Në përditësimet e fundit të mediave ndërkombëtare, përfshirë CNN, giganti i teknologjisë Microsoft ka bërë të ditur se dërgimi dhe marrja e emaileve dhe shërbimet e tjera kryesore po “i afrohen niveleve normale”, pas një ndërprerjeje masive që tronditi globin.
Një bllokim dhe ndërprerje masive e sistemeve teknologjike preku bizneset, shkollat dhe institucionet qeveritare në të paktën 74 vende dhe territore në mbarë botën. Miliona përdorues u prekën drejtpërdrejt nga ky dështim i papritur teknologjik, duke paralizuar për orë të tëra komunikimin dhe shërbimet esenciale ditore.
Sipas njoftimeve zyrtare të kompanisë dhe raporteve nga terreni nivelet e funksionimit të emaileve dhe sistemeve po kthehen gradualisht drejt normalitetit.
Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, giganti i teknologjisë ka paralajmëruar se disa përdorues mund të vazhdojnë të ndeshin në vështirësi të izoluara ndërkohë që sistemet po stabilizohen plotësisht.
Autoritetet dhe ekspertët e teknologjisë vijojnë të monitorojnë situatën nga afër për të siguruar rikuperimin e plotë të çdo shërbimi të prekur.
Ky incident i fundit ka risjellë në vëmendje thirrjet e mëparshme të bëra nga vende të ndryshme të Bashkimit Evropian, të cilat i kishin bërë thirrje qytetarëve dhe institucioneve që të mbajnë rezerva emergjente dhe para në dorë (cash) për të paktën 72 orë.
Ngjarje të tilla tregojnë se varësia totale nga teknologjia digjitale mund t’i lërë shoqëritë të pambrojtura ndaj ndërprerjeve të papritura, duke e bërë të domosdoshme praninë e alternativave fizike për transaksionet dhe furnizimet bazë gjatë orëve të para të emergjencave.
n.d. / dita
