Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar se Shqipëria do të jetë vendi pritës i samitit të ardhshëm të NATO-s, megjithëse ende nuk është përcaktuar data se kur do të zhvillohet takimi i nivelit të lartë të Aleancës.
Nga Dublini, ku po merr pjesë në takimin e Komunitetit Politik Europian, kreu i qeverisë deklaroi se organizimi i samitit në Shqipëri mbetet në plan, por zhvillimi i tij nuk pritet të ndodhë gjatë vitit 2027.
“Shqipëria do të jetë vendi ku do të organizohet samiti i radhës. Çështja është se kur do të bëhet. Me siguri jo në vitin 2027, por nëse do të ketë një samit të radhës në vitin 2028, ai do të mbahet në Shqipëri”, u shpreh Rama.
Deklarata e kryeministrit vjen në një kohë kur organizimi i samitit të NATO-s në Shqipëri është shoqëruar me pikëpyetje, veçanërisht lidhur me datën dhe formatin e zhvillimit të tij.
Më herët, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, kishte deklaruar për median prestigjioze “Politico” se Shqipëria ishte e gatshme të shqyrtonte edhe alternativa të tjera për organizimin, përfshirë shtyrjen e samitit ose zhvillimin e tij në format virtual.
Sipas raportimit të “Politico”, mes faktorëve që kanë ndikuar në hezitimin e disa prej aleatëve për të marrë një angazhim konkret për organizimin e samitit në Shqipëri janë përmendur shpenzimet e ulëta për mbrojtjen dhe marrëdhëniet e tensionuara me presidentin amerikan Donald Trump.
Megjithatë, Rama këmbëngul se Shqipëria mbetet destinacioni i samitit të ardhshëm të Aleancës, në rast se ai zhvillohet në vitin 2028.
Rama u pyet nga gazetarët dhe për besimin që populli shqiptar i ka dhënë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, e iniciuar kjo dhe nga protestat masive që janë zhvilluar së fundmi duke kërkuar dorëheqjen e tij.
“Shqiptarët më kanë dhënë një mandat të fortë për ta drejtuar vendin drejt BE-së. Kjo nuk ndodhi 10 vite më parë, por vitin e kaluar. Ju jeni të përfshirë në gjysmë të vërteta dhe gënjeshtra të mëdha”, tha Rama.
j.l./ dita
