Për Ernest Hemingway-n, Parisi ishte një “festë e lëvizshme”. Për një tartabiqe, të tillë janë edhe parizienët.
Në videot e shpërndara së fundmi në rrjetet sociale, sediljet e metrosë së qytetit shihen të mbushura me çimka, insekte të vogla, të cilat ushqehen me gjakun e njeriut.
Rreziku i drejtpërdrejtë i shëndetit nga çimkat është i vogël, i kufizuar në pickime që shkaktojnë kruajtje dhe një rrezik i vogël i alergjive dhe infeksioneve dytësore. “Por ndikimi më serioz priret të jetë psikologjik”, thotë Clive Boase, një entomolog me përvojë 30 vjeçare.
Historia nuk lidhet aq shumë me higjienën e keqe dhe trenat e pistë se sa lidhet me një tjetër situatë paralajmëruese të globalizimit, ndryshimeve klimatike dhe biologjisë evolucionare. Qytetet e ngrohta ofrojnë mjedise ideale për çimkat. Mjetet e udhëtimit i ndihmojnë ata të përhapen.
Çimkat po ringjallen në mbarë botën. Një dekadë më parë Nju Jorku kaloi një panik të ngjashëm me atë të sotëm të Parisit. Zyrihu në.Zvicër, po ashtu. Numrat ranë gjatë bllokimeve të Covid-19, por ato janë rritur përsëri që atëherë.
“Shumë shpejt nuk do të ketë qytet pa çimka,” thotë Boase.
Disa vlerësime sugjerojnë se tre të katërtat e shtëpive britanike kishin një problem me çimkat rreth vitit 1900. Çimkat strehohen në çarjet e mobiljeve, në shtresat e dyshekëve ose në çarje në mure dhe dalin për t’u ushqyer natën. Shtëpitë e ngrohta me ngrohje qendrore përshpejtojnë ciklet e tyre të jetës, duke e bërë problemin edhe më të rëndë.
Futja dhe përdorimi i gjerë i insekticideve pas Luftës së Dytë Botërore solli eliminimin e këtyre insekteve nga shumica e shtëpive të botës së pasur.
Por ai sulm kimik ushtroi një presion të fuqishëm evolucionar mbi këto insekte. Ato kanë zhvilluar rezistencë ndaj helmeve. Ashtu si bakteret kanë evoluar rezistencë ndaj shumë prej antibiotikëve që dikur përdoreshin për t’i vrarë ato, çimkat moderne janë pothuajse të paprekshme ndaj të paktën disa insekticideve.
Kjo rezistencë në rritje është rritur nga një arsenal i varfëruar i kimikateve kundër tyre. Cianidi i hidrogjenit dhe dioksidi i squfurit tani konsiderohen në shumicën e vendeve si shumë toksikë për t’u përdorur. Piretroidet, të cilët janë përbërësit aktivë në shumë spërkatje insekticidesh të disponueshme në treg, janë më të sigurta, por bëhen çdo vit e më pak efektive.
Toka diatomike, një pluhur silikat i bardhë, mund të vrasë insektet duke i tharë ato. Spërkatësit polimer mund t’i bllokojnë ato; disa vajra mund të bllokojnë poret përmes të cilave insektet marrin frymë.
Temperaturat mbi rreth 45°C janë gjithashtu fatale për insektet. Prandaj, disa firma të kontrollit të këtyre dëmtuesve ofrojnë të trajtojnë me nxehtësi mobiljet e prekura në tenda të izoluara, apo edhe “të pjekin” dhoma të tëra. Por trajtime të tilla janë të shtrenjta.
Insekticide të reja, ndaj të cilave insektet nuk kanë rezistencë, pothuajse me siguri mund të shpiken. Por të paktën tani për tani, thotë Boase, tregu nuk ekziston për të justifikuar shumë kërkime të korporatave.
Dhe meqenëse insektet nuk përhapin sëmundje, organet e shëndetit publik kanë prioritete më të ngutshme.
