Mjeku i njohur Ahmet Kamberi, i cili ka qenë ndër mjekët kryesorë të Enver Hoxhës, në një rrëfim sot në DITA ka folur mbi dy muajt e fundit të jetës së njeriut që drejtoi me dorë të hekurt Shqipërinë pas Luftës II Botërore.
Zyrtarisht vdekja e Enver Hoxhës u shpall në 11 prill 1984. Prof.Dr. Kamberi i përshkruan kështu ditët e tij të fundit pasi kishte kohë që vuante probleme të rënda shëndetësore:
“Më 6 prill, që ishte një ditë shumë e bukur, me një diell që shkëlqente dhe me një qiell blu të bukur, ai na kërkoi të dilte përjashta për një shëtitje. Zbriti me karrocë, qëndroi një copë herë të mirë në oborr me Nexhmijen dhe tha, kur e vizituam në mbrëmje, se ishte kënaqur shumë.
Më 8 prill në mbrëmje ai priti Ramiz Alinë dhe pati me të një bisedë të gjatë, nga ora 6 deri në 7. Unë isha 3-4 m larg tyre, pasi qëndroja ulur te dera e hapur e studios.
Nata kaloi mirë. Ndryshe nga netët e mëparshme, ai pati shumë pak çrregullime të zemrës. Mëngjesi i 9 prillit gdhiu përsëri me një ditë shumë të bukur. Isufi që hyri vetëm në vizitën e mëngjesit na tregoi se sapo kishte hyrë brenda, Pacienti i kishte thënë:
-Ditë e bukur sot, Isuf!
Dhe Isufi, sic kishim rënë dakord më parë, nëse ai do ta kërkonte, i kishte thënë se, nëse dëshironte, mund të dilte për një shëtitje në oborr.
Por kjo nuk do të ndodhte.
Në orën 9.30 pasi ishte veshur dhe po bëhej gati të mbathte këpucët me ndihmën e Fariut, ai befas do të binte mbrapsht mbi krevat.
Brenda më pak se 15 sekonda nga çasti që Nexhmija do të na njoftonte me interfoni, unë u gjenda brenda në dhomën e tij dhe kur konstatova se zemra e tij kishte ndaluar, filluam së bashku me Fariun procedurën e shpëtimit të jetës.
Ndërkohë erdhi edhe Sabiti e pak më vonë edhe kolegët e tjerë të Ekipit, të cilët u thirrën me urgjencë.
Pas 45 minutash ne kishim arritur ta kthenim zemrën e tij në punë, por jo vetëdijen. Dhoma e tij e gjumit do të shndërrohej shumë shpejt në një njësi të vërtetë kujdesi intensiv.
Së bashku me anestezistët, dr. Arben Finon dhe dr. Ilir Ohrin, gjatë 40 orëve në vijim do të bënim një përpjekje të jashtëzakonshme, për ta mbajtur atë në jetë.
Por kjo do të rezultonte e pasuksesshme.
Pas dy herëve që e rikthyem zemrën e tij në punë, herën e tretë në orën 02.15 më 11 prill 1985, zemra e tij do të pushonte pakthimisht së punuari…”
Shkrimi i plotë mund të lexohet duke klikuar KËTU
