Një pistë e re hetimore po qarkullon për misterin e zhdukjes pa gjurmë të dy shokëve në Sarandë, më shumë se një muaj më parë. Gazetarja e kronikës, Anduena Llabani shprehet se një prej të humburve që besohet se janë vrarë dhe groposur diku në rrethina, mund ta ketë nxjerrë në pritë tjetrin. Por kjo pistë ende nuk konfirmohet zyrtarisht nga policia, edhe pse ka disa motive të dyshuara, për shkak të së kaluarës së dy 46-vjeçarëve Leonard Theodhorit, i njohur si “Koçole” dhe Fatmir Sulovarit alias Krasniqi. Duke folur në “MCN”, ajo tha se janë sekuestruar 8 mjete që dyshohet të jenë përdorur për eliminimin e dy 46-vjeçarëve dhe se Policia Shkencore ka njolla gjaku, ku pas analizave në laboratorin e kriminalistikës do të mësojmë nëse kemi të bëjmë me dy persona të vrarë. Gjithashtu u shpreh se ka dyshime që Leonard Theodhori e ka nxjerrë në pritë mikun e tij Fatmir Sulovari, por është ekzekutuar po ashtu në mënyrë që të mos e tregonte ngjarjen.
“Njollat e gjakut pretendohet se u përkasin viktimave ose të zhdukurve. Por vetëm pas analizës që pritet të përftohet nga laboratori i kriminalistikës do të kuptojmë nëse kemi të bëjmë me dy persona të vrarë. Policia e Sarandës ka ngritur disa pista hetimi, që lidhen edhe me një ekzekutim të Aleksandër Sadikajt një vit më parë në qershor, që vetëdeklarohej si ‘sheiku’. Ka pasur disa prona ky personazh, në Memaliaj të Tepelenës. Është një person me të shkuar kriminale. Pretendohet që kemi të bëjmë me retroskeptivë të ngjarjes dhe lidhje të pistave”, tha gazetarja. Ndërkohë kërkimet individuale nga familjarët ende vijojnë, por pa rezultat. Edhe qentë e marrë nga Kosova për kërkime nuk kanë gjetur ende gjurmë. “Për Leonard Theodhorin ka një version deri tani që aludohet se ai ka qenë personi që e ka nxjerrë në pritë. Kanë qenë shokë, por ka shumë dyshime, të paktën nga familjarët e Fatmirit që Leonardi e ka nxjerr në pritë Fatmirin dhe pastaj është ekzekutuar, pasi kanë pasur frikë se mund të fliste. Është një nga pistat që po hetohet”, shtoi ajo. Deri tani prevalojnë pistat e larjes së hesapeve apo hakmarrjes, për shkak të aktiviteteve të paligjshme dhe rivalitetit me grupeve, sikurse edhe pista e pronësisë për një tokë të shitur dy herë. “Viktima ka pasur një konflikt për pronën e tij, një disko, një pronë e madhe që gjendet në Ksamil, në Sarandë. Ajo është në rreth të kuq të hetimit. Pasi flitet që persona të caktuar kanë dashur t’i rrëmbejnë pronën. Viktima dhe autorët kanë qenë në ndërmjetësime, në bashkëpunim me persona të tjerë, qoftë zyrtarë të Sarandës, për të pasur nën kontroll çdo tjetërsim të pronës për të cilën viktima kishte investuar prej vitesh. Në Shqipëri kanë ardhur njerëz që s’vinin për shkak të problemeve ligjore me ligjin. Prezenca e personave me kontingjent penal në vend e bën edhe më të rrezikshme situatën. Sot prona që është nën hetim mbetet pa një pronar”, tha gazetarja.
