Në kuadrin e 85 vjetorit të Luftës së Spanjës
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
- Publicitet -
Për 60 yjet e lirisë
Në historinë shumëshekullore, populli shqiptar ka qenë fort i ndjeshëm për fatkeqësitë e rënda të popujve të tjerë, dhe sa herë ka pasur situata lufte, ka treguar solidaritet dhe ka ndihmuar ndihmuar me aq sa ka mundur. Populli shqiptar ka përjetuar dhe vazhdon të përjetojë në kurrizin e vet pasojat tragjike të pushtimeve të huaja, të sundimit të sulltanëve orientalë dhe diktatorësh oksidentalë. Në histori është treguar i ndjeshëm, solidar me popujt e tjerë kur ka qenë në rrezik liria e tyre, duke e treguar këtë sidomos në Luftën e Spanjës, në Luftën e Dytë Botërore, në Luftën e Kosovës, por dhe në misionet paqeruajtëse në kuadrin e NATO-s. Bota e qytetëruar nuk i harron sakrificat e popullit shqiptar, luftën heroike, të udhëhequr nga prijësi Gjergj Kastrioti Skënderbeu në mbrojtje të lirisë dhe të qytetërimit europian, të kërcënuar nga osmanët. Ky fakt është simbol universal.
***
Një simbol i madhërishëm ishte ishte pa dyshim pjesëmarrja e shqiptarëve në rezistencën e popullit spanjoll (1936-1939) kundër diktaturës fashiste dhe aleancës së Frankos, Musolinit e Hitlerit, që kishin filluar luftërat agresive për t’iu grabitur popujve lirinë. Vullnetarët shqiptarë shkuan me vullnet të lirë aty ku mund të linin kokën. Ata shkuan për t’i shpëtuar nderin Shqipërisë. Ata shkonin të bashkoheshin me vullnetarët e 53 vendeve të botës. Ata u bashkuan me Heminguejn e Ralf Foksin, me Pablo Nerudën e Ludvig Renin, me Ilia Ehremburgun e Andersen Neksën e me sa e sa personalitete të shquara botërore, simbole të lirisë e demokracisë. Me këtë botë përparimtare u bashkuan dhe më shumë se 60 shqiptarë. Në atë kohë ishte e vështirë të niseshe nga Shqipëria, ajo gjendej nën thundrën e mbretit obskurantist të vetëshpallur, i cili tregohej i zellshëm dhe i bindur për nënshtrim ndaj Duçes. Numri i vullnetarëve shqiptarë nuk ka rëndësi përballë vështirësitë për pjesëmarrjen në betejat e luftës kundër fashizmit në Spanjë. Ata shkuan të vetëdijshëm për qëllimin, sepse për këtë qëllim, sikurse ka shkruar Prof. Skënder Luarasi, i pari ndër shqiptarët që shkeli tokën spanjolle, se pas Abisinisë e Spanjës, do të jetë populli shqiptar viktima e tretë e lakmisë fashiste. Ky paralajmërim u provua më 7 prill 1939. Vullnetarët përfaqësonin trojet ku banonin shqiptarë dhe diasporën. Ndër 60 e ca luftëtarët kishte nga Shqipëria, nga Kosova e Çamëria, nga kolonitë arbëreshe të Greqisë e Kalabrisë, nga fabrikat e minierat e Francës dhe Amerikës. Ata ishin yjet e lirisë të gjithë kombit shqiptar që e përfaqësuan plotësisht pa lënë mangët asnjë pjesë të tij. Ata ishin përfaqësues kombëtarë dhe u përkisnin të gjithë shtresave të kombit.
15 prej tyre dhanë jetën në Spanjë për lirinë e saj e të Shqipërisë. Vullnetarët shqiptarë nuk i kthyen kurrizin armikut e rrezikut, ata i tregonin armikut ballin dhe gjoksin, sepse ishin bij të trimërisë shqiptare. Me gjakun e tyre ata i dhuronin lirisë dhe idealit të demokracisë gjithçka më të shtrenjtë të njeriut – jetën. Vullnetarët që mbetën gjallë, largoheshin nga Spanja të mërzitur nga disfata, morën me vete hidhërimin se kishin lënë në tokën e Spanjës shokë trima që nuk do t’iu diheshin kurrë varret. Ata ikën të mërzitur, por të vendosur se do ta vazhdonin luftën e nisur për liri e demokraci, kundër fashizmit. Premtimin e mbajtën, por kaluan në kalvarin e kampeve shfarosëse e burgjeve, duke arritur përmes vështirësish të panumurta në malet e Shqipërisë për të rifilluar luftën e tyre për liri, pavarësi e demokraci. Të gjithë u gjendën në radhët e Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare. Me çlirimin e vendit, në vend që të nderoheshin si fitimtarë, shumë prej tyre iu desh të përballonin mospërfilljen…
***
Përkujtimi i 85 vjetorit të Luftës Civile të Spanjës është një rast që të vihet në vend padrejtësia e bërë ndaj atyre që dhanë jetën në Spanjë, por edhe ndaj të tjerëve, që tashmë kanë vdekur pas përpjekjesh, vuajtjesh e mundimesh, si dëshmorë të Lirisë. Është kërkuar në vite për të mbledhur eshtrat e gjithë vullnetarëve shqiptarë të Luftës së Spanjës, nga varret e tyre të shpërndara jashtë e brenda vendit, që të vendoseshin tok në një parcelë të veçantë në Varrezat e Kombit, sepse ata kanë qenë luftëtarët e dëshmorët e parë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare…
Ranë për lavdinë e popullit shqiptar
Në kohën kur fashizmi italian kërcënonte pavarësinë e Shqipërisë dhe kur në Spanjë filloi Lufta Civile, apo më saktë agresioni i hapët italo-gjerman për likujdimin e Republikës Spanjolle, të frymëzuar nga ndjenjat e internacionalizmit proletar, shkuan vullnetarë në Spanjë për të luftuar kundër fashizmit në mbrojtje të popullit spanjoll dhe njëkohësisht edhe të atdheut të tyre, Shqipërisë. Luftuan heroikisht në radhët e brigadave internacionale të Ushtrisë Popullore të Republikës Spanjolle kundër forcave fashiste spanjolle dhe ndërkombëtare gjersa ranë dëshmorë në sheshin e luftës.
- Zef Preng Hoti, ishte 30 vjeç, fshatar i varfër nga Malësia e Shkodrës. Ka qenë punëtor krahu në Shqipëri. Emigroi në Francë në vitin 1930. Atje punoi si punëtor. Nga fundi i 1936, shkoi vullnetar në Spanjën Republikane. Në radhët e reparteve intemacionale të garibaldinëve, ra në frontin për mbrojtjen e Madridit në muajin janar 1937.
- Urfi Ali Agolli, ishte 23 vjeç, shtresë e varfër nga Dibra e Madhe. Ka qenë nxënës në shkollën ushtarake. Me shumë peripeci shkoi në Spanjen Republikane nga fundi i 1936. Në radhët e reparteve intemacionale të garibaldinëve, ra në frontin për mbrojtjen e Madridit në muajin janar 1937.
- Teni Diamant Konomi, nga Korça, vjeç 26, me profesion artizan, u nis për në Spanjën Republikane. Pa arritur në tokën spanjolle, vaporri me të cilin udhëtonte u godit nga fashistët. Ai u vra në ujrat e Barcelonës, më 1 maj 1937.
- Asim Ali Vokshi, nga Gjakova, vjeç 28, me profesion oficer i karrierës. Pasi mori pjesë aktive në Lëvizjen e Fierit kundra regjimit të Zogut u dënua dhe u përjashtua nga çdo nëpunësi. Shkoi në Spanjën Republikane në muajin maj 1937. Ka bërë pjesë në radhët e Brigadës “Garibaldi”, ka qenë oficer, si përgjegjës kompanie. Ra në Fuente del Ebro më 4 tetor 1937. Është shpallur Hero i Popullit.
- Ramiz Maliq Varvarica, nga Peshkopia, vjeç 38. Ka qenë nënoficer në ushtrinë shqiptare. Ka marrë pjesë aktive në revolucionin e 1924-ës. Me ardhjen e Zogut në fuqi, menjëherë emigroi. Ka punuar në Francë si punëtor për shumë kohë. Në Spanjën Republikane ka shkuar në fund të vitit 1936. Ka bërë pjesë në radhët e reparteve internacionale e në fund në Brigadën “Garibaldi”. Ka pasur gradën kapiten. Ra në frontin e Kaspes në muajin prill 1938. Është shpallur Hero i Popullit.
- Musa Ali Kami (Fratari), nga Përmeti, vjeç 27, shtresë e mesme fshatare, oficer i karrierës, i pushuar si armik i regjimit shtypës. Ka shkuar në Spanjën Republikane, në muajin maj 1938. Ka bërë pjesë në radhët e Brigades Internacionale – “Garibaldi”. Ka qenë përgjegjës i skuadrës së mitralierëve. Ra në frontin e Ebros në muajin shtator 1938, një nga betejat më t’ashpra të Luftës së Spanjës. Është shpallur Hero i Popullit.
- Thimjo Nasho Gogozoto, nga Çamëria (fshatrat e Pargës), vjeç 24, nxënës i shkollës Normale të Elbasanit. Ka shkuar në Spanjë në qershor 1938. Ka bërë pjesë në repartet e Brigadave internacionale. Ra në frontin e Ebros më 28 shtator 1938, në një nga betejat më t’ashpra të Luftës së Spanjës.
- Xhemal Osman Kada, nga Peja, vjeç 26 oficer i kaerierës. Ka shkuar në Spanjën Republikane nga fundi i 1936. Ka bërë pjesë në radhët e reparteve të Brigadave Internacionale “Garibaldi” si oficer. Ra në frontin e Ebros në shtator 1938, një nga betejat më t’ashpra të Luftës së Spanjës. Është shpallur Hero i Popullit.
- Kosta Dhimitër Lito, nga Leskoviku, vjeç 41, punëtor i emigruar në Francë. Ka shkuar në Spanjën Republikane nga fundi i 1936-ës. Ka bërë pjesë në radhët e reparteve të Brigadave Internacionale me gradën nënoficer. I plagosur rëndë në frontin e Madridit. Është marrë nga kampet e përqëndrimit të Francës nga Gestapoja. Është shdukur në kampet e shfarosjes së Gjermanisë naziste.
- Daut Muço Podgorani, nga Përmeti, vjeç 25, punëtor dhe emigrant në Pariz. Ishte nga vullnetarët e parë që shkoi në Spanjë dhe formuan “Komunën e Parisit”, u radhit në kolonën italiane “Roseli” dhe pastaj u shkrinë në Brigadën Internacionale “Garibaldi”. Ra dëshmorë në nëtor të vitit 1938 për të mbrojtur Madritin.
- Hamdi Koja Zagari, nga Kolonja, vjeç 30, kishte mabruar akademinë në Francë, shërbente në ushtrinë e Republikës Sapanjolle, nga rrebelimi së bashku me vullnetarë punëtorë bulgarë, u pushkatua më 27 korrik 1936.
- Zihni Murat Çami, nga Çamëria, vjeç 29, ishte oficër, komandant kompanie, vritet nga një bombardim pa lënë asnjë gjurmë më 4 tetor 1938.
- Ymer Puka, nga qyteti i Pukës, vjeç 50, mbaruar akademinë në Stamboll, komandant me përvojë, major në ushtrinë turke. Mori pjesë në Luftën e Spanjës, si komandant batalioni. Me të plagosur dhe të sëmurë kaluan kufirin për në Francë me përfundimin e luftës. U kap nga nazistët dhe u zhduk në dhomat me gaz të tyre në vitin 1944.
- Xhelal Abaz Çami, nga fshati Kurtec, Çamëri, vjeç 40, punon si emigrant në Paris, merr pjesë në Luftën e Spanjës, në kompaninë mitraliere, plagoset rëndë, u mjekua, shpëton dhe në vitin 1952 kthehet në Shqipëri. Shtrohet në sanatoriumin e Tiranës dhe vdes më 14 prill 1953.
- Novruz Feim Veli Zagari, nga Kolonja, vjeç 35, kishte mabruar akademinë në Francë, shërbente në ushtrinë e Republikës Sapanjolle, nga rrebelimi së bashku me vullnetarë punëtorë bulgarë, u pushkatua më 27 korrik 1936.
Përveç të rënëve në krye të detyrës në luftime u plagosën edhe shumë shqiptarë të tjerë si: Qamil Sherifi, Stivens Thanasi e Qamil Sherifi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ardhur vullnetarisht për në Spanjë. Përveç këtyre të rënëve dhe të plagosurve ka edhe të tjerë por ende nuk janë evidentuar se pushteti i kohës që zhvillohej lufta nuk vlerësoi sa duhej sakrificat, përpjekjet gjakun dhe jetën e tyre që e falën në lulen e rinisë për të mbrojtur Shqipërinë atje në brigjet e lumit Ebro.
Mirënjohje për Veiz Bajon
Veiz Mehdi Bajo është autori i librit “Dëshmorët shqiptarë në Luftën e Spanjës (1936-1939)”. Ai ka lindur në Shalës të Konispolit më 10 janar 1921, në një familje me tradita të hershme trimërie. Në moshë të re njohu “shkollën” e rëndë të vuajtjeve e të mjerimit, duke e mësuar të lidhej me lëvizjen çlirimtare. Në fillim doli partizan në batalionin “Çamëria” dhe vazhdoi luftën në detyrën e komisarit të kompanisë në batalion. Këtë detyrë e kreu dhe në rreshtat e BrXIVS. Në luftën për çlirimin e Delvinës, ju vranë dy vëllezër në një ditë, Riat dhe Idriz, ndërsa vetë Veizi u plagos në kokë.
Pas çlirimit të vendit, Veizi nisi studimet në ish Bashkimin Sovjetik. Studimet i mbaroi me rezultate të shkëlqyera. Në Shqipëri mbaroi Fakultetin e Ekonomisë dhe të Gjuhë-Letërsi Ruse. Punoi për shumë kohë në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, në detyrën e shefit të ciklit, si dhe pedagog në Shkollën e Bashkuar të Oficereve, etj.
Gjatë gjithë jetës Veizi nuk ju nda studimeve. Ai ka përgatitur studime historike, sidomos për luftën, monografi, si për dijetarin e madh Hasan Tahsin, librin kushtuar dëshmorëve të Luftës së Spanjës, është marrë me publicistikë, etj. Ka botuar dhe gazetën “Zëri i Çamërisë”, ka ka shkruar për luftën e trimave shqiptare. Ai krijoi dhe ligjëroi me vendim të Gjykatës së Rrethit të Tiranës, Shoqatën e Familjarëve të Luftës së Spanjës.
Ai punoi gjatë gjithë jetës së tij me përkushtim, u shqua si qytetar aktiv, veteran i palodhur dhe i nderuar. Për merita në luftë dhe në punë i ishin akorduar medalje dhe dekorata. Ai dha shembullin e madh se si mund të punohet e luftohet deri në fund të jetës për ideale të mëdha. Vdiq më 13 qershorit 1996 në Tiranë.