Kadri Hazbiu një nga figurat kyçe të sistemit komunist, u arrestua më 15 tetor 1982. Procesi gjyqësor kundër tij dhe të pandehurve të tjerë ishte një ndër më të bujshmit e epokës së diktaturës, jo vetëm për numrin e madh të të dënuarve, por edhe për cilësitë e veçanta të të gjykuarve, si ish-funksionarë të lartë të Policisë Sekrete.
Procesi ndaj Hazbiut drejtohej nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe përgjegjës i grupit të hetimit ishte ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai.
Në mesnatën e 9 shtatorit 1983, Kadri Hazbiu dhe të dënuarit e tjerë shkuan para skuadrës së pushkatimit, diku në shpatet e kodrave të Linzës. Ka zëra se Hazbiu ka qenë I vdekur kur e kanë nxjerrë nga qelia drejt vendin të ekzekutimit. Zyrtarisht, ai është pushkatuar më 10 shtator 1983 pasi u dënua për tradhti të lartë ndaj atdheut si “armik i popullit dhe i Partisë”.
DITA ka publikuar në rubrikën Histori dosjen sekrete të këtij procesi. Në seancën e 28-të, e parafundit e këtij gjyqi maratonë, Aranit Çela, kreu i Gjykatës së Lartë, sjell ato që ai i quan “provat e fundit për të pandehurit”, ku mes të tjerave flet për një “plan për eliminimin e Enver Hoxhës me helmim të vonuar e marrjen e pushtetit”.
Nga ato që thotë Çela, dallohet se cilët nga të pandehurit nuk i kanë pranuar deri në fund akuzat.
Pohimet e atyre që i kanë pranuar, mes të cilëve edhe vetë bashkëshortja e Mehmet Shehut, me gjasa janë marrë nën torturë dhe vërtetësia e tyre është e dyshimtë.
Por ato figurojnë në procesverbalin sekret të këtij gjyqi.
Më poshtë, pjesë nga çfarë shkruhet aty:
Çela (kryetar i Gjykatës): -Vazhdojmë me provat ndaj të pandehurve… Gjatë gjykimit të çështjes, të pandehurit Kadri Hazbiu e Feçor Shehu kanë mohuar vënien në shërbim të agjenturave të huaja dhe veprimtarinë e gjerë të spiunazhit që kanë kryer. Një qëndrim të tillë mbajti në gjyq dhe i pandehuri Llambi Peçini, duke mohuar ato ç’ka pohuar me hollësi në hetuesi.
Pavarësisht nga ky qëndrim i tyre, faktet dhe rrethanat që u përmendën vërtetohen në mënyrë bindëse nga një sërë provash që u administruan në seancën gjyqësore. Kështu, të pandehurit Mihallaq Ziçishti, Gani Kodra, Xhavit Ismailaga e Ali Çeno, pohuan vënien në shërbim të agjencive të huaja dhe veprimtarinë e spiunazhit që kanë kryer, qoftë vetë prej tyre, qoftë dhe në bashkëpunim me Kadri Hazbiun, Feçor Shehun e Llambi Peçinin. Të njëjtën gjë pohuan dhe armiqtë Fiqret Shehu, Llambi Ziçishti, Nesti Nase e Skënder Shehu kur u gjykuan për veprimtarinë e tyre gjyqësore, apo kur dëshmuan për shtatë të pandehurit në gjykatë…
Tashmë është zbuluar plotësisht mekanizmi i kryerjes së puçit ushtarak dhe roli që do të luanin secili nga të pandehurit. Kështu, ishte përcaktuar që pas likuidimit fizik të Sekretarit të Parë (Enver Hoxhës), do të ndiqej me vëmendje situata në Byronë Politike dhe po qe se nuk do të zhvillohej siç e kishin parashikuar këta tradhtarë, atëherë do të përdorej dhuna.
E mirë informuara Fiqret Shehu, gjatë gjykimit të saj shpjegoi:
“Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu që kryesonin grupin tonë, kishin menduar dhe masat që duheshin marrë e veprimet që duheshin kryer në rast se Byroja Politike nuk do të ishte dakord që Mehmet Shehu të zgjidhej Sekretar i parë… Në këtë rast do të përdorej forca, do të arrestohej personi që do të kundërshtonte propozimin e Kadri Hazbiut për Mehmet Shehun, duke hyrë në veprim Feçor Shehu e të tjerë… Dhe në qoftë se shumica e anëtarëve të Byrosë do të shprehej kundër atij propozimi, do të arrihej deri në rrethimin e Selisë së Komitetit Qendror me tanket e repartit të Gardës së Republikës që do të urdhëroheshin nga Feçor Shehu. Ndërsa Kadri Hazbiu do të mbante në gatishmëri repartin e tankeve në Sauk dhe po të ishte e nevojshme, do të urdhëronte përdorimin e menjëhershëm të tyre… Do të aktivizoheshin edhe Mihallaq Ziçishti me Llambi Peçinin për arrestimin e izolimin e atyre personave që do të bëheshin pengesë për marrjen e drejtimit të Partisë e të shtetit nga Mehmeti dhe Kadriu…”
Nga zhvillimi i gjyqit rezultoi plotësisht e provuar se të pandehurit Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Gani Kodra, Ali Çeno e Xhavit Ismailaga, në bashkëpunim me agjenturat e huaja, kanë kryer veprime terroriste për likuidimin fizik të Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë.
Ngjarjet e Kosovës në pranverën e vitit 1981, kriza e rëndë politike që ka mbërthyer Jugosllavinë titiste dhe qëndrimi parimor, i hapur e i vendosur i Partisë tonë në përkrahjen e kërkesave të ligjshme të vëllezërve kosovarë, i bënë jugosllavët të kërkonin nga Mehmet Shehu likuidimin fizik të Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë të Punës së Shqipërisë dhe përmbysjen e gjendjes së shëndoshë në vendin tonë.
Lidhur me realizimin e kësaj veprimtarie terroriste, armikja Fiqret Shehu ka deponuar në hetuesi e në gjyq se i ka thënë Mehmet Shehut ta shpejtojë nisjen në Paris, pasi donte takim një person i agjenturës së huaj, i cili do të jepte disa porosi dhe një pako të vogël për të. Pasi siguruan helmin me efekt të vonuar, pjesëtarët e organizatës kundër revolucionare të kryesuar nga poliagjenti Mehmet Shehu, përgatitën planin e detajuar të veprës terroriste dhe pastaj të marrjes së pushtetit, duke ndarë rolet e detyrat në vartësi të funksionit që kryente secili.
Me hollësi e kanë sqaruar këtë moment armiqtë Fiqret Shehu, Llambi Ziçishti e Nesti Nase gjatë gjykimit të tyre: “Aty nga mesi i vitit 1981, nga ku unë u ktheva nga Franca dhe solla pilulat e helmit me efekt të ngadalshëm, Mehmet Shehu më tha se e kishte biseduar me Kadri Hazbiun çështjen e likuidimit fizik të Udhëheqësit të Partisë dhe të rrugëve që mund të përdoreshin për arritjen e saj, ashtu siç e kishte biseduar këtë problem edhe me Llambi Peçinin”.
Armikes Fiqret Shehu ju ngarkua detyra që gjatë pushimeve në Vlorë, kur Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë të shkonte për vizitë tek Mehmet Shehu, të gjente momentin për t’i hedhur në kafe helmin me efekt të vonuar.
Armiku Llambi Ziçishti do manipulonte rezultatet e analizave teknologjike dhe të autopsisë mjekoligjore. Detyra të rëndësishme kanë pasur dhe anëtarët e tjerë të kësaj organizate. Kështu, i pandehuri Ali Çeno do lajmëronte në momentin e duhur Kadri Hazbiun e Feçor Shehun që të ndërhynin me forcë, duke përdorur dhe teknikën luftarake, kurse të pandehurit Llambi Ziçishti e Llambi Peçini, ishin ngarkuar të bënin arrestimet e nevojshme.
I dënuari Nesti Nase ka shpjeguar: “Mehmet Shehu më tha: Ka ardhur koha që ndryshimet të bëhen me pahir, ose me anë të forcës. Dhe, për këtë problem kam biseduar edhe me Feçorin e Kadriun, të cilët janë ngarkuar se si do të veprojnë. Ti Nesti duhet të mendosh për të vepruar menjëherë për të justifikuar ndryshimet që do të bëhen në udheheqje dhe qëndrimet që do të mbajmë”.
Këto janë ato që deklaron kreu i Gjykatës sipas procesverbalit, ku bie në sy veçanërisht pohimet e Fiqret Shehut, bashkëshortes së Mehmet Shehut.
Në një dëshmi të dhënë vite më pas në media, Vjollca Leka, ish-shoqja e qelisë së Fiqret Shehut, ka thënë se pohimet e saj janë marrë nën premtimin se fëmijët nuk do keqtrajtoheshin.
Ajo kujton tjetërsimin që e kishte bërë të venë e Mehmetit të shpërfytyruar dhe mban mend reagimet e saj kur e ka pyetur se çfarë kishte ndodhur.
“Thashë që janë të gjithë armiq, që nga burri im e deri tek roja i thjeshtë që, më paraqitën në proces. Ashtu duhet të ishin. Ashtu i kërkonin të ishin. Ashtu i denoncova edhe unë. Çfarë të bëja tjetër. Mbase mbajnë fjalën dhe nuk u bëjnë gjë fëmijëve”.
Marrë me shkurtime nga rubrika HISTORI e gazetës DITA