Familjarët që janë në ngarkim të personit që vdes, i cili kishte kushte për përfitimin e njërit nga llojet e pensioneve, ose merrte pension, kanë të drejtë të marrin pension familjar. Pesë janë kategoritë që kanë të drejtë të përfitojnë pension familjar, siç janë: burri apo gruaja që mbeten të ve dhe që kanë fëmijë në ngarkim deri në moshën tetë vjeç, janë të paaftë për pune dhe kanë moshën e përcaktuar, jetimët që ishin në ngarkim të personit që humbi jetën, prindërit që janë mbi 65 vjeç, si dhe nipërit e mbesat.
Autoritetet e sigurimeve shoqërore bëjnë me dije se: “E veja dhe personi i ve humbasin të drejtën për pension familjar kur martohen”.
Pension familjar përfitojnë:
- E veja, kur provohet se ajo është: mbajtëse e një fëmije që ishte në ngarkim të të vdekurit, deri në moshën 8 vjeç, është e paaftë për pune, si dhe ka mbushur moshën 55 vjeç.
- Burri i ve, kur provohet se ai është: mbajtës i një fëmije që ishte në ngarkim të të vdekurit deri në 8 vjeç, është i paaftë për punë, ose ka mbushur moshën 60 vjeç.
- Jetimi kur provohet që ai ishte në ngarkim të atij që vdiq dhe ka një moshë nën 18 vjeç, ose deri në 25 vjeç, nëse studion ose është i paaftë për punë, para se të arrijë moshat e mësipërme.
- Prindërit, kur kanë arritur moshën 65 vjeç ose janë të paaftë për punë, prindërit e prindërve, njerku e njerka, kur nuk kanë persona që detyrohen t`i mbajnë, nëse provohet se ata jetonin në të njëjtën familje me atë që vdiq, jo më pak se një vit para momentit të vdekjes dhe kanë arritur moshën 65 vjeç, ose janë të paaftë për punë.
- Nipërit e mbesat, kur janë në ngarkim të atij që vdiq dhe bënin pjesë në të njëjtën familje me të. Në një rast të tillë ata trajtohen si jetimë.
p.k\dita
