Duke nsiur nga dita e sotme, rimbursimi i fishave hyn në fuqi edhe për të moshuarit nga mosha 65 vjeç dhe më shumë, ndërkohë që pjesë e skemës së përfitimit janë edhe grupmoshat nga 0-25 vjeç. Do të jetë mjeku i familjes ai që do të përshkruajë recetën për marrjen e fishave për pensionistët me diabet, tërheqja e të cilave do të bëhet në të gjitha farmacitë e rrjetit të hapur. Pacienti duhet të jetë i pajisur me kartë shëndeti për të përfituar recetën me rimbursim për fishat e diabetit.
“Bazuar në vendimin nr.58 të Këshillit të Ministrave, datë 01.02.2023, “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin 61, datë 03.02.2017, “Për miratimin e paketave të pajisjeve mjekësore të rimbursueshme, të ndryshuar”, në datë 27 shkurt 2023 nis procesi i rimbursimit të fishave të diabetit për moshat 0-25 vjec dhe moshat mbi 65 vjec, në farmacitë e rrjetit të hapur, sipas përshkrimt të recetave nga mjeku i famljes në sistemin eRX”, sqarojnë autoritetet e Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor.
Sipas të dhënave të deklaruara nga autoritetet shëndetësore, në të gjithë vendin janë mbi 50 mijë pensionistë, të cilët duke filluar nga dita e sotm, do të mund të përfitojnë fishat e diabetit falas nëpërmjet skemës së rimbursimit. Pasi të paraqiten tek mjeku i familjes, pensionistët do të marrin edhe recetën përkatëse, në të cilën përcaktohet numri i fishave që do të marrin pranë farmacive që kanë kontratë me Fondin për ndarjen e barnave me rimbursim. Vendimi gjithashtu ngarkon kompanitë importuese të fishave që të sigurojnë dhënien falas edhe të aparateve për matjen e glicemisë, si dhe të gjilpërave shpuese për çdo përfitues të fishave të diabetit.
Diabeti është një sëmundje kronike, e cila shfaqet kur pankreasi nuk prodhon aspak ose prodhon një sasi të pamjaftueshme insuline. Sëmundja karakterizohet nga hiperglicemia (rritja e sheqerit në gjak), si rezultat i sasisë së pamjaftueshme ose absolute të insulinës (një ndër hormoneve kryesore që prodhon pankreasi). Vlerat normale të sheqerit në gjak janë nga 70-110 mg/dl. Për një person me diabet, vlerat e sheqerit 2 orë pas buke, duhet të jetë më e vogël se 140 mg/dl. Diabeti është një sëmundje që prek një numër të madh personash të të gjitha moshave.
Nëse organizmi nuk ka mundësi të prodhojë insulinë kemi të bëjmë me diabet tip 1, ose nëse prodhimi është i pamjaftueshëm apo ka pamundësia të veprimit të insulinës në qelizat e organizmit kemi të bëjmë më llojin e diabetit tip 2. Forma e tretë e zhvillimit të kësaj sëmundje është edhe ajo që njihet si diabeti i shtatzënisë. Ky tip karakterizohet nga hiperglicemia, apo rritja e sheqerit në gjak, me vlera mbi normalen por më të ulëta se vlerat diagnostikuese tё diabetit, dhe ndodh gjatë shtatzënisё. Femrat me diabet gestational kanë një rritje të rrezikut pёr komplikacione gjatë shtatzënisë dhe në lindje. Gjithashtu, ato kanë rrezik mё tё lartë për të zhvilluar diabet tip 2 në të ardhmen.
Ka shumë shenja dhe simptoma që ju ndihmojnë të kuptoni nëse rrezikoni nga kjo sëmundje. Sipas autoriteteve të shëndetit publik, shenjat dhe simptomat më karakteristiket të kësaj sëmundjeje përfshijnë: etjen e pazakontë, urinim i shpeshtë, ndryshime në peshë (shtim, ose rënie), lodhje ekstreme ose pafuqi dhe mungesë e theksuar energjie, turbullim të shikimit, infeksione të shpeshta dhe të përsëritura, prerje dhe plagë që shërohen shumë ngadalë, ndjesi si shpimi me gjilpëra ose mpirje në duar dhe këmbë”. Këto shenja mund të mos shfaqen të gjitha njëherësh.
Sa më herët që të diagnostikohet kjo sëmundje, aq më e lehtë do të jetë edhe menaxhimi dhe trajtimi i saj, duke shmangur kështu ndërlikimet e rënda që mund të shfaqen. Mjekët thonë se tre janë shtyllat kryesore të kontrollit të kësaj sëmundjeje: dieta, mjekimi dhe aktiviteti fizik. I sëmuri me diabet mund të marrë çdo lloj ushqimi, por sasia do të ndryshojë në varësi të përmbajtjes së sheqernave dhe yndyrave që ato kanë. Ndërkohë që duhet të bëhet kujdes me trajtimin, i cili duhet të merret sipas përshrkimit të bërë nga mjeku specialist. Rol të rëndësishëm në parandalimin e ndërlikimeve të diabetit luan edhe aktiviteti fizik, i cili nuk duhet të neglizhoet.
“Diabeti është një sëmundje e cila zgjat të gjithë jetën. Një kontroll jo i mirë i sheqerit në gjak mund të shkaktojë dëmtime serioze në organizëm. Ndërsa një kontroll i mirë i sheqerit në gjak mund të vonojë madje edhe të parandalojë komplikacionet e diabetit. Nëse i sëmuri me diabet respekton parimet kryesore të dietës, marrjen e mjekimit në oraret e caktuara nga mjeku kurues dhe kryerjen e aktivitetit fizik në bazë të nevojave personale, ndjekja e mëtejshme e sëmundjes do të jetë e mirë, çfarë do të ndikojë në parandalimin dhe avancimin e komplikacioneve”, bëjnë me dije specialistët e Institutit të Shëndetit Publik.
Si vendoset diagnoza e diabetit
Diagnoza e diabetit kërkon kryerjen e dy analizave laboratorike: Matja e glukozës,sheqerit në gjak para ngrënies(esëll) në mëngjes dhe Testi i tolerancës së glukozës, ku mbasi merret nga goja të 75 gram sheqer, matet niveli i sheqerit në gjak çdo 2 orë, ose një ripërsëritje mbas një dite e matjes së glukozës në gjak esëll. Ndërsa matja e hemoglobinës së glukozuar,Hba1c, përdoret kur është diagnostikuar diabeti dhe përdoret për të kontrolluar atë në 2-3 muajt e fundit. Rezultati mund të quhet pozitiv nëse glicemia në gjak para ngrënies është e barabartë ose më shumë se 126 mg/dl, ose testi i tolerancës së glukozës është i barabartë ose më shumë se 200mg/dl dhe nëse glicemia para ngrënies është midis 110-125 mg/dl bëhet fjalë për pre-diabet apo tolerancë e dëmtuar e glukozë.
Nëpërmjet sigurimit shëndetësor çdo qytetar mund të përfitojë:
- Shërbimin shëndetësor falas tek mjeku i përgjithshëm dhe ai i familjes.
- Shërbimin shëndetësor falas tek mjeku specialist.
- Shërbimin shëndetësor falas në shtëpi, poliklinikë dhe spital.
- Ekzaminime laboratorike dhe radiologjike falas.
- Ekzaminime unikale terciare me rimbursim në masën 90% dhe bashkëpagesë nga personat e siguruar 10 për qind.
- Barnat e listës së rimbursuar falas për fëmijë 0-12 muajsh, invalidët e plotë, pensionistët, të verbërit dhe jetimët.
- Të gjitha barnat falas për veteranët me sëmundje kronike dhe invalidët e luftës.
- Barnat falas për të sëmurët me tumore, transplant të veshkës, sklerozë multiple, talasemia major.
- Barna me rimbursim të pjesshëm për të gjitha kategoritë e tjera të popullësisë, në përqindje të ndryshme, jo më pak se 50 për qind barnat e listës, kundrejt recetës me rimbursim, të lëshuar nga mjeku i përgjithshëm në të gjitha farmacitë që kanë kontratë me ISKSH. Lista e barnave, e cila përmban dhe çmimin e pacientit, disponohet nga të gjitha farmacitë dhe vihet në dispozicion të çdo personi të interesuar.
