua që e deshi. Një tjetër shembull nga historia, është tërheqja e jashtëzakonshme përvëluese e Nikollës së II (Cari i fundit i Rusisë) për Aleksandrën (një princeshë e re gjermane), që pati efekt të thellë në civilizimin Perëndimor. Nikolla i II ishte një figurë shumë e fuqishme, me dominim autokratik në një të gjashtës e botës. Dashuria e tij e fortë për Aleksandrën, është parë nga disa historianë, si shkaku që çoi në rrëzimin e carizmit dhe fitoren e komunizmit në Rusi. Por, personalitete të tilla janë një përjashtim i rrallë. Pak burra sakrifikojnë gjithçka për dashurinë.
Gratë janë ndryshe. Në librin e saj “Knowing Woman”, Irene Claremont de Castillejo shkruan: “…. edhe ‘Gratë Amazona’ më të forta të ditëve tona, kur janë në marrëdhënie me një burrë, dorëzohen dhe i përshtaten atij. Është natyrë e dytë e grave, të vënë në radhë të parë dashurinë. Ato e bëjnë këtë pa menduar, pa synim të caktuar, por si një gjë e natyrshme. Ideologjia na shtyn që të besojmë, se kjo është vetëm një kondicionim kulturor, një ‘nurture’ që i kundërvihet ‘natyrës’. Një mënyrë sjelljeje që determinohet nga burrat, në një shoqëri patriarkale.”
Por, e vërteta nuk është kështu. Kjo sjellje është natyrale për shumicën e grave, veçanërisht kur kanë të bëjnë me një burrë, të cilin ato me të vërtetë e duan dhe e admirojnë. Kjo e vërtetë ka shkaktuar shqetësim dhe bezdisje për gratë “Amazona” të disa dhjetëvjeçarëve më parë. Kjo e vërtetë shkakton shqetësim dhe bezdisje edhe tek “Amazonat” e sotme. Dhe,…kjo bezdisje vjen nga dobësia që ato ndjejnë në “punët e zemrës”. Është një shqetësim që vjen nga që, potencialisht, ato kanë humbur kontrollin e territorit. Ashtu si Hippolita, shumë gra që lidhen me një burrë, i shkojnë mbrapa atij. Territorialiteti është një imperativ i fuqishëm mashkullor. Në dashuri, zakonisht, është gjithmonë gruaja që pushton territorin e burrit dhe jo e kundërta.
Hippolita, ashtu si shumë gra Amazona të kohës tonë, e jetojnë jetën plot vetëbesim dhe të pavarura. Hippolita është konfuze dhe e shqetësuar nga dorëzimi i saj tek ky mbret i madh. Por, që të jetë një grua e nderuar, ajo i shkon atij pas, ashtu siç i ka premtuar.
Shkurt, në errësirën e natës, brenda në çadrën e saj private, në fushën ku pushonte ushtria e Tezeut, një nga vajzat amazona vjen dhe i jep asaj një thikë, një nga ato që amazonat e përdornin në ritualin e valles “Mister”. Konfuze dhe e çorientuar, Hippolita u afrua tek Tezeu që flinte, (i cili në të vërtetë ishte zgjuar, por preferoi të qëndrojë akoma shtrirë dhe të priste ç’do të ndodhte). Në vend të thikës, ai ndjeu lotët e nxehtë që binin mbi të. Lotët ishin një shprehje e re e ndjenjave femërore. I shqetësuar se mos turpëronte Hippolitën e përlotur, ai vazhdoi të qëndrojë shtrirë. Por befas, Hippolita u kthye shpejt, e vendosur për ta ngulur thikën në zëmrën e tij.
Me shkathtësinë që e pat mësuar në arenën e buajve, Tezeu u largua nga shtrati, kapi dorën e Hippolitës, i mori thikën dhe e flaku atë në një qoshe të çadrës. Ai u përpoq ta qetësonte mbretëreshën duke i thënë: “Shpesh, jetën e një tjetri e rrezikojmë për një gjë fare të vogël, e pse të mos e bëjmë për një gjë kaq të madhe?”
Hippolita nuk u përgjigj. Ajo akoma nuk e kuptonte drejtimin që pat marrë jeta e saj, në mënyrë kaq të papritur. Ajo kish filluar t’i besonte mbretit dhe ndërsa shiu i natës binte nga qiejt, ajo ra në duart e tij të forta dhe u përlot.
“Dashuria erdhi tek ne, siç erdhi dhe lindja. Ajo gjeti kohën e vet dhe kjo është më mirë se kur e pret atë”, – tha Tezeu dhe vazhdoi, – tani që ti më njohe mua, ti di më shumë. Unë tani jetoj bashkë me ty. Me të gjitha gratë e tjera, me të cilat kam jetuar më parë, unë kam qenë gjithmonë vetëm.”
Më vonë, duke provuar një dashuri në rritje dhe afrim me Tezeun, Hippolita e pranoi se dorëzimi në fushën e betejës e detyroi të zhveshë armorin e saj prej amazone dhe të mendojë, për veten, ndryshe: “Tani nuk jam asgjë”.
Shumica e “Amazonave” të sotme, po njësoj, frikësohen shumë se mos humbasin personalitetin tyre, kur duhet të lidhen me një burrë. Lidhje do të thotë ngjitje, dhe ngjitja kërkon një lloj dorëzimi dhe transformimi të identitetit të personit.