Pas çeljes së aplikimeve për garën e pranimeve të reja, në programet e ciklit të tretë të studimeve “Specialzime afatgjata në mjekësi”, është shpallur edhe fondi i pyetjeve për provimin që do të zhvillohet në fazën e dytë të konkurimit. Rektorati i Universitetit të Mjekësisë së Tiranës, ka zyrtarizuar tashmë fondin zyrtar, me mijëra pyetje rreth të cilave do të hartohet edhe teza finale e provimit, që do të zhvillojnë të gjithë kandidatët që kualifikohen për të vijuar garën për pranimet e reja të 2023 në këtë cikël studimesh.
“Sikundër ka ndodhur edhe gjatë viteve të shkuara, konkurimi do të zhvillohet me dy faza, që janë: aplikimi me dosje dhe testimi i informatizuar, ku për secilën prej tyre është përcaktuar edhe skema e vlerësimit me pikë. Kandidatët që kualifikohen nga faza e aplikimit me dosje, do të mund të marrin pjesë në testimin e informatizuar. Për të orientuar këta kandidatë, në faqen zyrtare të Fakultetit të Mjekësisë gjendet i detajuar Fondi A dhe Fondi B, në përmbajtje të të cilave janë detajuar mijëra pyetje mbi njohuritë në secilin specialitet mjekësor, rreth të cilave duhet të përgatiten kandidatët që janë në garë”, bëjnë me dije autoritetet e Fakultetit të Mjekësisë.
Sipas kushteve të përcaktuara për pranimet e reja të 2023 mund të aplikojnë për programet e specializimeve afatgjata në fushën e mjekësisë, kandidatët që: “Kanë përfunduar me sukses studimet dhe janë pajisur me diplomën përkatëse në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë “Master i shkencave”, si dhe kanë fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit në Republikën e Shqipërisë”. Gjithashtu mund të aplikojnë edhe të gjithë kandidatët që janë diplomuar jashtë vendit në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë “Master i shkencave”, por që kanë kryer njesimin e diplomës pranë MAS. Edhe këta kandidatë duhet të kenë fituar edhe të drejtën e ushtrimit të profesionit në vendin tonë.
Sa i takon kuotave të mundshme të pranimit, për vitin akademik 2022-2023, Rektorati ka vendosur që në programet e specializimit do të pranohen 325 kandidatë në total. Ndërkohë që ndarja e kuotave është e tillë: 140 prej tyre janë kuota të mbuluara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale,, 15kuota nga Ministria e Drejtësisë, 4 kuotë nga Ministria e Brendshme, si dhe 161 kuota që janë të lira, si dhe 5 kuota për kandidatët që transferojnë studimet në këtë cikël nga jashtë vendit. Data 10 mars është përcaktuar edhe si afati i fundit i pranimit të aplikimeve për kandidatët që duan të garojnë për kuotat e 2023.
Janë 37 programe, në të cilat kandidatët do të mund të aplikojnë për vijimin e studimeve të specializimit afatgjatë. Konkretisht programet e studimeve të specializimeve afatgjatë do të përfshijnë kuota pranimi për specialitetet në Alergologji, Anatomi patologjike, Anestezi-reanimacion, Dermatologji, Endokrinologji, Gastrohepatologji, Hematologji, Diagnozë me imazhe, Kardiokirurgji, Kardiologji, Kirurgji e përgjithshme, Kirurgji maksilo-faciale, Laborator klinik-biokimik, Mikrobiologji, Mjek familjeje, Mjekësi interne, Mjekësi ligjore, Nefrologji, Neurologji, Neurokirurgji, ORL, Obstetrikë-gjinekologji, Okulistikë, Onkologji, Ortopedi-traumatologji, Pediatri, Pedodonti, Pneumonologji, Psikiatri, Psikiatri e fëmijëve dhe e adoleshentëve, Reumatologji, Sëmundje infektive, Shëndet publik, Terapi stomatologjike, Toksikologji klinike, si dhe stomatologji (kirurgji orale, kirurgji maksilo- faciale, protetika fikse, protetika të lëvizshme, protetika kirurgjikale, ortodonci periodontologji).
Testimi i informatizuar
Sipas udhëzimit të miratuar nga Senati Akademik, testimi i informatizuar fillon jo më parë se 30 ditë nga publikimi i fondit të pyetjeve, për kandidatët që kanë kaluar me sukses fazën e aplikimit me dosje. Testimi i informatizuar do të zhvillohet në Qendrën e Shërbimeve Arsimore (QSHA) sipas kalendarit të përcaktuar nga dekanatet, bazuar në disponibilitetin e ambienteve të testimit të përcaktuara nga QSHA. Ditën e zhvillimit te provimit, kandidatët duhet të kenë me vete dokumentacionin në vijim: “Dokument identiteti (kartë identiteti ose pasaportë), një fotokopje të saj, si dhe mandat pagesën e hyrjes në testim. Ditën e provimit duhet të paraqiteni në ambientet e përcaktuara 30 minuta para fillimit të provimit.
Shpallja e fituesve
Shpallja e fituesve do të bëhet nga pikët finale që kandidati do të sigurojë nëpërmjet vlerësimit të mesatares së studimeve, si dhe pikëve të fituara nga zhvillimi i testit të informatizuar. Pas këtij procesi, Komisioni i Vlerësimit shpall listën e kandidatëve të kualifikuar, duke i renditur sipas pikëve kumulative në rend zbritës, ku kandidati i fundit ka jo më pak se 380 pikë, për vijimin e procedurës së përzgjedhjes së programit të studimit. “Zgjedhja e programit të specializimit bëhet nga vetë kandidati brenda dy ditëve nga shpallja e rezultateve finale. Kandidatët që kanë grumbulluar jo më pak se 380 pikë nga numri i pikëve totale të konvertuara (maksimumi 1000 pikë, kualifikohen për procesin e përzgjedhjes së programit të specializimit sipas sistemit të meritës)”, thuhet në udhëzimin e zbardhur nga Universiteti i Mjekësisë.
Në dokumentacionin e nevojshëm për aplikim duhet të përfshini:
• Formular aplikimi, sipas modelit të parashikuar. Ndërsa kandidatët që aplikojnë për transferim studimesh plotësojnë formularin sipas modelit të parashikuar vetëm për këtë kategori.
• Letër motivimi i/e aplikantit.
• Fotokopje e dokumentit të identifikimit të vlefshëm, kartë identiteti ose pasaportë.
• Kopje e njësuar me origjinalin në Republikën e Shqipërisë e diplomës universitare, të programit të studimit të ciklit të parë “Bachelor” si dhe të ciklit të dytë “Master i Shkencave”, ose të programit të integruar të studimeve të ciklit të dytë, dhe listës/listave të notave. Për rastet e diplomave të huaja paraqitet kopje e njësuar me origlina1in e vërtetimit të njohjes në Republikën e Shqipërisë, e shoqëruar me diplomën /diplomat dhe listën / listat përkatëse të notave ose të një dokumenti tjetër të vlefshëm për regjistrimin në Universitet në vendin ku janë kryer studimet, të lëshuar nga institucioni i arsimit të lartë përkatës. Në rast se njohja e diplomës nuk ka përfunduar ende, kandidati paraqet vërtetim që ka dorëzuar dokumentacionin për njohje në MASR, dhe duhet të dorëzojë dokumentin e njohjes jo më vonë se data e parashikuar për testimin e informatizuar, si dhe përpara shpalljes së rezultatit përfundimtar nga Komisioni i Vlerësimit.
• Kopje e njësuar me origjinalin në Republikën e Shqipërisë e dokumentit që vërteton njohjen e gjuhës së huaj, sipas përcaktimit në rregulloren përkatëse të specializimeve afatgjata në fushën e mjekësisë përkatësisht “Të zotërojë të paktën një nga gjuhët e huaja (anglisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht) në nivelin B2, si kriter minimal në programet e studimit të ciklit të tretë të specializimeve afatgjata në fushën e mjekësisë, me kusht që afati i fundit për paraqitjen e shlyerjes së gjuhës së huaj në nivel C1, sipas akteve nënligjore në fuqi, për këtë kategori studentësh të jetë përpara përfundimit të vitit të parë akademik të programit përkatës.
• Fotokopje e noterizuar e licencës për ushtrimin e profesionit në Republikën e Shqipërisë dhe e dëshmisë së regjistrimit në Urdhrin profesional përkatës.
• Dëshmi penaliteti e vlefshme.
• Mandat pagesa për tarifën e konkurrimit prej 5,000 lekë.
• Kandidatët që aplikojnë për kuotat e Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Punëve të Brendshme, dorëzojnë një letër mbështetëse të ministrisë përkatëse sipas formatit të parashikuar.
• Dy foto personale.
• Afati i dorëzimit të dokumentacionit në fakultetet përkatëse është deri më datë 10 mars 2023.
