Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Nuk ishte provokacion
Më 2 gusht 1949 në zonën kufitare në Juglindje të Shqipërisë me bazë në rajonin e Korçës, të Leskovikut dhe deri në Konispol të Sarandës e në Likojan, u kryen veprime ushtarake në shkallë të gjerë nga shteti i Greqisë. Këto veprime të armatosura ushtarake nuk ishin thjesht provokacion apo provokacion ushtarak (i armatosur) siç është cilësuar nga shteti shqiptar në vitin 1949, e që vazhdon të trajtohet nga historia zyrtare shqiptare, si dhe nga studiues civilë dhe ushtarakë, por agresion ushtarak. Natyrisht, më tipiket për nga përmasat dhe kohështrirja janë “provokacionet” e forcave monarko-fashiste (m-f) greke, në Gusht 1949. Këto provokacione, parë nga qëllimi, shtrirja territoriale, intensiteti i goditjeve e pjesëmarrja e forcave, pavarësisht motiveve publike të shpalluara nga udhëheqja e lartë greke, sipas studiuesve të ndryshëm ushtarakë, përbëjnë një agresion mirëfilli ushtarak me përmasa dhe objektiva të kufizuara ushtarake ndaj RPSh. Këto “provokacione” nuk u shtrinë në pika apo objekte të veçanta, që janë tipike për provokacionet, por në gjithë kufirin e Jugut, nga Kapshtica, Bozhigradi, Leskoviku e deri në Konispol (2 gusht-5 shtator 1949). Objektivi ishte kryesisht pushtimi i qarkut të Korçës, ku dhe përpjekjet ishin më të ashpra e me pjesëmarrje shumë të gjerë forcash ushtarake, sikurse dhe pushtimin mundësisht të Gjirokastrës, nën petkun kundër lëvizjes partizane greke e rrugëve të furnizimit nga Shqipëria.
Në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe thuhet se “provokacioni është goditje e ndeshje me armë, e organizuar qëllimisht nga një shtet… kundër një vendi të pavarur, për të krijuar shkak për ndërhyrje të armatosur e për të sjellë trazira.” Shteti grek dhe Forcat e tij të Armatosura kishin vite që provokonin në të gjithë vijën kufitare nga Prespa deri në kanalin e Korfuzit që ndërmerrnin akte të tilla, por në vitin 1949, duke filluar nga janari ato do të përshkallëzoheshin pak nga pak, duke ardhur tek 2 gushti 1949, kur në mënyrë masive nisi sulmi i armatosur kundër vendit tonë. Përsëri, po në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe theksohet se agresion i armatosur është “Sulm i armatosur i një shteti kundër një shteti tjetër për t’i pushtuar tokat e për ta nënshtruar, për të shtypur lëvizjet demokratike, revolucionare ose nacionalçlirimtare dhe për të vendosur regjime reaksionare; luftë e ashpër që bën një shtet për të depërtuar me mënyra të ndryshme në një shtet tjetër e për ta dëmtuar nga ana ekonomike, politike, ideologjike e kulturore”.
Në rezultat të ballafaqimeve të dy forcave ushtarake, por dhe të shpjegimit të fjalorit të gjuhës shqipe del se nuk ka qenë provokacion, por agresion ushtarak. Këtu kemi parasysh qëllimin, objektivat politikë, forcat pjesëmarrëse (ku greku i kishte të organizuar të tre llojet e FA), grupimi i forcave dhe mjeteve, pjesëmarërsit në agresion, kohështrirja që është jo tipike për incidente dhe provokacione, por për një agression, në rastin konkret me synime dhe objektiva të kufizuara (jo e përfshirë në të gjithë territorin e vendit), por të një pjese të tij dhe posaçërisht në atë që greku e quan “Epiri i Veriut”.
…por ishte agresion ushtarak
Sulmi i armatosur kundër Shqipërisë i ndërmarrë nga forcat m-f greke ishte një agresion ushtarak me objektiva të pjesëshme dhe në përfundim edhe agresion ushtarak me objektiva vendimtarë. Territori verilindor e jugor shqiptar u gjend i sulmuar. Me bazë rajoni i Devollit, posta kufitare e Vidohovës. Në rajonin e Korçës, Kolonjës, Përmetit, Gjirokastrës e deri në Konispol të Sarandës në Likojan. E gjithë kjo vijë kufitare u bë objekt sulmi ushtarak prej Greqisë. Analiza e veprimeve luftarake të FA greke të gushtit 1949, tregon qartë se nuk kemi të bëjnë me një incident, as provokacion, por me një luftë të armatosur me të gjitha format, metodat, qëllimet, karakteristikat dhe elementet e një agresioni ushtarak për pushtim, ku vihen përballë dy shtete dhe Forcat e tyre të Armatosura. Nuk ka rëndësi se u zhvillua në një pjesë të kufirit e territorit të vendit, por qëllimet ishin të plota, kapja dhe mbajtja e territorit të përcaktuar prej tyre. Veprimi ushtarak i armatosur grek i 2 gushtit 1949, ishte vazhdim i idesë së kahershme aneksioniste për pushtimin e të ashtuquajturit “Vorio-Epir”. Greqia nuk kishte dhe madje nuk ka abroguar edhe sot e kësaj dite ligjin e luftës, nuk ka hequr dorë prej synimit të saj. Tërë dokumentacioni ushtarak i ngjarjeve konkrete nga të dy forcat luftuese, i dëshmitarëve, i shkrimeve dhe kronikave të kohës tregojnë për agresion ushtarak të forcave m-f greke kundër vendit tonë.
Në këto vite të shtetit shqiptar, të pas Luftës së Dytë Botërore, por edhe të kohës së demokracisë, qarqe të caktuara greke luftonin e luftojnë për të arritur këtë qëllim, duke vënë në përdorim propagandën mediatike, lobimet intriguese me Fuqitë e Mëdha, fenë, policinë sekrete, diplomacinë, kërcënimet, deklaratat për sulm, paradat ushtarake për zhdukje shqiptarësh, emisarë të saj në Shqipëri, financimet e qarqeve shoviniste brenda e jashtë Shqipërisë, incidentet kufitare, tendenca për kontroll e prezencë aktive mbi ekonominë, pushtetin, drejtësinë, bankat, fenë, kulturën dhe historinë e Shqipërisë, madje edhe duke përpunuar e përdorur politikën dhe shtetin shqiptar.
2 gushti ishte fillimi, por sulmet vijuan gjatë gjithë muajit gushtit. Dokumentet faktike të forcave m-f greke që u përdorën kundër Shqipërisë, tregon se në ushtrinë e tyre kishin topa, avionë, ushtri tokësore e gjithçka që përdor një Forcë e Armatosur e një vendi që synon të pushtojë një vend tjetër. Ushtria Kombëtare Shqiptare, iu kundërpërgjigj sulmit pushtues grek, me luftë të armatosur, në mbrojtje të kufijve e trojeve të sulmuara. Forca m-f të Greqisë sulmuan Shqipërinë me mbi 70 mijë ushtarë, 50 avionë, 80 tanke dhe një skalion artilerie me afro 400 gjuajtës, kryesisht topa. Ushtria Kombëtare shqiptare mobilizoi dhe futi në luftimet aktive mbrojtës rreth 10 mijë ushtarë, ndërkohë kryen rigrupim e përqëndrim pranë rajonit të veprimeve luftarake rreth 30 mijë trupa të tjerë, në gatishmëri për të vepruar në fushën e betejës.

Historia e synimeve greke
Greqia historikisht, e sidomos qysh nga mesi i shek. XIX ka pretenduar dhe synuar për territore shqiptare. Madje edhe pas shpalljes të shtetit shqiptar, shteti grek ka kryer provokacione, diversione ushtarake dhe ka tentuar të pushtojë forcërisht troje shqiptare. Ato janë intesifikuar sidomos pas shpalljes së Pavarësisë në vitit 1912. Fakti që në vitit 1913 “Konferenca e Londrës” caktoi kufijtë zyrtarë të shtetit shqiptar dhe kështu vulosi përfundimisht kapitullin e kufijve mes të dy vendeve, Shqipërisë me Greqinë, krijoi shqetësime serioze.
Veprimet luftarake të nisur më 2 gusht 1949 në Jug të vendit, me objektiv pushtimin dhe aneksimin me forcë të tokës shqiptare, që grekët e quajnë “Vorio-Epir”, ishte një nga aktet e organizuara më luftarake greke të kryera kundër Shqipërisë. Ky intesifikim i veprimeve luftarake greke ndaj tërësisë territoriale të Shqipërisë në kufijtë juglindorë e lindorë lidhej drejtpërsëdrejti me përmbajtjen, karakterin dhe zhvillimet e luftës civile në Greqi, ku faktori komunist në vend kishte përballë koalicionin e djathtë të mbështetur nga Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Përballë këtij koalicioni të brendshëm dhe të jashtëm, komunistët grekë dhe Ushtria Demokratike Greke (UDG) ishin të detyruar të kërkonin mbështetjen e Bashkimit Sovjetik (BS) dhe të partive komuniste në rajonin përreth Greqisë.
BS qëndroi në dukje i tërhequr nga çështja greke, por në prapavijë ai aktivizoi faktorët komunistë rajonalë në mbeshtetje të tyre, posaçërisht Shqipërinë dhe Bullgarinë, e fillimisht edhe Jugosllavinë. Kështu, si pa u ndier, në mënyrë të natyrshme faktorët komunistë rajonalë morën anën e komunistëve grekë dhe të UDG-ja në konfliktin civil të vendit. Përballë një situate të tillë koalicioni i djathtë grek, me mbeshtetje të Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), e shtriu goditjen e tij ushtarake njëherazi kundër komunisteve grekë dhe ushtrisë së saj në Greqi, si dhe kundër shteteve komunistëve fqinj që e mbështesnin atë në rajon si Shqipëria.
Kulmin e saj, kriza shqiptaro-greke e pati në të ashtuquajturat provokacionet e gusht të vitit 1949. Ajo shpejt mori pamjen e konfliktit frontal ushtarak midis dy ushtrive të të dy vendeve. Lufta civile greke ishte në etapën përfundimtare të saj. Ushtria m-f greke, me mbështejen e specialistëve ushtarakë dhe me armatimin anglez, forcat partizane greke i kishin shtyrë drejt kufirit verior të saj me Shqipërinë e Jugosllavinë. Forcat partizane grekë kaluan në pozicione mbrojtje dhe u grumbulluan në malin e Gramozt, që ishte zona e fundit e tyre. Në këto pozicione forcat partizane greke përballuan sulmet e forcave m-f greke, me ndihmat sovjetike, që kalonin nëpërmjet kufirit shqiptar, ndonëse “porosia” nga Moska nëpërmjet ambasadorit sovjetik, D. S. Çuvahinit, ishte “për mundësinë e mbylljes së kufirit shqiptaro-grek që nga 1 maj 1949 dhe për ndërprerjen e dërgimin e çdo lloj ndihme për demokratët grekë përmes kufirit shqiptar”. Trupat m-f greke, për të bllokuar furnizimin dhe goditur nga shpina forcat komuniste greke shkelën territorin shqiptar. Njëkohësisht sulmi grek synonte jo vetëm të fusnin zjarrin e luftës edhe në Shqipëri, por edhe të masnin pulsin e aftësisë mbrojtëse të RPSH dhe, po të kishin mundësi, të realizonin politikën e tyre shoviniste për aneksimin e Korçës dhe të Gjirokastrës”. Fillon kështu konflikti midis Ushtrisë shqiptare në mbrojtje të kufirit dhe forcave m-f greke, apo shtetit shqiptar e atij grek që ka hyrë në histori me emrin “Provokacionet e Gushtit”, por që në të vërtetë ishte agresion ushtarak kundër një vendi të lirë dhe sovran.
Shteti shqiptar ishte në gadishmëri
Konflikti midis Shqipërisë dhe Greqisë nuk kaloi thjeshtësisht vetëm në plan dypalësh, si shqetësim ai u shtri deri në Kombet e Bashkuara, në Këshillin e Sigurimit dhe në Fuqitë e Mëdha. Greqia, e mbështetur nga mjaft shtete e akuzoi Shqipërinë dhe bashkë me të edhe Bullgarinë si vende që nxisin luftën civile në Greqi, duke mbështetur forca politike dhe ushtarake guerrilase e antikushtetuese.
Veprimet luftarake edhe pse të shkëputura e si provokacion kryheshin prej shumë kohësh më përpara vazhduan me intesitet më të lartë nga 2 gushti deri në 5 shtator 1949. Me ndërprerje ato u shtrinë në zonat e Bilishtit, Kapshticës, Leskovikut dhe Konispolit. Shqipëria pësoi dëme në njerëz, ushtarë dhe civilë të vrarë, si dhe dëme materiale në fshatrat pranë kufirit. Forcat m-f greke, lanë mjaft ushtarë të vrarë në territorin shqiptar, si dhe rob lufte.
Shteti shqiptar i ndoqi me vëmendje zhvillimet politike e sidomos ushtarake mes dy vendeve. Ai e kishte mësuar lajmin për sulmin e forcave m-f greke në fillim të korrikut 1949. Ushtria shqiptare ishte e gatshme në raport të drejtë me intesifikimin e veprimeve dhe në gatishmëri, pasi forcat m-f greke kishin rreth 8 muaj në “shënjestër” kufirin shqiptar në zonën Leskovik-Korçë. Forca të shkëputura të m-f grek sajonin dhe nxisnin provokacione ndaj kufitarëve shqiptarë, përdorën agjentë të shërbimit sekret gjatë kufirit, krijonin konflikte provokuese me forca ndaj banorëve të zonës kufitare.
Para kësaj, përballë forcave greke në rajonin e Korçës ishte vendosur D8K në brezin Vidohovë-Vernik-qafa e Zvezdës-mali Rrumbullaktë. Me rëndimin e situatës e intesifikimin e veprimeve luftarake me vendim të Komandës së Përgjithshme shkoi më pranë veprimeve luftarake dhe një pjesë e Shtabit të Përgjithshëm me në krye Shefin e Shtabit të FA, Beqir Balluku. Para stërvitjeve në këtë territor kishte shkuar për njohje me problemet dhe Komandanti Suprem Enver Hoxha. Në stërvitje merrnin pjesë rreth 10 mijë ushtarë e oficerë, të cilët qëndronin në gatishmëri të plotë luftarake.
Plani, dita dhe ora e sulmit të forcave m-f greke ishte i zbuluar nga D8K i Korçës. Forcat m-f greke kishin 8 muaj që bënin provokacione të vijueshme në kufirin shqiptar. Në këto provokacione nga që synimet greke nuk kishin mundur të shkaktonin acarim të palës shqiptare për nisje konflikti, kaluan në veprime luftarake në masë, të koordinuara. Pala greke, duke u dhënë një përmbajtje të re veprimeve të saj, kaloi në veprime më masive. Mësymjen nga toka, po e mbështeste jo vetëm me zjarrin e artilerisë, por edhe të aviacionit. Veprimet luftarake midis dy palëve, duke tejkaluar përmasat e provokacioneve të shkëputura, po merrnin gjithnjë e më shumë karakterin e luftës me front të rregullt. Të dëshpëruar dhe të acaruar, në 2 gusht 1949, në orën 0430, në zonën e Bozhigradit (Mirasit) filloi përgatitja me artileri e forcave ushtarake greke, të dislokuara përgjatë kufirit me Shqipërinë. Predhat ranë deri 300-400 m në thellësi të territorit shqiptar. Në orën 0500 filloi sulmi i fanterisë greke me 3 batalione të Br51F dhe Br52F të D1F, të mbështetur nga një Regjiment Artilerie dhe një skuadrilje aeroplanësh gjuajtës, të tipit “Spitfiter”, me bazë në aerodromin e qytetit Kastoria.
Kështu u nis sulmi i agresionit ushtarak.
![]()
