Javës së ardhëshme do të rihapen aplikimet për plotësimin e formularit A1 dhe A1Z, nga të gjithë maturantët dhe ish-maturantët që nuk arritën dot gjatë muajit dhjetor të kryenin këtë proces. Nëpërmjet urdhrit të bërë publik gjatë ditës së djeshme, Qendra e Shërbimeve të Arsimit (QSHA) ka konfirmuar datat e reja që maturantët kanë në dispozicion për të plotësuar formularin përkatës. Plotësimi i këtyre formularëve u jep mundësinë maturantëve dhe kandidatëve të tjerë (që kanë mbaruar studimet e shkollës së mesme më herët), të mund të regjistrohen për të dhënë provimet e detyruara dhe lëndën me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2023. Të gjithë ata që do të rezultojnë kalues në këto provime, do të mund të pajisen me Diplomën e Maturës Shtetërore, duke gëzuar kështu edhe të drejtën që të aplikojnë për të studiuar në institucionet e arsimit të lartë, qofshin këto publike apo private, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Sipas afateve të përcaktuara, raundi i ri i aplikimit për plotësimin e formularëve do të zhvillohet gjatë javës së ardhshme për pesë ditë me radhë. “Periudha e re e aplikimeve me formularët A1 dhe A1Z për Maturën Shtetërore 2023 do të jetë në datat 27 shkurt, deri në datën 3 mars, nga ora 08:00-16:00”, saktësohet në urdhrin e miratuar nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit. Procedura e aplikimit do të jetë e njëjtë me atë të zhvilluar në muajin dhjetor. Maturantët do të bëjnë aplikimin fillestar në portalin online, dhe më pas do të paraqiten në shkollë për të bërë konfirmimin përfundimtar me ndihmën e mësuesve specialistë.
Katër janë provimet që do të zhvillojnë maturantët edhe përgjatë Maturës Shtetërore 2023, ku bëhet fjalë për 3 provime të detyruara që do të zhvillohen në lëndët: gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikë, dhe gjuhë e huaj e parë, si dhe një lëndë që do të jepet si provim me zgjedhje, e cila do të përzgjidhet sipas preferencave të maturantit nga lista zyrtare e miratuar nga MAS për çdo profil shkollor: shkollat e mesme të përgjithshme, ato artistike, si dhe shkollat profesionale. Sa i takon provimit me zgjedhje, maturanti duhet të zgjedhë këtë lëndë nga lista e 8 lëndëve të miratuara për nxënësit e shkollave të mesme të përgjithshme, 3 lëndë për shkollat artistike, si dhe 41 lëndë për maturantët e shkollave profesionale. Listën e lëndëve që mund të jepen si provim me zgjedhje e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit.
Kush duhet të plotësojë Formularin A1?
Formulari A1 duhet të plotësohet nga të gjithë maturantët që mbyllin studimet e shkollës së mesme përgjatë vitit 2023. Aplikimi do të bëhet online në portalin e Maturës, dhe në çdo rast maturanti do të ndihmohet nga një mësues mbikëqyrës për të shmangur gabimet në plotësimin e tij. Nga lista zyrtare e lëndëve të miratuara, maturanti ka të drejtë që të zgjedhë vetëm një lëndë për ta dhënë si provim me zgjedhje. Për shkollat profesionale bëhet e ditur se teoria profesionale është e zbërthyer sipas indeksit të shkollave. Maturantët e shkollave profesionale lëndën me zgjedhje duhet ta përzgjedhin detyrimisht nga lista që është e përcaktuar vetëm për këtë profil shkollash.
Si duhet të plotësohet Formulari A1Z?
Formularin A1Z mund ta plotësojnë të gjithë kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2023, dhe që kanë detyrim për të dhënë një, ose disa provime të maturës, po ashtu mund ta plotësojnë edhe kandidatët që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë vendit, të cilët pasi kanë bërë njehsimin e diplomës në komisionin përkatës të QSHA-së rezulton se kanë detyrimin për të dhënë një, ose disa provime të maturës, si dhe kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme në Shqipëri ose jashtë vendit që nuk kanë detyrim për të dhënë provime të maturës 2023, por që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në universitetet publike, apo private përgjatë vitit të ri akademik.
Plotësimi i këtij formulari do të ndiqet nga një mësues mbikëqyrës. Këta maturantë do të bëhen pjesë e Maturës 2023 duke mbartur rezultatet e provimeve të dhëna në vitet përkatëse, si për lëndët e detyruara, ashtu edhe lëndën me zgjedhje. Për të bërë plotësimin e formularit A1Z, kandidati duhet të paraqesë tek mbikëqyrësi një vërtetim të lëshuar nga Komisioni i Maturës Shtetërore dhe Zyrës Vendore të Arsimit, i cili pasqyron provimet që ai ka dhënë, si dhe rezultatet që ka marrë në to. Vërtetimi krahas gjeneraliteteve duhet të ketë edhe këto të dhëna: provimet e detyruara dhe notat e përshkallëzuar të marrë në secilin prej tyre, si dhe notën e përshkallëzuar të marrë në provimin lëndës me zgjedhje. “Për maturantët që në maturat e shkuara kanë dhënë provime me zgjedhje dhe rezultojnë kalues në to, bëhet e ditur se nuk kanë më detyrim që të japin provim me zgjedhje. Ata mund të mbartin rezultatin e kësaj lëndë sipas preferencës së tyre”, sqarojnë autoritete e MAS.
Gjatë plotësimit të formularit A1Z duhet të konfirmoni me kujdes tre lëndët që janë dhënë si provim i detyruar (gjuhë shqipe, matematikë dhe gjuhë e huaj gjatë viteve përkatëse). Në rastet kur maturantët janë vlerësuar kalues do të shënojnë notat e marra në to, ndërkohë që nuk kanë më detyrim për të dhënë provim të detyruar në Maturën Shtetërore 2023. Ndërkohë që në rastet kur kanë rezultuar kalues vetëm në një provim, do të duhet të japin dy të tjerët, ose kur kanë rezultuar kalues në dy, do të japin vetëm lëndën përkatëse sipas rregullave të përcaktuara për maturën e vitit të ardhëshëm.
Sa i takon provimit të gjuhës së huaj, maturantët që kanë mbaruar shkollën e mesme para vitit 2014 nuk kanë detyrim që të japin këtë provim, gjatë plotësimit të formularit ata duhet të zgjedhin opsionin “nuk kam detyrim”.
Për kandidatët e Maturës Shtetërore të zhvilluar ndërmjet viteve 2014-2022 nuk lejohet që të zgjedhin opsionin “nuk kam detyrim”. Në këtë rast ju duhet të zgjidhni detyrimisht lëndën D3 që do të japni si provim në Maturën 2023 nëse më parë jeni vlerësuar si jokalues, teksa në rastet kur keni marrë vlerësim pozitiv do të bëni vetëm deklarimin e notës së marrë.
Sipas kushteve të përcaktuara në udhëzimin e plotësimit të këtij formulari, kandidati zgjedh nga lista lëndën me zgjedhje që do të mbartë dhe shënon vitin kur e ka dhënë, si dhe notën e shkallëzuar që ka marrë në të. Nëse lënda me zgjedhje është dhënë disa herë provim, do të lejohet që të mbartet nota e marrë në provimin e vitit më të fundit.
Kandidati që mbart nga maturat 2006-2022 një lëndë me zgjedhje nuk do të jetë më i detyruar që të japë provim gjatë maturës së vitit të ardhëshëm. Kandidati që në maturat 2012-2018 ka dhënë dy lëndë si provim me zgjedhje dhe është shpallur kalues në njërin prej tyre mund ta mbartë atë. Ndërsa kandidatët që kanë dhënë në 2012 tre lëndë si provim me zgjedhje dhe janë shpallur kalues në një prej tyre, apo në më shumë, mund ta mbartin atë sipas dëshirës.
Në udhëzim saktësohet më tej se kandidati që ka marrë Dëftesë Pjekurie para vitit 2011 dhe dëshiron të aplikojë për studime në institucionet e arsimit të lartë, por nuk ka mbartur lëndë me zgjedhje nga maturat 2006-2022 nuk janë të detyruar të japin një provim si lëndë me zgjedhje. Përjashtim në këtë rast bëhet vetëm kur është e nevojshme për të plotësuar kriteret e aplikimit për studimet në institucionet e arsimit të lartë.
Kandidati që ka përfunduar shkollën e mesme profesionale duhet të mbartë lëndën e Teorisë Profesionale të Integruar nëse e ka dhënë atë dhe ka rezultuar kalues. Po ashtu, duhet të rijapë këtë lëndë nëse nuk e ka dhënë me parë, ose nëse është vlerësuar jokalues
Somarjo:
Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka konfirmuar dje datat e reja që maturantët kanë në dispozicion për të plotësuar formularin A1 dhe A1Z. Periudha e re e aplikimeve do të jetë në datat 27 shkurt-3 mars. Plotësimi i këtyre formularëve u jep mundësinë maturantëve dhe ish-maturantëve që të mund të regjistrohen për të dhënë provimet e detyruara dhe lëndën me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2023. Të gjithë ata që do të rezultojnë kalues në këto provime, do të mund të pajisen me Diplomën e Maturës Shtetërore, duke gëzuar kështu edhe të drejtën që të aplikojnë për të studiuar në institucionet e arsimit të lartë, qofshin këto publike apo private, si brenda ashtu edhe jashtë vendit
Risitë e Maturës 2023
Për të pasur një mbarëvajtje sa më të mirë të provimeve, si dhe për të shmangur abuzimet që mund të bëhen me procesin e administrimit, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka vendosur që provimet e maturës nuk do të zhvillohen me nëpër klasa dhe ambiente të vogla. Për provimet e detyruara dhe lëndën me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2023, është menduar që provimet të zhvillohen në qendra të mëdha, siç janë pallatet e sporteve, ambientet e universiteteve, palestrat, si dhe struktura të tjera me hapësira të mëdha.
Për provimet e këtij viti është vendosur që të hiqet fleta e përgjigjeve. Kështu maturantët do të mund të plotësojnë përgjigjet e sakta direkt në tezën e provimit dhe jo më në fletën e përgjigjeve, sikundër ka ndodhur deri në maturën e vitit 2022. Sipas ekspertëve, është vlerësuar se plotësimi edhe i kësaj flete merr më shumë kohë për maturantët, ndërkohë që shton riskun për më shumë gabime. Duke hequr plotësimin e kësaj flete, maturanti ka më shumë kohë në dispozicion për të bërë plotësimin e duhur të përgjigjes direkt në test.
Për të gjitha provimet, ato të detyruara dhe lëndën me zgjedhje, maturantët do të kenë mundësi që jo vetëm të kërkojnë kopjen e korrigjuar të testit, por edhe të bëjnë rivlerësimin e tij, në rastet kur do të jenë të pakënaqur me notat e marra. Ministria e Arsimit ka vendosur se gjatë Maturës Shtetërore 2023, do të ketë edhe rivlerësim të testeve në rast se maturantët do të konfirmojnë pasaktësi në këtë proces.
Lista e lëndëve për provimin me zgjedhje për gjimnazet e përgjithshme:
Kimi
Fizikë
Biologji
Histori
Gjeografi
Qytetari dhe Psikologji
Filozofi dhe Sociologji
Ekonomi
Lista e lëndëve për provimin me zgjedhje për shkollat artistike:
Histori Baleti
Histori Arti
Histori Muzike
Lista e lëndëve për provimin me zgjedhje për shkollat profesionale:
Hoteleri-turizëm
Shërbime mjetesh transporti
Mekanikë
Elektroteknike
Elektronikë
Përpunim Druri
Ndërtim
Tekstil Konfeksione
Tekstil Konfeksione (NABER-ADA)
Teknologji Ushqimore
Bujqësi
Shërbime sociale dhe shëndetësore.
Instalues i sistemeve termohidraulike
Teknologji Kimike
Peshkim
Detari
Gjeologji-miniera
Llogari
Shërbime Bankare
Sipërmarrje e agjencisë turistike
Sigurime
Tregti
Administrim biznesi
Rrjete të dhënash
Mbështetje të përdoruesve të TIK
Zhvillim Website
Rrjete të dhënash (pilot-giz)
Inxhinieri informatike softëeresh
Silvikulturë
Agrobiznes
Gjeodezi
Veterinari
Biznes Harry Fultz
Elektronikë Harry Fultz
Automekanik Harry Fultz
Shërbime Kujdesi për të moshuar, pilot Giz
Kërkim shpim dhe shfrytëzim gazi, nafte dhe uji
Shërbime të udhëtimit dhe turizmit
Riparime të pajisjeve elektronike
Telekomunikacion
Teknologji Bujqësore
