Fëmijët tanë nuk ndihen mirë. Anembanë Evropës, të rinjtë po protestojnë për çështje që variojnë nga mungesa e financimit për arsimin deri te kostoja e strehimit dhe e jetesës duke u nxjerrë sfida masive qeverive që tashmë janë nën presion të fortë.
Konfigurimi i saktë i shqetësimeve varion nga shteti në shtet. Në Spanjë, dëbimi i 87-vjeçares Maricarmen Abascal nga shtëpia e saj shërbeu si katalizator për këtë valë protestash; në Francë, studentët dolën në mbështetje të mësuesve në grevë; protestat e studentëve kanë tronditur Shqipërinë për muaj e muaj të tërë, së pari të nxitura nga planet për një zhvillim luksoz nga dhëndri i Presidentit të SHBA-së Donald Trump, Jared Kushner.
Pavarësisht katalizatorëve të tyre të ndryshëm, të gjitha këto lëvizje kanë thithur çdo pakënaqësi përpara se të shpërthenin në një valë gjithëpërfshirëse, pjesërisht duke frymëzuar edhe njëra-tjetrën. Protestuesit në Itali dhe Greqi u janë referuar homologëve të tyre francezë në slloganet e tyre. Protestat për strehimin në Spanjë u derdhën edhe në Portugali.

Sindikatat e studentëve nëpër Evropë po ndajnë këshilla dhe përvojat e tyre me njëra-tjetrën, i tha CNN-it Alice de Brito, zëvendëspresidente e sindikatës kryesore të studentëve të Francës, UNEF.
“Shoh më tepër ngjashmëri se sa dallime,” tha ajo. “Ne të gjithë po flasim për nevojën për investime në arsimim, në edukim, tek rinia në përgjithësi. Por ne po flasim gjithashtu për koston e jetesës, për strehimin”.
Udhëheqësja e sindikatës së studentëve italianë Sabrina Brizzola, tha gjatë një tubimi fundjavën e kaluar se janë aty “për shkolla që nuk na shemben mbi kokë, punë të sigurt dhe dinjitoze, për kujdes shëndetësor publik, për drejtësi shoqërore”.
Julius Fintelmann, bashkëthemelues dhe kryeredaktor i buletinit të përditshëm European Correspondent, thotë se protestat “pasqyrojnë ndjenjën se politika e Evropës po dështon me brezin e ardhshëm”.

Përveç arsimit dhe strehimit, ai tregon për një treg pune gjithnjë e më të pasigurt, që ka ndikuar këtë shpërthim të zemërimit të Brezit Z. “Mendoj se në rrënjë ajo që shohim është tipari që ka patur demokracia liberale, se brezi që vjen gëzon një jetë më të mirë se ai që është. Kjo tani thjesht nuk është më e vërtetë,” i tha ai CNN-it.
Dhe në fakt, vendet e Bashkimit Evropian më të prekura nga protestat – Greqia, Italia, Franca, Belgjika, Spanja dhe Portugalia – ndajnë një sfond ekonomik të zymtë dhe nivele të larta të borxhit kombëtar, duke e bërë të vështirë rritjen e shpenzimeve publike. Rendimentet e obligacioneve në Francë, për shembull, u ngritën në nivelet e tyre më të larta që nga viti 2002 të mërkurën, duke ushtruar më shumë presion mbi buxhetet e qeverisë.
‘Duke pritur për një përgjigje’
Protesta studentore janë mbajtur në fillim të vitit shkollor francez në shtator dhe tetor për nëntë vitet e fundit pasi të rinjtë që duan më shumë arsim e kuptojnë se nuk kanë mjaftueshëm mësues apo pajisje të mira, – vëren de Brito.
Këtë vit, megjithatë, ato u rritën si ortek bore, ndërsa studentët kërkuan reduktim të masivitetit të klasave, rritje të shpenzimeve për mësuesit, investime në infrastrukturë dhe një fund të dhunës policore kundër të rinjve. “Njerëzit thjesht janë të lodhur duke pritur për një përgjigje,” tha de Brito.

Arsimimi cilësor është një temë që shfaqet pavarësisht kufijve të Evropës. Mijëra studentë dhe mësues marshuan nëpër Greqi, përfshirë një grup që u mblodh jashtë parlamentit në Athinë duke thirrur, “nga Greqia në Francë, ne duam arsim publik, të lirë,” sipas Reuters. Kur studentët pushtuan për herë të parë një shkollë të mesme në Romë, më 7 tetor, ata shkruan “si në Francë” në rreshtin e parë të deklaratës që mbronte veprimet e tyre.
Por qeveria italiane ka kërkuar të minimizojë çdo ngjashmëri me lëvizjen e protestës në Francë. “Situata në Itali është shumë e ndryshme nga Franca,” tha Ministri i Arsimit Giuseppe Valditara më herët këtë muaj, duke përsëritur një pretendim të së djathtës së ekstremit se protestat franceze ushqehen nga vështirësia, e integrimit të emigrantëve të brezit të dytë në sistemin shkollor. Kjo nuk ekziston në Itali.

Strehimi është një tjetër çështje që shfaqet pavarësisht kufijve kombëtarë. Protestuesit italianë thonë se kanë vëzhguar nga afër protestat e strehimit në Spanjë, të cilat shpërthyen me të vërtetë në shtator dhe përfundimisht e detyruan qeverinë të thërriste zgjedhje të parakohshme.
Studentët në një grupim proteste në Romë i thanë CNN-it se strehimi i përballueshëm ishte i pandashëm nga një arsim i mirë. Njëra, Elisa Pastore, tha se ajo dhe vëllai i saj mezi përballojnë qiranë për një dhomë të vetme të përbashkët në kryeqytetin italian, ku ata ndjekin universitetin. Për gjysmën e parë të diplomimit të saj, përpara se vëllai të fillonte gjithashtu universitetin, asaj i duhej të udhëtonte 120 kilometra nga jashtë Romës për të kursyer para.
Grupe të tjera po protestojnë, gjithashtu. Ka edhe një bllokadë nga kamionistët në Itali, të revoltuar nga kostoja e rritur e karburantit pas luftës në Iran. Greva e tyee ka ndaluar prodhimin e mocarelës dhe disa lloj makaronave.
Çështje si strehimi kapërcejnë ndarjet ndërbreznore, duke tërhequr brezat e vjetër në protesta gjithashtu.

Në Portugali, mijëra njerëz janë mbledhur në Sheshin Rossio, një nga sheshet më të ngarkuara të Lisbonës, çdo mbrëmje këtë javë. Disa madje ngritën çadra dhe 55 persona u arrestuan në orët e hershme të mëngjesit të martën. Pamjet e arrestimit kanë nxitur demonstrata të mëtejshme. Protestuesit, duke valëvitur flamuj me sllogane si “Casas para morar,” që do të thotë “Shtëpi për të jetuar,” kanë kërkuar tavanë mbi rritjet e qirasë dhe përmbysjen e një ligji të ri që i bën dëbimet e atyre që nuk munden të paguajnë, më të lehta.
Demonstratat afatgjata në Shqipëri dhe Serbi janë përqendruar më shumë te antikorrupsioni, duke u përshkallëzuar në lëvizje që kërkojnë largimin e qeverisë.
Protestat disamujore në Shqipëri u kthyen në të dhunshme javën e kaluar, por Kryeministri Edi Rama kundërshton çdo thirrje për t’u dorëhequr. Në vend të kësaj ai akuzon protestuesit se po kërcënojnë planet e tij që vendi të anëtarësohet në BE.
“Ne duam një ndryshim, prandaj jemi këtu,” i tha një protestues në Shqipëri Reuters-it. “Ne kërkojmë një qeveri të re, të pakorruptuar, ne nuk duam negociata me të korruptuarit”.

Ndërkohë në Serbi, studentët që nuk kanë ndaluar protestat për dy vitet e fundit tani kanë formuar partinë më të fuqishme opozitare ndaj udhëheqësit të kahershëm Aleksandar Vuçiq në zgjedhjet parlamentare të së dielës.
Një valë tjetër protestash përfshiu Francën të shtunën, ndërsa dhjetëra mijëra demonstrues marshuan në qytete përfshirë Parisin, Marsejën, Lionin, Lilën, Orleansin dhe Bordonë. I organizuar nga sindikata kryesore e studentëve të Francës UNEF, marshimi në Paris u ndoq gjithashtu nga CGT, një nga sindikatat më të mëdha të punës në vend, fermerët, aktivistët e klimës dhe jelekverdhët, lëvizja që doli për herë të parë në vitin 2018 gjatë protestave mbi kostot e karburantit.
Dhe me sa duket kjo nuk do ndalet lehtë. Sindikatat kryesore të punës në Francë dhe Spanjë kanë thirrur grevë të përgjithshme më 5 nëntor dhe 11 nëntor, përkatësisht. Në Gjermani, një grup që quhet “Gen Z regelt” (“Gen Z e rregullon”) ka thirrur për protesta mbarëkombëtare më 31 tetor. Dhe sindikatat e studentëve në Britani dhe Itali po planifikojnë një ditë të përbashkët më 20 nëntor për të protestuar ndaj kostos së rritur të jetesës.
——
Botuar në CNN, përshtatur në shqip nga Dita. Stefano Pozzebon, Pierre Bairin, Lucie Lepellec dhe Will Ripley kontribuuan në këtë raportim.

Ore po sikur nuk thoka gjë për Iranin, Rusin, ndasit fetare, brockullat pa fund te piktorit
Si ka mundesi?
Apo surealisti i Surelit i di me mire se CNN kto pune
Brezi i ri esht i zgjuar dhe ka te drejte jo vetem te revoltohet po edhe ti marr zvarrë keta hajdutet vilaxhinj
E kane kapur qe ARSIMI DHE EDUKIMI jane celsat e se ardhmes. Qe shoqeria te jete e mbushur me qytetarë jo me adhurues primitiv politikanesh spurdhjak