Gjyqtari i Durrësit, Petraq Çuri mbetet jashtë sistemit të drejtësisë. Ai është shkarkuar ditën e sotme nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK). Në raportin final u konstatua se magjistrati nuk justifikon me të ardhura të ligjshme disa apartamente, garazhe, makinë dhe qindra mijëra euro të ardhura që kapin vlerën e 700 milionë lekëve (të vjetra).
Për të justifikuar këtë pasuri, gjyqtari i Durrësit Petraq Çuri ka pohuar se ka fituar nga qarkullimi i parave në ish firmat piramidale të vitit 1996, ku interesi sipas tij ishte deri në 30 %. Gjyqtari ka theksuar se vjehrra e tij ka punuar në Greqi. Çuri kërkoi nga Komisioni i Vetingut që të njihte 40 mijë euro nga puna vjehrrës së tij në Greqi. Gjyqtari, i cili mbrohej nga avokatja Antoneta Sevdari, e shkarkuar nga Vetingu si prokurore, pretendoi të ardhura nga puna dhe pensioni i prindërve të tij. Gjyqtari i Durrësit Petraq Çuri është lakuar në publik në korrik të vitit 2017 pasi liroi nga burgu Alket Hatinë, i konsideruar nga mediat si lordi i drogës në Milano. Alket Hatija u arrestuar në 8 korrik 2017 për llogari të autoriteteve italiane, në funksion të ekstradimit në Itali, ku ishte dënuar me 20 vite burg për trafik droge, pasi vetëm gjatë një viti ka arritur të trafikojë në Milano 350 kg heroinë e 190 kg kokainë me vlerë rreth 40 milionë euro.
Por, në 11 korrik 2017, gjyqtari Petraq Çuri e liroi nga burgu Alket Hatinë. Ministrja e Drejtësisë në atë kohë, Etilda Gjonaj, i kërkoi Këshillit të Lartë të Drejtësisë hetimin disiplinor dhe shkarkimin e gjyqtarit Çuri, me pretendimin se ka kryer shkelje të rënda profesionale që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit në dhënien e vendimit për mosmiratimin e arrestit të shtetasit Alket Hatija dhe lirimin e tij. Kërkesa nuk u pranua nga KLD-ja. Në korrik të vitit 2015, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Lartë të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave e kallëzoi penalisht gjyqtarin e Durrësit, Petraq Çuri, për të mosdeklarimit të pasurisë.
