Viktor Malaj
Disa “filozofë” që kanë tridhjetë vjet që na japin leksione mbi demokracinë, por që kanë po kaq vjet që na kanë provuar në praktikë se me demokracinë nuk i lidh asgjë, përsërisin herë pas here se “nga opozita nuk i vjen asnjë e keqe vendit”, prandaj ata që kritikojnë opozitën janë thjesht në shërbim të pushtetit dhe antidemokratë.
Pohimet e këtyre ideologëve mjaullitës për pushtet nuk i lidh asgjë me të vërtetën dhe as me interesat e popullit.
Është krejtësisht e vërtetë që dylbitë e mendjes duhen përqendruar tek pushteti dhe pushtetarët, por është po kaq e vërtetë se ata që presin mbas derës për të ardhur në pushtet duhen kaluar në aparatin e radiografisë mendore e morale përpara se të konsiderohen alternativë e pushtetit.
Të kërkosh zëvendësimin e qeverisjes aktuale me një tjetër më të mirë dhe më të denjë është detyrim moral dhe intelektual ndaj vendit dhe popullit, por të thuash, siç pohonte një ish-ministër (tani pjesë e opozitës), se opozita duhet sjellë në pushtet, edhe në mos qoftë më e mirë, thjesht për rrotacion, kjo do të thotë se opozita duhet sjellë në pushtet sepse mua nuk më rrihet kaq gjatë në opozitë.
Ashtu si pushtetarët, edhe opozita analizohet dhe vlerësohet lidhur me personalitetin e figurave kryesore të saj, me sjelljen e saj në opozitë dhe me programet që paraqet. Kur figurat kryesore opozitare janë të panjohura dhe, sidomos, të pasprovuara në pushtet, atëherë kriteri i parë nuk duhet konsideruar fort pasi “praktika është kriteri i së vërtetës”.
Mirëpo, kur ke të bësh me të njëjtat figura, të njëjtën mendësi, moral dhe me njerëz që janë provuar disa herë në pushtet dhe po aq herë kanë dështuar, që aq herë sa kanë qeverisur po aq shpesh kanë kryer faje e krime, puna ndryshon rrënjësisht.
Të gabosh apo të mos mbash premtimet e bëra është e pranueshme sepse janë shumë faktorë që përcaktojnë produktin e qeverisjes, por që, me vetëdije, të kesh kryer krime që cenojnë parimet themelore të shtetit që pretendon se ti e përfaqëson dhe e drejton më mirë se kundërshtari dhe të mos ndiesh dhe as pranosh kurrfarë përgjegjësie historike, politike dhe as juridike, kjo do të thotë se je i padenjë për të qeverisur dhe se edhe njëqind herë të vihesh në krye po aq herë do t’i përsërisësh gabimet dhe fajet e mëparshme.
Të risjellësh në krye të vendit ata që kanë gabuar dhjetëra herë, nuk janë penduar asnjëherë, megjithëse kanë pasur mjaft kohë për t’u ndrequr, do të thotë të bësh vetëvrasje individuale dhe kolektive.
Prandaj “filozofët” e moskritikës ndaj opozitës do të bënin më mirë, të nxisin dhe punojnë për ndreqjen morale dhe politike të drejtuesve kryesorë të opozitës dhe zëvendësimin e tyre në mënyrë që të kenë të drejtën morale për ta rithirrur në pushtet.
Por derrat e kënaqur nuk kanë parime dhe as skrupuj. Ata i thërret kënaqësia e barkut dhe i lumturon mbushja e xhepave. Të varfërin e përçmojnë dhe kohën me ngjarjet e saj e vlerësojnë në raport me peshën e atyre që kanë në xhepat e vet. Atdheu i tyre është banka dhe shtëpitë e tyre janë llogaritë bankare që ata zotërojnë. Kur llogaritë e tyre bankare shtohen, banka vetë iu përngjan me parajsën apo shtëpinë e Zotit, edhe nëse aty vjen era kalbësirë morale dhe çnjerëzim.
Derrave të kënaqur për shkak të privilegjeve dhe përfitimeve të dyshimta të siguruara nëpërmjet lidhjeve politike iu duket e ulët, e padobishme, e panevojshme dhe e turpshme mënyra si jeton pjesa tjetër e popullsisë.
E përse t’iu bëjnë përshtypje korrupsioni alarmant e dëshpërues i qeverisjeve 30 e ca vjeçare kur punët e tyre iu shkojnë si s’ka më mirë, kur ata mund të fitojnë me një tender apo konçesion aq sa marrin ndihmë sociale të gjitha familjet shqiptare së bashku për një vit, ndihmë që s’iu mjafton as për të blerë bukën thatë?!
Në shumë nga qëndrimet dhe deklaratat e tyre publike shfaqen hapur mjerimi moral, fodullëku, hipokrizia dhe djallëzia.
Këta njerëz të zhveshur nga çdo skrupull, qytetarisht të papërgjegjshëm, kombëtarisht të pavlefshëm dhe politikisht të dëmshëm e të pandreqshëm meritojnë vetëm përbuzje.
