Antifashizmi është vlerë botërore. I shfaqur me fytyra të ndryshme, revanshizmi po i bën dëm të jashtëzakonshëm atmosferës së botës së qytetëruar. Synimet atyre që sulmuan Luftën tonë antifashiste dhe dëshmorët në tri dekadat e fundit
Nga DHIMITËR SHTËMBARI*
Populli shqiptar ndihet përherë krenar para Evropës dhe botës së qytetëruar. Krenar, sepse gjatë Luftës II Botërore u rreshtua menjëherë në krahun e duhur të historisë: në Koalicionin e madh Antifashist Botëror.
I radhitur në krahun e fitimtarëve, menjëherë mbas 9 Majit të vitit 1945 populli shqiptar pati të gjitha të drejtat për të mbrojtur dhe ruajtur tërësinë territoriale të vendit. Sikur të kishte ngjarë e pangjara, siç është shprehur Fan Noli, Shqipëria do të kishte rënë pre e të tjerëve dhe trojet e saj do të kafshoheshin nga të huajt.
Duke qenë pjesë e antifashizmit botëror, popullit shqiptar dhe qeverisë së tij edhe sot e tërë ditën i dëgjohet fjala me shumë respekt në të gjitha institucionet e larta të kontinentit tonë dhe më tej.
Turp dhe krim: ish deputetët demokratë ndryshonin emërtimin e LANÇ!
Me ardhjen në pushtet të demokratëve, goditjen më të parë e drejtuan pikërisht te Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare. Së pari, ndërsyen një kope historianësh për të sjellë “fakte” dhe “argumente” për gjoja luftën civile në Shqipëri! Dhe qyqarët e nisën sulmin nga data e çlirimit të Atdheut!
Një grup “historianësh” e ndihmuan ish Presidentin Berisha t’i mbushej mëndja, se ditë e çlirimit na qenkej 28 Nëntori dh jo 29 Nëntori, siç qe festuar prej gati një gjysmë shekulli.
Dhe Kuvendi i Shqipërisë, për turpin e vet, me votat e deputetëve demokratë miratoi si ditë të çlirimit të Shqipërisë pikërisht 28 Nëntorin!
Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, me ligj (!), e emërtuan: Lufta Nacionalçlirimtare kundër pushtuesve të huaj! Pra, e hoqën fjalën “antifashiste”. Mendonin, se populli shqiptar bëri luftë civile!!!
Komiteti Kombëtar dhe Kryesia e tij nuk rreshti së protestuari kundër këtij ligji arbitrar të Kuvendit të Shqipërisë.
Mbas shumë e shumë kërkesash të përsëritura, ndodhi ajo që pritej: që në seancën e parë të Kuvendit të Shqipërisë në vitin 1998, kur këtë Kuvend e drejtonte Prof. Skënder Gjinushi, u miratua emërtimi i saktë i Luftës heroike të popullit shqiptar: Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e Popullit shqiptar.
Imoralitet historik nga një vendim absurd i ish Qeverisë Demokratike
Aty nga korriku i vitit 1994 Qeveria Demokratike miratoi një vendim, sipas të cilit Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar i ndalohej organizimi i veprimtarive përkujtimore paralel me ato të Qeverisë! Synimi kuptohej: duke “organizuar” pseudoveprimtari të tipit mitingje demokratësh, i lidheshin duart Komitetit Kombëtar për të organizuar ceremoni të vërteta historike.
Në 5 Majin e vitit 1994 një masë jo e vogël veteranësh u nisën për në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, por u ndaluan nga Policia te porta e këtyre Varrezave.
Nuk lejohet të shkoni te Nëna Shqipëri, – qe shprehur njëri nga punonjësit e Policisë.
Po përse të mos shkojmë te shokë tanë, rënë në luftën për çlirim?!
Sepse homazhet janë bërë dje bashkë me qeverinë! Juve e dini mirë këtë…
Kishte qenë e kotë të vazhdohej më tej.
Një grup veteranësh të LANÇ bën ca më tej dhe, me shumë vështirësi, u ngjitën sipër kangjellave për të hyrë brenda. Por edhe aty nuk u lejuan.
Në disa qytete, si në Vlorë, Korçë, Durrës, Elbasan e gjetkë veteranët e LANÇ ishin përleshur me policinë dhe kishin mundur të futeshin te ata që preheshin në varreza.
Gazeta “Kushtrim brezash” e asaj kohe do të shkruante: Për të shkuar te bijtë e pavdekshëm të lirisë nuk ka ligj që mund t’i ndalojë veteranët e LANÇ.
Takimi me anglezin Reginald Hibbert, autorin e librit “Fitorja e hidhur”
Me rastin e çlirimit të Atdheut në fundnëntorin e vitit 1994 Shqipërinë e vizitoi edhe Reginald Hibbert, ish misionar anglez në Shqipëri gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në Kodrën e Liqenit, teksa përuroheshin Varrezat e anglezëve të rënë gjatë epopesë së çlirimit, Gjeneral Dilaver Poçi ishte njohur me mikun anglez dhe e kishte ftuar për një takim me Kryesinë e Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar, ftesë që ai e kishte pritur me shumë kënaqësi.
Të nesërmen, më 30 nëntor 1994, takimi u organizua në zyrën e zotit Bashkim Zeneli, në atë kohë funksionar i Partisë Socialiste për çështjet e jashtme.
– Ju shikoj shumë të mërzitur, – tha në një çast ish misionari anglez.
– Po, – iu përgjigj Piro Dodbiba, në atë kohë kryetar i Komitetit Kombëtar. – Jemi shumë të mërzitur, se ka filluar dhe vazhdon një stuhi e vërtetë ndaj simboleve të LANÇ,Varrezave të Dëshmorëve… U janë sulur muzeve historikë, arkivave…
Misionari anglez largoi pak më tutje patericën që kishte pranë dhe iu drejtua me ton serioz:
– Mos u habitni nga këto veprime. Nga opozitarët, këto priten.
– Po edhe ndaj historisë?! – ngriti zërin Piroja.
– Posi, edhe ndaj historisë. Sepse edhe gjatë Luftës kanë pasur qëndrim tjetër nga ju. Bashkohuni asaj partie që mbron antifashizmin; bëhuni tok me ato forca politike që respektojnë dhe nderojnë martirët e vërtetë të luftës kundër bishës fashiste e naziste…
Ishte një bisedë e çiltër dhe me shumë mesazhe për anëtarët e Kryesisë së Komitetit Kombëtar që merrnin pjesë në atë takim.
LANÇ është vlerë. Dhe vlerat duhen mbrojtur.
Tre nga viktimat, që ranë pre e urrejtjes së neofashistëve
Gjatë këtyre tri dekadave të pasvitit 1991 janë kryer vandalizma të herë mbas hershme nëpër Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut. Kështu, në Korçë u dëmtuan shumë të tilla, duke u thyer mermerët me mbishkrimet e tyre.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut të Vlorës. Po kështu ka ngjarë edhe në Mauzeleumin e Durrësit…
Por egërsia revanshiste është vazhduar edhe shumë më tej. Shteti “demokratik” i kohës arrestoi dhe dërgoi në burg ish Kryetarin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, Heroin e Popullit, Haxhi Lleshi.
Ethet hakmarrëse bën që t’i viheshin prangat dhe të dërgohej në burg Heroi i Popullit Shefqet Peçi, ish kryetar i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar. Qëndrimin prej trimi të vërtetë ky Hero e dëshmoi edhe në burgun e Berishës. U qëndroi stoik idealeve të LANÇ, deri sa vdiq në burg!
Por vandalët shkuan edhe shumë më tej. Arritën të ngrinin dorën e tyre gjakatare deri edhe mbi disa veteranë të LANÇ. Kështu ka ndodhur në Shkodër, në Lushnje, në Kolonjë, në…
Duke u frymëzuar nga një propagandë neofashiste e partive të djathta, sigurisht duke përfituar edhe nga dobësia e shtetit ligjor të kohës, u arrit që të zbrazej pushka ndaj atyre që gjatë LANÇ kryen detyrën e shenjtë ndaj atdheut.
Gjithsesi, idealet që frymëzuan mbarë një popull për çlirimin e Atdheut nuk mund të pushkatohen.
Leka Zogu, një kufomë politike në morgun e historisë
Kongresi historik i Përmetit, që kishte atributet e një Kuvendi Popullor, miratoi një ligj, që e ndalonte Ahmet Zogun të futej në Shqipëri. Dhe ishte e natyrshme të ndodhte kështu. I vetëquajturi mbret, që kishte premtuar se do të vishte opingat në rast se sulmohej Shqipëria nga fqinji i përtejdetit, ia mbathi këmbëve që në çastet e para të agresionit, duke marrë me vete një sasi jo të vogël floriri nga Banka e Shtetit!
Më 12 prill të vitit 1997 zbret në aeroportin e Rinasit Leka Zogu i pritur nga një shpurë zogistësh.
Ndryshe nga ç’tha në çastin e zbritjes nga avioni, ku shqiptoi fjalët paqe, bashkim e vëllazërim, me të ardhur në Tiranë nisi e vazhdoi veprime aventureske. Në fund të një referendumi të organizuar për formën e regjimit, Leka na vishet si gjeneral dhe, i mbështetur nga një grusht njerëzish të tij, mësyn drejt Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku ndalohet nga Garda e Republikës. Gjithsesi, njëri ra viktimë e këtij aventurieri.
Veteranët e LANÇ, që kishin luftuar përgjatë tre vjetve si partizan të Brigadave Sulmuese, jo vetëm nuk u mashtruan nga përrallat e këtij farë “mbreti” por ishin të parët që kundërshtuan pseudovizitat e tij nëpër disa qytete të Shqipërisë. Madje në disa syresh ky farë mbreti nuk pati guxim të zbriste nga makina, por e gjeti më të udhës që të vazhdonte në qytetin e radhës.
Ndodhi kështu, sepse veteranët e LANÇ Leka Zogun e konsideruan kufomë politike në morgun e historisë.
Mbas tri dekadash veteranët e LANÇ “pushtojnë” Sheshin “Skënderbej”
Në zbatim të një kërkese të bërë nga ana e Kryesisë së Komitetit Kombëtar, deputetët socialistë të Kuvendit të Shqipërisë e përfshin në një ligj 20 Korrikun e çdo viti si “Ditë e Veteranit të LANÇ”.
Ditën e 20 Korrikut të vitit të kaluar (2022) në Sheshin “Skënderbej” u organizua një koncert festiv kushtuar 65 vjetorit të krijimit të Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar. Ishte një koncert që tërhoqi edhe vëmendjen e shumë prej kalimtarëve të rastit.
Gjatë kësaj veprimtarie përshëndeti edhe kryetari i bashkisë, zoti Erion Veliaj.
Historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, tha ndër të tjera zoti Erion, na jep mesazhin aktual të luftës për progres. Ashtu siç u bë populli bashkë për të çliruar Tiranën dhe mbarë Shqipërinë, po bashkë na duhet të jemi edhe sot që të bëjmë punë të shumta dhe të mëdha në shërbim të komunitetit.
Fjala e ish kryetarit të Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve e të Pasardhësve të LANÇ të Popullit Shqiptar “Nderi i Kombit”, të ndjerit Odhise Porodini, ishte vërtet frymëzuese: Veteranët dhe pasardhësit e LANÇ, u shpreh ai ndër të tjera, duke mbrojtur idealet e çmuara të LANÇ do të shpalosin edhe më tej vlerat e vërteta të demokracisë, duke përmbushur standartet që do të na çojnë në familjen e madhe evropiane.
Dihet tashmë, që institucionet më të larta të Evropës janë ngritur mbi themelet e antifashizmit.
Vetëm përmes një bashkëpunimi të organizuar garantohet suksesi
Bënin kohë që Kryesia e Organizatës për Dëshmorët e LANÇ dhe Dëshmorët e tjerë të Atdheut në bashkëpunim me Kryesinë e Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve e të Pasardhësve të LANÇ të Popullit Shqiptar “Nderi i Kombit” kërkonin pranë këshillit bashkiak të Tiranës që një rruge t’i kthehej emërtimi që kishte pasur: Rruga Dëshmorët e 4 Shkurtit. Mirëpo nuk kishte qenë aq e lehë sa ishte menduar. Duhej një argumentim i bazuar. Dhe kjo u bë e mundur.
Ditën e 4 shkurtit 2023 kryetari i Bashkisë së kryeqytetit ftoi në zyrën e vet anëtarë të kryesisë së Organizatës për Dëshmorë e LANÇ dhe Dëshmorët e tjerë të Atdheut me në krye kryetarin e kësaj Organizate, Dr. Gjergji Velo dhe sekretarin e përgjithshëm të Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve e të Pasardhësve të LANÇ të Popullit Shqiptar “Nderi i Kombit”, shokun Veli Myftari dhe u komunikoi vendimin më të fundit të këshillit bashkiak.
Në përurimin e emërtimit të ri të rrugës “Dëshmorët e 4 Shkurtit” ishin figura të shquara të bashkisë, të prefekturës dhe të këshillit të qarkut. Përshëndetën mjaft prej këtyre; përshëndeti edhe shoku Ilir Shkëmbi, kryetar i degës së Organizatës për Dëshmorët e LANÇ dhe Dëshmorët e tjerë të Atdheut të bashkisë së Tiranës, i cili ndër të tjera tha:
– Dy xhaxhallarë më janë masakruar më 4 shkurt të vitit 1944, por sot ndihem i lehtësuar jo thjesht pse nderohen dy njerëzit e fisit tim, por nga që përjetësohen 84 martirë të vërtetë.
* * *
Antifashizmi është vlerë botërore. I shfaqur me fytyra të ndryshme, revanshizmi po i bën dëm të jashtëzakonshëm atmosferës së botës së qytetëruar.
Komiteti Kombëtar i Organizatës së Veteranëve e të Pasardhësve të LANÇ të Popullit Shqiptar “Nderi i Kombit” dhe Kryesia e tij, siç thuhet në nenin 4 të Statutit të Organizatës, nuk pajtohet me asnjë forcë politike që zhvillon veprimtari neofashiste, shoviniste, terroriste, fondamentaliste, rracore dhe është kundër çdo ekstremi antikombëtar.
LANÇ mbetet medaljon i artë në gjoks të Atdheut.
* Nënkryetar i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve e të Pasardhësve të LANÇ të Popullit Shqiptar “Nderi i Kombit”