Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi i ka bërë thirrje organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ-it, të gjejë mirëkuptimin dhe të shuajë menjëherë konfliktet në proceset organizative.
Në një intervistë për ATSH-në, Koçi foli për situatën e krijuar në zgjedhjet e Organizatës së Veteranëve dhe pasardhësve të LANÇ-it. Në një prononcim ekskluziv për gazetën DITA, Koçi tha se falangat e pinjollëve të bashkëpunëtorëve të pushtuesve fashistë që kanë krijuar një situatë të përkohshme të pakëndshme në Organizatën “Nderi i Kombit”, duhet të tërhiqen urgjentisht. Neofashistët nuk kanë të ardhme, ndërsa kjo organizatë do të jetojë në jetë të jetëve, se është një vlerë e patjetërsueshme e kombit shqiptar.
Ai theksoi rëndësinë që ka organizata e Veteranëve të LANÇ, përsa i përket historisë dhe interesave kombëtare.
“Më lejoni të theksoj rëndësinë kombëtare, morale, historike dhe shoqërore të funksionimit dhe drejtimit të kësaj organizate. Organizata e veteranëve të LANÇ është një organizatë antifashiste që disponon një dimension shumë të rëndësishëm në jetën tonë shoqërore dhe politike. Pra, ajo ka rëndësi të madhe edhe politike. Partia Socialiste është një aleate dhe partnere shumë e fortë e kësaj organizate, ashtu si vetë gjithë bashkësia e veteraneve të LANÇ është aleate e PS. Antifashizmi mbetet një mision jetik për kohën në të cilën jetojmë. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Bashkimin Evropian, ku herë pas here shfaqen fantazma të së kaluarës dhe shfaqjet e ekstremizmit të djathtë, të cilat shpesh rrezikojnë stabilitetin, normalitetin shoqëror dhe politik në vende të caktuara të BE-së”, tha ai.
Koçi tha se, “ne jemi të shqetësuar sot për situatën e krijuar së fundmi pas ndarjes nga jeta të ish drejtuesit dhe kryetarit të Komiteti të Veteranëve të LANÇ, Odhise Porodini”.
“Sigurisht, që kryesia aktuale e Komiteti Kombëtar të LANÇ, nënkryetarët dhe Sekretari i Përgjithshëm kanë meritat e tyre në aktivitetin e zhvilluar ndër vite. Por, ndërkohë gjykoj se kanë edhe përgjegjësi në situatën e krijuar, për shkak të një rivaliteti zgjedhor që ka sjellë trauma në drejtimin e funksionimin e Kryesisë së Organizatës së LANÇ, që do të thotë se zgjedhja më e mirë do të ishte një kandidaturë për kryetar, që nuk është pjesë e konfliktit të krijuar së fundmi në kryesinë e kësaj organizate”, tha ai.
“Po e ritheksoj që të gjithë mbajnë përgjegjësi. Është e papranueshme qe figura të tilla, që janë shumë të rëndësishme në mbrojtjen e vlerave te LANÇ, si Fatos Tarifa, Pëllumb Xhufi, Ksenofon Krisafi, Dorian Koçi, Spartak Braho etj, janë trajtuar në mënyrë të papranueshme dhe të papërshtatshme, nga një pjesë e kësaj kryesie. Ndërkohë është e qartë se organizata, por edhe të gjithë ne, nuk mund t’i mbrojmë dot vlerat e LANÇ, pa pasur në krah profesorë dhe akademikë të tillë si Xhufi, Tarifa, Kristafi etj, të cilët falë mençurisë, respektit dhe përkushtimit për LANÇ janë në krahun tonë dhe në krahun e organizatës”, u shpreh Koçi.
Koçi shtoi se, “mua më vjen mirë që një pjesë e Komiteti Kombëtar të LANÇ kanë propozuar një personalitet si Shaqir Vukaj për të drejtuar këtë organizatë, një antifashist i kulluar, ish-ministër i Mbrojtjes në një periudhë të errët të demokracisë shqiptare, ish-nënkryetar i Kuvendit, i shquar për urtësinë e tij, mençurinë dhe intelektualizëm të pashoq”.
“Do t’i bënte nder drejtimit të kësaj organizate dhe do të shuante të gjitha përpjekjet për konflikt në drejtimin e saj. Konflikti ka lindur nga rivaliteti për drejtimin e organizatës dhe mua më vjen mirë që një nga kandidatët me integritet si Dhimiter Shtëmbari, me shumë pjekuri dhe mençuri, dha dorëheqjen për të dhënë një mesazh mirëkuptimi dhe kohezioni në zhvillimet e mëtejshme të drejtimit të kësaj organizate. Ka ardhur koha për një zgjidhje që të jetë e mirëkuptuar dhe që shuan konfliktin në këtë organizatë”, tha ai.
Në lidhje me pyetjen se a nuk duhet menduar si një garë mes drejtuesve tyre, Koçi tha se, “organizata nuk është një organizatë që duhet të shkojë drejt vetizolimit. Një organizatë e cila ka një reputacion të padiskutueshëm. Reputacioni, fillon që nga figura, personaliteti dhe përmasat e kryetarit të saj”, tha ai.
Në lidhje me demokracinë e brendshme, Koçi tha se, organizata është në një moment shumë të rëndësishëm përballë transformimesh, jo vetëm statutore, por edhe në përbërjen e drejtimit të saj.
“Pak nga pak veteranët e vërtetë, pra ata që kanë qenë pjesë e formacioneve të ushtrisë partizane janë duke ndërruar jetë. Tani e tutje përgjithësisht organizata do të jetë e përbërë nga trashëgimtarët dhe pasardhësit e 70 mijë partizanëve dhe partizaneve të ushtrisë Nacional Çlirimtare. Prandaj ky moment është shumë i rëndësishëm për ardhmërinë e zhvillimeve në mbrojtje të vlerave të padiskutueshme të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare”, tha ai
Koçi tha se, “mesazhi im edhe i PS është ky: Ne kërkojmë kohezion, mirëkuptim dhe shuarje të menjëhershme të konfliktit në proceset organizative të organizatës dhe të merren vendime që të shmangin vetizolimin e organizatës dhe e bëjnë atë një organizatë që edhe më tej të karakterizohet nga morali i padiskutueshëm dhe nga aftësia për të menaxhuar misionin e saj në kushtet e një shoqërie që tashmë ka ndryshuar dhe vazhdon të ndryshojë me shpejtësi”.
“Partia Socialiste mbetet, jo vetëm krahu më i fortë i kësaj organizate por do të jetë pjesë e mbështetjes aktive në të gjitha nivelet për suksesin e misionit të saj”, tha ai.
