Eksepsionalizmi amerikan – Promovohet një libër i ri nga Fatos Tarifa
Dje, në një nga sallat e hotelit Xheko Imperial, Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave promovoi librin më të ri të sociologut dhe diplomatit të njohur Fatos Tarifa, që është njëherësh edhe kryetar i kësaj akademie. Libri titullohet Eksepsionalizmi amerikan dhe lidershipi global i Shteteve të Bashkuara.
Me këtë botim të ri, autori plotëson kolanën e librave të tij që kanë për subjekt Amerikën dhe që përbëhet nga këta tituj: Saga e dy kontinenteve: A po ndahen Europa dhe Amerika nga njëra-tjetra? (2007), Amerikanofobia dhe anti-amerikanizmi europian (2008), Fati i një shekulli: Hegjemonia amerikane, dilemat e Europës dhe sfidat e Azisë Lindore (2010), Letters to America/Letra Amerikës (2011), James: Studenti im amerikan ushtar në Irak (2013), Amerika dhe rendi i sotën botëror (2021) me Ksenofon Krisafin dhe Afrimi i Madh (2023).
Në promovimin e këtij libri ishin të pranishëm kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Lindita Nikolla, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, kryetari i Gjykatës së Lartë Solol Sadushi, ish-presidentët e republikës Rexhep Meidani, Alfred Moisiu e Bamir Topi etj.
Në promovim ishin të pranishëm, gjithashtu, anëtarë të parlamentit, të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, rektorë të disa universiteteve, studiues të marrëdhënieve ndërkombëtare, gazetarë, shkrimtarë, përfaqësues të Shtëpisë Botuese Onufri, miq dhe studentë të autorit.
Fjalën e rastit e mbajti Prof. Paskal Milo, ish-ministër i Jashtëm, i cili ka shkruar edhe parathënien e këtij libri, që e botojmë më poshtë të plotë. Për vlerat e libri dhe për meritat e autorit të tij folën edhe ish-ministri i Jashtëm i Kosovës Prof. Enver Hoxhaj dhe Prof. Ksenofon Krisafi.
Vetë Prof, Tarifa e nisi prezantimin e librit të tij të ri me këto fjalë: “Për një intelektual shqiptar ndoshta nuk do të bënte shumë kuptim të shkruante për një vend tjetër disa vëllime—mijëra faqe, nëse përfshij këtu edhe dhjetra artikuj që kanë për subjekt pikërisht shoqërinë dhe politikën amerikane. Por ja që, për shkak të formimit tim kulturor e akademik në atë vend dhe të eksperiencave të mia jetësore e profesionale shumë të pasura në Shtetet e Bashkuara, si sociolog, si studiues i politikës dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe si diplomat, Amerika ka qenë dhe mbetet një subjekt mjaft i rëndësishëm dhe atraktiv për mua”. “Duke qenë ajo që është dhe me gjithçka që ai vend përfaqëson, Amerika nuk lë askënd të painteresuar”, tha Prof. Tarifa.
Tarifa vuri në dukje se, si një shoqëri thuajse sui generis, Amerika ka tërhequr me kohë vëmendjen e shumë intelektualëve të njohur europianë, duke filluar nga Alexis de Tocqueville në gjysmën e parë të shekullit të 19-të, Karl Marksi në mesin e atij shkekulli dhe Max Weber në fillim të shekullit të 20-të. Ai theksoi se e çmon shumë trashëgiminë teorike të shkëlqyer që na kanë lënë këta intelektualë europianë të mëdhenj lidhur me shpjegimin e shoqërisë amerikane dhe të vetë Amerikës, si një qytetërim kulturor, juridik e teknologjik modern.
Prof. Tarifa vuri në dukje, gjithashtu, se përvoja e tij personale e drejtpërdrejtë dhe e gjatë, e cila shumë herë ka qenë një përvojë shoqërore, e lidhur mirëfilli me institucionet politike, juridike, ekonomike, akademike e kulturore të sistemit shoqëror amerikan, e ka ndihmuar atë vetë të reflektojë, nga një perspektivë sociologjike, për ato tipare “eksepsionale” që kanë vlerësuar dhe admiruar tek Amerika Alexis de Tocqueville, Karl Marx dhe Max Weber dhe për çfarë kanë shkruar për atë vend këta mendimtarë të shquar, te të cilët ai është mbështetur për të shpjeguar origjinën, motivet historike e fetare, si dhe filozofinë politike që kanë ushqyer dhe mbajtur gjallë për më shumë se dy shekuj narrativën mbi “eksepsionalizmin” amerikan, idenë se Amerika është një vend krejt “i veçantë” dhe amerikanët një popull “si asnjë tjetër” në planetin tonë.
Në fjalën e tij, Tarifa theksoi se, pavarësisht kritikave që i janë bërë nga koha në kohë konceptit “eksepsionalizëm” amerikan, besimi në natyrën eksepsionale të Amerikës ka pasur e vazhdin të ketë një ndikim të rëndësishëm në politikën e jashtme të atij vendi dhe se, pavarësisht kontradiktave, që në mënyrë inherente përmban ky koncept, metanarrativa mbi “eksepsionalizmin” e bën atë “një realitet kulturor dhe një forcë të fuqishme”.
Më tej, Prof. Tarifa vuri në dukje se, qysh nga koha e krijimit të tyre si komb, amerikanët dhe pothuaj të gjithë ata që e themeluan Republikën Amerikane—kanë besuar se ata janë një komb i veçantë, një komb që u vetkrijua, ose lindi jo nga një trashëgimi e përbashkët, por në një mënyrë krejt unike, mbi bazën e besnikërisë ndaj një sërë parimesh politike të përbashkëta për të gjithë anëtarët e tij, një vend i cili, sipas filozofi të njohur Leo Strauss, është i vetmi në botë që “është themeluar në kundërshtim të hapur me principet makiaveliste”.
“Qysh në fillimet e saj”, vuri në dukje ambasadori Tarifa, “Amerika u krijua si një vend në të cilin sundon ligji, jo njerëzit. Për këtë arsye, konceptet mbi lirinë individuale dhe barazinë e çdo individi para ligjit—që nga liria e fjalës dhe e besimit, deri tek e drejta për të mbajtur armë për vetmbrojtje e për t’u organizuar—u bënë themelet e organizimit e të funksionimit të rendit politik në shoqërinë amerikane dhe baza e progresit të pandërprerë të saj gjatë këtyre dy shekujve e gjysmë nga themelimi i Shteteve të Bashkuara më 1776.
Siç shprehej Abraham Linkoln, Amerika “u lind në liri” dhe u motivua nga ideja se qeveria duhet të jetë “e popullit, nga populli dhe për popullin” (Of the People, by the People, for the People)”. “Është kjo ide”, theksoi Tarifa, “që edhe sot i bashkon amerikanët në një komb të vetëm, edhe pse ata nuk përbëjnë një grup të vetëm etnik”.
Duke shpjeguar përmbajtjen e konceptit “eksepsionalizëm”, Prof. Tarifa vuri në dukje se ky koncept nuk ka një kuptim të vetëm e të qartë për këdo, por nënkupton, ose përfshin në vetvete ide të ndryshme. Shpesh herë, theksoi ai, ky koncept përdoret për t’iu referuar politikave të brendshme të Shteteve të Bashkuara, ndërsa herë të tjera përdorimi i tij lidhet me politikën e jashtme të atij vendi.
Sipas Tarifës, termi “eksepsionalizëm” përfaqëson më shumë një “ombrellë” konceptesh, sesa një koncept të vetëm, të definuar qartë. Madje, asnjë nga kuptimet që i janë dhënë, ose i jepen këtij koncepti deri më sot nuk është domosdoshmërisht më i mirë, ose më i saktë se të tjerët.
Gjatë fjalës së tij, Prof. Tarifa argumentoi se, duke filluar nga gjysma e dytë e shekullit të 20-të, shprehja “a city on a hill”, e përdorur për herë të parë nga puritanët që zbarkuan në Boston nga Europa në vitin 1630, u bë një metaforë e preferuar për shumë presidentë amerikanë, edhe nëse ata kanë pasur filozofi politike të ndryshme prej njëri-tjetrit—John F. Kennedy, Lyndon Johnson, Richard Nixon, Jimmy Carter, Ronald Reagan, George H. W. Bush, Bill Clinton, George W. Bush, Barack Obama dhe Joe Biden.
Pavarësisht nëse motivi i tyre ka qenë promovimi i lirive themelore të njeriut, evokimi i idesë së Amerikës si një “qytet i ndritshëm mbi kodër” dhe si një shembull për botën, apo si një “komb i domosdoshëm”, theksoi Tarifa, presidentët amerikanë—republikanë dhe demokratë—i kanë mbështetur argumentet e tyre mbi misionin e Amerikës dhe lidershipin e saj në çështjet e mëdha të globit në besimin e tyre të sinqertë se Amerika është një vend “eksepsional”.
Ambasadori Tarifa theksoi, ndër të tjera, se eksepsionalizmi amerikan mund të mos jetë një përshkrim i realitetit, por ai, është, sidoqoftë, shprehje e një ambicjeje. Sipas tij, qysh nga themelimi i saj, por veçanërisht gjatë shekullit të 20-të, Amerika u bë dhe vazhdon të mbetet një ëndërr, një shans, një mundësi—veçanërisht një mundësi materiale—dhe ka krijuar një kulturë të tillë, e cila inkurajon largimin nga e kaluara, duke filluar gjithçka nga e para dhe duke i zgjeruar horizontet e njeriut.
Me fjalë të tjera, u shpreh Tarifa, Amerika ka qenë dhe mbetet ai vend, të cilin Hegeli e quante “vendi i dëshiruar për të gjithë ata që janë të lodhur me Europën e Vjetër të rënduar me histori”. Miliona europianë qysh nga shekulli i 18-të e këtej u thanë “lamtumirë” vendit të tyre dhe gjithshkaje që i mbante të lidhur me të për t’u shpërngulur drejt “Botës së Re”.
“Ky pelegrinazh”, tha Tarifa, “nuk ka rreshtuar as sot, pasi Amerika vazhdon të jetë një vend i ëndrrave dhe i mundësive të mëdha. Amerika është një vend që përherë rizbulon vetveten. Këtë kishte parasysh presidenti Bill Clinton kur, në fjalimin e inagurimit të tij si president i Shteteve të Bashkuara, më 20 janar 1993, deklaroi se është në dorën e “çdo brezi amerikanësh të thonë se çfarë Amerika është”.
Kujtdo që dëshiron të mësojë më shumë mbi këtë subjekt, i sugjerojmë ta lexojë këtë libër të ri të diplomatit dhe sociologut tonë më të njohur, libër i cili, siç e cilëson Prof. Paskal Milo në parathënien që ka shkruar për të, “është edhe vetë një eksepsion” dhe shënjon një kontribut të vyer shqiptar në debatin e gjerë akademik që zhvillohet sot në SHBA dhe në Europë mbi natyrën “eksepsionale” të Amerikës dhe rolin e saj në botë.
Në këtë debat, pohon Prof. Milo, Tarifa “me shumë kompetencë dhe dinjitet thotë fjalën e tij si një sociolog i politikës dhe i kulturës, si një përdorues shumë i mirë i metodës historike krahasuese, si një amerikanolog dhe si një ekspert i politikës dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare”.
Prof. Dr. Paskal MILO: Një libër “eksepsion” nga Tarifa
Fatos Tarifa vjen me një libër të ri për Amerikën, një libër me nje titull sa provokativ, aq edhe domethënës, të debatueshëm e tërheqës: Eksepsionalizmi amerikan dhe lidershipi global i Shteteve të Bashkuara.
Në shqip, togfjalëshi “eksepsionalizëm amerikan” në titullin e librit do të përkthehej “përjashtimësia amerikane”. Autori me të drejtë ka ruajtur në titull dhe në krejt tekstin e librit termin anglisht, pasi ai përcjell enigmën e përmbajtjes së një koncepti që u zhvillua në tokën amerikane dhe që ka pasqyruar një realitet dhe një dinamikë historike, që i kanë bërë kombin amerikan dhe Shtetet e Bashkuara të jenë ato që janë sot. Përshtatja në shqip do ia humbiste konceptit atë forcë joshëse të së veçantës dhe thelbin përmbajtësor të saj.
Sociolog, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomat, Fatos Tarifa ka edhe një cilësi apo një atribut tjetër që pak njerëz e kanë në shpirt dhe shumë e kanë në dukje: ai është i pasionuar pas Amerikën, pas historisë, gjeografisë, kulturës dhe politikës së këtij vendi, pas mënyrës amerikane të të menduarit e të të jetuarit.
Tarifa u formua si i tillë gradualisht dhe u “amerikanizua”, veçanërisht në vitet 1990, kur edhe u doktorua në një prej universiteteve më të mirë të Amerikës e më pas dha leksione në disa universitete të atij vendi.
Pikë kulmore në marrëdhëniet e tij me Amerikën ishin vitet 2001-2005 kur ai shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Uashington D.C. Në atë kryeqytet dhe në atë kohë ai u njoh edhe më nga afër me superstrukturën politike e diplomatike të Shteteve të Bashkuara dhe dha kontributin e vet të çmuar në zhvillimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.
Fatos Tarifa është shumëdimensional në interesimet dhe në kapacitetet e tij akademike. Ai ka kapërcyer me kohë kufijtë kombëtarë dhe përfaqëson me shumë kompetencë e dinjitet mendimin akademik shqiptar në botë. Por ajo çfarë më ka tërhequr me kohë vëmendjen është se Prof. Tarifa është bërë tashmë pjesë e elitës sociologjike ndërkombëtare.
Librat dhe artikujt e tij të shumtë, të botuar brenda e jashtë vendit, si dhe prezantimet e tij në kongrese e konferenca ndërkombëtare, dëshmojnë se agjentët e tij të kërkimit shkencor janë në simetri me përvojat më të mira ndërkombëtare, siç janë edhe shumë prej arritjeve e kontributeve të tij akademike, veçanërisht në fushën e sociologjisë politike, të sociologjise së kulturës dhe asaj historike të krahasuar.
Ky libër i ri është një tjetër dëshmi e integrimit të natyrshëm të Prof. Tarifës në debate akademike amerikane e ndërkombëtare për çështje mbi të cilat ende ka një polarizim të theksuar sa i përket koncepteve dhe përmbajtjes së tyre. “Eksepsionalizmi” amerikan është një prej tyre.
Me trajtimin e këtij koncepti Tarifa merr përsipër jo thjesht parashtrimin e një pluraliteti pikëpamjesh të shprehura rreth tij, apo thjesht përshkrimin e evoluimit historik të tij, por edhe përfshihet aktivisht e me kompetencë në debatin e gjerë akademik e politik që zhvillohet rreth këtij koncepti, duke thënë fjalën e tij si një sociolog i politikës dhe i kulturës, si një përdorues shumë i mirë i metodës krahasuese historike, si një amerikanolog dhe si një ekspert i politikës dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare.
Ky libër mund të konsiderohet si një traktat, në të cilin pasqyrohen debatet dhe përplasjet akademike mbi “eksepsionalizmin” amerikan përgjatë historisë, duke filluar nga shekulli i 17-të. Tarifa është një gjahtar i palodhur i fakteve dhe i ideve novatore, të cilat i bën pjesë integrale të analizave të tij.
Kuriozitetit të tij sociologjik e historik dhe vëmendjes së tij sistematike, siç dëshmon bibliografia shumë e pasur e shfrytëzuar për këtë studim, vështirë se mund t’i ketë shpëtuar ndonjë libër, ose ndonjë artikull thelbësor që trajton temën e “eksepsionalizmit” amerikan.
Por, siç lexuesi lehtësisht mund ta verë re, ky libër nuk është një indeks titujsh akademikë të botuar rreth këtij subjekti, por një punë kreative dhe një studim i mirëfilltë i një vëzhguesi të vëmendshëm dhe i një sociologu të formuar në shkollën amerikane, që i njeh shumë mirë si teorinë sociale, ashtu dhe historinë politike e kulturore të Amerikës dhe që, për këto arsye—dhe me këto aftësi—angazhohet denjësisht në debatin e sotëm akademik.
“Eksepsionalizmi” amerikan nuk ka qenë dhe s’është një subjekt akademik vetëm i studiuesve amerikanoveriorë. Qysh nga botimi i veprës së shquar Democracy in America të historianit francez Alexis de Tocqueville, në gjysmën e parë të shekullit të 19-të, koncepti ka marë trajtesa e ngjyrime përtej kufijve amerikanë. Jo thjesht si një zgjatim i natyrshëm i një ideje interesante, revolucionare e provokuese amerikane nga përtej Atlantikut, por si një ide mbi vetë Amerikën, mbi atë që ky vend përfaqëson dhe mbi marrëdhëniet e tij me botën, një ide që ka pasur e vazhdon të ketë jo vetëm një joshje magjike, në radhë të parë te vetë amerikanët, por edhe ka provokuar skepticizëm dhe kritika të çdo lloji.
Me këtë libër, si dhe me disa prej librave të botuar më parë prej tij, që subjekt kanë Amerikën, Prof. Tarifa ka meritën e padiskutueshme se në hartën akademike të përfaqësuesve europianë që janë marrë e merren me këtë temë gjithnjë e më shumë të debatueshme në kohën tonë, ai shënjon edhe kontributin shqiptar.
Libri nuk kufizohet në kufijtë e një debati thjesht akademik, pasi vetë koncepti “eksepsionalizëm” amerikan e merr përmbajtjen e vet nga—dhe pasqyron—një realitet që preket kudo e nga të gjitha segmentet e shoqërisë amerikane. Politika shtetërore e ka përpunuar, përshtatur dhe artikuluar atë sipas kushteve e rrethanave dhe me synime të caktuara.
Qysh nga themelimi i Shteteve të Bashkuara, ideja mbi Amerikën si një vend “eksepsioal” u ngrit gati-gati në nivelin e një filozofie politike kombëtare, në formën e një trungu me dy degëzime: atë konservator dhe atë liberal. Ndërsa përmbajtja e “eksepsionalizmit” amerikan është kryesisht e njëjtë, interpretimet dhe përdorimi i këtij koncepti i janë përshtatur dikotomisë klasike, historike e politike, të shoqërisë e të elitës politike në Amerikë.
Tarifa e ilustron këtë dikotomi—republikanë/demokratë, konservatorë/liberalë—me deklaratat politike të presidentëve amerikanë dhe të përfaqësuesve kryesorë të të dyja partive më të mëdha në atë vend, por ai thekson, gjithashtu, se pavarësisht dallimeve në interpretim, mbështetja për idenë mbi Amerikën si një vend “eksepsional” ka qenë dhe mbetet bipartizane. I vetmi përjashtim ishte presidenti Donald Trump, rastin e të cilin Tarifa e shpjegon si një deviacion nga tradita e të gjithë presidentëve amerikanë—republikanë e demokratë—para tij.
Jam i sigurt se ky libër është edhe vetë një “eksepsion”, jo thjesht në atë galeri të pasur librash të botuar nga Prof. Tarifa, por edhe në literaturën sociologjike e politike shqiptare. Si i tillë, ai zgjon jo vetëm kureshtje, por edhe një interesim më të madh për të njohur e për të thelluar dijet në një fushë novatore studimesh që është e mirëseardhur në Shqipëri.