Nga Linda Rustemaj
Vizita e fundit në Dublin dhe veçanërisht ballafaqimi i kreut të qeverisë shqiptare me gazetarët dhe përfaqësuesit e mediave evropiane, prodhoi edhe njëherë atë shembjen e fasadës që po i ndodh shpesh nën peshën e pyetjeve të drejtpërdrejta.
Tryeza u shndërrua në polemikë kur kryeministri zgjodhi edhe njëherë sulmin ndaj medias, duke fajësuar “gënjeshtrat globale dhe lokale” rreth dosjes së Sazanit. Përballë pyetjeve se pse projektet të tilla trajtohen në errësirë dhe pse kaq shumë raportime investigative ngrenë alarmin për tjetërsim të pronës publike, përgjigjja e kryeministrit ishte sërish një përzierje mes cinizmit dhe relativizimit: nuk ka marrëveshje, nuk është shitur asnjë ishull, dhe mbi të gjitha, fajin e kanë të tjerët.
Një “oqean gënjeshtrash” i fabrikuar nga media që nuk di të lexojë faktet – sipas tij. Ky lloj qëndrimi po kthehet në një inversim të realitetit dhe zoti Rama nuk po arrin të kuptojë ose nuk do që ta kuptojë se kur transparenca mungon, pyetjet do bëhen do apo nuk do ai, të pakëndshme. Vetë pyetja nuk mund të kriminalizohet.
Në kulmin e ballafaqimit, kur u vu në dukje pakënaqësia publike dhe protestat e vazhdueshme për zhvillimet bregdetare, mekanizmi mbrojtës u ngrit edhe më lart: legjitimiteti përmes votës. Sipas kësaj logjike, mandati i fituar për të çuar vendin drejt Bashkimit Evropian shërben si një çertifikatë imuniteti total ndaj çdo kontrolli të brendshëm apo të jashtëm etik. Pyetjet e gazetarëve u zhvlerësuan nën pretekstin se “qytetarët shqiptarë më kanë dhënë mua mandatin, jo juve”.
Vota e një dite nuk mund të përdoret si një çek në bardhë për të asgjësuar llogaridhënien e çdo dite. Qytetari është një taksapagues që kërkon llogari për pasurinë kombëtare. Nuk jemi figura abstrakte që duhet të duartrokasim vizionin e udhëheqësit, ndërsa pasuritë strategjike negociohen pas dyerve të mbyllura.
A arritën gazetarët në Dublin t’i çajnë kordonin mbrojtës retorik? Në rrafshin e ndryshimit të menjëhershëm të qasjes së pushtetit, ndoshta jo. Kryeministrat në fazën që është z.Rama janë të stërvitur t’i kthejnë ato në shfaqje për të treguar “forcën” e tyre para opinionit të brendshëm.
Megjithatë, dalja në Dublin dëshmoi se çdo herë që po detyrohet të dalë jashtë kufijve të kontrolluar të oborrit mediatik vendas dhe përballet me gazetarë që nuk ushqehen nga buxhetet apo tenderët e qeverisë, fasada e “suksesit transparent” plasaritet.
Sazani, bregdeti, pronat publike dhe mënyra se si trajtohen interesat e mëdha të vendit që shkojnë përtej mandateve të një kryeministri nuk mund të fshihen pas batutave apo pas akuzave për “fake news”. Jashtë vendit, zotit Rama i ka mbetur vetëm zhurma që përpiqet të bindë botën se pasqyra ka faj që tregon fytyrën e vërtetë.
