Nëse nuk shlyejnë tarifën vjetore të studimit për degët ku janë duke ndjekur ciklin e dytë “Master”, studentët jo vetëm që nuk do të lejohen të hyjnë në sezonin e provimeve për mbylljen e vitit akademik, por nuk do të mund të marrin as diplomën.
Autoritetet e Fakultetit të Ekonomisë u kanë kërkuar studentëve të ciklit të dytë që të shlyejnë tarifën vjetore të shkollimit për programet master që janë duke ndjekur, në të kundërt do të rrezikojnë nga një sërë penalitetesh që mbajnë të bllokuar jo vetëm përfundimin e vitit akademik, por edhe të ciklit të studimeve në tërësi.
“Njoftohen të gjithë studentët e Masterit të cilët nuk kanë kryer likuidimin e tarifës së shkollimit se nuk do të lejohen të hyjnë në provimet sezonale dhe as në provimin e diplomës (në rast se janë ende në proces studimi), si dhe nuk do t’ju jepet kartoni i diplomës (nëse janë diplomuar)”, bëjnë me dije autoritetet e Fakultetit Ekonomik të Universitetin e Tiranës. Sipas autoriteteve të këtij fakulteti, shlyerja e tarifës mund të bëhet në çdo bankë të nivelit të dytë, ose pranë Postës Shqiptare për të mos rrezikuar nga penalitetet e përmendura më lart.
Më herët janë detajuar edhe tarifat konkrete që çdo student që ndjek studimet në “Master” duhet të shlyejë për vitin akademik 2022-2023. Për programet e ciklit Master profesional tarifat vjetore të studimit variojnë nga 54,000 lekë në 86, 400 lekë (sipas numrit të krediteve me të cilat vlerësohet programi). Një pjesë e studentëve të këtij cikli sigurojnë edhe reduktimin e tarifës në masën 50 për qind. Ndërsa për programet “Master shkencor”, tarifat variojnë nga 105 000 lekë në 126 000 lekë, sipas llojit të programit. Në vijim të shkrimit gjendet e detajuar edhe tarifa konkrete që duhet të paguajë secili student që aktualisht po ndjek programet e nivelit të dytë “Master shkencor”, si dhe “Master profesional” në degët e Fakultetit Ekonomik.
Programet e studimit “Master profesional” në këtë fakultet, duke filluar nga viti akademik 2016-2017 ofrohen me 90 dhe 120 kredite, në përputhje me Ligjin Nr. 80/2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”. Këto programe kanë si objektiv formimin e ekspertëve dhe specialistëve të mirëfilltë në fusha, si: Financë, Kontabilitet, Administrim-biznes, Administrim publik, Ekonomiks, Sisteme informacioni, Teknologji informacioni, Marketing, Studime ekonomike europiane, etj. Kohëzgjatja normale e tyre është një vit ose dy vite akademike. Studimet e ciklit të dytë “Master profesional” përmbyllen me provim përfundimtar formimi ose punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master profesional” në fushën e arsimimit të kryer
Fakulteti i Ekonomisë ofron programe studimi “Master shkencor” me objektiv formimin e ekspertëve dhe specialistëve të mirëfilltë në fusha, si: Financë, Kontabilitet, Ekonomiks, Administrim-biznes, Administrim publik, Siguria e informacionit, Marketing, etj. Nëpërmjet ndjekjes së këtyre programeve synohet që studenti të pajiset me mjetet, aftësitë dhe njohuritë e thelluara teorike shkencore për një karrierë të suksesshme profesionale dhe akademike, si edhe krijimi i një profili të pashkëputur me përshtatjen e aftësive të tyre në praktikë. Studimet e ciklit të dytë “Master i shkencave” përmbyllen me punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master i shkencave” në fushën e arsimimit të kryer
Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin për arsimin e lartë, pranimi në programet e ciklit të dytë të studimeve është i mundur për kandidatët që kanë përfunduar një program studimi të ciklit të parë dhe plotësojnë kriteret e pranimit të institucionit të arsimit të lartë ku ata aplikojnë. Kriteret e pranimit të kandidatëve në programet e ciklit të dytë të studimeve përcaktohen nga njësia bazë ofruese e programit. Bëjnë përjashtim nga ky rregull programet e integruara të studimit.
Kriter pranimi në një program studimi të ciklit të dytë “Master i shkencave” është njohja nga kandidati e një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Europian: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht. Nëse individi ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në një nga këto gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri. Niveli i njohjes së gjuhës së huaj përcaktohet me akt nënligjor të ministrisë përgjegjëse të arsimit të lartë. Institucionet e arsimit të lartë mund të njohin kredite të përfituara në programet e studimit të ciklit të dytë “Master profesional”, me qëllim transferimin e tyre në programet e studimit “Master i shkencave”.
Sikundër ndodh me programet e cikleve të tjera, edhe për masterin kohëzgjatja maksimale e studimeve në një program studimi nuk mund të jetë më shumë se dyfishi i kohëzgjatjes normale të studimeve që parashikon programi, pa marrë në konsideratë periudhën e kohës kur studenti i ka pezulluar studimet. Studenti, që nuk arrin të përfundojë studimet brenda kohëzgjatjes maksimale të programit, ka të drejtë të aplikojë për të rifilluar studimet, në të njëjtin program studimi ose në një program tjetër. Ai u nënshtrohet kritereve dhe procedurave të shpallura për regjistrimin në programin e studimit të institucionit pritës. Kreditet e grumbulluara nga studenti gjatë periudhës së mëparshme të studimeve mund të transferohen, me vendim të njësisë bazë të institucionit që pranon studentin, sipas kritereve të përcaktuara në rregulloren e saj.
Tarifa vjetore që duhet të shlyejnë studentët që ndjekin programet “Master i shkencave”
- Tarifa vjetore e shkollimit për ciklin “Master i shkencave” si program i parë është 105 000 lekë.
- Tarifa vjetore e shkollimit për ciklin “Master i shkencave” si programi i dytë është 126 000 lekë.
- Tarifa vjetore e shkollimit për ciklin “Master i shkencave” e reduktuar me 50%, është 52,500 lekë.
Tarifa vjetore që duhet të shlyejnë studentët që ndjekin programet “Master profesional”
- Tarifa vjetore e shkollimit në “Master profesional 90 kredite”, si programi i parë është 54,000 lekë.
- Tarifa vjetore e shkollimit në “Master profesional 90 kredite”, si programi i dytë është 64,800 lekë.
- Tarifa vjetore e shkollimit e reduktuar me 50%, në “Master profesional 90 kredite”, si programi i parë është 27,000 lekë.
- Tarifa vjetore e shkollimit në “Master profesional 120 kredite”, si programi i parë është 72,000 lekë.
- Tarifa vjetore e shkollimit në “Master profesional 120 kredite”, si programi i dytë është 86, 400 lekë.
- Tarifa vjetore e shkollimit e reduktuar me 50%, në “Master profesional 120 kredite”, si programi i parë është 36,000 leke
p.k\dita
